leoni

Isuf Ismaili: GJUHA SHQIPE, SHKRIMET E PARA DHE LIBRI I PARË

Isuf Ismaili: GJUHA SHQIPE, SHKRIMET E PARA DHE LIBRI I PARË

Gjuhëtarët, historianët e letërsisë, arkeologët e veçanërisht historianët e periudhave të hershme të shkencës  sonë, kanë dëshmuar dhe vërtetuar se populli shqiptar e gjuha e tij, kultura e tij, është vazhdimësi e periudhave ilire e  arbëreshe. Kështu, pra, ata dëshmojnë se ne shqiptarët jemi pasardhës të ilirëve dhe po kështu trevat e banuara me shqiptarë, janë trevat e ilirëve të dikurshëm e të arbëreshëve a arbërve të mëvonshëm, rrjedhimisht edhe gjuha e sotme shqipe është pasardhëse e ilirishtes dhe arbërishtes. Kujtojmë këtu se vazhdimësia jonë është ilire – arbëreshe – shqiptare dhe se vendi ynë fillimisht është quajtur ILIRI, më vonë ARBËRI, tani quhet ShQIPËRI  me të gjitha trevat shqiptare si Kosova, Çamëria, trevat shqiptare  nën Maqedoninë e Veriut, nën Serbinë dhe ato nën Malin e ZI.  Shumë arbëreshë jetojnë në Kalabri e në Sicili etj., të Italisë, në Zarë të Kroacisë, në Argjentinë etj. Të gjithë shqiptarët e arbëreshët kanë gjuhën e tyre të përbashkët kombëtare, ku futen dialektet, nëndialektet, të folmet vendore a lokale, së bashku me gjuhën letrare a standarde shqipe. Ashtu siç janë të përbashkëta rrënjët tona ilire, ashtu është e përbashkët edhe gjuha shqipe.

Gjuha shqipe që ne e flasim dhe e shkruajmë është padyshim e lashtë dhe një nga degët, më vete në pemën e familjes së gjuhëve indo – europiane.

Por, edhe pse gjuha jonë është e lashtë dhe shumë e natyrshme, edhe pse ka një vazhdimësi po të natyrshme dhe se ka tinguj  të ëmbël e strukturë të përsosur, ajo është dokumentuar shumë vonë.

Libri i parë i botuar në gjuhën shqipe është i vitit 1555 dhe titullohet “Meshari” që për autor e ka Gjon Buzukun. Edhe pse ky libër është fetar, për shkencën tonë filologjike, ka rëndësi shumë të madhe për historinë e gjuhës shqipe, për krahasimet e shpjegimet gjuhësore etj.

Ky libër, së pari, nxjerr në pah një dëshmi të tërthortë se gjuha shqipe duhet të jetë shkruar edhe më parë dhe se duhet të jenë botuar shkrime dhe libra të shumtë, duhet të ketë pasur shkolla në gjuhën e vendit, pra në gjuhën shqipe edhe para botimit të “Mesharit”, sepse rregullsia gjuhësore e drejtshkrimi i natyrshëm, na japin për të kuptuar faktin e tërthortë, të cekur më sipër.

Një tjetër dëshmi është edhe një relacion i klerikut francez Guliem Adae (Gurllaume Adae (1270-1341), i cili ka shkruar kështu: “Sado që shqiptarët kanë gjuhën e tyre të ndryshme nga latinishtja, në përdorim kanë shkronjat latine dhe librat e tyre i botojnë po me këto shkronja.”

Kjo dëshmi është e qartë dhe na bën të kuptojmë, fare mirë, se në kohën e tij, por edhe më parë, janë botuar libra në gjuhën shqipe. Por, ne nuk i kemi gjetur këto libra, shekujt e mjerimit për shqiptarët kanë qenë të pamëshirshëm. Para “Mesharit” të Buzukut, janë gjetur fare pak dokumente.

Këto janë:

“Formula e pagëzimit” e Palë Engjëllit e vitit 1462. Palë Engjëlli është mik, këshilltar e bashkëpunëtor i ngushtë i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, Heroit tonë Kombëtar. Ai e kishte shkruar këtë formulë: “Unë të pagëzoj në emër të Atit, e të Birit e të shpirtit të shenjtë”. Kjo formulë është shkruar në dialektin e gegërishtes

Dëshmia e dytë e shkruar, sipas radhës, është : “Fjalorthi” i udhëtarit gjerman Arnold von Harf, i cili kishte udhëtuar nëpër viset shqiptare në vitin 1497 dhe për nevojat e tij ka shkruar shumë fjalë në gjuhën shqipe.

Një dëshmi tjetër e shkruar është edhe “Perikopeja e ungjillit të pashkës” që mendohet të jetë e shekullit të XV ose fillimit të shekullit XVI,  e shkruar në dialektin e jugut

Të shtojmë, gjithashtu, se dy dialektet e gjuhës sonë, ai i veriut – dialekti i gegërishtes dhe dialekti i i jugut – toskërishtja,  kanë qenë shumë të afërt nga ana gjuhësore, në atë kohë, por edhe më parë, por kanë pasur disa dallime të pakta.

Sot gjuha jonë është standarde e lëvruar dhe përpunuar, e studiuar dhe përqafur nga pjesa më e madhe e shqiptarëve, kudo në trevat shqiptare e në diasporë. Është gjuhë zyrtare, e shkollës, administratës, e botimeve etj., e përdorur kudo nga shqiptarët.  Gjuhën shqipe e përdorin më shumë se 12 milion shqiptarë, kudo në botë.

Kontrolloni gjithashtu

Musa JUPOLLI: Shefqet Dibrani, krijues e kritik letrar

Shefqet DIBRANI; A ËSHTË SHPIRTI MALLIKM?!

Miradije Maliqi, “TË FLUTUROSH ATJE KU NUK ISHE”, poezi, botoi “LENAgarfic”,  Prishtinë 2024, faqe 110. …