Më 24 qershor në orën 17.00 mbahet Akademi në 85-vjetorin e lindjes së profesor dr. Rexhep Qoses

Isuf Bytyçi: MENDIMI KRITIK I REXHEP QOSJES PËR POEZINË E SOTME SHQIPE II

PERIODIZIMI I LETËRSISË SË SOTME SHQIPE

Në librin „Prej tipologjisë deri te periodizimi“, në tekstin „Struktura e transformeve“, tekst që ka strukturën e një monografie të rrudhur, R. Qosja e shtjellon në përgjithësi strukturën e letërsisë së sotme shqipe, të krijuar në ish-Jugosllavi, në më tepër se tri dekada. Gjatë kësaj kohe, letërsia e sotme shqipe u zhvillua në etapa të ndryshme, krijoi struktura të caktuara dhe në të morën pjesë tre breza krijuesish.  Profesor Qosja, në periodizimin e letërsisë shqipe, si kriter kishte kriterin estetik dhe e hodhi, si jo të përshtatshëm kriterin ideologjik, që mbizotëronte në kritikën letrare shqiptare, që u zhvillua në Shqipëri, por edhe te një pjesë e kritikës shqipe, këndej kufirit.

Gjatë tri dekadave të zhvillimit të letërsisë së sotme shqipe u zhvilluan tri gjinitë letrare: poezia, proza dhe drama, mirëpo mbizotëroi poezia! Ky fakt kushtëzoi që edhe R. Qosja, në etapizimin dhe në karakterizimin, që i bëri letërsisë së sotme shqipe, emërtimin për këto etapa e mori nga fusha e poezisë, sepse kjo e fundit e përfaqësoi letërsinë e sotme shqipe për tri dekada, në fjalë.

Në këtë vështrim, kritiku e shqyrtoi kohën, në të cilën u zhvillua kjo letërsi, rrethanat shoqërore, historike, faktorin subjektiv, krijuesin, rrymat ideologjike dhe letrare, që patën ndikim në këtë kohë etj., kushtet specifike nëpër të cilat ka kaluar kjo letërsi.

Ai, letërsinë e sotme, që u krijua në Kosovë, e ndau në tri etapa: 1. Struktura e didaktikës dhe e patosit; 2. Struktura e realizmit dhe e lirizmit dhe 3. Struktura e mitit dhe e simbolizmit.

Në etapën e parë, poezia e sotme shqipe në Kosovë, më tepër u shkrua nëpër revista dhe gazeta, se sa në përmbledhje të veçanta.

Poezia e etapës së parë, siç shihet nga titulli: „Struktura e didaktikës dhe patosit“, në këtë kohë, e kushtëzuar edhe nga niveli i ulët i krijuesëve edhe nga kushtet specifike, nëpër të cilat kaloi, ishte një poezi pa ndonjë vlerë të lartë artistike.

Unidimensionaliteti e karakterizonte këtë poezi: „Kurrë më tepër se në këtë kohë, poetët shqptarë nuk i kanë shembëllyer njëri-tjetrit dhe kurrë më tepër nuk është prridhur, vetëdijshëm apo pavetëdijshëm individualiteti krijues poetik.“ (45. R. Qosja, Prej tipologjisë deri te periodizimi, f. 255) Më poshtë R. Qosja  e karakterizon këtë poezi si mobilizuese, optimizmin, që pa tjetër duhej ta përmbante letërsia patetike dhe kthjetësinë didaktike që e përshkonte atë! Të gjitha këto ishin shenjat që e karakterizonin letërsinë në vitet pesëdhjetë: „… poezia shqipe, deri në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë mbetet, ashtu, poezi stereotipe me frymëzime ose ideologjike dhe me shprehje tradicionale dhe kryesisht retorike,“ (46.  Po aty, f. 257) Në pengimin e zhvillimit të kësaj poezie ndikuan shumë faktorë, por, dy ishin më kryesorë në këtë drejtim: 1. Ideoligjizimi i poezisë, kërkimi që me çdo kusht në vetëdijen e masave, shabllonizimi e tj. Dhe 2. Niveli i ultë kulturor, të cilit kjo poezi duhej t’i përshtatej me rënien në didaktizëm, si në kohën e Rilindjes Kombëtare. Mirëpo, me kalimin e kohës, me ngritjen e marrësit në një shkallë më të lartë kulturore dhe njëherit me ngritjen e krijuesit, në aspektin teorik dhe praktik, aty nga fundi i viteve pesëdhjeta, fillon një ndryshim në poezinë shqipe në Kosovë, e cila paralajmëron etapën tjetër, etapën e dytë në letërsinë e sotme shqipe në Kosovë.

Këtë etapë, R. Qosja e karakterizon si „Strukturë të realizmit dhe të lirizmit.“ Në këtë etapë, që ngërthen vitet `60, letërsia e sotme shqipe ngrihet në një nivel më të lartë.

Në vija të përgjithshme shtjellon poezinë e kësaj etape dhe më gjerësisht ndalet në poezinë e E. Gjerqekut, D. Mehmetit, A. Islamit, M. Kërveshit, F. Gungës dhe A. Shkrelit, të cilët ishin përfaqësuesit kryesorë.  Është kjo poezi, e cila shënon ngritjen cilësore të poezisë së sotme shqipe në Kosovë. Nga një strukturë e thjeshtë, në etapën e parë, në këtë etapë poezia është „një strukturë relativisht komplekse poetike.“ (47.  Po aty, f. 268) Kritiku vlerëson lart rolin e poetëve kosovarë, në këtë kohë (në vitet `60): „ata ua kushtohen përjetimeve intime, subjektive dhe, ndonjëherë, autobiografike, duke e larguar ashtu shikimin prej ngjarjeve të jashtme, aq karakteristike për etapën e parë.“ (48. Po aty, f. 266) Dukuri negative të kësaj kohe e quan meditimin, që në fund të fundit përfundon në moralizim dhe sentenciozitet. Poezia e kësaj kohe, sikur e krijon atë urën kaluese nga poezia e didaktikës dhe e patosit në poezinë e mitit dhe të simbolit, që shënon modernën në poezinë e sotme shqipe e që është krijuar në etapën e tretë.

Letërsinë, në etapën e tretë e emërton me sintagmën „Struktura e mitit dhe e simbolit“.

Në këtë etapë, letërsia shqipe bëhet e vetëdijshme për vetëvetën, për funksionin e saj estetik. Tani ajo është e liruar plotësisht nga „detyrat“, që i mvishen asaj në periudhat e mëparëshme: „Në etapën e tretë ajo për herë të parë është letërsi që pretendon të jetë e vetëdijshme për veten …“ (49. Po aty, f. 286) Në vazhdim, i numëron meritat e poezisë shqipe në këtë etapë: „poezia shqipe e kësaj etape don të jetë poezi, vërtet, meditative, intelektuale në pjesën më të madhe të rasteve, në të cilën do të gërshetohen, do të sintetizohen e kaluara dhe e tashmja, e shëmtuara dhe e bukura, subjektivja dhe objektivja, kombëtarja dhe universalja.“ (50. Po aty, f. 288) Kalimi në simbol dhe mit, shenon kulmin e zhvillimit të strukturës së poezisë së sotme shqipe, por si simboli ashtu edhe miti janë të lidhur fort për kulturën shpirtëror, autoktone të njeriut të këtyre anëve: poetët bëjnë përpjekje të gjejnë fakturën autoktone, origjinale, ose historike, ose mitologjike…“ (51. Po aty, f. 289) Në këtë kohë kemi „manifestimin e vetëdijës estetike“, e cila bëhet dominuese, pastaj kthimi në burimet autoktone, zgjerimi tematik, njohja me vlerat e letërsisë europiane, bën që poezia shqipe të kalojë në zona, të cilat për etapat e mëparëshme, kishin qenë të panjohura.

Si krijues reprezentues të etapës, R. Qosja trajton poezinë e Rr. Dedajt, B. Musliut, M. Ramadanit dhe të S. Hamitit, ndërsa përciptazi i përmend disa poetë të tjerë. Te këta vë në pah vlerat dhe antivlerat, veprat e krijuara dhe ato të emituarat. Por nuk i përmend shumë poetë të etapës së dytë, të cilët vazhduan edhe në etapën e tretë të krijojnë, që kanë filluar të shkruajnë nga fundi i viteve `60 dhe vazhdojnë të shkruajnë në vitet `70, ndërsa heshtja e veprave të D. Mehmetit, të A. Shkrelit, A. Podrimjes etj., sikur i ndan etapat mekanikisht.

Një e metë, madje kryesore, e tipologjizimit të letërsisë shqipe (e, edhe poezisë shqipe), nga R. Qosja, ishte kufizimi i tij vetëm në letërsinë që u krijua në ish-Jugosllavi. Tipolozgjizimi, ndaras i kësaj letërsie nga letërsia, e cila u krijua në Shqipërinë shtetërore, sikur e ul vlerën e këtij studimi! Kur jemi këtu, duhet ta përmendim se këtë gabim e përmirësoi, profesor Agim Vinca në monografinë „Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980)“, në të cilën, poezinë e sotme shqipe e studioi si një të tërë pa marrë parasysh kufinjtë, që i ndajnë shqiptarët, në mes tyre.

 

POEZIA DHE MODERNITETI

Në vështrimin „Manifesti i modernitetit“, (52. R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, f. 5) në anë të ndryshme e shtjellon nocionin ,modernitet‘. Deri te përkufizimi i këtij nocioni, ai vije natyrshëm, sepse në pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij kritike, ai ka mbajtur qëndrim se ç’është e çka nuk është ,modernitet‘.

Në kritikën letrare, si edhe në letërsinë, e cila është krijuar në Kosovë, me nocionin ,modernitet – modernizëm‘ është manipuluar shumë! Shumëherë, vepra të ndryshme janë definuar si moderne apo moderniste e, në kohën e fundit edhe postmoderne, por më tepër ky nocion është keqkuptuar dhe keqinterpretuar, se sa është kuptuar drejt! Me këtë nocion mbuloheshin ndjeshmëri të ndryshme dhe të kundërta.

Këtë vështrim, autori e ka ndarë në katërmbëdhjetë njësi. Njësia e parë emërohet „Nocioni modernitetit“ dhe e fundit „Funksioni projektues i modernitetit“. Që në fillim, kritiku merret me përkufizimin e nocionit ,modernitet‘, i cili, sipas tij „hyn në radhën e nocioneve më të pacaktuara“ (f. 5). Shpesh zëvendësohet prej nocionit avangardë dhe është nocion relativ, prandaj edhe se ky nocion duhet të „ripërkufizohet në çdo kohë, duke pasur gjithmonë parasysh karakterin historik të përmbajtjes, e cila mbulohet me te.“ (5) Moskuptimi i këtij nocioni, çonte te mistifikimi i tij. Por, para se ta pëkufizojë këtë nocion, profesor Qosja, më parë, ta përkufizojë se çka nuk është ,modernitet‘, ndërsa përkufizimin e nocionit ,modernitet‘ ai, përveç përkufizimeve, më tepër e lë të hapur. Në vazhdim, tregon kohën e fillimit të përdorimit të termit ,modernitet‘, prej Bodlerit, pastaj përmend Apolinerin dhe Majakovskin, si poetë modernë.

Nocionin ,modernitet`, R. Qosja e analizon në tri fusha: në fushën e poezisë, të prozës dhe të kritikës letrare. Çka nuk është moderne në poezinë e sotme: „poezia entuziaste për origjinën e lashtë, për famën e heronjëve, për virtytet etnopsikologjike, në të cilën patosi i lartë përshkon ndjenjën, retorika cilëson thënien, glorifikimi ngjyros tonin, kurse dekori romantik zbukuron vizionin“. (53. Po aty, f. 7) Koha jonë është kohë, në të cilën mbizotëron vetëdija kritike edhe në krijimtarinë poetike: „Për më tepër, në kohën e sotme kur kategoritë estetike, sikundër janë ,e bukura dhe e madhërishmja‘, praktikisht, nuk e kanë më shkëlqimin, që kishin për më tepër se dymijë vjet! Poezia e entuziazmit, e glorifikimit dhe e dekorit është një anakronizëm, jo vetëm me përpjestime botërore apo europiane, por edhe në përpjestime ballkanike“ (54. Po aty, f. 7)

Shpeshherë në kritikën tonë, por edhe në veprimtarinë krijuese, moderniteti identifikohej me mënjanimin e shenjave të pikësimit në poezi, me lidhjën e fjalëve, semantikisht të largëta, me formalizimin e vargut etj. Te ne ,modernitet‘ konsiderohej përsëritja e sensibiliteteve të shkurta, himnizimi i qëndresës, semantika anakronike e konservatore, pastaj përëritja e tingujve dhe krijimi i përshtatjeve muzikore, përsëritja e fenomeneve apo fjalëve.

Temë në vete është ,moderniteti‘ në prozë, e cila te ne është në nivel më të ultë se në në poezi. Në prozë, shenjë e modernitetit nuk është mungesa e fabulës, pastaj një prozë, sot nuk është moderne, sepse është shkruar në formën e monologut të brendshëm. Proza nuk ëshë moderne „as pse mbështetet në motivet, në mitet dhe në simbolet e traditave kulturore, apo vetëm pse në kornizat e saj mitologjike dhe folklorike futen përmbajtje aktuale dhe pse ashtu krijohen domethënie alegorike ose simbolike.“ (55. Po aty, f. 11) Moderne nuk mund të jetë as proza, e cila merret me „hetimin e aspekteve të lënduara, të deformuara, të psikikës së njeriut.“ (56. Po aty, f. 13)

Sa i përket modernitetit në kritikë, R. Qosja si kriter, përcakton aspektin e kritikës: „aspekti, vërtet, konsiderohet i vetmi kriter i përcaktimit të modernitetit apo të jomodernitetit të kritikës letrare.“ (57. Po aty, f. 14) Një kritikë e rreptë, këtu i bëhet nocionit ,pasqyrim`, i cili ishte nocion qëndror në kritikën e realizmit socialist: „nuk mund të quhet moderne kritika, e cila bazohet në nocionin, pasqyrim`…“ (14) në thelb të veprës është funksioni estetik i saj, ndërsa funksionet tjera janë të huaja për veprën letrare. R. Qosja këtu shprehet kundër normativizimit dhe praktikës dogmatike, që mbizotëronin në realizmin socialist: „moderniteti dhe praktika e dogmatizmit të realizmit socialist, objektivisht, përjashtohen.“ (58. Po aty, f. 16)

Pasi tregon se çka nuk është moderne në letërsi, profesor Qosja në shumë aspekte, prej shumë anëve përkufizon këtë term.

Moderniteti është nocion njohës, nocion vlerësues, është një nocion me domethënie të gjerë, moderniteti është tejkalim i poetikës skematike, moderniteti nuk mund të jetë pjesë, sepse ai është tërësi. Moderniteti varet prej tërësive, siç janë; ndjeshmëria, struktura, sistemi teorik, energjia e mendimit, vlera estetike etj. Ai: „nënkupton zbulimin e përmbajtjeve të reja; të ndjeshmërisë së re; të vizioneve të reja; të moralit të ri; të ideve të reja; të aspekteve të reja; të formave të reja; të teorive; të metodave dhe të teknikave të reja krijuese.“ (59. Po aty, f. 17) Ndjeshmëria, fryma, vizionet përcaktojnë një vepër, të jetë moderne apo konvencionale! Moderniteti e përjashton konformizmin, gjykimi i tij është ironik, përballë kufizimeve, moderniteti vë lirinë.

Dhe, në fund: me kë nuk pajtohet moderniteti?

Moderniteti, nuk pajtohet: me folklorizmin, me sentimentalizmin, me apologjetikën, me dekoracionin, me patosin dhe retorikën romantike, me normativizmin dhe dogmatizmin, me mitologjinë patetike dhe me vetëdijën lokale; ai nuk pajtohet me të sotmen, me veten, sot për hir të së nesërmes, është projeksion i botës së krijuar, nesër.

 

INDIVIDUALITETI I REXHEP QOSJES

Një decenie pas botimit të librit „ Dialogje me shkrimtarët“, të R. Qosjes, me rastin e ribotimit të kësaj vepre kritike, në pasthënie, me të drejtë theksohet se kjo vepër „shenjon zanafillën e kritikës moderne shqipe.“ (60. R. Qosja, „Dialogje me shkrimtarët“, „Rilindja“, Prishtinë 1979 – Pasthënia e Ali Aliut, f. 292) Këtu duhet analizuar nocioni „kritikë moderne“, sepse një lloj i kritikës shqipe ekzistonte edhe para botimit të kësaj vepre, që ishte një kritikë e pakonstituuar në nivelin adekuat të vetë letërsisë, as në rrafshin e organizimit, të strukturës kompozicionale apo të përgatitjes teorike dhe të kulturës gjuhësore. Si poezia, ashtu edhe kritika vuante nga një retorizëm patetik, nga një klishetizëm i improvizuar i mendimeve që përsëriteshin nga një kritik te tjetri, duke pandehur se misioni i saj ishte efekti didaktik, që bashkohej me përfoljen e përmbajtjes së veprës. Kjo kritikë, më tepër merrej me çështjet jashtëtekstore, siç ishte biografia e shkrimtarit, orientimi ideologjik i tij etj! Kritika shqipe, sillej rreth disa temave të përherëshme, siç ishin; përmbajtja dhe forma, personazhi pozitiv dhe ai negativ, si dhe tematika e veprës.

Kur jemi këtu, vetëvetiu vjen pyetja: Ç`të re solli R. Qosja në kritikën shqipe të kësaj kohe?

Në radhë të parë, ai trajtoi letërsinë shqipe në përgjithësi, pa bërë ndarje regjionale ose përpjekje për ta abstrahuar letërsinë e sotme shqipe nga letërsia e traditës dhe kështu për ta trajtuar këtë letërsi si diçka të veçantë. Si kriter, R. Qosja kishte kriterin estetik, të cilin ua kundërvinte kritereve tjera. Ai, në qendër të interesimeve të veta vinte veprën letrare, përkundër traditës, që në atë kohë, më tepër merrej me biografinë e autorit se që me veprën e tij. Profesor Qosja, afirmonte sensibilitetin modern të letërsisë, kritikonte të metat: frymën patriarkale, optimizmin e rrejshëm, ideologjizimin dhe politizimin e letërsisë etj. Në kohën kur gjysma e letërsisë së sotme shqipe, zyrtarisht ishte shpallur si letërsi e realizmit socialist dhe në gjuhën e kësaj letërsie zotëronte fjalori ideologjik dhe politik, R. Qosja si pengesë për zhvillimin e letërsisë së sotme shqipe, në vështrimin për krijimtarinë e E. Gjerqekut, nuk lë pa përmendur „ndikimin e zhdanovizmit dhe të kanuneve të Timofojevit e të teorive të tjera mbi tendencën e partisinë në art.“ (61. Po aty, f. 255) Madje, kjo ishte ndër pengesat kryesore, që i kundërviheshin letërsisë së re. Ai i kritikon dhe hudh si të pavlefshme krijimet, me anën e të cilave, krijuesit e fitonin besimin e pushtetit, përkdheleshin dhe bënin karrierë poetike dhe politikë, duke u ngritur në rangun e poetëve të „oborrit“, por edhe në organet e pushtetit, krijues që „idealin poetik ia nënshtronin punës politike.“ (62. Po aty, f. 257)

Politizimi i artit, ideologjizimi i tij, i shkonte përkundër idealit estetik, e zhvishte atë nga qenësorja dhe e degradonte atë! Në këtë drejtim, R. Qosja vepronte intelektualisht, duke e ditur se arti në qenien e tij e kishte universalen, ndërsa politika të përkohëshmën: „… angazhimi i hapët, … Nga një herë edhe tendenca … e dëmtojnë spontanitetin e shprehjes.“  (63. Po aty, f. 258)

Profesor R. Qosja nuk e shikonte veprën, vetëm nga një aspekt. Ai, veprës letrare i bënte një vështrim të gjerë, e zbërthente atë nga aspekti social dhe historik, nga aspekti psikologjik, ekzistencial, për të arritur në analizën formale, në analizën e stilit, të figuracionit, të strukturës së veprës së tij. Kritika e tij është quajtur „kritikë integrale“ dhe më poshtë vazhdon: „Kjo kritikë i ngreh në nivel adekuat të gjitha dimensionet e rëndësishme shoqërore (të veprës – vër. Ime, I. Bytyçi); kështu, ajo, e theksuar dhe e angazhuar në kuptimin pozitiv, i përkrah dhe i stimulon ato më të dobishmet, më pozitivet sikur te ne, ashtu edhe në tërësi.“ (64. Ali Aliu, Kërkime, f. 41) Angazhimi i R. Qosjes, në art dhe në kulturë, por edhe në problemet aktuale, është një angazhim i llojit të intelektualit europian, si Sartri, Markuze etj., ndërsa kritika e tij „pozitive“, s’ka të bëjë me nocionin „pozitivizëm“, por me nocionin e një kritike konstruktive, e cila vazhdimisht dhe me këmbëngulje del në mbrojtje të vlerave të vërteta kombëtare dhe universale të artit. Në një shkrim, për veprën e R. Qosjes „Nocione albanologjike“, Sylejman Syla, thekson: „Autori depërton dhe përqëndrohet menjëherë në vepër dhe tërë shkrimin kritik e sendërton në mbështetje të kontaktit të drejtëpërdrejtë me të, pa e rënduar me teorizime e elemente të tjera parazitare e të pafunksion.“ (65. Sylejman Syla, Kritika dhe vepra, f. 24) Kritika e R. Qosjes, në përgjithësi shënonte kulmet në shqyrtimin e veprave letrare dhe kështu ishte përherë e mirëpritur, si nga lexuesi ashtu edhe nga kritika letrare. Fjalori i tij është fjalor i intelektualit bashkëkohor, që zotëron filozofinë dhe kritikën tradicionale humaniste të shekujve të shkuar, por edhe filozofinë edhe kritikën bashkëkohore! Me gjithë qasjet jashtëletrare ndaj veprës, që bëheshin nga kritikë të ndryshëm „në këtë shkrim kritik – letrar, zotëron dukshëm qasja e brendshme apo, thënë më saktë, përqëndrimi në brendësinë, në strukturën e veprës.“ (66. S. S., po aty, f. 75) Sipas Ali Aliut, „R. Qosja, përfshin një diapazon e sfera, thuaja të pakufi, në të trajtuarit e aspekteve letrare.“ (67. Grup autorësh, Letërsia e sotme shqipe. Kritikë dhe ese – shih pasthënien e A. Aliut, me titull „Tendenca të kritikës sonë“, f. 362) Në të shumtën e herave, vepra e R. Qosjes është pritur pozitivisht si ngritje cilësore, si sintetizim i njohurive, pra, ajo „është një sintezë dhe një thellim i mëtejmë i studimeve historiko – letrare. Metoda origjinale dhe vetëdija kritike historike e autorit i bën të mundshëm, që të depërtojë në strukturën e brendshme të proceseve letrare…,“ (68. Bajram Krasniqi, Letërsia dhe vetëdija historike, f. 267) shprehet Bajram Krasniqi, për veprën „Prej tipologjisë deri te periodizimi“.

Vlerësime pozitive për kritikën e R. Qosjes, ka dhënë edhe Jorgo Bulo në shkrimin e tij „Rexhep Qosja dhe vepra e tij ,Porosia e madhe‘“ (69. J. Bulo, Magjia dhe magjistarët e fjalës. „Dituria“, Tiranë, 1998, f. 275): „Si çdo vepër e kulturës shpirtërore, edhe vepra shkencore është e pandarë nga personaliteti i atij, që e krijon dhe nga epoka kur krijohet. E tillë është edhe vepra shkencore e R. Qosjes, këtij krijuesi poliedrik, që për një çerek shekulli, me talentin e rrallë, me pasionin dhe me guximin krijues qytetar që e karakterizon, i është kushtuar lëvrimint të shkencës e të letrave shqipe.“ (Po aty, f. 275)

Mirëpo, përpos vlerësimit pozitiv të kritikës së R. Qosjes, që i është bërë, s’ka munguar as rezerva nga kjo kritikë! Por, nuk munguan as përpjekjet për ta nënvlerësuar këtë kritikë, apo edhe ato që u përpoqën ta mohonin atë. Kështu Ibrahim Rugova, në një punim të botuar në revistën letrare „Jeta e re“, kritikën e R. Qosjes e krahason me atë të kritikëve të mëdhenj, si „S. Bevi, De Sanktisi, Bjelinski, apo atë të Edmund Vilsonit.“ (71. Jeta e re, Nr. 6, 1974, ( I. Rugova, Interpretime metodologjike – teorike të kritikës letrare, f. 1102) Më poshtë këtë kritikë, e karakterizonte kështu: „kjo kritikë, ka krijuar një gjerësi dhe një shqyrtim të shumanshëm të problematikës së letësrisë, e cila krijon mundësi që në vazhdim të dezintegrohet në disiplinat e ardhme të studimit të letërsisë, ka krijuar një bazë të volitshme për realizimin e këtij procesi të rëndësishëm, e cila e ka ngritur kritikën tonë, veçanërisht në aspektin metodologjik – teorik, si me inkuadrimin e metodave të ndryshme, ashtu edhe me inkuadrimin dhe interpretimin e teorive.“(72. Po aty, f. 1102) (nënvizimi im – I. Bytyçi) Një qëndrim tjetër, pothuaj se të kundërt me këtë, ndaj kritikës së R. Qosjes, I. Rugova e mban në librin e tij „Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504 – 1983)“. Se do të kishte tjetër qëndrim, ndaj kritikës së R. Qosjes, I. Rugova, tregon qartë fakti se ky kritik kur e botoi artikullin e sipërpërmendur, në librin e tij „Kah teoria“, pjesën ku flitet për R. Qosjen si kritik, e hoqi nga teksti! Në librin „kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare“, në rreth 4 faqe, përpiqet ta përkufizojë kritikën e R. Qosjes. Në përgjithësi, këtë kritikë do ta përkufizojë me nocionin kritikë “e angazhuar“ në letërsi dhe në kritikë, por se për çfarë angazhimi bëhet fjalë në veprën e R. Qosjes, këtu nuk definohet nga I. Rugova, sepse as një kritikë nuk shkruhet pa pasur autori i saj një lloj angazhimi! Ky kritik, në veprën e R. Qosjes, e sheh një lëkundje, në mes të tradicionalizimit dhe formalizimit (f. 237), pastaj ai, R. Qosja, e vështron letërsinë në raport me çështjet morale „çfarë lidhet me premisat sociologjike e etike për letërsinë“ (. 239); në kritikën e tij „nuk mund të çlirohet nga çështja e dualizmit vlerësues“ (f. 239), në vazhdim, përmendet inkonsekuenca në mendimet e R. Qosjes etj. Në përgjithësi, në këtë shkrim është inkuadruar një sintaksë e tërhequr zvarrë dhe një përpjekje e përdhunëshme, për ta ulur vlerën e kritikës së R. Qosjes! Këtu nuk bëhet fjalë për të metat e kritikës së R. Qosjes, por për të meta të kërkuara aty ku nuk gjenden, për veprimin e një alkimie gjuhësore, e cila me „mrekullitë“ e saj e kthen arin në thëngjill e, thëngjillin në ar, gjithnjë sipas nevoje! Kjo kritikë ndaj profesor Qosjes, ngërthente në vete filozofinë provinciale dhe atë të grupacioneve, që shenjonte nivelin e ulët kulturor të mjedisit kosovar! Me fjalë tjera, kjo alkimi e fjalës mund të përkufizohet si alkimi negative.

Një kritik, i cili është i angazhuar edhe më heret, ta karakterizojë kritikën e R. Qosjes si destruktive dhe R. Qosjen, si „mohues të vlerave kombëtare“, ishte Hysni Hoxha! R. Qosja ishte kategorik ndaj të metave të veprave të ndryshme, por edhe ndaj nivelit të ulët kulturor të shoqërisë shqiptare! Ai, nuk i përgëdhelte këto të meta, por si intelektual i gjente dhe i kritikonte ato! Prandaj, edhe te shumica e intelektualëve të mirëfilltë dhe lexuesëve, gëzonte respekt! Ky fakt, sikur ngjallte zili te një pjesë e intelegjencës kosovare, e cila edhe pse kishte konsideratë të lartë për veten, në shoqëri, sikur mbetej mbrapa perdes, prandaj me kritikën, të cilën i bënin R. Qosjes, përpiqeshin t’ia kthenin vëmendjen opinionit se kishte intelektualë të një kalibri më të lartë se ai i R. Qosjes! Hysni Hoxha, në artikullin „Për një dialog në nivel kulturor“, e problematizon kritikën e R. Qosjes dhe i shfaq mospajtimet e veta, me këtë kritikë. H. Hoxha, nuk pajtohet me kriteret, të cilat i përdori R. Qosja, në përpilimin e „Antologjisë së lirikës shqipe“, në prezentimin jo të drejtë të autorëve bashkëkohorë në të, rënien në „artizëm“, (73. H. Hoxha, Kritika, f. 216) në qëndrimin nënvlerësues ndaj veprës së Migjenit etj.

Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme dhe të kundërta ndaj kritikës së R. Qosjes, kritika e tij hyn në themelin e kritikës shqipe! Meritë e këtij kritiku është ngritja e kritikës shqiptare në nivelin, të cilin  e ka kjo kritikë sot në Kosovë.

 

GJUHA, STILI DHE TERMINOLOGJIA E KRITIKËS

Një kujdes të veçantë në shkrimet e veta, R. Qosja i kushton gjuhës dhe terminologjisë së veprës. Gjuha e kritikës së tij është e gjallë, mjaft e pasur në shprehje dhe përshkohet nga nocionet e kritikës moderne.

Qysh në librin e parë „Episode letrare“ i është larguar, sa ka qenë e mundur, në atë kohë, kritikës zyrtare të realizmit  socialist, e cila ishte prezente në kritikën shqipe. Megjithëse, në librat e tij të parë kritikë, hasim në fjalorin e kritikës sociologjike apo pozitiviste, ai në librat në vazhdim përqëndrohet në tekstin letrar, depërton në strukturën e veprës artistike.

Fjalori i R. Qosjes, është fjalor i intelektualit bashkëkohor, i cili e zotëron estetikën, trashëgiminë e kritikës humaniste, por edhe kritikën moderne. Në kohën kur u paraqit ky kritik, kritika shqiptare, në përgjithësi ishte e re në moshë, ishte nën trusninë e filozofisë dogmatike qysh në start, ishte e krijuar në kushte specifike edhe në të shumtën e rasteve eklecitizmi e përshkone tej për tej! Gjuha, që e përshkonte ishte kaotike: shumë herë, jo vetëm në një tekst të kësaj kritike, por edhe në një fjali, gjejmë mendime të kundërta, të papajtueshme në mes të tyre! Gjuha e kësaj kritike oscilonte në mes të nocioneve të filozofisë dogmatike marksiste ose nocoineve ekletike. Sa herë që tentonte ta tejkalonte filozofinë e parë, kalonte në të dytën, eklekticizëm.

R. Qosja është ai, i cili me vetëdije të rrallë e mohoi metodën e parë, por nuk iu bashkangjit të dytës, si shumë kritikë kosovarë, që e mbajnë vetën për kritik „modern“! Ai depërtoi në mes të këtyre dy rrymave mbizotëruese dhe me vendosmëri, hapi rrugën e studimeve bashkëkohore në kritikën shqiptare. Shenja më e dukshme për ta dokumentuar këtë është gjuha, të cilën ai përdor në veprën e tij. Nocionet, të cilat i përdor janë ato të teorive bashkëkohore letrare. Por, kur jemi këtu, duhet ta përmendim se mendimi i R. Qosjes e ruan kontinuitetin me mendimin e mirëfilltë mbi artin dhe krijimtarinë. Megjithë metodën moniste dogmatike dhe anarkisë ekletike, profesor Qosja, ndoqi metodën pluraliste bashkëkohore në kritikën letrare. Ai, nuk ndalej në biografizëm dhe në rrethanat shoqërore – historike të krijimit të veprës, por më tepër hynte drejt për së drejti në tekstin letrar, në strukturën e tekstit letrar, por nuk e lë anash as horizontin e pritjes, lexuesin, receptuesin e veprës. Terminologjia më e shpeshtë në kritikën e tij është ajo e poetikës strukturale. Nocionet si studime strukturale, strukturë, struktura figurative, sistemi simbolik, rrathët koncentrikë të kuptimit, ideogramet – ideologemat etj., shoqërohen nga nocionet e estetikës së receptimit si horizonti i pritjes, intensiteti i receptimit, studimi historik i receptimit etj., në kritikën e R. Qosjes përdoren edhe nocionet e semantikës dhe të semiologjisë si semantema, shenjuesi – i shenjuari etj. Këto nocione tregojnë për gjerësinë e interesimeve të këtij kritiku, për përdorimin e nocioneve sa më adekuate në studimin e letërsisë.

Sintaksa e kritikës së R. Qosjes është mjaftë e pasur, elokuente dhe nuk e lodhë lexuesin.  Një vlerë tjetër e kësaj kritike është edhe qartësia e shprehjes, e cila nuk e vullgarizon as një herë kuptimin e veprës, përkundrazi, e bën të afërt me një masë më të madhe lexuesish. Kjo vepër, për pasuritë e mëdha, të cilat i posedon te lexuesi, ngjall përjetime estetike.

 

PËRFUNDIMI

Që nga libri i parë, pothuaj se në çdo libër kritik, R. Qosja u mor me letërsinë bashkëkohore e, sidomos me poezinë e sotme shqipe. Këto shkrime mund t’i ndajmë: në ese, recensione, trajtesa, studime, vlerësime, por ai u mor edhe me periodizimin e kësaj letërsie (poezia). Në këto shkrime, përveç analizës së tekstit, ai u mor edhe me çështje jashtëtekstore, të cilat lidheshin me orientimin e kësaj letërsie në rrugën moderne! Në këto  shkrime, qartë caktohet ç’është tradicionale dhe se ç’është moderne në krijimtarinë artistike – letrare, cilat janë të metat, të cilat e shoqëronin atë e, sidomos, krijimtarinë, e cila është zhvilluar në Kosovë në vitet e para, pas Luftës së dytë botërore. Shikuar nga perspektiva e sotme, marrja me këto probleme, e rëndon kritikën letrare të profesor R. Qosjes, por po të analizohen rrethanat, në të cilat është krijuar kjo letërsi në Kosovë, arsyetohet kjo „ngarkesë“.

Rëndësia e shkrimeve të R. Qosjes është e madhe, sepse në to u shtjelluan problemet qenësore të kësaj poezie. Pothuaj se në çdo rast, ky kritik mbajti qëndrim të drejtë ndaj krijimtarisë letrare! Edhe sot kur i lexojmë vlerësimet për disa poetë, vërejtjet, të cilat ua bëri atyre, edhe sot e kësaj dite janë vërtetuar se ishin të drejta.

Ndër problemet kryesore, me të cilat u mor kritiku, ishte përcaktimi i nocioneve adekuate të kritikës letrare, pastaj kërkimi i metodologjive bashkëkohore! Luftimi i tradicionalizmit, i sentimentalizmit dhe i logjikës provinciale, ishte në plan të parë, në kritikën e tij letrare. Letërsia shqiptare, sidomos ajo që krijohej në Kosovë, që nga fillimi vuante nga keqkuptimi i frymës së letërsisë, nga përdorimi joadekuat i nocioneve letrare, pastaj në shkrimet e tij, me të drejtë shtjelloi fenomenin e hermetizmit në letërsinë tonë.

Jo njëhetë, profesor R. Qosja u përballë me dogmatizmin, në trajtimin e fenomeneve letrare dhe, jo njëherë e sulmoi këtë dogmatizëm, i cili me normat e tij të ngurta ia zinte frymën krijimtarisë edhe mendimit të lirë, pjesë e të cilit është edhe letërsia! Romantizmi i rremë, i cili e shoqëronte këtë letërsi, pastaj notat sentimentale e provincializmi, ndikimet nga periudhat e mëparëshme, si nga letërsia kombëtare, ashtu edhe ajo botërore, e dëmtonin rëndë letërsinë e re shqipe.

Problem në vete, ishte problemi i modernitetit, të cilin R. Qosja, përherë e përkufizonte, por duke e lënë këtë problem të hapur, sepse mbyllja e problemeve është karakteristikë e mendjes dogmatike!

Një tjetër problem, ishte edhe qëndrimi kritik i R. Qosjes ndaj disa krijuesve! Në këtë drejtim, mund të vërehen disa inkonsekuenca: ndaj disave, si psh.; ndaj M. Kërveshit, deri diku edhe Rr. Dedajt, mban qëndrim tepër të lartë, ndërsa ndaj A. Podrimjes e A. Shkrelit, nganjëherë është më tepër qortues se sa e meritojnë! Por, pa marrë parasysh, disa të meta të vogla, kritika e tij, gradualisht u ngrit dhe fjala e tij u bë e respektuar në të dy anët e kufirit shqiptar! Kritikat e R. Qosjes për letërsinë shqipe në Kosovë, e kishin peshën e kritikave të Sent bevit në Francë, të De Sanktisit në Itali dhe të Bjelinskit në Rusi …

Këto kritika, në të cilat u shtjelluan problemet kryesore të letërsisë shqipe, qëndrojnë në bazë të kritikës shqiptare. Kritika e tij u rrit së bashku me zhvillimin e letërsisë shqipe dhe shumë herë i paraprinte kësaj letërsie.

 

 

BIBLIOGRAFIA

1. Rexhep Qosja, Epizode letrare, „Jeta e Re“ Prishtinë, 1976.

2. R. Qosja, Dialogje me shkrimtarët, „Rilindja“, Prishtinë, 1968.

3. R. Qosja, Kritika letrare, „Rilindja“, Prishtinë, 1969.

4. R. Qosja, Antologjia e lirikës shqipe, „Rilindja“, Prishtinë, 1970 (Këtu është shfrytëzuar botimi i dytë, i plotësuar i „Rilindjes“, në vitin 1979).

5. R. Qosja, Panteon i rralluar, „Rilindja“, Prishtinë, 1973.

6. R. Qosja, Shkrimtarë dhe periudha, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1976.

7. R. Qosja, Nocione të reja albanologjike, Instituti Albanologjik, Prishtinë, 1983.

8. R. Qosja, Tronditja e shekullit I, II. „Toena“, Tiranë, 2001.

 

LITERATURA

1. Aliu, Ali, Kërkime „Rilindja“, 1980 (Botimi i dytë).

2. Bulo, Jorgo, Magjia dhe magjistarët e fjalës „Dituria“, Tiranë, 1998.

3. Hoxha, Hysni, kritika, „Rilindja“, Prishtinë, 1977.

4.  Jeta e re, nr. 6, 1974.

5. Krasniqi, Bajram, Letërsia dhe vetëdija historike, „Rilindja“, Prishtinë, 1984.

6. Rugova, Ibrahim, Kah teoria, „Rilindja“, 1978.

7. Rugova, Dr. Ibrahim, Kahe dhe premisa të kritikës letrare shqiptare (1504 – 1983), InstitutiAlbanologjik, Prishtinë 1986.

8. Syla, Sylejman, Kritika dhe vepra, „Rilindja“, Prishtinë, 1988.

9. Syla, Sylejman, Koha dhe krijuesi, „Rilindja“.

10. Vinca, Dr. Agim, Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945 – 1980) „Rilindja“, Prishtinë, 1985.

11. Vinca, Agim, Alternativa letrare shqiptare, „Shkupi“, Shkup, 1995.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …