leoni

Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Në kujtim të atdhedashësit, humanistit e veprimtarit të shquar, shokut tonë të dashur, Skënder Ibishi

(Fjala në mbrëmjen përkujtimore në Shaffhuasen të Zvicrës, më 3.11. 2018 për veprimtarin e shokun tonë të paharruar Skënder Ibishi)

 

Të flasim a të shkruajmë për shokët e veprimtarët e shquar atdhedashës është një detyrë dhe një kënaqësi e madhe, sepse duhet të vëmë në dukje jetën, punën e veprimtarinë e përkushtimin e tyre atdhetar. Përkushtimi i tyre atdhetar ishte mbi çdo gjë tjetër, ndaj brezat e rinj duhet të mësojnë e të edukohen, duke pasur për bazë këtë veprimtari e përkushtim të madh, që e bënë bijtë dhe bijat më të mirë të popullit tonë, duke vepruar e që nga fëmijëria e rinia e tyre, të organizuar në organizata e grupime patriotike atdhetare e ilegale, kuptohet. Ata u bënë shembulli më i mirë, se si duhet të veprohet e se si duhet punohet për Atdheun. Njëri nga këta bij të denjë të mëmëdheut të përbashkët të të gjithë shqiptarëve, të Shqipërisë sonë të natyrshme e tërësishme, qe edhe shoku e vëllai ynë Skënder Ibishi.

Është shumë vështirë të flasim për shokun tonë Skënder Ibishi, sepse dhembja për të, është e madhe dhe e papërshkrueshme. Ai u nda herët nga kjo jetë, por ai jeton e do të jetojë me ne në zemrat tona, në mendjet tona. Kujtimet dhe gjithë puna e veprimtaria e tij na shoqërojnë në ecjen e jetës, punës e veprimtarisë sonë.

Ka njerëz edhe pse nuk ndodhen fizikisht me ne, ata jetojnë me veprën e shembullin e tyre. Dija, veprat atdhetare e njerëzore nuk vdesin kurrë, sepse jeton njerëzimi, jetojnë brezat e ardhshëm, të cilët mësojnë, punojnë e veprojnë duke pasur si bazë të kaluarën. Por që të kemi breza të edukuar e të frymëzuar  atdhetarisht e njerëzisht duhet të shpalosim jetën dhe veprimtarinë  e atyre që me përkushtim e vetëmohim u vunë në ballë të përpjekjeve, luftës e veprimtarisë për çlirim, liri, e bashkim kombëtar.

Skënder Ibishi është një nga shokët tanë i cili pa hezitim, që fare  i ri, u radhit në anën e atyre që shpatullat e tyre të njoma, dijen, guximin dhe përkushtimin dhe gjithë forcat e tyre i kishin vënë në veprim për t’i shërbyer atdheut.

Në kohën kur ai vepronte e organizohej me shokë, në moshë të njomë, është fare normale njeriu të ëndërrojë për një perspektivë, për një profesion, të mësojë e studiojë, të kënaqet e të ketë harenë e moshës, të qeshet e të dëfrehet. Por, jo në kohën tonë u rritëm pa njohur moshën e gëzimet e fëmijërisë e të rinisë, një fëmijëri e rini pa hiret e gazin e moshës, u burrëruam që fëmijë, sepse mbi të gjitha kishim dashurinë e përkushtimin për atdheun, çlirimin e bashkimin e tij.  Ne natyrisht mësuam e studiuam, por më së miri mësuam si duhet të veprohet e punohet atdhetarisht. Prandaj i takon merita e nderi shokëve tanë, siç qe Skënder Ibishi, që pa hezitim u organizuan e që shpesh herë, nuk vunë as gjumë në sy, duke punuar e vepruar në organizatat e grupimet patriotike.

Skënder Ibishi, ishte një nga shokët tanë më të dashur, një natyrë e qetë, i dashur e i përkushtuar thellësisht për të ndihmuar e sakrifikuar për shokët. Ai në dukje të parë dukej i qetë dhe vërtet me qetësinë e njeriut të pjekur i qasej veprimtarisë dhe me dashuri vëllazërore i donte shokët e përkushtohej për ta, por përbrenda në zemrën e shpirtin e tij kishte një vullkan të dashurisë, kishte një zjarr të përkushtimit ndaj Kosovës e viseve të tjera shqiptare, pra ndaj tërësisë së Shqipërisë.

Atë e njoha në këtu në Schaffhausen, pasi i kishte bërë rreth 8 vjet burg të rëndë në burgjet jugosllave, pasi kishte kërkuar azil politik nga shteti zviceran. Shokët Osman Osmani e  Faton Topolli iu gjetën pranë dhe e ndihmuan për çdo nevojë që ai kishte.

Ai ishte i këndshëm në biseda, sytë dhe fytyra i qeshnin nga dashamirësia. Nuk i rëndonte kurrë shokët e as njerëzit të tjerë, ishte gojëmbël, i afronte njerëzit, ndaj edhe njerëzit përgjithësisht e donin dhe i afroheshin.

U shoqëruam shumë së  bashku dhe kaluam një kohë të gjatë në Shaffhausen, gjersa ai me familje jetonte këtu, me të pata rastin edhe të punoja. Ai vazhdimisht thoshte se përkushtimi dhe veprimtaria atdhetare dhe humanizmi përgjithësisht është e duhet të jetë gjithmonë mbi çdo gjë tjetër.

Unë nuk do të zgjatem më shumë, sepse do të lexoj edhe shkrimin, artikullin përkujtimor të Profesorit tonë të dashur Ahmet Qeriqi, i cili punon e vepron pa hezitim e pa ndaluar fare edhe në Radio Kosova e Lirë edhe në Televizionin Dielli, shkruan vepra letrare edhe merret me gjuhësi, letërsi, histori, e me shkencën përgjithësisht. Ai është duke kryer punën e veprimtarinë e një instituti të tërë, paramendoni, instituti ka dhjetëra e qindra punëtorë. Televizioni Dielli është ide e simbolit të atdhetarizmit, humanizmit e qëndresës shqiptare Adem Demaçi , por fatkeqësisht ai u sëmurë rënd, në kohën kur kishin arritur gati të fillonin me transmetimet televizive. Simboli ynë Adem Demaçi i la porosinë profesor Ahmetit, që të mos tërhiqej fare dhe fillonte me transmetimet televizive, sa më parë dhe ai besnikërisht e me sakrifica të mëdha po punon e vepron, pa ndihmën e institucioneve të Kosovës, edhe investimet e simbolit tonë Adem Demaçi i ka tërhequr, i biri i tij Shqiptar Demaçi. Paramendoni vetë, me sa sakrifica dhe me fare pak mjete financiare punojnë e veprojnë  punonjësit edhe të RKL edhe TV Diellit. Por është sakrifica dhe përkushtimi e dashuria atdhetare e njerëzore përgjithësisht që i shtynë e i udhëheqin të veprojnë, prandaj është nder dhe mbështetje madhe, të kontribuojmë të gjithë nga pak për këto dy media tërësisht atdhetare e zëdhënëse të lirisë, të dëshmorëve e të bashkimit të Shqipërisë. Ato janë dy medie të të gjithë atdhedashësve e liridashësve shqiptarë. Mund të shkruani e publikoni në to gjithë përvojën e veprimtarinë atdhetare e njerëzore, prandaj ndihmat tona janë  e do të jenë mundësi më e madhe që ato të  funksionojnë normalisht e pa ndërprerje. Unë këtu i thërras të gjithë shokët, që qenë rreshtuar e kanë vepruar në organizatat e grupimet patriotike në të kaluarën, ish të burgosurit atdhetarë dhe të gjithë atdhedashësit në mërgim t’i ndihmojnë këto dy medie, se ato janë tonat dhe se është turp për ne ta lëmë të vetëm profesorin e nderuar Ahmet Qeriqi, të cilin e donte dhe respektonte shumë edhe shoku ynë i dashur Skënder Ibishi. Kujtimi i Skënder Ibishit qoftë i përjetshëm! Lavdi jetës, punës e veprimtarisë së tij atdhetare e përkushtimit të tij humanist!

3.11.2018

Kontrolloni gjithashtu

Ka vdekur, në Austri, veprimtari, Haki Hamit Qeriqi, varrimi i tij bëhet sot në orën 14.00 në varrezat e Ferizajt

Më 16 nëntor 2018 ka vdekur, në Austri, Haki Hamit Qeriqi veprimtar, poet, përkrahës e ndihmëtar i luftës së UÇK-së

Gjashtë vjet më parë, më 16 nëntor të vitit 2018 ka vdekur, në Austri, në …