Malësia e Jezercit dhe Budakovës jo vetëm ka një bukuri të shkëlqyer natyrore, por ka qenë dhe është vatër e fuqishme e luftës për liri dhe bashkim kombëtar, prandaj bijtë e bijat e kësaj ane pa hezitim u radhitën, në luftën heroike shqiptare, në radhët e përbërjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Kishte kohë të gjatë, që e kishim përmendur për të shkuar bashkë me profesor Ahmet Qeriqin, në atë pjesë të bukur e heroike të Atdheut.
Para disa ditësh në orët e hershme të mëngjesit më telefonoi profesor Ahmeti. U gëzova shumë, që më telefonoi. Pas një bisede të shkurtër më tha:
– Isuf, sot mund të shkojmë në Malësinë e Jezercit, po qe se je i gatshëm, meqë kam folur edhe me Ruzhdi Jasharin. Nëse ke diçka të planifikuar mbas dite, ne mund ta lëmë një ditë tjetër për të shkuar atje.
– Po, po, shumë mirë, do të shkojmë sot me kënaqësi të madhe, – i thashë, sepse nuk kam diçka me rëndësi të madhe për të bërë.
– Mirë, eja në orën pesë mbas dite këtu te Radio Kosova e Lirë, sepse atëherë e dhe moti freskohet pak.
Takimet e bisedat me profesor Ahmet Qeriqin të japin një kënaqësi të madhe shpirtërore, sepse ai është jo vetëm një njeri i mirë, por është edhe një atdhedashës i madh, i cili atdhedashurinë e tij e ka dëshmuar gjithmonë me vepra të shquara në shërbim të luftës për lirinë e bashkimin e Atdheut. Ai bashkë me shokë, që i ri, që nxënës, është radhitur në organizimet e përbërjet ilegale atdhetare, duke vepruar e sakrifikuar pa hezituar. Veprimtarinë e tij nuk e ka pushuar kurrë qoftë para luftës, gjatë luftës e pas saj dhe vazhdon të punojë e veprojë gjithnjë e më shumë dhe gjithmonë në shërbim të Atdheut, njerëzimit përgjithësisht dhe shoqërisë sonë shqiptare kudo në trojet etnike e në diasporë, shoqëri kjo që na rrethon e na nxitë për të qenë kurdoherë zgjuar e të mprehtë për të ndikuar në mbarësinë e përgjithshme atdhetare e njerëzore. Ai duke pasur edhe dije në shumë fusha e lëmi, si: gjuhësore, letrare, historike, pedagogjike, psikologjike, politike, shoqërore, në gazetari, e në lëmi të tjera, të tëra i ka vënë në veprim, prandaj kënaqësia e përfitimi mendor, shpirtëror e shoqëror është shumë i madh i cilitdo që takohet e bisedon me të, punon e vepron me të. Ai si profesor i gjuhës dhe letërsisë shqipe, si pedagog gjithnjë ka vepruar me përkushtimin më të madh, jo thjesht si një mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë, por edhe si udhërrëfyes e atdhetar gjithmonë i afërt e i dashur me nxënësit, me kolegët e shokët. Duke vepruar me shokët, ai nuk ka hezituar të bëhet shembulli më i mirë i veprimtarit të devotshëm, prandaj edhe në demonstratat popullore shqiptare të vitit 1981 kundër pushtimit jugosllav, mori pjesë bashkë me nxënësit e tij, bashkë me popullin tonë, që nuk e duronte dot robërinë jugosllave. Kështu atë edhe pse e burgosën policia jugosllave, punoi e veproi bashkë me shokët në burgjet e ferrit jugosllav, kështu veproi edhe pas doli nga burgu. Ai u radhit edhe në radhët e UÇK- së duke qenë bashkë me shokët drejtues e zëdhënës të luftës për liri e bashkim kombëtar në kuadër të Radios Kosova e Lirë. Ai edhe tani është drejtues i kësaj Radio atdhetare dhe kryeredaktor i TV-Diellit.
Në orën pesë mbas dite unë Erblini dhe Gentriti, dy nipat e mi, u gjendem te Radio Kosova e Lirë, një radio e luftës, që i ka bërë dhe ende i bën jehonë luftës çlirimtare, ajo ka qenë dhe është zëdhënëse e UÇK-së dhe është zëdhënëse e heronjve dhe dëshmorëve të të gjithë Shqipërisë, është zëdhënëse e lirisë së njëmendtë, e bashkimit të popullit shqiptar dhe viseve shqiptare.
Është krenari e madhe të jesh në këtë radio, në ambientet, ku punohet e veprohet, sepse kjo nuk është thjesht një radio, por një institucion i ndërgjegjes shqiptare.
Prishtina ka një pozitë gjeografike të mrekullueshme, ajo është 600 metra mbi nivelin e detit në qendër, ndërsa shtrirja e qytetit në disa vende shkon dhe më shumë se në 750 metra. Ajo është afër maleve të Gërmisë e të Krahinës malore të Gallapit e zonave fushore të krahinës së Llapit, por edhe zonave fushore të Fushë Kosovës e Ulpianës. Prishtina ka një zhvillim infrastrukturor në disa vende të mirë, por në shumë vende të keqe, një infrastrukturë të egër, për të mos thënë të shëmtuar. Parku nacional i Gërmisë është i mrekullueshëm, është zonë pyjore, një luginë e gjelbëruar dhe shumë e këndshme, burime uji të mrekullishëm, male të veshura me pyje që shkojnë deri në lartësinë mbidetare deri 1080 metra. Por Prishtina është edhe vatër e dijës dhe kulturës, vatër e rezistencës shqiptare, e demonstratave kundër pushtuesve jugosllav, qendër e studentëve, vatër e organizimeve të studentëve e të rinjve e liridashësve për liri e bashkim kombëtar.
Nga Bregu i Diellit ku ndodhet Radio Kosova e Lirë u nisëm në drejtim të Ferizajt, meqë ne duhej të takoheshim me veprimtarin, reporterin dhe luftëtarin e lirisë Ruzhdi Jasharin, në një restorant në fshatin Neredime. Udhëtimi nga Prishtina për në Ferizaj është i këndshëm, qoftë nga autostrada në drejtim të Shkupit, qoftë nga rruga nacionale e vjetra. Para duken malet e Sharrit dhe si një piramidë duket Mali i Lubotenit, që një pjesë i takon Kosovës, ndërsa pjesa tjetër Tetovës, po ashtu edhe ajo pjesë shqiptare, por ajo nën ish Republikën jugosllave të Maqedonisë. Mali i Lubotenit bën pjesë në vargmalet e Sharrit.
Pasi e kalon pak qytetin e Ferizajt, rruga për Nerodime e Jezerc kthen në të majtë djathtë. Në luginë shfaqet një pamje shumë e bukur në të dy anët ka male të veshura me pyje dhe ujëra që gurgullojnë, aty kalon edhe Lumi i Nerodimës i përbërë prej dy lumenjve të grykave të Jezercit, lumit të madh dhe lumit të vogël të cilët para hyrjes në Neredime të bashkuar e formojnë Lumin Neredimja.
Ky lum para hyrjes në Ferizaj prap ndahet në dy degë. Një degë e këtij lumi derdhet në lumin Lepenc dhe shkon në drejtim te Maqedonisë për tu derdhur në Detin Egje. Dega tjetër e ndarë vazhdon rrugëtimin drejt lumit Morava, ku përmes Serbisë dhe Rumanisë derdhet në Detin e Zi. Pranë malit e buzë lumit është një restorant, aty e kishim lënë me Ruzhdi Jasharin të shiheshim, profesori e mori me telefon dhe ai menjëherë, u gjend afër nesh.
Profesor Ahmeti i tha të niseshim, për të parë disa nga vendet ku janë bërë luftimet e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtuesve serbë, në këtë pjesë të Zonës Operative të Neredimes, vendet ku janë skalitur heroizmat e trimave e trimëreshave të kësaj ushtrie madhështore, vendet ku këta bij e bija të mrekullueshme shqiptare, kanë luftuar për jetë a vdekje, për lirinë, që ne sot e gëzojmë, për idealet e shenjta të bashkimit të Atdheut, Shqipërisë sonë të dashur, që ende ka kufij artificialë në mes të saj. Njëri nga këta bij e bija të devotshëm të Atdheut është edhe Ruzhdi Jashari, luftëtar i orëve të para të lutës çlirimtare, mik e vëlla i shtrenjtë për të gjithë shqiptarët e njerëzit e denjë.
Ruzhdiu na porositi nga një kafe dhe pastaj do niseshim, sepse kishte akoma kohë. Ne ca nga vapa, dhe shumë nga dëshira për të soditur pamjen e bukur natyrore, pranuam të pinim nga një kafe dhe të shijonim kënaqësinë e natyrës, por edhe kafenë dhe bisedat shoqërore. Ai ishte dhe me dy shokë të tij të cilët na mirëpritën përzemërsisht.
Nuk qëndruam shumë dhe u nisëm me veturë. Unë e drejtoja veturën. Pa u larguar shumë prej aty, pamë një përmendore të madhe, e ndërtuar me gurë në formë të një trekëndëshi, si në mes të saj pllaka e mermerit me paraqitjen e stemës së UÇK-së, dhe portreti me të dhënat e dëshmorit, Nazmi Xh. Ukëzmajli, dëshmori i parë i UÇK-së të asaj ane.
Aty ndaluam dhe i bëmë nderimet tona dëshmorit… Ruzhdiu na foli për aktin heroik të dëshmorit, i cili së bashku me luftëtarë të tjerë të UÇK-së po luftonin kundër ushtrisë pushtuese jugosllave. Ai (Ruzhdiu) na foli edhe për aktin e aksionit heroik të ushtarëve të UÇK-së, në qendrën dhe punktin e forcave serbe në majën e Malit të Buçës, e cila kishte qenë qendra vrojtuese e sulmuese e Ushtrisë serbe në këtë zonë. Vazhduam më pas nëpër luginë dhe aty afër pamë shtëpitë ku ishin strehuar luftëtarët e UÇK-së. Ruzhdiu na foli për përgjimet që i kishin bërë ushtrisë dhe policisë jugosllave, me një pajisje të thjeshtë të konstruktuar nga luftëtarët e lirisë…
– Ne dëgjuam nëpërmjet radiolidhjeve ushtrinë serbe e cila na kishte identifikuar, prandaj i morëm masat e nevojshme. Ata së pari e kishin identifikuar luftëtaren e UÇK-së, Hyrë Emini, profesoresha e gjuhës shqipe, reportere e Radios Kosova e Lirë, pjesëmarrëse e tri luftërave tona çlirimtare, e rënë trimërisht në Luftën e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare në malet e Gostivarit bashkë me komandantin, Tahir Sinani.
Në atë ditë, më 29 korrik 2001, bien edhe bashkëluftëtarët e saj, Brahim Ademi, nga Kosharja e Ferizajt, Naser Ademi, luftëtar i katër luftërave çlirimtare dhe Hisa Fazliu, të dy nga Gostivari, ndërsa plagosen: Vjollca Hamiti nga Prelezi i Ferizajt dhe Hajrullah Fejzulli nga Gostivari.
Më pas shkuam te shkolla e fshatit, Jecerc, e cila bashkë me shtëpitë për rreth kishte qenë bazë kryesore e ushtarëve të UÇK-së për këtë anë, ku ishin stërvitur e ku e kishin kaluar kohën.
Afër shkollës është një rrugë e asfaltuar, por e ngushtë që të shpie në lagjet e epërme të Jezercit. Rruga dredhon në të majtë.
U nisëm rrugës në të majte, e cila gjithnjë e më shumë shkonte përpjetë, madje aq përpjetë sa të dukej se sikur ngjiteshim në drejtim rrëpirave të pakalueshme, e megjithatë ishte rrugë e asfaltuar dhe me pak kujdes kalohet lehtë.
E çuditshme e njëkohësisht e admirueshme dukej pamja e shtëpive në male, e jetës së njerëzve që gjallëron. Ajri i freskët e lartësia mbidetare mbi 1000 metra të krijonin një kënaqësi të rrallë shpirtërore. Ndaluam në një vend lartësia mbidetare e të cilit ishte
1100 metra, aty bëmë fotografi, hëngrëm manaferra e kajsi. Ruzhdiu na thotë se këtu çdo gjë është bio, është e natyrshme, pa ndotje. Vargmalet i japin një pamje madhështore gjithë vendit. Uji është kristal, shumë i pastër e të shijon shumë. Këtu nuk e ndjen lodhje, të ngopen mushkëritë me oksigjen, rruazat e kuqe të gjakut të përtërihen, prandaj jeta këtu është e shëndetshme.
Pak më tutje ishte rrugë e paasfaltuar, në gjendje jo fort të mirë, por e kalueshme, e ngisja veturën rrugës me kujdes të shtuar e shumë ngadalë për të mos dëmtuar asgjë. Në disa vende hasëm në pengesa, por kaluam disi dhe më pas, që larg shikojmë rrugën e asfaltuar, buzë rrugës një përmendore e UÇK-ës, aty te vendi i rënies së luftëtarëve
Rruga në drejtim të Budakovës shkonte afër kroit të quajtur “Gurra e Kadisë”. Aty ndaluam dhe pimë ujë kristal të malit, lartësia mbidetare shënoi 1300 metra. Aty është
një rrafshnaltë malore, që i takon Jezercit edhe Budakovës. Pranë kroit është edhe një përmendore e dëshmorit të UÇK-së, Emin Murat Musliu. Bëmë fotografi dhe më pas u nisëm drejt Budakovës. Aty tek pikëtakimet e këtij fshati me Jezercin shfaqet një pamje e bukur malore, përballë janë malet akoma të larta, në anën tjetër duken fshatrat e Therandës, ndenjëm edhe pak aty dhe më pas u nisëm në drejtim të kundërt, për në Shtime.
Arritëm deri te lëndinat e familjes Jashari. Aty ndaluam. Ca lisa të gjatë e të gjerë, shekullore na tërhoqën vëmendjen, afër ishte edhe një krua që furishëm e nxirrte ujin nga gypat e vëna për tu shërbyer njerëzit. Një përrua që kishte ujë dhe kishte krijuar vende-vende edhe moçale po ashtu na e tërhoqi vëmendjen.
Në këtë pjesë të Rrafshnaltës së Jezercit, janë disa aha shekullorë shumë të lartë e të gjerë, të njëzuar me rrënjë të trasha dhe duket se kanë mbijetuar disa shekuj. Për nga gjerësia, gjatësia, rrënjët e trasha si lisa dhe të thellë, duket se secili prej tyre ka treqind apo më shumë vjet. Vendi më poshtë është i tërë në ujë deri aty ku buron, “Vrella” dhe burimi i quajtur “Bunari” ” duke gurgulluar nga toka dhe duke nxjerrë në sipërfaqe me qindra litra ujë në minutë. Nga këto dy burime me disa përroska të tjera formohet Lumi i Mollopolcit dhe pastaj me lumenjtë e Grykës se Petrovës dhe të Carralevës para hyrjes, formojnë lumin “Shtimja”.
– Këtu në këto anë të Zonës Operative të Nerodimes, gjatë luftës është strehuar babai im Aliu, me bijtë e vëllait tim të ndjerë, Isufit me Shpendin e Gazmendin dhe familjen e tyre, thotë profesor Ahmet ndërsa Ruzhdi Jashari vazhdon, rrëfimin.
– Axha Ali ishte shumë i gjindshëm dhe kurdoherë qëndronte në gatishmëri për të na ndihmuar, edhe pse i shtyrë në moshë. Njëherë, pasi serbët kishin depërtuar në bazën tonë afër lumit, ata kishin derdhur në lumë tërë miellin. Pasi ishim kthyer sërish në grykë ne menduam se mielli më nuk mund të përdorej, ndërsa ai m’ u drejtua me fjalët: “Urdhëroi ushtarët të nxjerrin thasët na lumi sepse mielli nuk prishet në ujë, përderisa është në thes. Vetëm një shtresë e hollë bëhet brumë, pjesën tjetër me shumicë nuk e gjen asgjë e keqe”.
– U mahnitën kur hapëm njërin thes. Po thuajse krejt mielli kishte shpëtuar. Edhe njëherë tjetër kur po mundoheshim të bënim një shkallare drejt malit, dheu i butë dhe i lagur na rrëshqiste dhe kurrsesi nuk e rregullonim rrugën. Axha Ali na porositi të bëjmë thasë me zall dhe të vendosim si shkallë….
Ra errësira. U nisëm ngadalë rrugës së Rrafshnaltës së Jezercit për në Shtime, në të ecur për teposhtë ndaluam në një vend tek një lapidar. Emblema e UÇK-së shfaqet madhështore e në mes të saj portreti i dëshmorit, Vezir Jashari. Bëmë nderime tek të gjitha këto përmendore dhe u nisëm. Arritëm në Shtime, afër shtëpisë së Ruzhdiut. Ai na ftoi të shkonim në shtëpinë e tij për darkë, por me gjithë këmbënguljen e tij nuk shkuam, sepse ishte vonë dhe i thamë se një herë tjetër do shkonim. U ndamë duke u përqafuar e duke na ngelur mbresa të pashlyera.
Ruzhdiu më la një përshtypje të jashtëzakonshme.
– Është intelektual, atdhetar e luftëtar i madh i Atdheut. Ai ka qenë pjesë e luftës çlirimtare me të gjithë fëmijët e familjen e tij, – tha profesor Ahmeti, duke shtuar se të rrallë janë veprimtarët që me aq përkushtim janë bërë pjesë historisë më të re të Kosovës dhe mbarë Shqipërisë.
Në orën 21.00 nga Shtimja nisemi për në Prishtinë. Dy nipat e mi Erblini dhe Gentriti edhe pse gjatë tërë kohës kanë ecur nëpër shtigje, duke bërë fotografi nuk ndihen aspak të lodhur, të paktën nuk e pranojnë të jenë lodhur. Pas një gjysmë ore arritëm në Prishtinë, por të kënaqur e me mbresa të paharrueshme të atyre maleve, nga të gjitha ato dhëna e që mësuam për heroizmat e luftëtarëve, heronjve e dëshmorëve të UÇK-së, po ashtu në mendje na ngelën të pashlyera edhe pamjet e mrekullueshme të natyrës, gjelbërimi i harlisur dhe bukuritë e rralla të maleve të Neredimës, Budakovës, Jecercit e Mallapolcit, duke hapëruar vetëm në një segment të kësaj ane, në rrugën tashmë të asfaltuar, e cila përshkon mes përmes këto fshatra të bukura e të pastra të Atdheut, me një të kaluar shumëshekullore të qëndresës e heroizmit shqiptar.
Isuf Ismaili
- 7. 2018