leoni

Ismet Mustafë Bicaj (14.5.1958-12.4.1999)

Ismet Mustafë Bicaj (14.5.1958-12.4.1999)

Njëri ndër mërgimtarët tanë të shumtë, i cili në luftën e fundit çlirimtare iu përgjigj thirrjes së atdheut, në orën e çlirimit të tij, ishte edhe dëshmori Ismet Bicaj. Ai pas shpërthimit të luftës në Kosovë, trupin e kishte në mërgim, por mendjen dhe zemrën në Kosovë. Në qenien dhe ndërgjegjen e tij, në atë kohë jehonte thekshëm kushtrimi i luftës për liri, që shpirtit i sillte trazim. Ky shpirt do të paqësohet në çastin e vendimit të madh për t’u nisur drejt fushëbetejave në Kosovë, drejt rrugës së lavdisë e të amshueshmërisë. Këtë vendim, Ismeti e kishte marrë një ditë të bukur qershori të vitit 1998. Atë ditë, shkëlqimi dhe komoditeti suedez, para bukurisë dhe dashurisë së atdheut, për të ishte bërë një hiç.
Dëshmori Ismet Bicaj ka lindur më 14 maj të vitit 1958, në fshatin Tedel (ish-Vrellë) të komunës së Istogut. Në këtë fshat kreu shkollën fillore, ndërsa në Pejë e mbaroi shkollën e mesme teknike. Për arsye ekonomike, nuk vazhdoi shkollimin e mëtejshëm, por shkoi të punojë në Jesenicë të Sllovenisë. Në këtë qytet ndodhej edhe me rastin e shpërthimit të demonstratave në Kosovë, në pranverë të vitit 1981. Rizgjimi kombëtar i shqiptarëve në pjesën e robëruar të atdheut, i shprehur me këto demonstrata, nuk e la të qetë as Ismetin. Prandaj, edhe në atë kohë ai kishte menduar të bënte diçka të vlefshme për Kosovën, duke u detyruar të largohet nga Jesenica. Më 26 mars të vitit 1982, në përvjetorin e demonstratave studentore të një viti më parë, në Prishtinë, merr rrugën e mërgimit për në shtetet e Evropës Perëndimore. Pak ditë pas emigrimit, shërbimi i sigurimit të atëhershëm jugosllav, atë e kërkoi në familjen e tijt, në vendlindje. Me të arritur në Perëndim, një kohë të caktuar qëndroi në Austri, në Belgjikë e në Gjermani, derisa u vendos në Malme të Suedisë. Në këtë shtet mori qëndrimin e përhershëm si emigrant ekonomik dhe pas një kohe hyri në punë në një fabrikë impiantesh të ngrohjes diellore.
Periudha, gjatë së cilës Ismeti qëndroi në mërgim, ishte e ngjeshur me aktivitet të përditshëm të emigracionit politik shqiptar në vendet perëndimore, në përkrahje të kërkesave të shqiptarëve të Kosovës për barazi politike e kombëtare. Prandaj, pjesë e këtij aktiviteti u bë edhe Ismeti. Atje ku bëhej një demonstratë, organizohej një protestë, apo shkruhej një peticion, atje ndodhej edhe dëshmori Ismet Bicaj. Me fillimin e luftës çlirimtare në Kosovë, të cilën ditë e kishte pritur me shumë gëzim, ai bindet se veprimtaria e mëtejshme vetëm në emigrim tashmë kishte humbur rëndësinë, sepse Kosova kishte nevojë për krah arme. Me këtë bindje në kokë, në fillim të muajit qershor të vitit 1998, ndahet me shumë mall nga bashkëshortja, Ajshja, dhe nga fëmijët, Shpati e Albana, si dhe nga vajza tjetër, Dalina, dhe nga Malmeja e Suedisë niset për në Tiranë, ku kontakton me strukturat përgjegjëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Disa ditë të qëndrimit në Shqipëri, Ismetit i mjaftuan të armatoset e të përgatitet për të hyrë në Kosovë, si ushtar i lirisë. Më 26 qershor të vitit 1998, i ngarkuar me armatim, kalon kufirin dhe arrin në Junik. Së bashku me të, nga Tropoja, në Kosovë hyjnë edhe bashkëluftëtarët, Shasivar Haxhiaj, Florim Demaj, Verim Blakaj, Ali Sefaj (të gjithë nga fshati Tedel), Bujar Ukimeri nga rrethi i Prizrenit etj.
Pikëndalimi i dytë, ku Ismeti do të marrë instruksione për veprimtari ushtarake në rrethinën e Burimit, pas Junikut ishte Gllogjani, i cili në atë kohë ishte bërë vatër e pathyeshme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Dukagjinit. Pas një rruge të gjatë, ai arrin në fshatin e lindjes, në Tedel, ku, së bashku me veprimtarë të kësaj ane, i përvishet organizimit të njësiteve të UÇK-së dhe përgatitjes për hapjen e frontit të luftimeve edhe në fshatrat e komunës së Burimit. I ngarkuar me këtë mision, Ismeti qëndroi ilegalisht në këtë fshat, deri më 24 mars të vitit 1999, kur njësitet e brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, e formuar ndërkohë, dolën në fushëbetejë, përballë forcave të pushtuesit serb. Gjatë kësaj kohe dhe me mision të caktuar ushtarak, ai qëndroi edhe në zonën e Drenicës, si dhe vizitoi Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në fshatin Divjakë, ku takoi krerët e tij.
Bazë e qëndrimit ilegal të Ismetit ishin bërë shumë shtëpi në Tedel, si ajo e Januz Bicajt, Florim Demajt, Ramadan Dreshajt e të tjera. Shtëpia e Ramadan Dreshajt, njëkohësisht ishte bërë edhe bazë e UÇK-së në këtë trevë.
Në hierarkinë komanduese të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, Ismeti ishte emëruar zëvendëskomandant i Batalionit II të kësaj brigade, si dhe ndihmëskomandant i saj për ndërlidhje. Ai vepronte me emrin e luftës “Burim Guri”. Gjatë kësaj kohe, në zonën ku vepronin njësitet e kësaj brigade, u zhvilluan luftime të ashpra. Forcat e armikut përpiqeshin t’i vënin nën kontroll arteriet e rrugëve që çonin për në Mal të Zi, në mënyrë që ta intensifikonin fushatën e spastrimit etnik kundër shqiptarëve, duke i përzënë ata përmes këtyre rrugëve. Kundër pozicioneve të njësiteve të UÇK-së, ato përdorën të gjitha llojet e armatimit të rëndë, duke i granatuar nga të dy drejtimet: ai i kodrës së Tomocit, në juglindje, dhe i Bajës së Pejës, në jug. Në pozicion afërsie, armiku, pësonte humbje të vazhdueshme. Sidomos humbje të konsiderueshme, në këtë trevë atij i shkaktoi UÇK-ja përmes aksioneve guerile.
Më 12 prill të vitit 1999, armiku ndërmori sulm në shkallë të gjerë kundër pozicioneve të UÇK-së rrëzë fshatrave Tedel e Lubozhdë, te vendi i quajtur Shpatijet e Vrellës. Kësaj radhe ai përdori taktikë të re, duke ua marrë passhpinën luftëtarëve të lirisë. Numër i madh i trupave të tij arrijnë të depërtojnë në anën e epërme të pozicioneve të UÇK-së dhe sulmojnë me furi. Në këtë betejë u zhvilluan luftime në distancë të vogël, deri edhe në disa metra. Ismeti dhe bashkëluftëtarët e tij ishin në pozicion fare të papërshtatshëm dhe kishin vendosur të qëndrojnë deri në fishekun e fundit. Në luftime e sipër, Ismeti ishte plagosur në këmbë, por nuk kishte synuar të tërhiqej. Ai kishte qenë i pajisur me 6 karikatorë fishekësh të automatikut, me dy bomba dore e me dy revole. Ndërkohë, një karikator me fishekë dhe njërën revole ia kishte dhënë bashkëluftëtarit, Ismail Fetahaj, të cilit, me breshëri të shtënash ia mundëson edhe tërheqjen nga rrethimi. Para se të binte në altarin e lirisë, në këtë betejë të pabarabartë, Ismeti, i plagosur rëndë, edhe revolen e dytë ia jep bashkëluftëtarit tjetër përbri, Skënder Bytyçi, i quajtur Albani, i cili, po ashtu ishte plagosur. Atë ditë, në këtë betejë ranë edhe dëshmorët: Xhafer Mehmetaj, nga Zabllaqi, Ismail Fetahaj, nga Tedeli, Skënder Maraj nga Tedeli, Feriz Blakaj, nga Tedeli, Sami Gashi, nga Prigoda, Izet Shatri, nga Tomoci, Abedin Dërvishaj, nga Zabllaqi, Bujar Visoqi, nga Llukavci i Begut, Muharrem Vuthaj, nga Tedeli, Nezir Mujaj, nga Tedeli.
Kriminelët serbë kishin arritur ta marrin trupin e dëshmorit Ismet Bicaj dhe e kishin varrosur në një varrezë masive pranë varreve të qytetit në Pejë. Identifikimi i tij u bë pas përfundimit të luftës në Kosovë dhe u rivarros në varrezat e fshatit të lindjes, Tedel, më 16 korrik të vitit 1999.
Në mesin e 6 fëmijëve të prindërve, Mustafës e Sherifes, dëshmori Ismet Bicaj, dallohej me temperamentin shpërthyes, por edhe me ndjenjat shumë të sinqerta e njerëzore. Kishte ndërtim të mirë fizik dhe ten esmer. Adhuronte artin e aktrimit, prandaj kishte provuar të merrej edhe me aktivitete dramaturgjike. Ismeti kishte dy vëllezër e tri motra: Ilazi, Isa, Gjylshahi, Kymetja e Miradia.
Dëshmori Ismet Bicaj, ka dhënë provën më të qartë të flijimit për çështjen sublime të kombit, lirinë, duke ndjekur shembullin e flijimit të mijëra atdhetarëve të popullit shqiptar gjatë historisë. Ai do të mbetet shembull frymëzimi për brezat e ardhshëm, siç qenë për të trimat e lëvizjes kombëtare të kohës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në damarët e zemrës së tij nuk mund të mos rridhte gjak i stërgjyshit, Sylë Shabani, njëri ndër pjesëtarët e kësaj lëvizjeje dhe organizatorët e njësive vullnetare të forcave shqiptare të rezistencës kundër pushtuesit malazez, në betejën e njohur të Nokshiqit, e udhëhequr nga Ali Pashë Gucia. Në këtë betejë kishte marrë pjesë edhe gjyshi i Ismetit, Ali Syla, qysh si 16-17-vjeçar, ku edhe plagoset. Me pushtuesin ishte ballafaquar edhe babai i tij, Mustafa, i cili, në vitet 50 të shekullit të kaluar u dënua me dy vjet burg dhe u dërgua në kampin e Goli Otokut, i denoncuar, sikurse edhe dy vëllezërit e tij, Smajli dhe Tahiri, për veprimtari kundër shtetit jugosllav, si imformbyroist. Dorës së pushtetit titist nuk i kishte shpëtuar as vëllai më i madh, Ilazi, i cili, në fillim të viteve 60 u dënua me 1 vit e 6 muaj burg, për shkak se kishte tentuar ta kalojë kufirin e dhunshëm midis Kosovës e Shqipërisë politike. Të gjitha këto rrethana të historisë së familjes, nuk mund të mos ndikonin edhe në formimin shpirtëror e kombëtar të Ismetit.
Në shenjë përjetësimi, heroizmi i dëshmorit Ismet Bicaj është lartësuar në lapidarin e dëshmorëve të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, i ngritur në fshatin Tedel. Po ashtu, figura dhe emri i tij janë skalitur edhe në pllakën e përbashkët përkujtimore të dëshmorëve të territorit të komunës së Burimit, në Burim. Një rrugë në Prishtinë është emërtuar me emrin Ismet Bicaj. Familjes së dëshmorit i është akorduar mirënjohja Nderim, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës. Pas rënies, i është dhënë grada ushtarake major. (N. M.)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …