Mësuesi, Vaxhid Sejdiu, i nderuar me mirënjohje nga Redaksia “Radio Kosova e Lirë” për punën dhe angazhimin, në shërbim të hapjes së pikave shkollore në Zvicër Të rrallë janë mësuesit, të cilët punojnë dhe veprojnë në shërbim të përhapjes së dritës dhe diturisë në gjuhën amtare, në shërbim të organizimit sa më të mirë të këtyre klasave, me qëllim, që në ato klasa të regjistrohen sa më shumë fëmijë, me qëllim që t`i vijojnë mësimet në gjuhën shqipe dhe ta mësojnë atë, sa më mirë dhe sa më drejtë.
Ndër vite, Vaxhid Sejdiu ka dëshmuar jo vetëm me punën dhe përkushtimin e tij, si mësues në klasat ku ka punuar, por në tri vitet e fundit dëshmoi se është shembulli më i mirë në organizmin e pikave shkollore, zgjerimin e tyre dhe mobilizimin e të gjithë faktorëve (prindër, mësues, nxënës, veprimtarë të çështjes kombëtare) që të bëhen bashkë në shërbim të asaj që quhet drita e syve – gjuha amtare. Pothuajse çdo javë kemi pasur rastin të lexojmë dhe të rilexojmë në lidhje me hapjen e pikave shkollore në mbarë Zvicrën, nga njëri qytet në tjetrin, nga njëri kanton në tjetrin dhe vazhdon po me të njëjtin ritëm, po me të njëjtin angazhim në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare. Është shembulli më i mirë kur e sheh njeriu këtë mësues, i cili me gjithë përkushtim arrin ta mbushë klasën plot me nxënës dhe pastaj klasën dhe nxënësit ia dorëzon mësues-it/es që do të vazhdojë të punojë me ata nxënës. Ky përkushtim dhe ky angazhim, që merr më së paku 2-3 muaj kohë për t`i renditur të gjithë faktorët, që nga kërkesa për klasën, që nga kontaktet e shumta me prindërit, takimet, mbledhjet dhe deri te hapja e derës së pikës shkollore, është një rrugëtim i gjatë dhe i veçantë.
Padyshim, ky mësues e bën pa kurrfarë shpërblimi, ashtu siç thotë vete “ unë dua t`i shoh klasat me sa më shumë nxënës, unë dua të shohë sa më shumë klasa ku mësohet gjuha jonë e bukur shqipe”. Vazhdon pa pushim duke qenë shembull i angazhimit dhe i sakrificës, që kjo ëndërr të bëhet realitet. Që gjatë këtyre viteve të fundit kjo dëshirë po bëhet gjithnjë e më tepër realitet. Janë hapur me dhjetëra e dhjetëra shkolla, në të cilat qindra e qindra nxënës mësojnë shqip. Në këto klasa punojnë dhe veprojnë 33 mësues, nga të gjitha trojet shqiptare, ashtu siç janë nga të gjitha trojet shqiptare edhe prindërit, edhe vetë nxënësit.
Kam pasur rastin ta lexoj një nga fjalitë më të përsëritura të mësuesit Vaxhid, në postimet e tij pas hapjes së çdo pike shkollore, ku e thotë me plot gojën; “A ka gëzim më të madh se të hapësh një pikë shkollore, në të cilën e mësojnë gjuhën e nënës fëmijët shqiptarë”. Dhe, më të vërtetë nuk ka gëzim më të madh, se kur i sheh të gjithë ata fëmijë, ata prindër të cilët i gëzohen hapjes së pikës shkollore.
Nga mbresa që pata, e bëra këtë shkrim për ta publikuar, jo vetëm punën e një mësuesi vullnetar, por edhe këtë veprim kombëtar e human të Redaksisë “Radio Kosova e Lirë” dhe të prof. Ahmet Qeriqit, që e bëri për ta nderuar një mësues si Vaxhid Sejdiu, i cili tërë qenien e tij e ka vënë shërbim të përhapjes së dritës dhe diturisë në gjuhën shqipe, për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, të cilët edhe pse të lindur pa fajin e tyre larg atdheut, vazhdojnë ta ruajnë dhe ta mësojnë gjuhën dhe kulturën kombëtare.
Pra, nga ky shembull, duhet, që institucionet tona arsimore të marrin mësim dhe t`i nderojnë ata që i japim çdo ditë atdheut, pa kurrfarë përfitimesh materiale. E gjithë kjo punë kombëtare në shërbim të gjuhës dhe kulturës kombëtare, duhet të trokasë në dyert e institucioneve tona, për ta nderuar atë që duhet nderuar (shih pikat shkollore që janë hapur në dy vitet e fundit në mediat shqiptare), sepse kështu ata e nderojnë edhe veten. Ne mërgimtarët edhe pse jemi jashtë atdheut, me zemër e mendje jemi gjithmonë, me gjuhën, kulturën dhe Atdheun.