Në një bisedë, në studion e TV-Diellit, veprimtari dhe publicisti, Isuf Ismaili, ka folur për arbëreshët e Italisë dhe përpjekjet që janë bërë e që duhet të bëhen me qëllim për t’i ndihmuar ata, në mënyrë që ta ruajnë dhe ta pasurojnë edhe më tej identitetin e tyre kombëtar, sidomos me ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës letrare shqipe.
Duke qenë njohës mjaft i mirë i historisë së arbëreshëve dhe kontributit që ata i kanë dhënë edhe kombit shqiptar në përgjithësi, sidomos në periudhën e Rilindjes Kombëtare shqiptare e më vonë, studiuesi, Isuf Ismajli kërkon nga qeveritë në Tiranë, në Prishtinë e më gjerë që bashkërisht të ndërmarrin hapa institucionalë, me qëllim që të ndihmohen të gjithë ata arbëreshë, që kanë dëshirë ta mësojnë gjuhën letrare shqipe, e cila, sipas tij, po rrezikohet te brezi i ri.
Duke folur lidhur me disa aktivitete të cilat i mbajnë vetë arbëreshët me qëllim të ruajtjes së identitetit të tyre dhe përpjekjeve për ta pasuruar atë, studiuesi, Isuf Ismajli ka bërë të ditur për TV-Diellin se, ka disa vite me radhë që në këtë kohë, në shkurt, apo në mars mbahen manifestime për nder të jetës e veprës së Skënderbeut. Edhe sivjet me një përkushtim e me një veprimtari të gjithanshme artistike e atdhetare u mbajtën këto manifestime. Manifestimet e sivjetme për dallim nga të më hershmet mund të themi se patën disa risi në përmbajtje dhe në muzikë. Përkushtimi dhe angazhimi si dhe vullneti i ka paraprirë të gjithë anëtarët e shoqatës ( Pro Loco ) “Arbëria”. Në veçanti mund të themi se kryetarja e shoqatës, Rosa Carbano ka aftësi drejtuese përkryera dhe sjellje të mrekullueshme me të gjithë shokët e shoqet e saja me publikun e gazetarët, ndaj edhe suksesi nuk ka munguar aspak. Këtu duhet të theksojmë patjetër edhe përkushtimin dhe veprimtarinë e këngëtares së përkryer Anna Stratigo (Anna Stratigò) e cila jo vetëm këngën tradicionale arbëreshe e njeh dhe këndon mrekullueshëm, por me po aq përkushtim krijon edhe muzikë e këngë të reja arbëreshe. Ajo me korrektësinë që e karakterizon dhe me dashurinë e madhe atdhedashëse, si një nga stërmbesat e poetit të madh Vinçenco Stratigo (Vincenzo Stratigò) e ka udhëhequr denjësisht grupet e këngëtarëve.
Po kështu, duke parë nga afër gjendjen në ngulimet arbëreshe, Isuf Ismajli ka folur edhe për problemet sociale me të cilat janë ballafaquar historikisht arbëreshët, e me shumë nga ato që ballafaqohen edhe sot: Ai thotë se Në katundet arbëreshe ka vështirësi e probleme të shumta. Fabrika nuk ka, ka vende të pakta të punës, ndërsa të rinjtë ikin në veri të Italisë, ose në vende të tjera për të siguruar mjete financiare, prandaj edhe fëmijë ka gjithnjë e më pak. Mësimi i gjuhës arbëreshe nuk bëhet nëpër shkolla, ata më shumë mësojnë në familje në katunde, në lojëra me njëri-tjetrin ose në komunikimet me të mëdhenjtë, kuptohet në ato katunde ku akoma flitet arbërishtja si Firmë, Ungër, Firozë, Frasnita etj, ndërsa në katunde si Spexana ( Spezzano albanese) ku nuk flitet ose fare pak flitet arbërishtja, fëmijët pothuajse asnjë fjalë arbëreshe nuk e dinë.
Në bisedime me arbëreshët që e ndiejnë këtë dhembje, ata kanë shprehur shqetësimet e tilla, të cilat janë të pashmangshme dhe natyrisht trajtohen me një trishtim të theksuar. Por, ata përpiqen të bëjnë veprimtari të shumta e të ndryshme kombëtare për të mos u shuar, ja edhe këto manifestime, siç bëhen në Ungër, në Frasnita e në katunde të ndryshme arbëreshe i vijnë në ndihmë gjallërisë e vazhdimësisë së kulturës e shpirtit arbëresh.
Studiuesi dhe njohësi i arbëreshëve, i preokupimeve e shqetësimeve të tyre, Isuf Ismajli ka krijuar lidhje të shumta me personalitete arbëreshe, studiues, veprimtarë, këngëtarë, krijues, ka ndihmuar dhe i ndihmon ato aktivitete, me qëllim për të dhënë kontribut, jo vetëm modest në këtë drejtim…