Pikërisht sonte më 28 nëntor 2024 në ora 18:00 organizoi manifestim konsullata e Shqipërisë për 28 Nëntorin – Ditën e flamurit, në Munih të Gjermanisë. Aty kishte të ftuar, shqiptarë nga të katër anët e trojeve shqiptare, pa dallim partie, religjioni apo krahine e shteti.
Të gjithë ishin mbledhur për ta festuar Ditën e flamurit, të buzëqeshur, krenarë dhe me shpresë që në një të afërt do të ndodhë edhe bashkimi i tokave tona, të cilat pa të drejtë u coptuan.
Manifestimin e ka organizuar shkëlqesia saj znj. Gentiana Mburimi me stafin konsullor dhe, natyrisht, se aty kishte edhe bashkëpunëtorë të jashtëm, që e ndihmuan organizimin dhe ecurinë e takimit.
Ishte një sallë relativisht e madhe, me një pozitë të përshtashme, ceremonia u hap me moderim nga znj. Nevila Saja, e cila pas hapjes së takimit, i përshëndeti të pranishmit dhe i dha fjalën shkëlqesisë së saj znj. Gentiana Mburimi. Zonja Mburimi i përshëndeti të pranishmit, disa personalitete shqiptare e gjermane dhe shprehu kënaqësi që tani ishim të bashkuar për ta festuar 28 Nëntorin – Ditën e flamurit. Ajo foli për situatën ekonomike e diplomatike dhe marrëdhëniet e shtetit shqiptar me shtete tjera, me Gjermaninë e sidomos me Bavarinë dhe për prezencën e shumë shqiptarëve që jetojnë e punojnë këtu.
Pas saj, fjalën e morën edhe disa personalitete shqiptare e gjermane dhe, natyrisht se edhe ata shpalosën kujtime ndërshtetërore dhe na uruan 28 Nëntorin – Ditën e flamurit, që nga koha e të madhit Gjergj Kastrioti, Ismail Qemalit dhe Ditën e 29 Nëntorit.
Aty u mbajt edhe një recital me poezi nga znj. Jonida Alickolli, u bë vallëzim nga Shoqëria ILIRIA dhe koncert me violinë nga grupi, me profesor Rudens Turku.
Pas përfundimit të programit, u organizua një kokteil me pije e ushqime të lehta.