Isuf Bajrami

Isuf B.Bajrami: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, nuk mund të realizohej pa unitetin territorial dhe bashkimin kombëtar I

Rruga e popullit shqiptar drejt bashkimit kombëtar dhe formimit të një shteti të pavarur pati pa dyshim veçoritë e veta,  në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit dhe të Evropës,  të kushtëzuara nga rrethanat historike,ekonomiko-shoqëror dhe nga ato politike,të brendshme e të jashtme. Megjithatë, shoqëria shqiptare në fillimin e shek.XIX, krahas ndryshimeve,kishte mjaft gjëra të përbashkëta me shtetet ballkanike fqinje dhe arriti të krijonte, ndonëse me vështirësi e ritme të ngadalshme,që ishin karakteristike për vendet nën sundimin osman,të gjitha premisat,të cilat çuan në formimin e kombit shqiptar dhe në lindjen e lëvizjes për çlirimin dhe bashkimin kombëtar.

E trajtuar si një domosdoshmëri objektive, nga realizimi i së cilës do të varej suksesi i luftës për çlirimin nga sundimi osman e për ruajtjen e tërësisë territoriale të atdheut,ideja e unitetit politik dhe luftarak të popullit shqiptar u përpunua nga iluministët tanë të shquar gjatë gjithë Rilindjes,u vu në qendër të kësaj epoke dhe u bë pjesë e pandarë e platformës politike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Mendimet e para për bashkimin e gjithë shqiptarëve pa dallim feje a krahine u dhanë nga pionierët e Rilindjes sonë, Naum Veqilharxhi, Konstantin Kristoforidhi, Zef Jubani, Jeronim De Rada, Thimi Mitko,etj.Ato u pasuruan më tej në zjarrin e kryengritjeve popullore që mbushën epokën e Rilindjes, e sidomos në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),u pasqyruan në mënyrë më të plotë dhe konsekuente në një literaturë të tërë politike dhe artistike,në dhjetëra memorandume e protesta që iu dërguan Portës së Lartë e Fuqive të Mëdha gjatë gjithë Rilindjes deri në Shpalljen e Pavarësisë e në vitet e para të ekzistencës së shtetit shqiptar.

Çështjen e bashkimit kombëtar rilindësit e shtronin jo vetëm me pasionin e zjarrtë të atdhetarit,por edhe si dijetarë të shquar. Konceptet e tyre për kombin shqiptar dhe për rolin e unitetit kombëtar,të mbështetura në argumente historike, etnike,gjuhësore,gjeografike dhe ekonomike,ishin të drejta dhe i përgjigjeshin realitetit shqiptar,të cilin ata e njihnin aq mirë. Evokimi i epokës së Skënderbeut shërbente si shembull i shkëlqyer i forcave që u jepte shqiptarëve bashkimi përpara armiqve. Pashko Vasa shkruante më 1879 se suksesi i qëndresës,që shqiptarët u bënë pushtuesve osmanë në shek.XV,i kishte rrënjët në bashkimin e tyre rreth një ideje patriotike,”se pikërisht në atë kohë u lidh bashkimi shqiptar i kryesuar nga Skënderbeu” (P.W.:La veritesur l’Albanie et les Albanais.Paris,1879,fq.40-41.).Naim Frashri u përcillte shqiptarëve “amanetin”e Skënderbeut me vargjet “…po të ini të bashkuar,është e bërë Shqipëria”. (N.H.Frashëri;Historia e Skënderbeut,Tiranë,1953, fq.341.).

Si dëshmi të unitetit të shqiptarëve rilindësit përdorën gjuhën e përbashkët shqipe,e cila përbën tiparin më thelbësor të kombit,pikën qendrore që bashkonte gjithë shqiptarët pa dallim krahine,feje e klase shoqërore. Thimi Mitko i konsideronte shqiptarët vëllezër e të bashkuar,sepse flisnin të njëjtën gjuhë,gjuhën e bukur shqipe,sepse kishin të njëjtin atdhe ,Shqipërinë. Po këtë ide mbronin Samiu dhe Rilindësit e të tjerë kur shkruanin se pa gjuhë shqipe nuk mund të ketë shqiptarë dhe Shqipëri,se nga ruajtja dhe lëvrimi i saj varet jo vetëm bashkimi i shqiptarëve,por edhe jeta shuarja e kombit shqiptar. Mbi gjuhën e përbashkët shqipe,të cilën e vlerësonte si “provën më të madhe e më të plotë të afrimit:,kërkonte të hidhte themelet e bashkimit të shqiptarëve edhe Jani Vreto (“Bashkimi”,Shkodër,nr.6 e 6 shkurtit 1910). Gjuhën shqipe, vendosjen e një alfabeti të njëjtë,që nisin me miratimin e alfabetit të Stambollit më 1879 e u krye me vendimet e Kongresit të Manastirit të 1908-ës,lëvrimin e gjuhës në literaturë dhe përhapjen e shkollave amtare,rilindësit nuk i shikonin thjeshtë si çështje kulturore,por edhe në rrafshin politik,si mjet të fuqishme propagandistike e veprime patriotike që do të ndihmonin për unitetin e kombit shqiptar.

Përvoja e luftës shekullore të popullit shqiptar dhe ajo e epokës së rilindjes tregoi se uniteti kombëtar nuk mund të arrihej pa një organizim të shëndoshë. Nevoja e organizimit u bë edhe më e ngutshme për shkak të gjendjes së rëndë dhe tepër të rrezikshme që u krijuan për Shqipërinë me shpërthimin e luftës Ruso-Turke të 1877-1878-ës dhe me nënshkrimin e Traktatit të Shën Stefanit dhe atij të Berlinit më 1878, të cilat parashikonin copëtimin e trojeve shqiptare midis monarkive ballkanike,synonin të zhduknin nga harta e Ballkanit kombin shqiptar. Në këto rrethana,kur ekzistonin edhe premisat e brendshme për vendosjen e një uniteti politik e luftarak të popullit shqiptar,me përpjekjet e atdhetarëve rilindës, të kryesuar nga Ymer Prizreni,Abdyl Frashëri,Sylejman Vokshi, Zija Prishtina, Pashko Vasa, etj.,u themelua,më 10 qershor të vitit 1878, Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Lindi kështu ajo Organizatë Politike Ushtarake mbarëshqiptare, e cila kreu detyrën historike që shtronte koha,krijoi një bashkim të vërtetë të popullit shqiptar,të mbështetur në luftën e përbashkët të të gjitha forcave patriotike të vendit për çlirimin kombëtarë të shqiptarëve dhe ruajtjen e tërësisë së trojeve të tyre. Bashkimi në Lidhje i të gjithë shqiptarëve ,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë,përforcohej edhe me një strukturë të qartë organizative. Komiteti Qendror me në krye Ymer Prizrenin,që e kishte selinë në Prizren,nëpërmjet një rrjeti të tërë degësh e komitetesh,të krijuara në qytetet e ndryshme të vendit,mbante lidhje me të gjitha viset e Shqipërisë,bashkërendonte veprimtarinë e popullit shqiptar drejt një qëllimi të vetëm.

Kombi shqiptar, ashtu si edhe bashkimi e kompaktësia me të cilën veproi në vitet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881),nuk mund të lindnin papritur e as të krijoheshin artificialisht. Ato i kishin rrënjët në ndërgjegjen e përbashkët kombëtare të popullit, të formuar prej kohësh në valët e kryengritjeve kundër osmane, ndërgjegje që në vitet e Krizës Lindore të 1875-1881,” në çastet kur rrezikohej ekzistenca e Shqipërisë” (S.Pollo-S.Pulaha; Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, Tiranë, 1978, dok. 40, 34.), shpërtheu si vullkan që vlonte prej shekujsh e nxori në sipërfaqe lavën e zjarrtë. Ky shpërthim i revoltës së një kombi unik,të cilit po i mohoheshin vetëqenia dhe të drejtat politike, i ishte nxjerrë në ankand pasuria më e çmuar, trualli amtar, ndihet i fuqishëm në protestat e shumta që,në emër të atdheut, tanimë të bashkuar nga ideja kombëtare,në emër të interesave të mbarë Shqipërisë (Po aty,dok.63,65.), iu dërguan,në të njëjtën kohë,Kongresit të Berlinit e Portës së Lartë nga qendra të ndryshme të vendit. Kjo shihej gjithashtu në krismat e armëve të popullit kryengritës,i cili mbrohej me forca të përbashkëta kundër sunduesve osmanë dhe pushtuesve të rijnë ballkanas. Lufta e forcave të Lidhjes për mbrojtjen e Plavës,të Gucisë,Hotit,Grudës dhe Ulqinit,si edhe gjithë veprimtaria e saj diplomatike për paprekshmërinë e kufijve të Veriut e të Jugut,që zgjati 3 vjet të tëra ( 1878-1881),u shndërrua në një çështje të përgjithshme kombëtare. Pikërisht pse ideja e unitetit u përgjigjej interesave më të larta të atdheut dhe përfaqësonte aspiratat e masave më të gjera,sepse përfaqësonte armën më të fuqishme e më të sigurt që populli shqiptar mund t’u kundërvinte armiqve,shpërthyen ato akte të mëdha solidariteti dhe ai heroizëm masiv që deri atëherë nuk kishte njohur Shqipëria.

Atdhetarët rilindës,duke kundërshtuar vendimet e Kongresit të Berlinit (1878) për copëtimin e trojeve amtare midis monarkive ballkanike,luftuan njëherazi për afirmimin kombëtar të shqiptarëve në Evropë. Për këtë,ata vunë përballë opinionit Evropian provën më të fuqishme,unitetin e shqiptarëve, argumentuan me të dhëna bindëse se populli shqiptar përbën një komb krejt të veçantë e të bashkuar,”një komb të njësuar për nga raca (nënkupto:nga origjina),gjuha,traditat,historia dhe për nga gjithë elementët që përbëjnë identitetin kombëtar”, “komb që ka vullnetin e tij të përbashkët“(Akte të Rilindjes…,dok.12,42.). Këtë ide ua shprehu Abdyl Frashëri përfaqësuesve të qeverisë Franceze në Paris, në Pranverën e vitit 1879, kur theksoi se “para lakmive të egra të fqinjëve të tyre dhe rreziqeve që u kërcënohen,shqiptarët janë të gjithë me një betim solemn që me përpjekje të përbashkët të ruajnë …atdheun, kombësinë dhe gjuhën e tyre” (Po aty,dok.43.).

Fakti që shqiptarët ishin një komb i bashkuar,që kërkonte të respektohej edhe ndaj këtij parimi i kombësisë,e gjejmë edhe në mendimet e atyre personaliteteve evropiane që e njihnin mirë edhe nga afër gjendjen në Shqipëri. Po përmendi relacionin e kryekonsullit Austriak në Shkodër Lipih (Lippich), dërguar Vjenës më 3 prill 1881 në të cilin e quante “krejt të gabuar e në kundërshtim të vërtetën”pretendimin e italianit Sonino,që kishte shpallur se shqiptarët “janë një grumbull fisesh të palidhura me njëri-tjetrin”.Në ç’radhë e vë Soninoja popullsinë e Shkodrës, të Lezhës, Tiranës, Ulqinit, Gjakovës, Pejës, Tetovës, Dibrës, Elbasanit, Kavajës e qyteteve të tjera? Edhe këta kanë të njëjtën kombësi. Jo vetëm Sininoja,por askush tjetër s’do të mund të mohojë kombësinë e shqiptarëve“(Xh.Belegu;Lidhja e Prizrenit e veprimet e saj 1878-1881, Tiranë,1939, fq.88.) ,shkruante Lipih në relacionin e tij.

Mendimi për unitetin kombëtar të popullit shqiptar u përpunua më tej në veprimtarinë krijuese të rilindësve,që vepruan në fundin të shek,XIX,e në fillimin e shek XX,e sidomos të ideologut të shquar Sami Frashëri, i cili i dha atij një kuptim më të gjerë e më të plotë. Përgjithësimi i përvojës së veprimtarisë trevjeçare të Lidhjes së Prizrenit për bashkimin e vendit e çoi atë në përfundimin se “Shqipëria duhet të jetë një dhe i pandarë”,se “të gjithë shqiptarët duan të quhen vëllezër dhe djemtë e një mëmëdheut të dashur” (Arkivi Qendror i RPS të Shqipërisë(tani AQSH), Fondi 51,dos.4.S. Frashëri i shkruan De Radës, më 20 shkurt 1881.).

Në karakterin politik “Shqipëria ç’ka qenë,ç’është dhe ç’do të bëhet?”(1899) Samiu e trajton bashkimin kombëtar të shqiptarëve si mendimtar revolucionar, me bindjen se ai mund të arrihej vetëm me anë të organizimit dhe të luftës politike dhe të armatosur. Shqiptarët, theksonte ai,s’kanë nevojë të bëjnë gjë tjetër veçse “të bashkohen të gjithë sa janë dhe të kërkojnë të drejtat e tyre nga Turqia dhe Europa. Turqia…do t’u japë ato që kërkojnë me hir a me pahir”. Në qoftë se shqiptarët do të arrinin të vendosnin një lidhje të fortë e do të bashkoheshin të gjithë si një njeri i vetëm,arsyetonte Samiu,atëherë nuk do të gjendej forcë që të guxonte t’u kundërvihej Shqipërisë dhe shqiptarëve” (S.Frashëri;Shqipëria ç’ka qenë,ç’është e ç’do të bëhet?Bukuresht,1899, Tiranë,1962,fq.66.).

Ideja e bashkimit të të gjithë shqiptarëve myslimanë e të krishterë,gegë e toskë,zotëron në vendimet dhe veprimtarinë e lidhjes së Pejës (1899-1900)e sidomos në thirrjen “Rruga e shpëtimit është në besa-besë!” që përbën aktin e saj kryesor programatik. Duke ecur ne rrugën e çelur nga Lidhja e Prizrenit, atdhetarët rilindës luftuan që “bashkimi i krijuar nga Lidhja e Pejës të përfshinte gjithë shqiptarët,gegë e toskë,myslimanë e të krishterë”,të ngrihej mbi ndasitë fetare e krahinore, për tu provuar armiqve se shqiptarët janë një komb unik, zotë të atdheut të vet dhe të aftë për të qeverisur atë.”Ajo që do ta shpëtojë kombin e atdheut tonë,theksohej në këtë thirrje,është bashkimi,një Besëlidhje e përgjithshme,një Besa-Besë” (AQSH.Fondi 12,dos.1. Rruga e shpëtimit është në Besa-Besën.).

Të bashkuar e në një front unik në shkallë kombëtare dolën shqiptarët përball sunduesve osman gjatë kryengritjes së përgjithshme të vitit 1912. Dëshmi e unitetit dhe e bashkërendimit të veprimit të tyre ishte si angazhim pothuajse i të gjitha viseve të Shqipërisë në luftën e armatosur popullore që u zhvillua në një kohë,në prill-gusht 1912,në mbar vendin,ashtu edhe kërkesat e njëjta programatike,që u shprehën në vendimet e Kuvendit të Përgjithshëm Shqiptar të Junikut të maj të vitit 1912 dhe në ato të memorandumit të Sinjës, (Berat) të 23 korrikut 1912 që doli nga mbledhja e përfaqësuesve të Shqipërisë së Jugut. Atdhetarët rilindës,me të drejtë,shihnin në to “bashkimin e vullnetin e tërë shqiptarëve”,pa dallim feja e krahina,për ta futur vendin në rrugën e qytetërimit.” Ne,-thuhej në një nga thirrjet që kryengritësit u drejtonin shteteve evropiane,-shkojmë drejt luftës dhe vdekjes për këtë ideal të shenjtë,pa dallim feje;një fe shumë e lartë,që i kaloi të gjitha,na vëllazëron,na frymëzon,na nxit,na udhëheq:ringjallja e atdheut tonë,bashkimi dhe liria(Akte të Rilindjes…,dok.154.).

Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar nuk mund të kuptohej pa unitetin territorial, një nga komponentët më të domosdoshëm për ekzistencën e kombit, pa themelin mbi të cilën shqiptarët do të ngrinin shtetin e pavarur dhe do ti siguronin kombit të tyre një zhvillim të plotë dhe unik. Ky bashkim do të arrihej duke kapërcyer ndarjen e trojeve shqiptare në katër vilajetet,të vendosura nga Porta e Lartë,si dhe dallimet krahinore midis Gegërisë e Toskërisë e trevave të tjera më të vogla,të trashëguara nga thellësitë e shekujve e që mbaheshin gjallë nga pushtuesit dhe nga pashallarët e bajraktarët vendas për të penguar unitetin politik të shqiptarëve,për t’i copëtuar e për t’i nënshtruar ata. Në këtë ndarje administrative rilindësit shikonin vazhdimin e parimit të lashtë të pushtuesve “përçaj e sundo!”,të cilit, sikurse shprehej Pashko Vasa,”tanimë i ka kaluar koha,sepse rryma e shek.XIX i shtyn popujt drejt bashkimit” (P.Wasa,vep e përmendur,fq.96.).

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …