Isuf Ismaili: Komandant Hysen Ymeri, ushtarak e veprimtar i shquar i Shqipërisë.
Në nderim të Komandant Hysen Ymerit e shoqes së tij të jetës Dashurie Ymeri, të cilët shtëpinë e tyre e bën strehë çlirimtarësh e ata vetë qenë bukëdhënës për këta çlirimtarë e veprimtarë, për shumë atdhedashës e luftëtarë të lirisë nga trevat shqiptare si Kosova dhe viset të tjera shqiptare nën Maqedoninë, Malin e Zi e Serbinë.
Në nderim të pedagog Cenit e nëna Dashit që për mua u bënë prindërit e dytë!
I kujtoj me mall e dashuri të flaktë zemre. Nderime jetës e veprës së tyre!
Hysen Ymeri është një personalitet i shquar, një ushtarak i zgjuar dhe i devotshëm, një njeri që në karakterin e tij qenë mishëruar vetitë më të mira të shqiptarit. Është i lindur më, 20 dhjetor 1946 në Luzat të Tepelenës, i frymëzuar dhe edukuar në atë pjesë të Shqipërisë, në Labërinë trime e heroike, në të cilën vepra e atdhetarisë ka shkëlqyer gjithnjë, ka marrë krah e forcë ideali i lirisë, pavarësisë dhe i bashkimit të atdheut, aty prej nga është mbrojtur me gjakun e gjokset e trimave, dëshmorëve dhe heronjve, tërësia e Shqipërisë së natyrshme. Prandaj Hysen Ymeri mori me vete edhe në Tiranë e kudo që shkoi: edukimin, bujarinë, trimërinë, por edhe ashpërsinë e Labërisë, kundër armiqve, mori me vete dashurinë për çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare, dashuri kjo e cila gjithnjë e më shumë shtohej e piqej në mendjen dhe shpirtin e tij si fëmijë e ri, në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Kështu vitet shkonin e Hysen Ymeri përgatitej e kalitej duke mbaruar me sukses të shkëlqyer Shkollën e Bashkuar, për t`i hapur rrugë Akademisë Ushtarake, në të cilën po ashtu shkëlqeu edhe si student me aftësi shumë të përkryera, por edhe si sportist i dalluar. Me një trup të lidhur, muskuj të fuqishëm, si një nga oficerët më të shquar të Shqipërisë, duke pasur mendjen e kthjellur, duke pasur dashurinë e ndjenjën e sakrificës, ai do të shkëlqejë në repartet ushtarake, në kufijtë e Atdheut e në zbulimin ushtarak, si mësimdhënës, pedagog e drejtues i Akademisë Ushtarake.
Ka shumë ngjarje interesante të jetës dhe veprës së Komandant Cenit. Një moment shumë i dhembshëm është edhe humbja e gishtave të dorës së djathtë nga eksplozivi, duke e ndezur fitilin, të cilin nuk kishte arritur ta ndizte një ushtar. Por, më pas, me një kurajë të pashembullt, shfaqet tërë angazhimi i tij shpirtëror për t`u shëruar.
Ja si shprehet vetë Hyseni, se ç` i kishte thënë doktori, që e kishte operuar, pasi ia kishte improvizuar dy gishta, meqë i madhi kishte mbetur pa u cenuar:
“- Ceno mos u mërzit, se ke gjysmë-dore, me të do të bësh gjithçka që ke bërë deri tani.
– Edhe gjimnastikë?!- pyesja unë
– Edhe gjimnastikë me atë vrull që ke ti, – ma kthente ai me tërë optimizëm”
Pas gjithë kësaj ai u kthye përsëri në ushtri, bëri shumë stërvitje të mundimshme, gjimnastikë, mbaroi edhe Fakultetin Juridik dhe një kurs radiozbulimi. Me kurajë dhe vullnet të çeliktë arriti të bëhet shef i Shtabit Ushtarak të Shkollës së Zbulimit e më vonë fillon detyrën e pedagogut të Klasit të Parë në Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë. Ka shfletuar edhe literaturën e huaj për operacionet mbrojtëse, mësymëse, dhe desantët ajrore e detare, për të mbrojtur gradën për kandidat të shkencave. Hyseni arriti të bëhet edhe Shef i Fakultetit Gjitharmësh (dekan).
Dhembjen dhe dashurinë për Kosovën e viset të tjera shqiptare të mbetura nën pushtimin serb, maqedonas, malazez e grek, ai që në moshën fare të re i përjetoi. Kënga, historia, tregimet e përjetimet e shumta të njerëzve të këtyre trojeve shqiptare, shkolla dhe edukimi i përgjithshëm, mjetet e informimit, letërsia dhe politika shqiptare të orientuara në drejtim të përbashkësisë shqiptare e kishin kalitur shpirtërisht me ndjenjat më të pasura e më të kulluara atdhetare për Shqipërinë e tërësishme, prandaj ai natyrshëm e me ndjenjën e vetëmohimit e ka dhënë një ndihmesë të madhe për çlirimin dhe bashkimin e Kosovës me viset të tjera shqiptare.
Hysen Ymeri është një nga kuadrot më të shquara të ushtrisë shqiptare, mësimdhënës i përgatitur në kuptimin më të përkryer. Shpirtërisht dhe fizikisht, ai iu përkushtua ushtrisë shqiptare, duke mos e kursyer aspak veten. Ai është shembulli më i mirë i oficerit dhe njeriut, që nuk diti asnjëherë të bënte dredhi me punën ose të largohej nga detyra.
Mendja e tij, shpirti i tij dhe qenia e tij, edhe pasi doli në pension, qe i lidhur tërësisht me dashurinë dhe përkushtimin ndaj Atdheut dhe kombit.
Ai ishte në gjendje të shpjegonte e të rrëfente me përpikëri ngjarjet, përjetimet, sakrificat dhe dashurinë e oficerit për armën, për kujdesin ndaj teknikës, për profesionalizmin e taktikës, strategjisë, për domosdoshmërinë e kalitjes fizike, për veçantitë e cilësive të ushtarakut, krenarinë, për emocionet, për shokët, për përvojat e përjetimet etj.
Kur rrëfente Hysen Ymeri për ushtrinë, për përkushtimin ndaj detyrës, për krenarinë e oficerit, patjetër mendja na vente për të krijuar lidhshmërinë e natyrshme të ushtrisë me pallën e Skënderbeut, me luftën dhe heroizmat e tij, me gjoksin e Mic Sokolit e Selam Labit, që shfaqën madhështinë e heroizmin e bijve të devotshëm të atdheut, duke u hedhur mbi grykët e topave të armiqve, kështu në këtë vijimësi lidhshmëria e ushtrisë bëhet edhe me heroizmin e Vojo Kushit, i cili hidhet mbi tankun e armikut, me Adem Jasharin, Komandanti Legjendar i UÇK- ës, që u stërvit nga komandant Ceni, nga Kastriot Hoxha dhe pedagogët të tjerë të Akademisë Ushtarake në Tiranë.
Kështu ai rrëfente me dashuri e respekt të jashtëzakonshëm edhe për Adem Jasharin se si u përgatit në repartet ushtarake të Tiranës dhe rretheve të saj, në poligonet te qitjeve me armë të ndryshme, pikërisht në ato poligone të Shkollës së Bashkuar ‘’ Skënderbej’’ dhe Akademisë Ushtarake, të cilat ne dikur vetëm i ëndërronim për t`i parë. Ai e ka botuar edhe një libër kujtimesh e përshkrimesh të veprimtarive të shumta, një pjesë të së cilit ia kushton edhe stërvitjeve me djemtë dhe burrat e Kosovës, dhe të trojeve të tjera shqiptare nën pushtimin e atëhershëm jugosllav, ku ndër të tjera thekson për stërvitjet të heronjve Adem Jashari e Zahir Pajaziti. Libri titullohet: “ Stërvitëm dhe Adem Jasharin”
Hysen Ymeri qe mbase oficeri më i pasionuar në aktivitete të ndryshme ushtarake, i cili ka bërë stërmundime të mëdha, pikërisht për të dëshmuar atë krenarinë, forcën, shkathtësinë e zotësinë e oficerit dhe shqiptarit të devotshëm, i mbajtur fort në shtyllat krenarisë labe e dashurisë atdhetare. Ai dëshmonte se stërvitjet në poligonet e ushtarake, marshimet, qitjet, fushimet në male me dëborë, kalimi i lumenjve dhe ndërmarrjet e veprimet e shumta ushtarake, kanë dëshmuar për vitalitetin dhe përkushtimin deri në vetëmohim të oficerëve e ushtarëve, për të mbrojtur vendin dhe për t`u bërë kështu, shembulli më i mirë i një organizimi të përsosur dhe një krenarie të ligjshme shqiptare.
I lidhur tërësisht me idealet e përbashkësisë atdhetare, ai nga mendja dhe shpirti i tij nuk hoqi kurrë Luftën Heroike te UÇK- ës, dhe të Komandantit Legjendar të saj Adem Jashari.
Ja se si shprehet vetë ai: “Periudhë e paharruar në tërë karrierën time ushtarake do të mbetet ajo e përgjegjësisë që m’ u dha nga Komanda e Akademisë për përgatitjen e djemve nga Kosova… Ishte një detyrë e vështirë në një situatë delikate, një detyrë me përgjegjësi, të cilën unë dhe kolegët e mi u përpoqëm ta kryenim sa më mirë, duke mos kursyer të gjitha energjitë fizike e mendore në funksion të saj…Qenia pedagog i studentëve ushtarakë për disa vite, ka lënë gjurmët e veta në kujtesën time, por qenia mësues ushtarak luftëtarësh çlirimtarë, mbetet për mua kujtimi më i madh dhe i pashlyeshëm në tërë karrierën time ushtarake dhe në tërë jetën time…”
Ishte fillimi i viteve të nëntëdhjeta të shekullit që shkoi, disa nga shumë bij e bija më të mirë të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme, krahas demonstratave dhe veprimtarive atdhetare e kundër Serbisë dhe Jugosllavisë, bënin përgatitje se si të mbroheshin e si të përgatiteshin për ta luftuar me grykën e armeve, pushtuesin jugosllav, për t`i çliruar ato vise dhe për t`i bashkuar me Republikën e Shqipërisë.
Në rrethana të përshtatshme shteti shqiptar i krijoi mundësinë disa djemve shqiptarë nga territoret shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia, të ushtroheshin në Republikën e Shqipërisë dhe jo dosido, por me mësime të përsosura, pikërisht nga ajka e ushtrisë shqiptare, nga oficerët dhe pedagogët e Akademisë Ushtarake, në radhë të parë nën udhëheqjen e Hysen Ymerit, si Dekan i Fakultetit Gjitharmësh. Ai me një trup prej sportisti, ku viheshin re qartë shkathtësitë e tij fizike, organizative dhe me një përkushtim të veçantë e veprimtari të pashoqe, u bë edhe komandant i ushtarëve të Kosovës në mesin e të cilëve ishin edhe heronjtë tanimë të Kosovës dhe gjithë Shqipërisë Adem Jashari dhe Zahir Pajaziti.
Adem Jasharin, ai e kujtonte jo vetëm si është përgatitur, jo vetëm për shkathtësitë e tij, por edhe për heroizmin e tij, për paraqitjen e tij, për tiparet e tij, për vetëmohimin, për veprimtarinë e madhërishme. Nga mendja nuk i hiqej takimi parë me të në repartin ushtarak në fshatin Surrel, krejtësisht afër malit të Dajtit. Ai e kujtonte qëndrimin e tij, karakterin e tij burrëror, të fortë, mustaqet e tij vesh më vesh, duke ngjasuar me Mic Sokolin e Selam Musain Labin.
Lidhjet e tij qenë jo vetëm emocionale, por edhe profesionale aktive në shërbim të Atdheut, të pjesëve të tij për t`i çliruar nga kthetrat e pushtimit jugosllav. Ishin lidhje të pastërtisë së gjakut shqiptar.
Është interesant se për t`i të theksuar aftësitë taktiko – zbuluese që janë zbatuar gjatë stërvitjeve e që i kanë udhëhequr komandantët Hysen Ymeri e Kastriot Hoxha.
Veçanti me shumë interes është edhe organizimi i pritave, improvizimi i çezmës artificiale, gurit të artificial, apo lesës artificiale ose të përshtatur. Gjithë kjo punë bëhej për ta hutuar armikun, kur ushtarët e armikut të lodhur e të etur ndalojnë të për të pirë ujë te çezma e përshtatur dhe në ato momente kur ata çlodhen, dalin ushtarët mbrojtës nga toka , duke i hedhur lesat e improvizuara në ajër, duke hapur zjarr mbi armikun, apo nga guri i improvizuar, prej ku edhe mund të hapet e zjarr edhe mund ta zihen të gjallë armiqtë në një rrethim të organizuar mirë. Të njëjtën gjë do të mund ta bëjnë edhe ushtarët në prita të tjera, duke vënë në zbatim ndërmarrje e veprime luftarake të ndërlidhura mirë.
Gjatë stërvitjeve ushtarake vend me rëndësi të dorë së parë dhe të pazëvendësueshëm e të domosdoshëm luan edhe kalitja fizike, prandaj gjatë asaj kohe krahas stërvitjeve dhe mësimeve të shumta taktike, teknike, xhenios e armëve të ndryshme që nga pistoleta e deri te kundërajrori, ushtarët e viseve shqiptare bënin edhe sampo dhe aktivitete të shumta fizike, marshime, siç bëmë në malin e Dajtit, por edhe alpinizëm. Edhe pse për kalitje fizike ishte pedagogu i paraparë, merrte pjesë edhe Komandant Ceni, merrte një pjesë të madhe të ushtarëve dhe i mbante edhe orët e kalitjes fizike, Njërin grup e udhëhiqte Komandat Ceni, tjetrin e udhëhiqte Rolandi. Aty dukej se si shkëlqenin oficerët shqiptarë, p.sh. Komandant Ceni bënte salto dy herë në ajër, pastaj veprimet e mbrojtjes dhe sulmit elitar (sampo) edhe i bënin vetë ata, por edhe i mësonin ushtarët në nivelin më të përkryer.
Të paharruara janë takimet dhe bisedat me të, meqë ato janë pasqyrë e qartë shpirtërore prej nga burojnë frymëzimet, dashuria dhe përkushtimi atdhetar e humanitar në kuptimin e plotësisë njerëzore.
Komandant Ceni, dhe oficerët tjerë si Kastriot Hoxha, Ylli Mici, Agroni, Eduardi etj. rrinin me orë të tëra, madje edhe natën, në kohën e lirë duke biseduar me ushtarë. Sa afërt, sa të dashur, sa të mirë, sa të dhembshëm, sa të përkushtuar, sa atdhetarizëm tregonin, është vështirë për t`i përshkruar të gjitha këto cilësi të këtyre burrave oficerë e komandantë, të cilët janë krenaria shqiptare dhe njerëzore njëkohësisht.
Një detaj dua ta theksoj, kur ne ishim përgatitur të armatosur mirë, të futeshim në Kosovë, atë mëngjes të hershëm duke u përshëndetur me oficerët tanë, të cilët nuk janë për ne vetëm oficerë, por edhe vëllezër shpirtëror të gjakut e të gjuhës, shohim në sytë e tyre lot e dhembje për ne. Qenë lotët e dhembjet që shprehnin jo vetëm ndarjen me ne, në ato çaste, por ishin edhe dhembjet për atdheun e ndarë e të vuajtur. Kështu shprehej përbashkësia jonë shqiptare. Kjo është një dëshmi se sa shumë u lidhëm edhe shpirtërisht. Nder, respekt dhe dashuri vëllezërish për këta oficerë!
Jeta për Komnadant Cenin pas viteve 90 u tregua e ashpër, atë e pushuan nga puna. Një dekan fakulteti u detyrua të dilte në treg për të shitur këpucë. Vetë lexuesi i shëndoshë në mendime, mund të gjykojë se në ç`udhë mund të shkojë një shoqëri, kur pedagogët, shkencëtarët, oficerët etj., dalin në treg për të shitur dhe përballen me vështirësi madje edhe të ekzistencës.
Komandant Ceni në vitet nëntëdhjeta takohej, priste e përcillte shumë djem e vajza, shumë atdhetarë patriotë e revolucionarë të Kosovës e viseve të tjera shqiptare. Këto lidhje gjithnjë e më shumë forcoheshin. Në rrethana të tilla u njoh komandant Ceni edhe me veprimtarin e devotshëm atdhetarin e dëlirë Xha Fitim Fitimin, i cili gjithë jetën e tij e ka të përmbushur me një veprimtari të lavdishme, të pakursyer në shërbim të Atdheut, të lirisë, pavarësisë dhe bashkimit të tij, i cili edhe tani në moshën nëntëdhjete vjeçare nuk pushon dhe nuk ndalon fare, por vepron për ta çuar në vend amanetin e dëshmorëve të Shqipërisë për ta bërë atë të bashkuar dhe të pandarë.
Shpesh herë kur trimi i maleve të Gallapit Zahir Pajaziti , tani Hero i Popullit, shkonte në Tiranë, duke i kaptuar malet e thepisura, që ndanin Shqipërinë, e takonte patjetër edhe Komandant Cenin, nga i cili u stërvit për t`u bërë i pamposhtur në rrugën e çlirimit të Kosovës. Ai i heshtur, por i vendosur me të tëra forcat fizike e shpirtërore i gatshëm për t`i shkrirë për atdheun, i kërkonte mendime, ide dhe e pyeste për shumë situata në udhët e lirisë, në të cilat Zahiri nuk u ndal kurrë, derisa ra heroikisht për çlirimin e tërësishëm të Shqipërisë dhe ribashkimin e saj. Komandant Ceni rrinte me të për orë të tëra dhe ia jepte ndihmesën tij të pakursyer.
Ishte tetori i vitit 1994 kur xha Fitimi së bashku me Skënderin, birin e tij erdhi nga Shkupi në Tiranë. Në Shkup ai rrinte i strehuar, meqë policia serbe e kishte kërkuar në Prishtinë për ta arrestuar. Skënderi dhe xhaxhi Fitim kanë qenë edhe më parë të dënuar në burgjet e ferrit jugosllav për shkak veprimtarisë atdhetare, për liri e bashkim kombëtar. Kështu ne të gjithë bashkë u takuam edhe me Komandant Cenin.
Takimi ishte shumë mbresëlënës me kujtime të pashlyera. Çdo gjë ishte në harmoni të plotë, sepse përveç gjakut dhe gjuhës së përbashkët, janë të përbashkëta edhe pikëpamjet, idetë, përkushtimi dhe dashuria njerëzore e atdhetare në kuptimin më të shkëlqyer. Komandant Ceni tregonte për të kaluarën, për jetën e mbushur plot me veprimtari e ngjarje të shumta të përkushtimit atdhetar, tregonte pastaj për shkollën, kulturën, për zhvillimin e shndërrimet e mëdha e përparimtare në të gjithë Republikën e Shqipërisë, tregonte për organizimin ushtarak, për armët, për disiplinën dhe gatishmërinë e pashoqe të ushtrisë dhe popullit në shërbim të atdheut. Ai tregonte edhe përkushtimin e tyre ndaj Kosovës dhe viseve të tjera të Shqipërisë që i kishin pushtuar jugosllavët.
Armë kemi plot, jo vetëm për veten tonë këtu, por edhe për të gjithë shqiptarët, kudo që ndodhen në botë, – thoshte komandant Ceni.
Ai tregonte detaje të rëndësishme për planin e çlirimit të Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare.
Ne të gjithë kemi qenë të përgatitur. Brenda pesëmbëdhjetë minutave mobilizimi ynë arrinte në 500000 pesëqind mijë veta. Plani ka qenë i hartuar dhe sapo të krijoheshin rrethanat e përshtatshme, sapo të na jepej urdhri , ne do të hynim në Kosovë dhe vise të tjera shqiptare, që i mbajnë të pushtuara Serbia, Mali i Zi dhe ish republika jugosllave e Maqedonisë. Kjo, kështu është dhe nuk e luan as topi. Mos t`i gënjejë mendja asnjërit, për ta na përçmuar, se gjoja ne nuk do të ndërhynim, po qe se do të fillonin luftimet në trojet shqiptare nën pushtime e të huajve. Pa as më të voglin dyshim të gjithë shqiptarët e edukuar shqiptarisht, të gjithë liridashësit shqiptarë në Kosovë e kudo, do të na bashkoheshin me ne dhe duke përparuar, kështu të gjithë së bashku, do t`i çlironim ato vise për një kohë shumë të shkurtër.
Me komandant Cenin u takua edhe Halil Alidema, pedagog e historian, që për veprimtarinë e tij patriotike është dënuar me burgim të rëndë nga jugosllavët, në vitet tetëdhjeta të shekullit të shkuar. Halil Alidema në vitet nëntëdhjeta vepronte pareshtur, për t`i çliruar viset shqiptare nga serbo- malazezët e maqedonasit. Ai ishte i interesuar për plane ushtarake, prandaj i kërkoi Hysen Ymerit ndihmë. Komandant Ceni në konsultim edhe me veprimtarin, gazetarin dhe oficerin e devotshëm, kolonel Halil Katanën ranë në një mendje, që në Kosovë të fillohej me aksione guerile, sipas përvojës shqiptare Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare. Komandant Ceni për këtë ka punuar seriozisht e me përgjegjësi të lartë.
Pas disa vitesh Hysen Ymeri do të shkojë edhe në Zvicër dhe pikërisht xha Fitimi do ta pres në shtëpinë tij krahëhapur dhe me të tërë dashurinë e nderimin e veçantë me një mikpritje të shkëlqyer. Xha Fitimit i dukej gjithçka e jashtëzakonshme dhe i lajmëronte shokët dhe njerëzit e shumtë që vinin dhe e takonin komandant Hysenin. Ai fliste me një dashuri dhe nderim të madh me njerëzit , u shpjegonte për të kaluarën, për ushtrinë shqiptare, të para viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, për organizmin e saj të shkëlqyer, për gatishmërinë e mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, por edhe për përkushtimin e saj që t`i ndihmonte në rrugën e çlirimit të plotë, viset shqiptare të pushtuara nga të huajt.
Më vonë Hysen Ymerin do ta shohim aktiv edhe si ushtarak . Në tetor të viti 1998 ai fillon punë në Ministrinë e Mbrojtjes. Më pas do ta emërojnë Komandant i Batalionit Special të Ushtrisë. Ai kishte filluar punën po atë vrullin profesional e shpirtëror si më parë, por pasi e emëruan Komandat ai e përgatiti përsosur batalionin, fitoi edhe përvojë të re dhe ushtarët e tij u bënë si luanë. Gjatë kohës së luftës heroike të UÇK- ës, komandant Ceni, së bashku me ushtarët e tij, shkoi në Has, Kukës e Tropojë për të siguruar kufirin. Por mbi të gjitha ishte qëllimi për t`iu bërë të pamundur forcave çetnike, e fashiste serbe që synonin t`u dilnin mbrapa krahëve luftëtarëve trima të UÇK – ës.
Më pas ai do të lirohet nga ushtria. Duke pasur shumë miq e shokë në Kosovë ai do të gjejë ngrohtësinë shpirtërore dhe dashurinë vëllazërore atje. Me veprimtarin Fitim Fitimi mbante lidhje të përhershme dhe gjithnjë e më shumë lidhjet janë përforcuar.
Kemi pasur rastin të shkonim disa herë nga Tirana për në Prishtinë së bashku me Komandant Cenin, me oficerin e kryeredaktorin e shquar të revistave e gazetave ushtarake Halil Katana edhe ky i lidhur mish e shpirt me Kosovën. Kemi qenë bashkë në takime të shumta me shokë e dashamirë, në manifestime e përkujtime, në familjet e dëshmorëve. Kudo ka shkëlqyer fjala e tyre, puna e tyre dhe vepra e tyre.
Komandat Cenit i pushoi zemra së rrahuri më, 26 korrik 2019, por ai jeton e do të jetojë në mendjen e zemrat tona, të të gjithë njerëzve që e njohën dhe patën të bënin me të, ta dëgjonin fjalën e tij e ta shihnin veprimtarinë e tij.