Ismet Hajrullahu: Referendum për gjykatën speciale

Për shkak se Kuvendi ka kohë që  gjendet nën një presion të jashtëzakonshëm, për shkak se ka tendenca të dukshme që tempulli i demokracisë të kthehet me kokë poshtë, Kuvendi sot nuk e ka fuqin e duhur për të shprehur vullnetin e popullit për krijimin e gjykatës speciale. Në këto kushte, mbajtja e një referendumi do ishte e vetmja rrugë për të legjitimuar krijimin apo mos krijimin e saj.  Referendumi është një nga format e ushtrimit të demokracisë  së drejtë për drejtë, prandaj ,shumë shtete me një histori shumë të gjatë demokratike si SHBA-ja,Franca, Gjermania, Britania e Madhe, dhe Zvicra  kanë mbajtur një sërë referendumesh . Këtë shembull e kanë ndjekur edhe jo pakë demokraci të reja të Evropës Lindore.

 

 Kosova po jeton në momentet pothuajse më delikate të historisë së saj shtetërore. Në këtë kohë me  përgjegjësi të jashtëzakonshme, vendit i duhen deputetë me dinjitet, të cilët do të dinë të guxojnë të marrin vendime për vendin edhe kur presioni është i jashtëzakonshëm. Ata ,o sot o kurrë, duhet të jenë vetvetja sepse me vendimet e tyre për gjykatën speciale do të krijohet fytyra e vërtetë e seriozitetit dhe sovranitetit të shtetit së Kosovës. Të gjithë e shikojmë të gjithë jemi dëshmitarë që, sot në Kosovë vullneti për pushtet ka kaluar shumë herë çmendurinë Niçiane, dhe ajo ka marrë përmasa të frikshme deri në shtyrje  të deputetëve  për të bërë vetëvrasje politike .

 

Në ndërtimin e shtetit të së drejtës, përgjegjësitë  e kuvendarëve janë  shumëfish më të mëdha, e sidomos në momente të veçanta si ato që po kalon tani Kosova. Nuk do të dëshiroja kurrën e kurrës që përfaqësuesit  popullit sot, të ngjasojnë me satirat e Homerit të shqiptarëve,  Atë Gjergj Fishtës. Fishta ishte vazhdimisht i shqetësuar për përbërjen e Kuvendit, por edhe të qeverisë. Atë Fishtën, kjo gjendje në qeveri dhe në kuvend e gërryente thellë në shpirt, sepse momenti ishte se si do ta merrte formën  shteti shqiptar i asaj kohe.

 

Edhe sot, pas më shumë se njëqind viteve të krijimit të shtetit shqiptar, shteti i Kosovës përballet pothuajse me të njëjta probleme që kalonte Shqipëria e asaj kohe. Poeti kombëtar, me anë të librit satirik ‘Gomari i Babatasit ‘, godiste injorancën që kishte veshur petkun e dijes. Ai  përpiqej të nxirrte në pah kontrastet që e kthenin shoqërinë në regresin më poshtërues. Një klikë e instaluar në pushtet, që trashej deri ne deformim ,ishte tabela qitëse e Fishtës. Populli shpresonte tek ajo qeverisje, kurse ajo abuzonte dhe keqpërdorëte kët besim të popullit.

 

Pavarësisht nga dallimet e mëdha në kohë, ngjashmëritë nuk janë të largëta, sepse në Kosovë  e kemi Kuvendin , i cili është shndërruar në nje “odë” kuvendimesh , si në sistemin komunist jugosllav, ku po deshe – flisje, po nuk deshe, askush nuk të kërkonte llogari.  Fundja, edhe sikur të flisje, prapë asnjeri nuk ta varte, sepse vendimet vinin nga maja e partisë. Kriteri ishte: që të ishe sa më I dëgjushëm për kasten udhëheqëse të Lidhjes Komuniste të Kosovës. Mjerisht, edhe sot, kur Kosova është shtet demokratik me një sistem parlamentar, vendimet merren nga një kupolë e veshur me pushtet absolut -gati, gati diktatorial. Kuvendi sot gjendet nën një presion të jashtzakonshëm. Tendeca është e dukshme që tempulli I demokracisë të kthehet me kokë poshtë. Kuvendi sot nuk ka fuqi të duhur për të shprehur vullnetin e popullit, për shkak të makuterisë së vet politikanëve ,por edhe per shkak të kufizimeve të imponuara nga piramida qeveritare, që jo rallë herë është më lojale ndaj ndërkombëtarëve, se sa ndaj qytetarëve nga të cilët kanë marrë besimin për t’i përfaqësuar.

 

Tanimë nga përvoja jonë me praktikat në kuvend, dihet se liderët politik, kurdo që merren vendime të natyrës së rëndësishme, janë gjithmonë në gjendje të fshihen pas shumicës parlamentare. Vecanërisht në një demokraci të brishtë si kjo e jona, ata e largojnë nga vetja përgjegjësinë, për të mbetur në fund përgjegjësi e askujt. Shembull konkret I këtij fakti mjerues, është edhe tendenca për krijimin e një Gjykate Speciale, e cila në rast votimi do verifikonte edhe një herë se deputetët janë marioneta dhe ushtrojnë vullnetin e korruptuar të liderëve të tyre, dhe në asnjë moment nuk shprehin qëndrimin e qytetarëve të vendit.

 

Jam shumë I bindur që taksapaguesit e këtij vendi nuk do të dëshironin që përfaqësuesit e e tij  ti shikonte  në rolin e Sanço Panços, sepse siç thotë Rushit Rambaja  tek libri “Një Gomar për Parlament”, “Se Doni i Kishotit (Donkishoti) kurrë s’do t’i kish fituar betejat dhe kurrë s’do të ishte veshur me gjithë atë lavdi po të mos e kish pasur shytarin trim Sanço.”

 

Deputetët,duke qenë të vetëdijshëm për presionin e jashtzakonshëm që ushtrohet mbi ta nga Qeveria , si dhe për të pasur një ndërgjegje të qetë, do duhej të kërkonin që krijimi i një institucioni të huaj brenda territorit të Kosovës, që njëherësh është edhe në shkelje flagrante të Kushtetutës së vendit, do duhej domosdoshmërisht të vendosej vetëm me vullnetin e drejtperdrejtë të popullit të Kosovës. Me fjalë të tjera, mbajtja e një referendumi do të shprehte vullnetin e sovranit për këtë çeshtje tejet të rëndësishëm për të ardhmen e vendit. Për më shumë, do ishte e vetmja rrugë për të legjitimuar krijimin apo mos krijimin e kësaj gjykate speciale, e cila mes rreshtave synon të dënojë vet luftën çlirimtare.

 

 

 

Demokracitë perendimore praktikojnë Refrendumin

 

Prandaj, me mbajtjen e një referendumi ne nuk bejmë shpikjen e tij , por vetëm do aplikonim një të drejtë të ligjëshme e që shtete ndër më demokratiket në botë, e praktikojnë edhe për çështje më minore. Shteti zvicran që nga futja në fuqi e  kushtetutes së vitit 1848 e deri në vitin 2014 ka arganizuar mbi 540 referendume federale. Referendumet e fundit zvicran janë referendumi për vendosjen e një kufiri për numrin e emigrantëve , apo referendumi që mbajti në vitin 2014 për rritjen e pagës minimale në Zvicër.  Por jo vetëm Zvicra, por edhe shumë vende me një histori shumë të gjatë demokratike si ; SHBA-ja, Franca, Britania e Madhe, Gjermania, Kandaja apo Australia etj., kanë mbajtur referendume sipas problematikes së tyre kombëtare apo vendore. Këtë shembull të demokracis së drejtëpërdrejtë e kan ndjekur edhe shumë demokraci të reja të Evropës Lindore apo ato të Vendeve Baltike. Nëse parlamentarët në këto shtete kampione  demokracisë, ja delegojnë popullit marrjen e vendimeve bazike, atëhere përse edhe Kuvendi i Kosovës mos të veprojë njejtë, dhe këtë vendim siç është Gjykata speciale , që është i një rëndësi tepër të veçantë për ardhmërinë e shtetit, t’i bartet vetë sovranit!?

 

Presioni është i madh, pasi është thënë se kinse themelimi I kësaj gjykate speciale do të jetë në interes të Kosovës, por nëse kjo do qëndronte, atëherë sigurisht se Serbia dhe Maqedonia, (si dy shtetet që kanë bërë krime ndaj njerëzimit) do vraponin të krijonin sa më shpejtë gjykata të tilla, dhe nuk do na vinte rradha neve të beheshim pionerë të themelimit të një gjykate të tillë speciale. Thënjet se kjo gjykatë do pastrojë përfundimisht imazhin e Kosovës, janë vetëm sa për të hutuar opinion e gjerë, se në realitet ajo vetëm sa do e përlyente imazhin e shtetit , dhe vecanërisht luftën e lavdishme të Ushtrisë Clirimtare të Kosovës.

 

Votimi i kesaj gjykate, e cila mbeshtetet thjesht në deklaratat e Dik Martit , (njeriut qe e ndertoi akuzen krejtesisht në gjendje sonambule), edhe pse deputetët janë nën një presion të pa imagjinushëm për boten demokratike do konsiderohej tradhëti, jo vetëm ndaj jetëve të sakrifikuara për këtë vend, por edhe ndaj gjeneratave të tëra pas nesh, pasi do ju servonin një histori të shtrembëruar, që rrjedhimisht do vinte në pikëpyetje luftën e drejtë si dhe çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës nga pushtimi i tmershëm serb.

 

Deputetë të Republikës së Kosovës , hapjani rrugën Referendumit , vullnetit   të Popullit!

Kontrolloni gjithashtu

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili reagoi kundër kallëzimit penal të ministrit Faton Peci

Deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, ka reaguar ndaj kallëzimit penal të paraqitur nga ministri i …