leoni

Isuf Ismaili: Në kujtim të mësuesit patriot, atdhetarit të shquar Xhevdet Syla

Isuf Ismaili: Në kujtim të mësuesit patriot, atdhetarit të shquar Xhevdet Syla

Në shkollën tetë vjeçare: ,,Zenel Hajdini” në Prishtinë, diku në fillim të klasës së shtatë filluam të mësonim lëndën e Fizikës.

Një ditë prej ditësh në javën e parë të shtatorit, në klasën tonë u fut një mësues, i gjatë, fare i ri, kishte të veshur një kostum të bukur, që i rrinte mrekullueshëm në shtatin e tij elegant. Flokët i kishte ngjyrë gështenjë dhe ca si ode, me ca favorite pak sa të gjata, por çdo gjë me një rregullsi të përpiktë. U ul në karrigen e tij përballë nesh dhe në fletoren e madhe të mësuesve ( ditarin), filloi ta shënonte orën e mësimit. Ne nuk pipëtinim, edhe pse për gjashtë vite me radhë kishim qenë po ata, të njëjtit nxënës të asaj klase, pothuajse të gjithë shokë e shoqe të pandarë, në të gjitha vitet.

Pasi u ngrit në këmbë na tha: 

-Të dashur nxënës, unë quhem Xhevdet Syla. Lëndën e Fizikës për klasën e shtatë do t`jua shpjegoj unë. Bashkë besoj se do të kalojmë mirë. Ju do të më dëgjoni dhe do të mësoni mirë.

Ditët kalonin dhe ne gjithnjë e më shumë përshtateshim edhe me arsimtarët që na i jepnin lëndët e reja mësimore.

Arsimtar Xhevdeti, vinte gjithnjë i rregullt, përveç mësimit, ai shprehte në qenien e tij, në zemrën e tij, në sytë e tij vëmendshëm, një përkushtim të madh për ne, ai na jepte mësim dhe na edukonte, shprehte ndaj nesh edhe përpikërinë e detyrës së mësuesit të rregullt, por edhe dashurinë e përkujdesjen prej vëllait a prindërit të mrekullueshëm.

Koha kalonte dhe ai gjithnjë e më shumë bëhej më i dashur për ne. Veprimet e tij, përkushtimi, dashuria dhe çiltërsia e tij, na linin përshtypje të jashtëzakonshme, ndaj e donim dhe mezi prisnim të vinte në klasën tonë.

Një ditë prej ditësh, në fillim të muajit mars të vitit njëmijenëntëqindetetëdhjetenjë, na pyeti mësimdhënës Xhevdeti:

– Kush prej jush e ka lexuar ndonjë vepër letrare të Rilindjes sonë Kombëtare, për shembull ndonjë vepër të shkrimtarit tonë të shquar Naim Frashëri?

U paraqitëm disa, në mesin e tyre edhe unë.

– Mirë, mirë, në javën tjetër, kur do të kemi mësim së bashku, do t`jua lexoj disa poezi të bukura nga vepra e poetit tonë të madh  Naim Frashëri, ose siç quhet shpesh  edhe bilbil i gjuhës shqipe.

Në sytë e mi rritej shkëlqimi i një shikimi të dashur për mësimdhënës Xhevdetin, që më futej thellë zemër, unë bëhesha sy e vesh dhe e shikoja me dashurinë e nxënësit për mësuesin dhe këtë pa mëdyshje  e ndjente edhe ai. Shkova pranë tij dhe ia kërkova veprën e Naimit “Bagëti e bujqësia”, të cilën ma dha me kënaqësi.

Unë kisha lexuar pjesë të shumta të kësaj poeme, por deri atëherë s`e kisha lexuar të tërën. Kisha mësuar natyrisht për Naim Frashërin edhe në shkollë, por në mënyrë të veçantë e kisha dëgjuar poemën nga Televizioni Shqiptar, por edhe nga Radio Tirana, kisha shikuar dhe dëgjuar shumë emisione televizive për Rilindjen tonë Kombëtare, edhe për Naim Frshërin natyrisht. Kisha parë edhe emisione për shkollën e parë shqipe dhe kur më jepej rasti lexoja edhe në ndonjë libër, por edhe në ndonjë revistë të shkruar, për këtë datë të shënuar në Historinë e Shqipërisë.

Atë ditë të shtatë marsit mësimdhënës Xhevdeti hyri në klasë gjithë gëzim, fytyra i shkëlqente, dashuria e tij lexohej qartë në sytë e tij, në ballin e tij, në qëndrimin e tij, në buzëqeshjen e tij.

– Kush më thotë se ç`ditë është sot, ç`datë e shënuar në historinë tonë kombëtare është shtatë marsi?

Unë po shikoja, se mos dikush kishte ngritur dorën lart, por jo fatkeqësisht, ata rrinin e prisnin me kureshtje se ç`donte të thoshte mësimdhënës Xhevdeti. Unë edhe çuditesha ca, sepse edhe pse isha një nxënës i mirë në mësime, nuk isha më i miri, kishte disa që kishin mësuar më mirë se unë, por e mora me mend, se të tjerët s`kishin pasur rast të lexonin, të shikonin dhe dëgjonin ndonjë gjë për shtatë marsin. Shtatë marsi në Kosovë dhe në trojet të tjera shqiptare të pushtuara nga Jugosllavia nuk festohej, si festë e shkollës shqipe, meqë na e ndalonte pushtuesi i atëhershëm. Por, unë e quaja veten me fat, meqë pushimet shkollore më së shumti i  kaloja në fshatin Kolaj, në një lartësi mbidetare nga tetëqind deri në njëmijë metra mbi nivelin e detit, në këtë fshat malor, ku edhe valët Televizionit Shqiptar vinin pa asnjë pengesë, madje edhe me një antenë të thjeshtë fare, pra kisha rastin të shikoja dhe dëgjoja me vëmendje programet e atij televizioni, por edhe të Radio Tiranës, prandaj unë në klasën time në këtë drejtim isha mbase i vetmi.

Ngrita dorën lart, tanimë e dija, që mësimdhënës Xhevdeti do të më thoshte të përgjigjesha.

Me një vështrim prej mësimdhënësi të dashur më shikoi Xhevdeti dhe më pas më tha:

– Na thuaj pra Isuf, se ç`ditë është sot!

– Shtatë marsi është festa e shkollës shqipe, dita e mësuesit. Më shtatë mars të vitit njëmijetetëqindetetëdhjeteshtatë u hap shkolla e parë shqipe në Korçë.

E shikoja se u kënaq nga përgjigjja, që i dhashë dhe më pyeti:

-Po ku e ke mësuar këtë?

– Kam lexuar, por edhe i kam parë disa emisione për këtë datë, – i thashë.

– Shumë mirë, vazhdo të mësosh kështu! Edhe ne sot do t`i lexojmë disa poezi të Naim Frashërit.

Ai i kishte disa libra përmbi tavolinën e tij, e hapi njërën dhe filloi të na e lexojë poezinë: “Korça”të Naim Frashërit, përmes së cilës i bënte jehonë asaj dite të parë, kur u hap shkolla e parë shqipe dhe rëndësisë që ka shkolla shqipe për shqiptarët dhe Shqipërinë, pastaj na e lexoi vjershën: ”Tradhëtorët”, dhe më pas lexoi pjesë të poemës: “Bagëti e bujqësia” dhe sidomos i mëshonte zërit tek vargjet:”Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar,/ Zëmrën ti ma gatove, plot me dëshirë e me zjarrë.” Në sytë tanë në mendjet tona, në zemrat tona, Shqipëria paraqitej e plotë, e pandarë e bashkuar, se ashtu na mësonte Naimi ynë i madh, ashtu po na mësonte edhe mësimdhënësi ynë i dashur Xhevdet Syla, ashtu po na mësonte edhe letërsia edhe historia edhe Republika e Shqipërisë, por edhe nënat tona, që bashkë me qumështin e gjirit, na e falnin edhe dashurinë për gjuhën shqipe dhe atdheun.

Fjala Shqipëri nuk ishte e zakonshme për Naimin, as për Xhvdetin, as për ne, ajo është dashuria jonë më e madhe, dielli i shpirtit tonë, i qenies sonë, aorta e gjakut shqiptar. Kështu na mësonte mësuesi ynë Xhevdet Syla dhe kjo ishte gjithçka e mirë, e shtrenjtë, e dashur për ne, me shpërthime emocionale.

Ditët po kalonin dhe ne i vazhdonim mësimet në atë pranverë, që sapo kishte shpërfaqur hiret e saja, dhe erdhi një ditë e shënuar, që mua më ka ngelur në kujtesë si tepër veçantë, ditë e ngulitur në zemër me rrënjë atdhedashurie. Bashkë me mësuesit e mi në demonstratë. Ishte ditë e mërkurë, para dite zhvilluam mësimin, siç kishim bërë edhe më parë. Atë ditë kishim fizikë. Ditët e mërkura i doja shumë, sepse kishim orën e fizikës, që na mbante mësimdhënës Xhevdeti, por edhe sepse ishte ditë e mërkurë kur në Prishtinë u bë një demonstratë e madhe, në të cilën mora pjesë me disa shokë, me studentët e popullin, në mesin e të cilëve takova edhe mësuesit e mi Xhevdet Syla dhe Nezir Myrtaj. Që atëherë ditët e mërkura më kanë ngelur të veçanta dhe të dashura.

