Zonja Kaçiu, jeni një kohë, relativisht të gjatë në Gjermani, bëni aktivitete kulturore e kombëtare në këtë vend dhe, kryesisht, unë ju njoh që nga manifestimi protestues, që u mbajt në Munih, më 19 korrik të vitit 2013, më rastin e 100-vjetorit të mbledhjes, për copëtimin e tokave shqiptare, që u mbajt në Londër në vitin 1913!
Çka mendoni, zonjë e nderuar, cilat janë të arriturat dhe ngecjet e shqiptarëve, në aspektin politik, shoqëror e kombëtar?
Znj. Vjollca Kaçiu: Unë, së pari ju falënderoj për kohën, që keni marrë për bashkëbisedim dhe i përshëndes të gjithë ata shqiptarë, që sadopak kontribuojnë për vendin e kombin e tyre!
Është e vërtetë se unë, sikur shumica e shqiptarëve, e kam dhënë kontributin tim, sikur secili shqiptar në mënyrën e vet! Por, pa u zgjatur, po i kthehem pyetjes, se çka kanë arritur shqiptarët gjatë këtyre 30 vjetësh tranzicion e, pastaj përgjigjem se cilat janë ngecjet dhe të arriturat!
Është e vërtetë se shqpitarët, kanë arritur shumë mbas rënies së sistemit totalitar komunist, në Shqipërinë shtetërore dhe atij jugosllavo-komunist e apartheidit serb, që ndodhi mbi shqiptarët e ish- Jugosllavisë.
Përgjithësisht ka ndryshuar kualiteti i jetës shoqërore për të mirë, kudo në trojet shqiptare! Infrastruktura, është duke ndryshuar me shpejtësi, ndërtimi i shtëpive e i shkollave, poashtu ka ndryshuar shumë!
Por, i kemi edhe anët negative, që po e shoqërojnë shoqërinë tonë gjithëshqiptare!
Eshtë një fjalë popullore, që thotë se peshku prishet nga koka, por do pastruar nga bishti!
Politika shqiptare, me gjithë ngritjen që i ka bërë shoqërisë sonë, ajo po ashtu ka bërë shumë punë të këqija dhe ka lënë hapsirë, që të veprojnë shërbimet informative, në trojet tona, më tepër se vetë, në shtëpinë tonë!
Korrupcioni është në shkallë të tepruar, familjarizmi, niveli i ulët shëndetësor, i arsimit, i drejtësisë, etj! Gjë që, si shkak i mosinvestimeve nga ndërkombëtarët, janë të gjitha këto të meta! S’ka fabrika, që një vend, i cili nuk e ka të zhvilluat industrinë e rëndë, s’ka se si të ketë edhe jetë stabile shoqërore e ekonomoke!
Zonja Kaçiu, në vende të civilizuara, mazhuranca e udhëheq shtetin dhe, opozita i jep vërejtjet dhe sugjerime! Por, në shqipëri e Kosovë, a është kështu duke ndodhur?
Znj. Kaçiu: Në Shqipëri e Kosovë, as mazhuranca nuk bën udhëheqje të mirëfilltë dhe, as opozita nuk bën korrigjim të mirëfilltë!
Në Shqipëri e Kosovë, mazhuranca, nuk e llogarit se pushtetarët janë në shërbim të shtetit e të popullit, por konsiderojnë se shteti e populli i tyre janë pronë e pushtetarëve dhe se ata mund të bëjnë çka të duan me shtetin e tyre gjatë mandatit, të cilin, ata e udhëheqin! Ndërsa opozita e shtetit, nuk merret me gjëra parimore, por me ato anësore!
T’i bëjmë një rezyme situatës me sa më pak fjalë: që nga udhëheqja e Salih Berishës, kur u mbajt gjyqi i Nexhmije Hoxhës në vazhdime, aty nuk flitej për diktaturën, burgosjet makabre, internimet e vrasjet e kundërshtarëve politikë! Por, gjatë gjithë kohës trajtohej çështja e dhuratave; filxhanë, lugë, kafe, zinxhirë e tj! Ndërsa, tani në Parlamentin e Shqipërisë, nuk e dëgjojmë dikë që flet për parregullsi, shkelje ligji, korrupcion e kriminalitet, por se aty diskutohet me zë të lartë se; çka bëri nëna, motra apo bija e atij apo e këtij, në atë apo këtë kohë!
Kur, i shohim shqiptarët nëpër debate, në TV, askush nuk flet me radhë, por, të gjithë në të njejtën kohë, pa respekt, ka ofendime deri në rrahje, sikur kriminelë apo nën ndikim alkoholi, sillen para kamerave televizive, politikanë e analistë!
Të gjithë gënjejnë, pa dallim; opozitë e mazhurancë dhe, kurrë nuk vije dikush deri tek e vërteta!
Të gjitha epitetet, nga më të shëmtuarat, i dëgjojmë nga njerëzit tanë, kundër njërit apo disave dhe, ai apo ata me gjithë forcën e thonë të kundërtën dhe, kurrë nuk vihet deri tek e vërteta rreth një akuze dhe, se askush nuk u dënua deri më tani, për krim apo për shpifje!
Cili është mendimi i juaj, zonja Kaçiu, për Kosovën, për të cilën thonin shqiptarët se kur të çlirohet Kosova, do ta bëjmë si Zvicra! A u bë Kosova si Zvicra, apo ia kaluam Zvicrës?
Znj. Kaçiu : Kosova ka përparuar shumë, mbas daljes nga lufta e fundit, e cila i mori rreth 17. 000 jetë dhe rreth 3000 veta humbën pa gjurmë nga regjimi fashist i Sllobodan Millosheviqit! Por, ka edhe shumë për të bërë ! Kosova e Shqipëria janë dy shtetet më të varfëra në Ballkan! Papunësia është tepër e lartë, shkalla e krimit e lartë, korrupsioni në shkallë të lartë, të ardhurat janë tepër të ulta e, në Shqipëri rroga e një profesori të universitetit është diku rreth 560 Euro, që as dinjitet as moral s’kanë profesorët e universitetit me këto të ardhura, të cilat i merr një mësues në Kosovën e dalur nga lufta! Ky është turp për shtetin e Shqipërisë.
Ndërsa, si në Shqipëri e kosovë, politikanët i kanë rritur të ardhurat e tyre, pa i llogaritur tenderët, që jua sjellin shuma të larta, mbas dore !
A mund të më thuani, zonja Kaçiu, se si janë duke shkuar punët në rrafshin politik e kombëtar në Iliridë edhe në Kosovën Lindore, që tani e quajmë, Lugina e Preshevës?
Znj. Kaçiu: Derisa, në Shqipëri e Kosovë janë duke shkuar punët keq, në Iliridë e Kosovën Lindore, edhe më keq, janë duke shkuar! Aty, politika serbe e ajo turke e kanë mbërthyer.
Aty është « Toka e askujt », hyn kush do e kur të do, secili që do!
Shqiptarët e Iliridës e të Kosovës Lindore, udhëheqen nga politikanë jokompetentë, të frikësuar dhe të korruptuar !
Jo kompetentë, janë të gjithë ata politikanë që janë aktivizuar nëpërmjet të miqve të tyre, nga beznismenë e bashkëpunëtorët e shërbimeve informative të huaja! Ndërsa të frikësuar janë të gjithë ata politikanë, të cilët kishin bërë patriotizëm të vërtetë apo të rrejshëm dhe, si kusht për ta shpëtuar lëkurën e tyre, janë të detyruar të pranojnë lloj-lloj kushti, nga pushtetarët.
Ndërsa, politikanët e korruptuar, janë të gjithë ata politikanë të Iliridës e të Kosovës Lindote, që kanë bërë punë të këqia, me tenderë, me investime nga shoqata të kush e di se nga vijnë ato!
Prandaj, të gjithë këto kategori politikanësh, i kanë mbushur arkat e tyre familjare, duke e vjedhur popullin e tyre dhe se tani rrinë si pulat e lagura nga shiu, para pushtetarëve maqedonë e serbë dhe, s’kanë forcë as mundësi të kërkojnë kushte më të mira e, të drejta për shqiptarët, që jetojnë në ato treva, të mbetura jashtë dy shteteve shqiptare: Shqipëri e kosovë, që i kemi.
Cili është mendimi i juaj, për zhvillimin dhe nivelin e arsimit, drejtësisë dhe shëndetësisë, në Shqipërinë shtetërore e Kosovë dhe çka mund të bëjnë shqiptarët, që ta kemi një sistem më të avansuar shkollor, të drejtësisë dhe atë shëndetësor dhe si të kemi kuadra të pranueshme për botën e civilizuar?
Znj. Kaçiu: Zhvillimet janë tepër të ngadalshme dhe niveli tejet i ultë në të gjitha trevat shqiptare, në sistemin shkollor, të drejtësisë dhe të shëndetësisë, që këto tri shtylla e mbajnë shtetin!
Shqiptarë, kanë obligim që sa më shpejt të ndërmarrin dhe t’i shpejtojnë zhvillimet dhe ta ngrisin nivelin në këto tri shtylla shtetërore! Hapi i parë, që ta luftojnë nepotizmin, korrupcionin dhe krimin e organizuar, që këto ia zënë frymën shoqëris sonë! Pastaj, duhet të jemi më të diciplinuar në punë e obligime, të jemi më kurreshtarë e novatorë, në mënyrë që të ndryshojë e të përparojë shoqëria shqiptare, që nuk e meritojmë këtë pozitë e këtë nivel që kemi! Më të ultat në Ballkan e, të mos krahasohemi me Europën qëndrore, perëndimore e atë lindore.
A mund të na tregoni me pak fjalë, zonja Kaçiu, për planifikimin e ndërtimit të qyteteve, fshatrave dhe të rrugëve ?
Znj. Kaçiu: Shqipëria, Kosova, Kosova Lindore e Ilirida, ku jetojnë shqiptarët, ka ndërtim të egër! Kur lëvizim me automobil nëpër Kosovë, rrugët janë të ngushta, shtëpitë nëpër qytete, janë njëra me tjetrën të ngitura, oborret pa gjelbërim, lumenjtë janë të dëmtuar rëndë dhe të ndotur skajshmërisht, afër rrugëve ka mbeturina pa kufi, në fushë, po ashtu ! Madje edhe nëpër male i sjellin qytetarët, por edhe qytetet janë me tepër mbeturina! Me një fjalë, ta them se shumë herë Kosova, Kosova Lindore e Ilirida, ma kujtojnë Marokon edhe disa vende të Afrikës!
Mendimi im është që shqiptarët, duhet të fillojnë t’i zgjerojnë rrugët, të ndërtojnë rrugë për biciklla nëpër qytete edhe t’i lidhin qytetet me rrugët e bicikllave, të bëjnë trotuare të gjera për këmbësorët, të mbjellin druj në trotuare dhe kështu qyteti merr ftymë shlirë dhe se kështu vijmë te një fjalë e urtë, që thuhet se sa të gjera i ka rrugët një popull, aq të madh e ka shpirtin.
Vjen pyetja se ku është faji, për gjithë këto të meta? Faji bie mbi organet shtetërore, sepse shteti e bën ligjin dhe e vë në zbatim! Në Kosovë e Shqipëri, shumë ligje janë pa u bërë dhe, ato ligje, të cilat janë bërë, nuk zbatohen as nga qytetarët as nga pushtetarët! Kjo është e dhimbshme. Një herë, shqiptarët, duhet të marrin vendime dhe t’i bëjnë ligjet e, t’i zbatojnë, ato.
Si qëndron puna me lëvizje në komunikacion te shqiptarët, kudo që janë ?
Znj. Kaçiu: Komunikacion më të çmendur sikur ndër shqiptarët, ende s’kam parë, diku tjetër! Mbas luftës së Kosovës, kur shkonim me automjete në Shqipëri, na parakalonin nga të katër anët! Bëheshin ndeshjet njëra pas tjetrës dhe « Rruga e Kombit », në drejtim të Lezhës, në një kohë quhej « Rruga e vdekjes »! Tani, kur del njeriu në rrugë me automobil, nëpër Kosovë, duan ta thejnë qafën grahësit e automobilëve! Dhe, nëse i pyesim, se pse aq shpejt fluturojnë me automobilë nëpër qytet apo autostradë, me shpejtësi të dyfishtë, nuk e dinë se ku po shkojnë! Dikush ngutet të shkojë në shtëpinë e vet dhe të ulet në kauç, tjetri bëhet kërrsh duke shkuar në restorant për t’i takuar miqtë e përditshëm që të pinë birrë apo makiato e, tjetri duke u ngutur ta zë serialin turk, mbytet në komunikacion edhe 2-3 veta tjera i mbyt, sepse ka frikë që nuk e zë gjumi, nëse nuk e sheh atë!
Dobësitë më të mëdha të grahësve të automobilëve në Kosovë, janë: kur del dikush në komunikacion me automobil, gabimi i parë është që ka ngasës automobili që nuk i di të gjitha rregullat në komunikacion, i dyti është se arrinë të zhvillojë shpejtësi deri në dyfish, që akcidentet janë fatale, i treti është se futet drejtuesi i automobilit në parakalim në çdo vend, edhe pse ka vende që vija është e pandërprerë, ai/ajo futet në parakalim me shpejtësi të dyfishtë, që si pasojë, ndeshja bëhet me vdekje, gabimi i katërt është se kur të futet përpara dikush në parakalim, nuk ndalemi që ta ndihmojmë injorantin e, në të njejtën kohë edhe veten! Por, e then qafën duke vrapuar që ta pengojë e, në këtë rast mund të ndodhë ndeshje e trefishtë me njerëz të vdekur, po ashtu gabimi i pestë në komunikacion është kur një drejtues nga mbrapa i jep gas automobilit për ta parakaluar, ky i pari, në vend që ta ndalë shpejtësinë që ta ndihmojë, por e then qafën duke u ngutur që ta pengojë atë dhe, në të njejtën kohë dy budallenj e, nga një herë tre, i japin gas automobilave duke u provuar ; njëri të parakaloje, e ai mbrapa kundërshtarit edhe tjetri përpara e ngrehin shpejtësinë dhe, një budallaki kushton me humbje jetësh.
Pra ; « Gomari, do që gjithmonë të jetë i pari! », thotë populli.
Kështu që, edhe këtu faji kryesor i bie ligjit dhe policisë rrugore!
Në Shqipëri e Kosovë duhet të vihen kamerat, kudo dhe ta shtojnë numrin e policisë rrugore, derisa të bie numri i të çmendurve! Të shtohen kontrollat, kudo, të ngriten dënimet, të merren patent-shoferët, dikujt me afat kohor e dikujt përherë, që i shkelin rregullat rrugore dhe, ta shohim se sa shpejt vetëdijësohen, shqiptarët!
Krejt në fund, a ka mundësi, zonja Kaciu, të na tregoni se çka duhet të bëjnë shqiptarët, që të bëhen faktor me ndikim, ta ngrisin imigjin e tyre dhe ta ngrisin kualitetin jetësor në vend dhe të na kthejnë shpresën, që edhe ne ta kemi një shtet të përbashkët e të ngritur dhe me ndikim në arenën ndërkombëtare?
Znj. Kaçiu: Që të bëhen shqiptarët faktor dhe me ndikim, duhet të bëhen më seriozë, të inkuadrojnë kuadro kompetentë në vende kyçe, ta bëjnë ligjin dhe ta respektojnë atë, sepse ligji është dora e zotit dhe, në atë vend ku nuk funksionon ligji, nuk është mirë të rrimë, thotë fjala popullore ! Të forcohet demokracia, të luftohet nepotizmi, korrupcioni, krimi i organizuar, të forcohen të drejtat e grave dhe të fëmijëve, të ndiehet femra shqiptare mirë, e me dinjitet në punë, në familje e kudo!
Të investohet në ngritje të cilësisë shëndetësore, sepse tejet e ultë është, të ngritet cilësia në drejtësi, sepse mushkëritë e shtetit janë aty, të ngrihet niveli arsimor, sepse sytë e mendja e kombit janë!
Të rregullohet me ligj çështja e Akademisë dhe të bashkohen dy akademitë ; e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës, të dalin jashtë ombrellës së partive, sepse iu është zënë fryma për ta fituar një copë bukë ! Të bëhet ligji për mbrojtjen dhe ristaurimin e Gjuhës Standarde, të bëhet ligji për mbrojtjen e figurave kombëtare e historike dhe, pastaj do të bëhen Kosova e Shqipëria vende atraktive dhe do të krijohen kushte për investime!
Pastaj, me forcimin e dy shteteve shqiptare, forcohet faktori kombëtar dhe shqiptarët e Iliridës, të Kosovës Lindore, të Çamërisë e të Malësisë së Madhe, në Mal të Zi do të ndiehen më të sigurta e më të forta dhe se do të bëhemi popull me ndikim e, ta rregullojmë standardin jetësor ! Pastaj, do të zbehet veprimtaria e shërbimeve të huaja antishqiptare: ruse, greke, turko-arabe e serbe dhe, ngadalë do të vijnë mundësitë, që ta shtrojmë para ndërkombëtarëve edhe çështjen e bashkimit kombëtar, që edhe shpresa do të iu kthehet shqiptareve, kudo që janë, të cilën po ua vrajnë politikanët e vet sëbashku me armiqtë e tyre dhe, do të bëhet bashkimi i trojeve gjithëshqiptare, hap pas hapi.