Ismet Sylejmani: LDK e pengoi nderimin për heronjtë e kombit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe kurrë nuk u pendua e nuk kërkoi falje

Po bëhen 32 vjet, kur LDK Dega e Gjilanit, doli kundër FTESËS për homazh në varrezat e qytetit të Gjilanit, në nderim të 7 vjetorit të rënies heroike të Heronjëve të Kombit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha!
Kanë kaluar 32 vite, dhe LDK vazhdon të heshtë dhe kurr nuk e sqaroi, se kush ishin ata që e morrën atë vendim, dhe e derguan denoncimin dhe u lexua në Radio Zagreb, në emisionin në gjuhën shqipe!
LDK e pengoi nderimin për Heronjtë e Kombit Rexhep Malaj e Nuhi Berisha dhe kurr nuk u pendua e nuk kërkoi falje
Më poshtë e keni letrën e hapur drejtuar LDK-së!
___________________________
LETËR E HAPUR: DEGËS SË LDK-së SË GJILANIT
FTESA PËR HOMAZH NUK ËSHTË FTESË PËR GJAKDERDHJE
Lufta dhe përpjekjet e pandërprera të popullit shqiptar në Jugosllavi për liri e të drejta kombëtare, datojnë që atëherë ‘’Kur nga dhuna u mund drejtësia, kur për gjysmë u nda Shqipnia’’, pra që nga viti 1912 e deri në ditët e sotme lufta për asnji çast nuk u ndërpre por në mënyrë kontinuele u rrit dhe u zgjerua edhe pse natyrisht fazat e caktuara historike dhe rrethanat politike gjegjëse diktuan baticat dhe zbaticat e saja.
Periudha prej vitit 1912 deri më 1945 begatoi faqet e hitsorisë së lavdishme të popullit shqiptar, përmes betejave heroike në fushën e nderit si dhe përmes aktivitetit të dendur diplomatik të shumë burrështetasve tanë që janë kontribut i madh dhe përvojë e pasur për gjeneratat e reja.
Që nga kjo kohë kundër popullit shqiptar u thurrën plane e memorandume djallëzore që përmes të gjitha formave të mundshme, pa zgjidhur mjetët, të arrinin objektivën e tyre për asimilimin tonë duke llogaritur edhe në shpërnguljet masive.
Në të gjitha kohërat u gjetën element shqiptar, që herë më shumë e herë më pak u vunë në shërbim direkt ose indirekt të armikut.
Duket anakronike ndoshta por është e vërtetë se kur fashizmi doli në skenën ndërkombëtare populli shqiptar në Jugosllavi sikur mori frymë më lirisht, themi më lirisht sepse armiqt tanë historik për një çast e larguan vëmendjen nga ne dhe iu drejtuan murtajës fashiste.
Edhe pse si popull i lodhur e i cfilitur nga luftërat e vazhdueshme mbrojtëse, ne hymë në luftën antifashiste nacionalçlirimtare me dëshira e aspirata të mëdha se pas mbarimit të luftës do të vetvendosim për fatin dhe të ardhmën tonë.
Tradhëtia e PKJ-së e udhëhequr nga titistët dhe elementët më bastard të popullit tonë, si Fadil Hoxha, Ali Shukriu, Sinan Hasani etj., goditën rëndë kapitalin e krijuar me gjak gjatë LNÇ-së, kapitalin e fitores historike, kapital që u sanksionua edhe në mbledhjen e KANÇSH të mbajtur në Bujan më 31 dhjetor 1943 dhe 1-2 janar 1944.
Por goditja e tradhëtisë edhe pse zbehu, për asnji çast nuk e ndërpreu luftën çlirimtare të popullit tonë drejt realizimit të aspiratave shekullore.
Prej vitit 1945 e këndej lufta e organizuar të cilën e bënë bijtë e bijat më të mirë të popullit shqiptar kishte ngritjet dhe rëniet, vrullet dhe stagnimet e momenteve të caktuara, por për gjithë këtë etapë historike ne duhet të krenohemi ngase rezistenca e organizuar kundër pushtuesit serbo-maqedono-malazez të cilët shfrytëzuan metodat kolonialiste e neokolonialiste e që eskaluan deri në terrorizëm të hapët, u tregua e efektshme duke mos devijuar për asnji çast karakterin e luftës për çlirim kombëtar.
Kjo etapë historike u përcjell fatkeqësisht edhe me vepritmarinë e ndyrë, veprimtari që na indinjoi e mllefosi, të një numëri bastardësh të cilët me vetëdije ose pa vetëdije, me bindje ose pa të, me paramendim ose pa paramendim vepruan në dëm të popullit të vet, duke i luftuar në të gjitha mënyrat pikërisht forcat më të shëndosha, bijtë e bijat më të devotshëm e më koshient, duke mos kursyer edhe metodën e likuidimit fizik.
Fillimisht në mënyrën më mizore u vra pjesmarrësi i luftës antifashiste i cili me armë në dorë luftoi për çlirimin e Shqipërisë dhe Kosovës, luftëtari komunist Xheladin Hana (thuhet se e vrau pas shpine UDB-ashi Xhevdet Hamza).
Mospajtimi me tradhëtinë që iu bë popullit dhe luftës së tij bëri që të rifilloi lëvizja revolucionare e cila u rrit e u forcua vazhdimisht, kurse një nivel më të lartë të organimizimit e shënoi LËVIZJA REVOLUCIONARE PËR BASHKIMIN E SHQIPTARËVE (LRBSH), prijës i së cilës ishte Adem DEMAÇI.
Por edhe para kësaj kohe, edhe gjatë kohës kur veproi Baca Adem me shokët e tij e edhe më vonë pati shqiptar që i shërbyen politikës së ditës e cila ishte politikë fund e krye antishqiptare, të cilët dhanë kontribut që të zbulohen e të kapen më me lehtësi luftëtarët e lirisë.
Edhe pse pas demonstratave të vitit 1968 populli ynë dukshëm u këndell e u vetëdijësua për pozitën e tij prej të robëruari, mëgjithatë kolaboracionist e shërbëtor mbetën mjaft.
Kështu ndodhi edhe më 1981 kur populli doli rrugëve të Kosovës dhe kërkoi Republikë për Kosovën e edhe pas demonstratave gjithpopullore të pranverës së vitit 1981, nuk munguan të atillë shqiptarë që daljen në rrugë të popullit e vlerësuan si gjest antikombëtar e në dëm të Kosovës e viseve të saja.
Nga pseudopatriot e tradhëtar si Fadil Hoxha, rinia heroike që përsëriti aktin heroik të Vojo KUSHIT u quajt ‘’pleh’’ i Kosovës; nga pseudopatriot e tradhëtar si Azem Vllasi, demonstrata gjithpopullore të vitit 1981 u quajtën ‘’Kundërrevolucionare’’ (edhe pse sot ky kuisling nuk e pranon një fakt të tillë) nga pseudopatriot e tradhëtar qindra herë në ditë përsëriteshin përmes forumeve, tubimeve e shtypit termat ‘’separatist’’, ‘’nacionalist’’, ‘’irridentist’’, ‘’terrorist’’ etj.; shërbëtorët shqiptarë të UDB-së i torturuan për vdekje qindra djem e vajza të popullit; shërbëtorët shqiptar të UDB-së ishin ata që i mbytën në dru e mandej i hodhën nga dritaret e burgjeve të vdekur (Afrim Abazi nga Ferizaj, Xhemë Blakaj nga Istogu, Xhemajl Berisha nga Prizereni etj); shërbëtorët shqiptar të UDB-së ishin ata që ndihmuan në kryerjen e aktit më të poshtër kur u vranë mizorisht në Shtutgart të Gjermanisë luftëtarët e lirisë Jusuf Gërvalla, Kadri Zeka e Bardhosh Gërvalla; shërbëtorët shqiptar të UDB-së ishin ata që e torturuan për vdekje revolucionarin komunist, birin e popullit Hydajet Hysenin që as në gjykim nuk mundën ta nxirrnin nga torturat e medha qe ia kishin bere etj., etj..
Dhe pas të gjitha këtyre që i numëruam e shumë e shumë të tjerave, shqiptarët UDB-ashë nuk ia venin gishtin kokës.
Kështu pas vitit 1981 në vend se t`i njiheshin të drejtat legjitime që i takonin popullit shqiptar në Jugosllavi, rregjimi nacional-shovinist Jugosllav në bashkpunim me kuislingët shqiptar u vërsulën me të gjitha forcat dhe mjetët që kishte në dispozicion për të shtypur çdo pakënaqësi eventuale të shqiptarëve.
Demonstrimi si në vitin 1981 u bë i pamundur, (jo në saje të faktit se ishte shuar lëvizja revolucionare, sepse ajo ishte rritur e forcuar vazhdimisht me gjithë humbjet që kishte pësuar), por përvjetorët arrihej të shënoheshin.
Gjatë asaj kohe pos bijëve më të mirë që u arrestuan, në burg dergjeshin me vite të tëra shumë bijë të papërkulur.
Njëri ndër ata ishte Rexhep MALAJ, i cili me qëndresën e tij heroike nëpër burgjet famkëqija të Jugosllavisë ishte shëndrruar në simbol qëndrese.
Më 1983 u lirua nga burgu dhe ashtu siç e ka vlerësuar kritika revolucionare e kohës, komunisti Rexhep MALAJ nuk u ul të merrej me teori mburravecësh, por vazhdoi luftën aty ku e kishin lënë shokët e tij të vrarë e të rënë nëpër burgje.
Dhe pas një kohe të shkurtër, qëndrimi në shtëpi iu bë i pamundur dhe kaloi në ilegalitet.
Bashk me Rexhepin në ilegalitet ishte edhe luftëtari i pakompromis Nuhi Berisha.
Puna e madhe e Rexhepit dhe Nuhiut i kishte rënë në sy UDB-së dhe ndiqeshin këmba këmbës nga ajo.
Kështu më 11 janar në mbrëmje të vitit 1984 Rexhepi e Nuhiu u gjetën të rrethuar nga forca të panumërta të policisë e të ushtrisë të cilave në ndihmë u vinin spiunët dhe tradhëtarët shqiptar.
Pas një lufte të pabarabart e të përgjakshme me policinë Jugosllave, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha ranë heroikisht në fushë të nderit, më pas më 1989 rënie poashtu heroike do të përsëritet nga Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu.
Qëndresën burrërore dhe rënien heroike të militantëve komunist, LKJ, LSPP E LRS përmes mjeteve të infromimit dhe të shtypit kukull e proklamonte ‘’vetvrasje’’ dy të të rinjëve që merreshin me drogë.
Dhe për të arritur kulmin e përgjegjësisë para popullit e historisë UDB-ashët dhe veglat e tyre nuk lejuan që dëshmorët të varroseshin pranë njëri-tjetrit.
Varrimi në Gjilan ishte shumë i zbehtë në krahasim me veprën e madhe të dëshmorëve.
Dhe për mos pjesmarrje masive në varrim fajtore ishte UDB-a shqiptare e cila kërcënohej se kush merr pjesë në varrim do të përfundoj në burg e në tortura nga më çnjerëzoret.
Dhe ashtu siç thamë më lart kur shtypi kukull në Kosovë njoftonte se Rexhepi e Nuhiu bënë ‘’vetvrasje’’, shtypi revolucionar në anën tjetër kryente punën e vet, njoftonte popullin për të vërtetën që kishte ngjarë në natën e zezë të 11 janarit.
Prej vitit 1984 e deri më 1991 në të gjithë përvjetorët Lëvizja revolucionare i përkujtoi antarët e saj dhe bijt e popullit aq sa e lejonin rregullat e luftës ilegale, dhe për çdo përvjetor jo vetëm për këta dëshmor që organizonte LËVIZJA…., sulmohej dhe ndiqeshin antarët e saj.
Për gjashtë vjet me radhë UDB-a nuk lejoi të mbaheshin përvjetorë për këta dëshmorë dhe kur afrohej 12 janari rojet e UDB-së viheshin afër varrezave e afër shtëpive të familjeve të dëshmorëve.
Dhe kur erdhi 12 janari e u mbushën shtatë vjet të rënies heroike të dëshmorëve të popullit, LËVIZJA POPULLORE PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS (LPRK) ashtu si në çdo përvjetorë që i përkujtoi edhe kësaj radhe por në mënyrë më të organizuar sepse kishin ndryshuar rrethanat lëshoi FTESË me anën e së cilës i`u bënte ftesë punëtorëve, fshatarëve, intelektualëve, studentëve, nxënësve e pionerëve që më 12 janar 1991 në ora 10:00 në varrezat e qytetit në Gjilan t`u bëhet homazh luftëtarëve të lirisë e të vëheshin kurora lulesh pranë varreve të tyre.
Natën e 11 janarit ndodhi një paradoks!
LDK e Gjilanit nëpërmjet Radio Zagrebit emisionit në gjuhën shqipe lëshoi kumtesë për opinion në të cilin thuhej: ‘’Se më 11 janar 1991 në Gjilan u gjetën afishe të cilat bëjnë thirrje për ‘’manifestim publik’’ i cili mund të nxis gjakderdhje, dhe e njoftojmë opinionin se LDK nuk qëndron pas tyre… ‘’Çfarë sharlatanizmi, athua vallë paaftësia e kryesisë së kësaj Dege është në pyetje?
Nuk më besohet.
Athua e kanë parë ata se FTESA ishte firmosur nga LPRK e jo nga LDK, apo nuk kanë dashur ta shohin?
Nëse jo atëherë urdhëroni e demaskojeni vetvehtën, në të kundërtën mbani përgjegjësi përpara popullit për shtrembërim të fakteve dhe për tentim, sabotimin e homazheve.
Po për gjakderdhjen?
Sigurisht disa nga këta demokratmëdhenj ende vazhduakan t`i kapin mendimet së prapthi.
Pikërisht homazhet këtyre bijve të popullit që derdhën gjakun për të shtruar rrugën e lirisë, janë MANIFESTIM kundër derdhjes së gjakut të pastërt në mënyrë barbare nga plumbat e tradhtarëve, dhe njëkohësisht edhe betim se për kauzën tonë gjakun nuk do ta kursejmë.
Këta demokratmëdhenj le të mendohen a duhet dhe kur duhet derdhur gjaku, apo ndoshta mendojnë që së shpejti edhe programin e tyre ta sanksionojnë mu në frymën pacifiste.
Këta persona të cilët nuk mund ta shqiptojnë fjalën ‘’revolucionar’’ pa mbledhur buzët me mospërfillje, përmes gjunjëzimit të vet përpara mospërgaditjes dhe prapambetjës së përditshme, tregojnë me të vërtetë se nuk kuptojnë detyrat tona praktike më të ngutshme.
Njëkohësisht dyshoj dhe shpresoj se nuk kanë vepruar me paragjykime.
Ju pyesim juve zotërinj që e keni lëshuar ‘’kumtesën’’ për opinion, në mulli të kujt qoi ujë ‘’kumtesa’’ juaj, në të popullit apo në të shovinistëve serbo-maqedono-malazezomëdhenjë?
Unë mendoj se në mulli të serbo-maqedono-malazezomëdhenjëve.
Ju aktivist të LDK-së siç duket vazhdoni t`i bini gozhdës aty ku i binte dikur LKJ-ja ose JU kur ishit anëtar të saj.
Edhe në emër të LDK-së keni filluar të demantoni, kundërshtoni e të dilni me kumtesa si dikur (në u kuptua ku tjetër pos në LKJ, LSPP, LRS) kundër LËVIZJES!
Nga e merrni këtë të drejtë?!
Dhe për kë se?
Nuk lejuat (ose penguat) që në shkallë kombëtare të nderohet Rexhepi e Nuhiu të cilët edhe atëherë kur ishte më së vështiri Ata nuk e ndalën luftën por i dhanë edhe më shumë hov; nuk lejuat (ose penguat) që Rexhepi e Nuhiu të nderohen ashtu siç nderohen bijtë e popullit; penguat (ose kontribuat) të mos nderohen ashtu siç e meritonin Rexhepi e Nuhiu të cilët sikur ta kishin pyetur secilin nga që shumica prej jush deri dje ishit në LKJ e në pozita të saj udhëheqëse (madje-madje edhe sekretar të LKJ-së 1-2 mandate), me siguri nuk do të ishin ata që janë sot DËSHMOR TË POPULLIT SHQIPTAR.
Unë autori i këtyre rreshtave si antarë i LDK-së që jam nga komuna e Gjilanit distancohem nga kjo KUMTESË e tillë, këtë do ta kisha bërë atë natë po të kisha mundësi.
Nuk dua të jemë në një lidhje me ata që FTESËN për homazh aty ku pushon trupi i dëshmorit Rexhep MALAJ dhe i Nuhi BERISHËS e pengojnë (sabotojnë).
Dhe në të njëjtën kohë LDK organizon manifestim përkujtimorë (në f.sh. Përlepnicë) ju pys zotërinj, a nuk ishte rrezik që ju e organizuat manifestimin apo ky i juaji ishte për ndonjë Rexhep e Nuhi tjetër!).
Kjo mund të shpjegohet ose të përkthehet, ky gjest i sjelljes suaj ishte karierizëm dhe rivalitet, luftë edhe më tej kundër LPRK-së, zotërinj siç duket qimen e ndërruat por vesin jo.
Kam bindjën se nëse vazhdoni kështu do ta pësoni më keq se LKJ-ja.
Ftoj, Kryesinë e LDK-së me të gjitha Degët dhe Nëndegët që të distancohet nga një kumtesë e tillë; ftoj gjithashtu të gjithë elementët e ndershëm që përmes Degës ose Nëndegës së LDK-së ose individualisht të distancohen nga një kumtesë siç ishte ajo e 11 janarit në Radio Zagreb e nga të gjitha ato që janë të ngjashme si kjo e LDK-së së Gjilanit.
Sepse populli e demantoi me pjesmarrje në homazh.
Lavdi jetës dhe veprës së dëshmorëve të popullit Rexhep Malajt dhe Nuhi Berishës!
Rroftë Bashkimi i popullit shqiptar!
P.S: – Shkrimi është botuar ne Demokracine Autentike!
Islam Hyseni
Gjilan, më 29 janar 1991

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …