Shkolla shqipe në Kantonin e St. Gallenit – Vatër e bashkimit kombëtar.
Shembull që dëshmon përpjekje të vazhdueshme në ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqipe, në Diasporë.
Një libër, që gjatë leximit na detyron të mendojmë se sa e rëndësishme është gjuha dhe kultura kombëtare shqiptare.
Kush jemi ne dhe nga vijmë?
Cila është gjuha, kultura dhe flamuri ynë kombëtar?
Cili është identiteti ynë?
Këtyre pyetjeve u jepet një përgjigje e natyrshme në librin „Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar“, që doli nga shtypi, autor i të cilit është mësuesi i dalluar Dr. Vaxhid Sejdiu. Lexuesi do të ketë mundësi ta njohë sakrificën, përpjekjet dhe angazhimin e mësuesve, prindërve dhe nxënësve, jo vetëm për ta ruajtur gjuhën, kulturën dhe shkollën shqipe, por për ta bërë atë sa më funksionale në shërbim të fëmijëve shqiptarë, që lindin e rriten larg atdheut.
Më se dy dekada, Vaxhid Sejdiu e ka dëshmuar me punë dhe zell, se detyra e mësuesit në mërgatën shqiptare është më shumë se mision! Ai, përveç se është përballë me detyrat dhe angazhimet e përditshme në mësimdhënie dhe në organizimin e riorganizimin e klasave të shkollës shqipe, është i guximshëm, përballë grupeve, të cilat shkollën shqipe e konsiderojnë pronë private apo monopol për ta mbajtur, sa për të thënë se kemi shkollë shqipe, duke e penguar haptazi rritën e saj! Puna me nxënës, angazhimi i tij me prindër dhe organizimi i aktiviteteve të lira, dëshmojnë se shkolla shqipe është më shumë se dy orë në javë mësim në gjuhë amtare. Ajo është institucion edukativ, i cili në thelb ka edukimin kombëtar. Me të drejtë, autori e pagëzon librin, me titull “„Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar“. Radhitja e librit është bërë në bazë të fakteve, nga kapitulli në kapitull. Prandaj, unë, nuk do të shkruaj gjatë, por thjesht e shkurt, sepse libri flet vetë! Me mijëra janë faktet, të cilat na bindin se në kuadër të këtyre shkollave është zhvilluar një edukim kombëtar për gjeneratat e reja.
Mësimi i gjuhës shqipe për fëmijët mërgimtarë, kudo që janë në botë e, sigurisht që edhe në Zvicër, është një dritë në fund të tunelit, qe sa më tutje të ecim, vijë duke u zmadhuar.
Me ndjenja të thella dhe të ndjeshme, autori ka arritë ta shkruajë librin „ Shkolla Shqipe në Kantonin e St. Gallenit – vatër e bashkimit kombëtar“! Në një kohë, relativisht të gjatë e, në një vend magjik, siç është Zvicra, që në mënyrë të qetë presim të zbulohen mrekullitë! Në këtë udhëtim, takohen ndjenjat, dëshirat dhe mundësitë e mërgimtarëve shqiptarë, të paraqitura nga autori i librit dhe protagonist i tij, mësuesi, atdhetari e studiuesi i zellshëm, Vaxhid Sejdiu.
Ky libër është i veçantë, sepse në të ka shumë momente e mundësi të përfshira, edhe pse autori na bën me dije se nuk ka arritur t’i përfshijë gjithë ato aktivitete e ngjarje, të cilat kanë ndodhur rreth mësimit plotësues të gjuhës shqipe në Kantonin e St. Gallen-it. Megjithatë, lexues e lexuese të nderuar/a, të rritur e fëmijë, prindër e nxënës, ky libër ka shumë gjëra për t‘ju treguar, se nuk ka kënaqësi më të madhe për fëmijët shqiptarë, se që të jenë nxënës të shkollë shqipe, dhe nuk ka krenari më të madhe për prindërit shqiptarë se që fëmijëve të tyre t`ua ruajnë gjuhën amtare! Unë e pata fatin dhe kënaqësinë, që në dorëshkrim ta lexoj librin, të cilin mezi pres që edhe një herë ta lexoj, pasi që tani libri është bptuar dhe së shpejti do ta kenë lexuesit në dorë!
Një libër i tillë, kaq i interesat, kaq i magjishëm dhe i shkruar me një durim të madh e kulturë, që bën fjalë për fëmijët tanë, ata të cilët kanë nevojë mësimin e ruajtjen e gjuhës amtare, ashtu siç kanë nevojë për bukën, ujin, gjumin dhe ëndrrat, është ky! Me sukses, autori i librit, ia ka arritur qëllimit, sepse i prek dy elemente të ndieshme dhe kryesore për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë dhe, natyrisht për përgjegjësinë e prindërve shqiptarë në mërgim:
E para, edukimi shumë i nevojshëm kombëtar për fëmijët, dhe
E dyta, obligimi moral dhe kombëtar i shqiptarëve, për ta ruajtur gjuhën e shqipe.
Prandaj, me të drejtë Vaxhid Sejdiu, alarmon dhe na bën me dije, që të veprojmë, sa nuk është bërë tepër vonë, sepse; fëmijët shqiptarë në Diasporë nuk kanë kuptim pa gjuhën dhe kulturën kombëtare.