leoni

Ismet Hajrullahu

Ismet Hajrullahu: Reformat në arsim, domosdoshmëri e kohës

Rezultatet  e testit ndërkombëtar PISA në fushën e arsimit , treguan mangësitë dhe dobësitë e shumta të sistemit tonë arsimor dhe në të njëjtën kohë treguan qartë, se sa urgjente është  bërja e reformave të thella në arsim. Duke e parë në këndvështrimin e një intelektuali, qytetari, e prindi ,  vërtet ndihesh i pashpresë për një shkollim cilësor të fëmijëve në institucionet tona shkollore, pothuajse në të gjitha nivelet.

Kosova, me një moshe mesatare tepër të re të popullsisë , krahasuar me vendet e tjera të Evropës, duke parë  nevojën dhe kërkesat e larta të të rinjve për t’u arsimuar , politikë-bërësit është dashur të kenë nje qasje prioritare në këtë drejtim dhe duke e parë arsimin seriozisht si një nga prioritet kryesore të zhvillimit të vendit. “Mobilizimi” i drejtorëve ‘të politizuar’ të drejtorive komunale të arsimit në Kosovë, realisht nuk do të ketë ndonjë impakt në ngritjen e cilësisë apo mbarëvajtjes së arsimit, pasi në shumicën e komunave tona , drejtorët që menaxhojnë me arsimin , në shumicën e rasteve , janë thjesht të besuarit e kryetarëve të komunave , ose për më tepër  kuadro  që nuk kanë lidhje me arsimin.

Dhe pikërisht këtu fillon kalvari i dobësive dhe mangësive në menaxhimin e procesit edukativ ,si në nivel lokal , ashtu edhe atë kombëtar. Përzgjedhja e kuadrove  nga politka, duke mos pasur lidhje me dijen dhe fushën e arsimit ka sjellë këto rezultate  të cilat për mua personalisht , kanë qenë më se të pritshme, sepse jo rallë kur shkruaja për këtë çështje, jo pak zyrtarë të arsimit me kritikonin se e kisha lëshuar “pllugun thellë”! Menaxhimi I sistemit arsimor në aspektin kombëtar   është një çështje shumë komplekse , por edhe shumë e vështirë për vetë specifikat që kemi kaluar ne si shoqëri dhe në të njëjtën kohë për qasjen që politikëbërësit kanë karshi kësaj çeshtjeje tepër të rëndësishme për  shoqërinë.

Zhvillimi I arsimit  përbën një proces zinxhiror që ndërlidhet me hallka të ndryshme dhe që nuk mund të funksionojnë pa njëri tjetrin. Nga ky këndvështrim, përgjegjsia më e madhe bie mbi politikëbërësit , të cilët janë përgjegjësit kryesorë për hartimin e politikave të duhura , të krijimit të një infrastrukture të duhur ligjore për një sistem arsimor  koherent për gjeneratat e reja. Sa më i zhvilluar ekonomikisht të jetë një vend , aq më shumë  i jep prioritet sistemit edukativo -arsimor në përgjithësi. Kjo u pa qartë edhe në ranglisten e fundit të testimit PISA , ku vende me ekonomi shumë të zhvilluar , prinin edhe në sistemin e arsimit.

Trendet e ndryshimeve  gjeografike botërore të vendeve që kryesonin listën e testimit PISA , ishte nje surprisë e madhe edhe për vetë vendet e zhvilluara të Evropës , ku arsimit në përgjithësi i është dhënë një prioritet veçantë. Çfarë është bërë konkretisht për ngritjen e cilësisë në arsim? Cilat kanë qenë ato politika shtetërore të cilat kanë dhën  suksese në këtë drejtim? Edhe sa duhet të presin nxënësit dhe studentët e këtij vendi për të marrë një arsim cilësor në shkollat publike, dhe jo vetëm në to? Shumë e shumë pyetje ngrihen rreth kësaj çështje shumë sensitive , ku paradokset janë të shumta. Ku ‘ekonomisti’ I diplomuar , nuk di tabelen e shumezimit , apo ‘juristi’ nuk di të formulojë apo interpretojë një ligj të caktuar, e shumë e shumë raste të tjera.

Kjo formë dhe mënyrë e menaxhimit të sistemit arsimor në pergjithësi , I lë hapësirë ‘lulëzimit’ të një arsimimi dhe krijimit të një ushtrie të ‘diplomuarve’ të padijshëm  që do jetë një bumerang  për shoqërinë tonë në dekaden e ardhshme. Duke pasur parasysh  faktin ,se ne si vend kemi përqindje  të lartë  të gjenrates së re, krijuesit apo hartuesit e këtyre politikave në fushën e edukimit duhet të njohin mirë rrethanat dhe kushtet që është zhvilluar arsimi në pergjithesi , para dhe gjatë luftës. Nuk mund të ndertojmë dhe investojmë shkolla dhe kabinete supermoderne pa krijuar kuadrot e duhura që do te jenë të aftë të përdorin aparaturat ,apo të kenë dijen e duhur në fushat përkatëse. Ngritja dhe investimi paralel, si në aspektin fizik të objekteve shkollore  dhe në ngritjen e kapaciteteve të krijimit të kuadrove në pergjithësi,  në këtë drejtim është mënyra e duhur dhe çelesi për një arsim të sukseshëm .

Nuk mund të marrim apo ‘ kopjojmë ‘ planprograme në mënyrë shabllone nga vende shumë të zhvilluara për t’i aplikuar në vend, pasi kushtet , infrastrukrura fizike , dhe ajo kadrovike janë në disnivel të madh. Nuk do benim kurrfarë herezie nëse do të merrnim për bazë  , reformën  që ndoqi Shqipëria, e cila  tregoi se ishte tepër e sukseshme , gjë që treguan edhe Rezultatet e  testit ndërkombëtar PISA . Në këtë këndvështrim , specialistët e fushës së arsimit do të duhet të bënin një studim apo evaluim të saktë të gjendjes aktuale të arsimit në përgjithësi në të gjitha nivelet. Bazuar në statistikat e dala , mund të krijohen planprograme , të cilat do ti përshtateshin vetë shoqërisë në përgjithësi . Rritja e këtij  bashkëpunimi serioz në fushen e arsimit me Shqipërin , mendoj se do ishte hapi i duhur dhe thelbësor për të ardhmen e arsimit koherent në Kosovë.

Dobësitë apo mungesa e platformave të qarta, se si dhe ku duhet te eci arsimi në pergjithësi , si ai public apo privat, rezulton në këtë gjendje alarmante në përgjithësi. Prandaj,nësse  deri më sot  arsimi nuk ishte prioritet , që nesër, duhet te vehet mbi gjithcka  duke u  ndergjegjsuar se arsimimi I gjeneratave te reja është dhe duhet të jetë prioritet mbi prjoritetet. Mbushja apo stermbushja e drejtorive apo shkollave me militantë partiakë , vazhdimesia e po ketij trendi , do ta çojë në vijueshmëri kalbsimin e sistemit tonë arsimor  në pergjithësi. Vetë akademia e shkencave tona , e stermbushushur me ‘shkencëtarë shterpë , që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për shkencën , vetem se iksi  apo ypsyloni është antarë I një partie politike, do ketë impakt shumë të madh në shkatërimin gradual të sistemit arsimor në pergjithësi. Nuk e di se cilat janë politikat që po ndiqen , për ti rikthyer në vend ata që kanë studiuar jashtë , çfarë hapësire ju është dhënë dhe sa inkurajohen për të qenë pjesë e politikave menaxhuese jo vetem në sistemin e edukimit , por në të gjithë sistemin tonë shoqëror në përgjithësi.

Vertet nëse e duam këtë vend ,duhet të kthjellemi dhe ti kushtojmë një rëndësi shumë më të madhe fushës së edukimit të gjeneratave të reja , pasi vetëm në këtë menyrë mund të jemi pjesë e zhvillimeve dhe trendeve botërore.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …