(Kumtesë e lexuar në Zyrih të Zvicrës, më 22 qershor 2919 me rastin e përurimit të disa veprave letrare të shkrimtarëve Martin Çuni e Avni Azizi).
Përurimi i veprave letrare është një nga veprimtaritë e veçanta kulturore, që sjellin një shije e harmoni të madhe në jetën njerëzore. Vepra letrare në njërën anë dhe veprimtaria, kritika e shëndoshë, evidentimi i përbërësve të krijimtarisë së një autori, të disa autorëve apo të veprave të veçanta të tyre sjellin dobi e interes jo vetëm për të krijuesit e ri, për dashamirët e veprave artistike, por edhe për vetë autorët, veprat e të cilëve merren në shqyrtim, në analiza, në përurime dhe këndvështrime kritike.
Padyshim krijimtaria letrare qëndron në majat e pasurisë artistike, që rrok përbërësit më të shumtë të jetës së gjallë njerëzore, botës së veçantë të shkrimtarëve, të cilët me krijimtarinë e tyre futen thellë në ndërgjegjen njerëzore, sidomos të të gjithë atyre që provojnë për të përvetësuar, lexuar e shijuar veprat letrare, ndaj kështu i shërbehet pikërisht pasurisë shpirtërore duke dhënë mundësi, por edhe harmoni përgjithësisht jetës kulturore.
Veprimtaria letrare e krijuesve shqiptarë është e pasur në të gjitha trojet shqiptare, por edhe se cilët krijues në trojet shqiptare kanë të përbërësit e përbashkët, gjuhën e gjallërinë e të shprehurit në shqipen e bukur letrare, si dhe trajtimet në botën e përbashkësisë shqiptare, por natyrisht edhe veçantitë e trajtim ngjarjeve të dhe temave e zhvillimeve ku ndodhin ato ngjarje.
Një veprimtari e veçantë, qoftë si veprimtari artistike, qoftë si kuptim dokumentar i ngjarjeve sa të dhembshme aq edhe të rëndësishme, që ngërthen në vete edhe karakterin e qëndrueshmërisë krenare të bijve e bijave më të mirë të kombit shqiptar në burgjet jugosllave, të ngjarjeve heroike e luftarake shqiptare, por edhe të porosisë përçuese te masat e gjëra shqiptare është edhe vepra e shkrimtarit, veprimtarit, atdhedashësit, luftëtarit të lirisë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, gazetarit të Radios Kosova e Lirë Martin Çuni.
Martin Çuni duke qenë një veprimtar i shquar, duke qenë ish i burgosur për veprimtari atdhetare, pa hezituar fare u radhit në shërbim të luftës heroike të UÇK-ës, ai veproi në dy mediat e luftës çlirimtare në “Radion Kosova e Lirë” e në agjencinë “Kosovapress”. Ai veproi pa u ndalur, përshkoi me këmbë fshatra e vendet të shumta të Kosovës shqiptare duke dhënë informacione e duke përshkruar ngjarje nga frontet e luftës, duke bërë intervista me luftëtarë e komandantë të UÇK-ës, me familjet e dëshmorëve me njerëzit e përkushtuar e familjet e shëndosha shqiptare, që ishin vënë në shërbim të luftës çlirimtare. Ai veproi me shkrimtarin, veprimtarin, atdhedashësin shquar e drejtorin e Radios Kosova e Lirë, profesorin e nderuar Ahmet Qeriqi, me veprimtarët e shquar Nezir Murtaj, Nysret Pllana etj.
Martin Çuni ka shkruar, ka vepruar, ka luftuar, ka folur e ka krijuar ashtu bukur, veçantë, me dashurinë e përkushtimin e pashoq të një veprimtari e atdhedashësi shqiptar të një atdhedashësi e luftëtari stoik. Vepra e tij sa letrare, poetike, prozaike, informative, përshkruese, dokumentare është e pasur dhe veçantë në letërsinë e krijimtarinë e sotme kulturore shqiptare, ajo qëndron në majat e kurorës së krijimtarisë së mirëfilltë.
Përmbledhja “Lulet e jetës” të shkrimtarit Martin Çuni është një vepër që brenda saj ngërthen ngjarje e komunikime sa emocionale, të dhembshme me botën fëmijërore, aq edhe të rëndësishme në planin e përshkrimeve atdhetare e qëndresës krenare në burgjet jugosllave, duke i treguar pushtuesit jugosllav se lidhshmëria e karakterit shqiptar është një përçues jo vetëm admirues por edhe i pathyeshëm i botës së të rriturve dhe vazhdimësisë së tyre me fëmijët, me fëmijët shqiptarë të cilët ishin e do jenë ata që do të trashëgojnë jetësimin e idealeve të lirisë e bashkimit të Shqipërisë dhe tërësisë së saj të natyrshme.
Siç ka vënë në dukje profesor Ahmet Qeriqi kjo vepër e Martin Çunit është e veçantë, sepse, tregimet e poezitë “janë shkruar në qelitë e burgjeve gjithnjë në rrethana specifike dhe si të tilla mbajnë vulën e kohës, ato kanë edhe vlera të mirëfillta letrare e artistike, pedagogjike e arsimore, sepse janë shkruar me një përmbajtje qëllim të tillë”.
Në këtë vepër siç u vu dukje, më sipër emocionet e dhembja janë disa nga përbërësit e tregimeve dhe poezive, letrave që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij Agronit e Teutës. Në letrën e datës pesë shtator 1983 Martin Çuni, duke përshëndetur fëmijët e tij shpreh dashurinë e urimin e veçantë për ditëlindjet e Agronit e Teutës. Vetëkuptohet dhembja, emocioni, babai në burgje jugosllave i shpreh urimet për fëmijët e tij, për ditëlindjet e tyre. Këtu ja vlen të ndalemi dhe të analizojmë se sa të rëndësishme janë shkrimet e tilla për brezat e rinj, që ata të mësojnë se për lirinë për idealet e shëndosha njerëzore, kombëtare shumë prindër atdhetarë e veprimtarë të shquar janë burgosur nga jugosllavët dhe janë ndarë me dhembje të madhe nga fëmijët e tyre me vite të tëra. Këto janë sakrifica të mëdha e të dhembshme, por krenare për të fituar lirinë e për të jetësuar idealet e fuqishme shqiptare. Martin Çuni duke shkruar kështu kalon nga përshkrimet, porositë e vlerat të tjera pedagogjike, letrare tek porosia e madhe që ka vepra letrare e kulturore në jetësinë e idealeve të shëndosha kombëtare e njerëzore njëkohësisht.
Në letrën e 10 qershorit të vitit 1985, që Martin Çuni jua dërgon fëmijëve të tij, përralla që e përshkruan është jo vetëm e rëndësishme për botën fëmijërore, por edhe një porosi e një e ndërlidhje për moshat madhore, sidomos kur e përshkruan qyqen e cila i lëshon vezët në çerdhet e shpendëve të tjerë.
Poezia e tij edhe në këtë përmbledhje është metaforike e rimuar, se edhe fëmijët e duan harmoninë metaforike, rimën e muzikalitetin, përveç fantazisë, personifikimit e vlerave të tjera që bota fëmijërore i pëlqen.
I uroj shkrimtarit e veprimtarit të shquar Martin Çuni, të mos i pushojë dora e pena, por të shkruajë e të botojë edhe vepra të tjera të shquara, siç ka shkruar e botuar deri më tani!