Sot feston 26 – vjetorin Radio Kosova e Lirë e cila jehoi fuqishëm në flakët e luftës çlirimtare, atëherë kur trimat e trimëreshat, bijtë e bijat më të mira, heronjtë e dëshmorët shqiptarë lanë faqe nderi e lavdie në faqet e ndritura e më të reja në Historinë e Shqipërisë, në kohën kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjithnjë e më shumë po e godiste dhe dërmonte armikun pushtues serb. Gjaku i këtyre trimave e trimëreshave i ushtarëve besnikë të Atdheut, i heronjve si Komandanti legjendar i UÇK – së Adem Jashari dhe i heronjve të tjerë si Zahir Pajaziti dhe gjithë heronjve e dëshmorëve të tjerë shqiptarë u bë drita e lirisë dhe drejtimi më i shenjtë për bashkimin e të gjitha trevave shqiptare në përbashkësinë e tërësishme të Shqipërisë.
Radio Kosova e Lirë u bë zëdhënëse e kësaj lufte të lavdishme e heroike, ajo jehoi fuqishëm duke u bërë shpresë dhe qëndresë për të gjithë shqiptarët, burim lajmesh për botën informative të mediave ndërkombëtare, ajo u bë një edhe një grusht dërmues, flakë kundër armikut pushtues serb. Radion Kosova e Lirë, pikërisht ky armik e sulmoi me aeroplanë luftarakë e me armë të fuqishme, por ajo diti të mbrohet, të dilte në dritë e të përhapte zërin e luftës për çlirim e liri, për bashkim e qëndresë shqiptare. Ajo është pjesë e pandarë e kësaj lufte të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, së cilës ia çoi zërin gjer në qiell, si atëherë edhe pastaj, në vazhdimësi, duke qenë institucion i veçantë, e pjesë e lavdisë dhe krenarisë shqiptare që prej fillimit të krijimit të saj. Sot ajo erdhi në 26 – vjetorin e saj, duke u bërë, kështu një institucion i veçantë në botën shqiptare, ku gëlon puna e veprimtaria atdhetare, informative, kulturore, me emisione e lajme e programe të ndryshme për të kaluarën tonë historike dhe luftërat për liri, pavarësi e bashkim kombëtar, por ajo ka shkëlqyer e shkëlqen në të gjithë veprimtarinë kulturore, letrare, gjuhësore, informative, analitike, shoqërore etj., duke mbjellë farën më të mirë njerëzore e atdhetare në trevat shqiptare.
Kur flasim për Radion Kosova e Lirë e theksojmë me kënaqësinë më të madhe se ajo u drejtua dhe drejtohet si gjatë luftës së UÇK- së, ashtu edhe pastaj në vazhdimësi, nga profesor Ahmet Qeriqi, i cili e mbajti e mbanë barrën më të madhe dhe i cili është shpirti e jetësia e RKL- së dhe Tv. Diellit.
Ai është, së pari, është një njeri i mrekullueshëm, një atdhedashës i flaktë, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, profesor që ka njohje enciklopedike që ka vepruar e punuar, që vepron e punon pa u ndalur aspak, edhe pse i lodhur e i sëmurë, nuk ka ditur kurrë të ankohet e të pushojë. Ai ka qenë në burgjet e ferrit jugosllav, pikërisht sepse ka qenë i organizuar me shumë shokë e ka vepruar për çlirimin e tërësisë së trevave të pushtuar të Shqipërisë. Ai ka bërë e bën punë e veprimtari sistematike duke u organizuar në mënyrë të perfektë.
Nga pena e tij qoftë letrare, qoftë kur trajton çështje gjuhësore, historike, pedagogjike, analitike, informative, filozofike e shoqërore ne mësojmë shumë. Ai shkëlqen e do të shkëlqejë me veprën e tij, si një tërësi, që në themel gjatë gjithë krijimtarisë, del e shquhet atdhedashuria, pra motivi i fuqishëm për tërësinë e Shqipërisë, bashkimin e popullit shqiptar në këtë tërësi etnike e të natyrshme. Veprimtaria e tij është e gjithanshme. Ai do të doja ta theksoj të vërtetën e ndritshme është një institucion kulturor e atdhetar, një institucion i shqiptarësisë sonë.
Profesor Ahmeti ka punuar e vepruar, natyrshëm me shokë e veprimtarë, me punonjës e dashamirë dhe të gjithë ata që kanë e ruajtur e ruajnë si sytë e ballit veprimtarinë dhe pastërtinë atdhetare e shoqërore janë të nderuar e respektuar.
Në vazhdimësi , dua të veçoj edhe punën e veprimtarinë e Arbanë Qeriqit, e Zamirit, Fatmir Grajçevcit e të shumë shokëve e veprimtarëve! Ju përgëzoj e ju uroj mbarësi!
Uroj që zëri i Radios Kosova e Lirë e Tv. Diellit të jehojë e të mos pushojë kurrë kudo në trevat shqiptare, në diasporë e në gjithë botën!
Punë e veprimtari të mbarë, shtëpia jonë, institucioni ynë i shkëlqyer i shqiptarësisë sonë e i vlerave të mirëfillta njerëzore Radio Kosova e Lirë e Tv. Dielli!