Sapo e mbarova mësimin, u nisa për në shtëpi. Hëngra drekën dhe se ç`mu shkrep nuk  e di, por u nisa për tek qendra e qytetit. Ishte ditë e bukur me diell e rreze të shkëlqyera e të ngrohta pranverore, këto rreze po e shuanin monotoninë dimërore. Njerëzit ishin veshur me rroba tanimë të stinës, më shumë me xhaketa. Në qendër të qytetit, në shëtitoren e zakonshme, atë ditë kishte një gjallëri të jashtëzakonshme. Një veturë ishte pranë një rruge që shkonte pak si përpjetë, që të çonte në rrugën kryesore pranë ndërtesës së vjetër të Fakultetit Teknik, aty afër Fakultetit të Arteve dhe Shkollës së Lartë Pedagogjike. Një burrë po i thoshte shoferit të mjetit, të mos futej në atë rrugë, se studentët ishin më lartë tek Fakulteti Teknik duke demonstruar.

– Atje qenka vendi ku duhet të jem edhe unë, – thashë vetë me vete, dhe pa hezituar u nisa në drejtim të Fakultetit. Sapo arrita aty, pashë shumë njerëz dhe nuk shikoja çdo gjë mirë, por natyrshëm u bashkova me popullin, kur shikova më mirë duke u ngritur në maje të gishtërinjve të këmbëve, vura re një radhë policës, që na ndante nga studentët. Nuk vonoi dhe aq shumë kur erdhi një makinë e madhe policore, prej saj dolën shumë policë dhe hodhën gaz lotsjellës, u bë një pështjellim i madh, u bashkua populli dhe studentët dhe kështu së toku u nisëm në drejtim të qendrës, të shëtitores. Brohorisnim e thërrisnim: “Lironi shokët nga burgu”, “Kosova Republikë”, “Bashkim, bashkim”, “Jemi shqiptarë nuk jemi jugosllavë”, “Trepça punon Beogradi fiton”, “Kosova Republikë, ja me hatër, ja me luftë” “Duam barazi”” etj,. Vazhduam rrugën dhe unë ndalova pikërisht tek kryqëzimi i rrugës, pak më vonë fillova të lëvizja nga pak, kur papritmas shikoj mësimdhënësit e mi Xhevdet Syla dhe Nezir Myrtaj. Nuk po ju besoja syve të mi, para dite mësues Xhevdeti na kishte dhënë mësim në shkollë, mbas dite po shikoja në demonstratë, demonstronim së bashku. Më dukej sikur po fluturoja nga gëzimi. Iu afrova më pranë dhe i thashë vetëm dy fjalë:

– Shoku arsimtar…, – doja t`i thosha shumë gjëra, por nuk arrita të shqiptoja në ato momente asgjë më shumë. Ai më pushtoi në krahët e tij dhe ma përkëdheli kokën. Neziri po na shikonte me vëmendje, duke psikologjisur gjendjen dhe natyrshëm shfaqte dashamirësinë. Neziri ndonjëherë vinte në shkollën tonë dhe zëvendësonte Xhevdetin. Mua m`u gjallërua delli i krenarisë, diçka që nuk e kisha përjetuar më parë, m`u duk sikur ai damari i burrërisë po më lëvrinte në qenien time i cili, më mbante si  në ajër, edhe pse unë natyrisht isha në moshën e fëmijërisë, por të një fëmijërie që mbase unë dhe shumë shokë e shoqe nuk po përjetonim kënaqësinë e saj, ishim pjekur para kohe. Emocione të fuqishme më përshkuan dhe unë ndjehesha tepër i lumtur, që bashkë me mësimdhënësit e mi isha në gjendja jo vetëm të përkushtohesha tërësisht në demonstratë, por edhe të bëja ç`të më thoshin ata. Ndjeja një siguri, një mbështetje, që nuk e kisha pasur asnjëherë më parë, nga asnjë mësimdhënës.

Demonstrata gjithnjë e më shumë bëhej madhështore, njerëzit dukej sikur mbinin nga dheu. Për mua ishte shumë emocionale, kur rastësisht u takova edhe me shokun e klasës time Agron Metolli.

Dukej se çdo gjë kishte marrë një pamje rezistence dhe gatishmërie për të triumfuar qëllimet.

Njerëzit dukej se mbinin nga dheu, sheshi ishte mbushur plot, aty  u bashkuan punëtorët me studentët, intelektualët me fshatarët, nxënësit me mësimdhënësit. Kjo është një nga organizimet e shpirtit madhështor shqiptar, prandaj njerëzit nuk kishin hezituar për të shprehur gatishmërinë e jetësimit të të drejtave shqiptare.

Afër mbrëmjes ndërhyn policia me gjithë brutalitetin e  dhunës së egër, hodhën gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të dhunës policore. Demonstruesit shpërndaheshin, u shpërndamë edhe ne, unë u nisa në drejtim të shtëpisë.

Të nesërmen në mëngjes, para orës shtatë, ishim të rreshtuar në fushën sportive, për t`u futur në klasat tona. Unë dhe Agroni ishim bashkë, kur shikoj mësues Xhevdetin, që po fliste me kujdestarin tonë të klasës Skënder Beranin.  Skënder Berani na shikoi ëmbël dhe lehtë na buzëqeshi, e mora me mend se Xhevdeti i kishte treguar se kishim qenë bashkë në demonstratë.

U futëm në klasat tona, por shpejt na thanë arsimtarët, se duhej të shkonim në shtëpi. Nxënësit e shkollave të mesme, studentët dhe populli ishin bashkuar e po demonstronin.

Shkoi një javë a ca më shumë dhe ne nuk shkuam fare në shkollë, sepse Kosova ishte rrethuar me forca të shumta ushtarako policore jugosllave, brenda në Kosovë kishte mijëra ushtarë e policë  të tjerë jugosllavë, kishin shpallur shtetet rrethim, orë policore. Dhuna dhe brutaliteti policor gjithnjë e më shumë shfaqej. Aq barbarë e jonjerëzor ishin forcat ushtarako policore serbe në radhë të parë, por edhe ato jugosllave në përgjithësi, sa dridhej edhe foshnja bë barkun e nënës. Por ne nuk thyheshim, sikur kaliteshim edhe më shumë. I kishim përjetuar flakët e përleshjeve për liri dhe i kishim marrë erë barutit.  Megjithëkëtë, dikur filluam të shkonim në shkollë.  Kështu i rifilluam mësimet, mua më dukej se kishte ndryshuar shumëçka. Agroni, me të cilin më parë nuk kisha pasur shumë shoqëri, m`u bë shoku më i dashur. Mbase unë dhe ai ishim trimëruar më shumë se ç`duhej. Kishim marrë pjesë në demonstrata së bashku dhe natyrshëm rrinin bashkë, ne uleshim bashkë pranë në një bankë të klasës. Mësues Xhevdeti na mbante orët e fizikës, një pjesë prej të cilave kthehej herë në histori, herë në letërsi duke na dhënë kulturë atdhetare.

Në shtëpinë tonë ndodhej një fotografi e udhëheqësit të ndritur shqiptar Enver Hoxha dhe një ditë prej ditësh e futa në librin e fizikës, kur arrita në shkollë ia tregova Agronit. Atë ditë kishim një orë mësimi nga lënda e fizikës dhe mësimdhënës Xhevdeti ecte hera herës në mes të rreshtave të bankave. Kur qe afruar pranë e pyeta jo pa qëllim:

– Shoku arsimtar a mund të më sqarosh diçka tek kjo faqja e librit.

– Posi, – më tha. E mori librin. Unë që në fillim e hapa librin tek fletat ku e kisha futur fotografinë e Enver Hoxhës. Me librin në dorë ai shkoi tek katedra, ul pak e shikoi fotografinë dhe tha, se më vonë do të më përgjigjej. Nuk shkoi shumë  pas disa minutash erdhi tek unë dhe më tha,   me zë fare të ulët:

– Mirë, Isuf , këtë mbaje në shtëpi, mos e merr më në shkollë!

Atë fotografi tim ati ia kishte dhënë Aleks Buda, kur qe mbajtur 500 vjetori i vdekjes së Skënderbeut. Dhe ai me një përkujdesje të veçantë e kishte ruajtur. Kur unë po rritesha dhe po formohesha ma tregoi, e mora në dorë me shumë dëshirë e dashuri e shikoja. Një ditë prej ditësh vendosa, që atë fotografi ta merrja me vete në shkollë, për t`ia treguar arsimtar Xhevdetit dhe njëkohësisht, mendoja atëherë padyshim me një entuziazëm të tepruar, pa pasur parasysh edhe rreziqet që mund të kishte ajo, megjithëkëtë doja t`i tregoja Xhevdetit, se edhe unë isha një adhurues e përkrahës i Enver Hoxhës dhe atdhetarizmit shqiptar. Ja kjo ishte ajo që thashë, guxim i tepruar, që në fakt ishte papjekuri, sepse fotografinë s`duhej ta merrja me vete. Mund të kisha rrezikuar edhe Xhevdetin. Të mbaje me vete, të kishe një fotografi të Enver Hoxhës, të kishe e lexoje libra të tij apo PPSH, jo vetëm ishte e ndaluar rreptësishtë nga regjimi jugosllav, por edhe dënimet ishin shumë të ashpra, si thonë fjalës e paguaje me burg të rëndë. Megjithëkëtë ne sakrifikonim dhe ashtu kaliteshim. Unë nuk dija se sa i bëra përshtypje mësimdhënës Xhevdetit, por e di se ai më donte shumë, ashtu siç e kam dashur e nderuar edhe unë gjithmonë.

Orët e fizikës i mbante dhe gjente raste e na fliste edhe për histori atdhetare e  vepra të shquara të rilindësve tanë kombëtar, por edhe për patriotët e veprimtarët e luftëtarët e  shquar si Avni Rrustemi e  Isa Boletini.  Isha në gjendje t`i fusja duart në zjarr për të, isha në gjendje të bëja ç`të më thoshte.

Ditët kalonin dhe po vinte fundi i vitit shkollor 1980 – 1981.

Mësimdhënës Xhevdeti vinte në mësim rregullisht dhe gjithnjë na pyeste për ndonjë datë të shënuar të historisë shqiptare. Më kujtohet fare mirë, kur na tha se më, 13 qershor 1920 biri i popullit shqiptar Avni Rrustemi e vrau tradhtarin Esat pashë Toptani në Parisë. Esat pashë Toptani ka qenë i shitur te të huajt, te djalli e biri, te serbët e të tjerët, madje edhe shiste tokat shqiptare atyre, andaj Avni Rrushemi kishte vendosur për ta likuiduar Esat tradhtarin. Ai e vrau në Parisë fizikisht, por e vrau edhe moralisht në gjyqin që iu bë atij po në Parisë.

Mësimdhënësi ynë i dashur na fliste e na fliste për ngjarje të shumta, na shpjegoi edhe për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

– Lidhja Shqiptare e Prizrenit, – na tha, – është një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë shqiptare. Ajo u themelua nga krerët më të fuqishëm shqiptarë të asaj kohe, të udhëhequr nga Abdyl Frashëri.  Ajo u themelua me qëllim të mbrojtjes së tokave shqiptare nga synimet grabitqare të fqinjëve, bashkimit të të gjitha viseve shqiptare dhe çlirimit nga Perandoria Osmane.

Kështu koha kalonte dhe ne i përfunduam mësimet e shkollës tetëvjeçare.

Pushimet verore i kaluam, unë shpreha dëshirën për t`i vazhduar mësimet në shkollën e mesme. Atëherë dy vitet e para të shkollës së mesme ishin kudo njësoj. Unë shkova në shkollën “19 Nëntori”, ashtu quhej atëherë.

Kujtimet e shkollës tetëvjeçare më ndiqnin hap pas hapi. Xhevdetin e kujtoja gjithnjë. Një ditë prej ditësh në klasën tonë hyri mësimdhënës Nezir Myrtaj. Ai na tha se do të na jepte mësimet e lëndës së fizikës. Unë e dija këtë, sepse ai kishte qenë disa herë me Xhevdetin në shkollën tonë tetëvjeçare, por edhe kishte zëvendësuar atë disa herë. Kështu ngjarjet rridhnin njëra pas tjetrës. Pjesa më e madhe e mësimdhënësve ishin të mirë dhe na mësonin e edukonin me përkushtim të madh.

Një mësimdhënës tjetër shumë i dashur për ne ishte edhe Mustafë Sopi, i cili na jepte mësimet nga lënda e filozofisë. Ai vishej bukur dhe zotëronte për mrekulli gjuhën letrare shqipe, e fliste me një zë burrëror e duke zbatuar, veç të tjerave, edhe anën fonetike të saj me rregullsi shqiptimi shumë të saktë.

Një ditë gjatë pushimit të gjatë po rrinim ulur pothuaj të gjithë në vendet tona, kur nga fundi i bankave të radhës së mesit vjen një zë i fuqishëm i një shokut tonë Behxhet Makolli, i cili po këndonte këngën e heroinës shqiptare Shotë Galica, gati siç e këndonte Dervish Shaqa,  pastaj e këndoi edhe një këngë të Sali Manit, për udhëheqësin e shquar shqiptar Enver Hoxha. Sa herë që ai kishte mundësi këndonte këngë me karakter atdhetar. Ai kishte zë të mirë dhe dinte t`i përshtatej këngëve. Një ditë i këndoi këngët për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe për Idriz Seferin, këngë këto që më kujtonin demonstratat e prillit, sidomos atë të 1 prillit. Më kujtonte mësimdhënës Xhevdetin. Malli më kish marrë ta vizitoja dhe të rrija ca me të, por nuk shkoi shumë kohë dhe një ditë prej ditësh, kur ne kishim orën e fizikës nuk erdhi fare mësimdhënës Neziri, në vend të tij erdhi një mësimdhënës tjetër.

Kështu ne mësuam se Nezirin dhe Xhevdetin me disa shokë i kishin burgosur.

Kjo qe një dhembje e madhe për mua, shumë herë e kujtoja Xhevdetin dhe me vete thosha:

“- Kushedi sa do të vuajnë ai dhe shokët e tij, kushedi se ç`tortura barbare iu bëjnë atyre të tërbuarit punonjës jugosllav të UDB- ës!”

Xhevdeti për mua nuk ishte vetëm mësimdhënësi im, por edhe frymëzuesi im edhe shembulli më i mirë i atdhedashësit më të përkushtuar deri në vetëmohim ndaj çështjes shqiptare. Atë e dënuan me burgim të rëndë. Sa herë kaloja pranë shkollës, sytë më shkonin vetiu tek dritaret e klasës, ku na mbante mësimin Xhevdeti. Po kështu kur kaloja e kaloj nga qendra e qytetit, ku i kemi bërë demonstratat më kujtoheshin më kujtohen zhvillimet e ngjarjeve si në një roman, ku si personazh të rëndësishëm e kujtoja dhe e kujtoj Xhevdet Sylën. Vitet po kalonin dhe pasi ai doli nga burgu u shoqëruam shumë me njëri-tjetrin.

Ishte kohë e nxehtë e verës dhe një ditë prej ditësh shoku im Gani Duli më tha:

-Isuf, kam dëshirë të madhe të shkojmë bashkë tek Xhevdet Syla.

-Patjetër që do të shkojmë, – i thashë, – sepse jo vetëm kam mall, por ajo dashuria dhe nderimi për të, më kanë shoqëruar gjithnjë, krenaria se kam qenë nxënës i tij dhe kujtimi që bashkë kemi marrë pjesë në demonstrata kundër pushtuesve jugosllav, më kanë dhënë një zjarr të madh atdhetar që e ndjej në çdo qelizë të trupit tim.

Ganiu është vëllai i Ajet Dulit. Edhe Ajeti është një veprimtar dhe atdhetar i devotshëm, të cilin e kam pasur mësimdhënës të kimisë. Po ashtu edhe Ajetin e burgosi UDB-ëja jugosllave, për shkak të veprimtarisë së tij të përkushtuar atdhetare. Me Ganiun mbaja e mbaj lidhje të përhershme. Xhevdeti dhe Ajeti ishin shokë shumë të mirë me njëri – tjetrin.

Ishte pra vera, nuk kishte shumë kohë, prej kur Xhevdeti ishte liruar nga burgu.

Unë e Ganiu u takuam në qendër të qytetit dhe u nisëm në drejtim të shtëpisë së Xhevdetit.

Xhevdeti nuk ishte si disa që barku nuk ju kishte mbajtur gjë. Xhevdeti ishte lis me rrënjë të thella atdhetare që i kishte përballuar stuhitë dhe furtunat e brutalitetit dhe dhunës së llahtarshme policore jugosllave. Bijtë dhe bijat më të mirë të popullit shqiptar duke pasur gjakun e tyre të njomë e të kulluar të shqiptarit i kishin vënë ballët e tyre lartë, krahët e tyre drejtë dhe zemra ju pulsonte e me zjarrin e dashurisë atdhetare, qëndronin si shkëmb duke mos tundur nga rruga e madhërishme e bërjes së Shqipërisë në kufijtë e saj të natyrshëm. Në këtë mes pa mëdyshje ishte edhe Xhevdet Syla. Edhe pse këta bijë e bija shqiponjash, vuajtjet dhe dhembjet e tyre po t`i tregojnë e po t`i shkruajnë të gjitha, mbushet një mal i tërë me libra. Siç tregonte Kadri Labënishti nga anët e Strugës,  nga të goditurat e barbarëve e policëve serbë, gjaku ju kërcente në tavanin e burgut. Kjo dhunë barbare, fashiste, çetnike ishte e pashembullt.

Këta barbarë aq larg kishin shkuar, sa i godisnin në organet gjenitale madje edhe adoleshentët shqiptarë që i kishin burgosur. Edhe Xhevdeti doli nga skëterra serbo jugosllave me shëndet të rrënuar. Ai kishte pasur simptoma të tuberkulozit në burg, të cilat ju bënë pengesë e madhe në vitet e më vonshme. Megjithëkëtë ai nuk dorëzohej as sëmundjeve dhe as vështirësive të tjera të jetës.

Po ecnim dhe po bisedonim me Ganiun, ngjiteshim lart nëpër shkallët e rrugës këmbësore për të shkuar tek shtëpia e Xhevdetit. Arritëm tek shtëpia e tij ashtu nëpër vapë, por me një gëzim të madh, do të takoheshim me Xhevdetin. Pasi i ramë ziles, doli i ati i tij dhe na hapi derën. Edhe e ëma e tij na doli para dhe na uroi mirëseardhjen. U futëm brenda në dhomën e pritjes. Nuk vonoi shumë dhe në derë u shfaq Xhevdeti, shtatlartë, duke buzëqeshur e duke hapur krahët. U përqafuam ngrohtësisht me të dhe u ulëm në vendet ku na i ofruan.

Unë nuk ia hiqja sytë nga fytyra,  natyrshëm u ndjeva edhe krenar edhe isha në një gjendje dhimbjeje të madhe për të.

-Së pari, – tha Ganiu,- urojmë të kesh shëndet. Ti dhe shokët tu e keni bërë vepra të madha atdhetare. Këto na kanë dhënë forcë të madhe shpirtërore, krenari e guxim. Para jush përkulemi e zemra na bëhet mal që ju kemi.

– Të lumtë goja mor bir,  – thanë si në një gojë i ati dhe ëma e Xhevdetit, – por duhet të ruheni, se ju duam shëndoshë, ndërsa këta të pashpirt armiq nuk lënë gjë të keqe pa bërë.

– Dyert e burgut janë të rënda dhe jeta atje është sterrë e zezë, por për atdheun çdo sakrificë është e nevojshme, madje edhe jeta i falet atdheut.- tha Xhevdeti

– Ne jemi njerëz të vuajtjeve e jemi pjekur që fëmijë para kohe. Ndjej një gëzim të pa përshkruar që më keni ardhur. Ja edhe Isufi është pjekur para kohe. Për mua është shumë e çmuar që nxënësi im më vjen në shtëpi për të më vizituar dhe për të më shprehur përkrahje. Ndërsa duke i mposhtur dhembjet tona dhe duke i dëgjuar dhembjet e atdheut ne e kemi bërë vetëm detyrën tonë ndaj tij.

Ja ç`thotë Lasgushi ynë: “Shqipëri të qofsha falë, / Të kam nënë e më ke djalë”

  – Këto ma mbushin shpirtin plot ndjenja dashurie për atdheun. Unë nuk di si ta përshkruaj gëzimin që po shihemi së bashku, që ke ardhur nga burgu, por edhe për këto fjalë kaq të ngrohta e të dashura që na i the, unë shpirtërisht kam ndenjur me ty, kujtimet më kanë ndjekur kudo edhe dhembja për ty  më ka shkaktuar një urrejtje akoma më të madhe kundër armiqve tanë, – thashë unë.

Pas këtij takimi me Xhevdetin  takoheshim shpesh.

Në hyrje të tregut ka qenë një lokal, ku punonin dy shokë të ngushtë të Xhevdetit, shokë të idealit. Edhe ata i kishte burgosur policia jugosllave vetëm pse kishin qenë tërësisht përkushtuar në rrugën e atdhetarizmit shqiptar. Duke pasur ideale të shëndosha njerëzore dhe revolucionare, ata nuk e kishin ulur asnjëherë kurrizin para pushtuesit. Edhe ata kishin vepruar në organizata atdhetare e revolucionare. Pra aty në atë lokal punonin Shaqir Zeneli dhe Ramadan Pllana.

Me Ramadanin që kur kishte dalë nga burgu mbaja kontakte. Aty tek lokali takoheshim ndonjëherë edhe me Xhevdetin, ishin vitet 1988 – 1990.

Një ditë duke biseduar Xhevdetin për kohën, që kishte kaluar në burg, për shokët që kishte pasur rast të takonte më tha:

-Ka qenë një rast i çuditshëm në burg. Në qelinë ku më kishin futur ishte edhe një i burgosur shqiptar për arsye politike, i cili më kishte folur keq për Ramadan Pllanën, por unë mendimet e tija i konsideroja si të papjekura hera herës. Një ditë prej ditësh nuk di si ndodhi, por u krijuan rrethanat e tilla dhe mua më futën në një qeli ku ishte edhe Ramadan Pllana. Që në takimin e parë me Ramadanin vura re, se ato fjalët e atij të burgosurit, që më kishte folur për të, nuk kishin qenë fare të vërteta. Aq njerëzor e aq i dashur m`u duk Ramadani , saqë ne nuk ndaheshim fare dhe që atëherë mu bë si vëllai im.

Vitet kalonin dhe Xhevdeti kishte filluar të punonte si profesor i fizikës në shkollë të mesme, ai njëkohësisht mbante lidhje të vazhdueshme me shokët atdhedashës dhe gjithnjë e jepte atë ndihmesën e tij të pakursyer për atdheun dhe për edukimin dhe arsimimin e brezave të rinj.

Burgu, dhuna, kushtet tepër të vështira, trajtimi i egër e çnjerëzor, që jua bënin shqiptarëve autoritet dhe personeli i përgjithshëm i burgjeve jugosllave, kishin lënë gjurmë të thella dhe pasoja të mëdha në shëndetin e shumë të burgosurve shqiptarë , pra edhe tek Xhevdeti. Ai kishte pasur një sulm në zemër, por disi e kishte marrë veten.

Në kohën, kur aeroplanët e Natos kishin goditur Burgun Hetues të Prishtinës dhe ndërtesat e Sigurimit të Brendshëm tregonte Xhevdeti:

-Kisha dalë në ballkonin e shtëpisë dhe shikoja flakët që kishin përshirë burgun dhe godinat e ferrit çetnik jugosllav, zemra më bëhej mal nga gëzimi dhe nuk më jepej fare të futesha brenda, krismat ishin të forta, tym e flakë shkonte andej, nëna doli në ballkon dhe më tha:

 “ – Xhevdet, eja brenda, se mos të vjen ndonjë pjesë e predhave a gjësendeve dhe të godet!”

“- Mos u merakos moj nënoja ime! Jemi larg. I shikon ato flakë dhe atë tym, atje po digjet ferri, tani edhe po të vdes nuk më duket diçka e rëndë e vështirë!”

Pasi u çlirua Kosova nga kthetrat e barbarisë serbe, më tha një ditë:

– Dëgjo Isuf, për ne është i shenjtë Heroi Adem Jashari, pa veprën e tij e të familjes së tij nuk do ta kishim këtë frymëmarrje të lirë, nuk do të çlirohej Kosova, pa UÇK-ën, pa heroizmin e saj, pa atë gjak të kulluar shqiptari, bota do të tallej me ne, kurrë nuk do të kishim liri, kurrë nuk do të flakej Serbia e çetnikët serbë nga Kosova dhe Nato- ja, kurrë nuk do të intervenonte. Me amin e me fjalë nuk u çlirua Kosova. Edhe fjala e urtë kur nuk zë vend, duhet të mbështetet me forcën e së drejtës dhe kështu së bashku godasin në shenjë.

– Pikërisht ashtu është, – i thashë, – tani na janë hapur mundësitë më të mëdha për të vepruar e për ta bërë edhe Shqipërinë aq sa është natyrshëm me trojet e saja të përmbledhura bashkërisht.

– Ne duhet të veprojmë e punojmë pa u lodhur për atë ditë dhe brezave të ardhshëm duhet t`jua lëmë porosinë, në qoftë se ne nuk e arrijmë ta jetësojnë atë edhe ata të veprojnë derisa ta jetësojnë Shqipërinë e bashkuar, ta ruajnë e ta duanë si sytë e ballit, – tha ai

Kalonte koha dhe ai punonte në arsim, por edhe shëndeti gjithnjë e më shumë i rëndohej, aq sa më tregonte se disa herë kishte pasur një gjendje si ligështim e humbje ndjenjash. Kishte kërkuar mundësi për t`u shëruar dhe më në fund mjekët i kishin dhënë këshilla, të shkonte në Turqi, sepse ishte keq nga damarët e zemrës, i kishte gati të bllokuara. Atje i kishin vënë stenda dhe për një kohë të gjatë nuk ka kaluar keq me shëndet, edhe pse  më parë në Prishtinë e kishin operuar nga një sëmundje tjetër, madje gabimisht, meqë ai nga burgu kishte pasur pasoja, shenja të tuberkulozit. Atëherë kur mjekët ia kishin vënë re sëmundjen e kishin shëruar.

Unë gjithnjë ia uroja ditën e 7 marsit, ditën e mësuesit.

Më 7 mars 2015 i telefonova dhe e pyeta për shëndetin. Urimi për ditën e mësuesit më ngeli në buzë, u trondita, por në ato çaste nuk desha të jepesha për ligështimin që pësova, më tha se vuante nga sëmundje e gjakut, nga kanceri. Më kujtohet se i thashë se do të shërohej , u mundova t`i jepja kurajë, por se çfarë kemi folur më tej nuk më kujtohet. E di, se sa e mbylla telefonin sytë m`u mbushën me lot, ndjeva një dhembje të madhe shpirtërore.

Më vonë mora vesh se ai fizikisht ishte ndarë nga jeta. I lidhur me një ndjeshmëri shpirtërore të veçantë me të, sa herë kujtoj ndjej dhembje të madhe, por edhe shpesh mbushem e shpërthej me lot.

Kujtimi për të e vepra tij atdhetare, përkushtimi i tij njerëzor, puna e vepra pedagogjike, këshillat e tij e dashuria për të do të rrojnë gjithmonë.

Në këtë ditë të shënuar, por edhe nëpërmjet këtij shkrimi dua ta përshëndes familjen e Xhevdet Sylës, t`i uroj shëndet dhe gjithë të mirat të tjera në jetë! Njëkohësisht dua t`i uroj të gjithë mësimdhënësit atdhedashës shqiptarë e të njerëzishëm që janë të përkushtuar në punën veprën e tyre arsimore e atdhetare.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …