leoni

Isuf Ismaili: Një ditë mbresëlënëse sportive dhe kulturore e shqiptarëve në Zvicër

Në orët e hershme të 22 shtatorit, ende pa u larguar mjegulla e dendur e natës, kur sapo rrezet e diellit u dukën dhe filluan të përhapnin dritën e shkëlqyer e të largonin mjegullën, në vendbanimin Niderenc (Niederlenz), në fushat e gjera sportive u mblodhën nxënësit e shkollave shqipe të  organizuar nga Lidhja  e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” në Zvicër, së bashku me Unionin e Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër. Nxënësit që morën pjesë janë nga kantonet e shumta zvicerane. Rrezet e diellit që e shndrisin natyrën u bashkuan me çiltërsinë e fëmijëve, me atë shkëlqimin e  syve të tyre, me buzëqeshjet e këndshme, me harenë që i karakterizon ëmbëlsia e  moshës.

Nuk ka gjë më të bukur se kur fëmijët, prindërit  e mësimdhënësit e tyre, por edhe njerëzit vullnetmirë i bashkon gjuha shqipe, simbolet shqiptare, dashuria e përkushtimi për kulturën tonë, por edhe për sportet, po kështu mund të themi se  nuk ka gjë më të rëndësishme e shpresëdhënëse se kur njerëzit bashkohen nga të gjitha trevat shqiptare, për të dëshmuar edhe shpirtin e dashurinë për shqiptarësinë tonë, për atë gjallërinë e qenësisë sonë, me qëllim që të vazhdojë kjo te fëmijët tanë që edhe ata të jenë shqiptarë të denjë, që edhe ata të veprojnë e punojnë, të mendojnë, të ruajnë e ta gjallërojnë gjuhën e nënës,  shpirtin e dëlirë të shqiptarit, shpirt ky që na ka  karakterizuar në shekuj, por edhe dëshirën e këmbënguljen për të përhapur përkushtimin e veprimtarinë për trevat ë tërësishme të gjuhës amtare, pra për Shqipërinë.

Këto qenë edhe qëllimet e dëlira të profesor dr. Vaxuid Sejdiut, i cili kishte një periudhë prej disa muajsh që e kishte ideuar mirëfilli një takim të tillë, një aktivitet të tillë, një veprimtari të tillë sa sportive aq më shumë kulturore e atdhetare, e kishte filluar organizimin me hapa të sigurt që shkuan drejt përmbylljes dhe kënaqësisë së veçantë të një dite e cila do të mbetet shumë të gjatë e mendjet e të gjithë pjesëmarrësve, do të shënohet si një nga sukseset e  mëdha e të shkollave, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare në Zvicër, do të mbetet si një histori suksesi e profesor Vaxhidit edhe mësimëdhënëses Qefsere Sejdiut, Nuraj Iljasit,  Anita Duriçit, Ardita Abazit – Elezaj, Lumnije Klinaku – Nezirit, Dorjana Çelës, Albulena Asanit, Eshtrefe Nuhiut dhe mësimdhënësve të tjerë, e Unionoit të Klubeve Shqiptare të Futbollit në Zvicër e nxënësve, prindërve të tyre dhe gjithë njerëzve vullnetmirë që ndihmuan në mbarëvajtjen e veprimtarive kulturore dhe turneut sportiv të shkollave shqipe, por mbi të gjitha na duhet të theksojmë se puna e veprimtaria e profesor Vaxhidit është dhe mbetet jo vetëm histori suksesi, por edhe një punë e veprimtari që ka themelet e forta e të sigurta duke u jetësuar në vazhdimësi si pasqyrimi i një shkëlqimi të veçantë në të gjithë veprimtarinë arsimore e të kulturës shqiptare, sidomos në diasporë, e cila shihet te gjeneratat e nxënësve shqiptarë në Zvicër te bashkatdhetarët tanë, te kolegët e institucionet arsimore e të kulturës përgjithësisht.

 

Profesor Vaxhidi bën punë e veprimtari sistematike, ai jo vetëm i hedh hapat e sigurt, por edhe shkallët drejt suksesit i realizon me përkushtim të madh, me emocione, me rregullsi të madhe, duke u mundur të mos lërë asgjë mangët, madje edhe detajet e vogla i thekson, se si duhet të bëhet një punë, një veprimtari, sigurisht ai shqetësohet kur diçka nuk shkon në rregull, kur diçka vonohet, dhe ka të drejtë se kur njerëzit nuk i zbatojnë në tërësi rregullat, krijohen shqetësime. Një gjendje  shqetësimi e kishte përfshirë atë, në ato çaste mëngjesi, kur ende nuk kishin filluar aktivitetet sportive e kulturore, meqë veç disa problemeve edhe pajisjet teknike për zërin nuk  funksiononin si duhej, ai përpiqej e përpiqej dhe më në fund edhe problemet  u evituan.  Duhet të them edhe këtë se profesor Vaxhidi për të bërë veprimtari të tilla, natës ia merr shumë orë të domosdoshme gjumi, ndaj edhe atë ditë dukej se ditët i ishin dukur pak, por edhe netët i kishte kaluar me shumë pak orë gjumi për të realizuar këto veprimtari kulturore e aktivitete sportive.

Kryetari i UKSHFZ Z. Feti Demolli dhe mësimdhënësi e bashkëkryetari i LAPSH-it Z. Dr. Vaxhid Sejdiu përshëndetën të pranishmit dhe sidomos nxënësit shqiptarë aq të mrekullueshëm.

Pasi u ndanë nxënësit në grupe e në formacione sportive, filloi pjesa kulturore, nxënësit qenë veshur me bluza e rrobe të kuqe e të zeza, me shqiponjën dykrenore,  simbolet e flamurit tonë. Në sytë e këtyre fëmijëve shihej dritësimi e shkëlqimi i ngazëllimit shpirtëror. Qenë mbledhur më shumë se 300 nxënës të shkollave shqipe në Zvicër, gjithë çiltërsi fëmijërore, ku edhe gjuha shqipe e krenaria e qenësisë shqiptare kishin shfaqjen jo vetëm të natyrshmërisë, por edhe përmbajtjes së shëndoshë njerëzore, ku edhe paraqitej qëndresa e gjithë atyre vlerave e vetive të shkëlqyera shqiptare të trashëguara brez pas brezi.

Nën drejtimin e mësimdhënëses Qefsere Sejdiu, e përkushtuar si mësuese, si nënë e mirë për të gjithë nxënësit, duke e shoqëruar këmbëngulja për t’i jetësuar edhe veprimtaritë kulturore e atdhetare, ajo i udhëhoqi 300 nxënësit, për të realizuar pamjen e shkëlqyer të tyre dhe interpretimin e  këngës tanimë të njohur: “Xhamadani vija- vija, është Kosova Shqipëria” Sigurisht, këtu dhanë ndihmesën e tyre si dhe në të gjithë aktivitet e asaj dite edhe mësimdhënësit të tjerë, por edhe prindërit e njerëzit vullnetmirë, të cilët, që të gjithë, janë shumë të nderuar.

Nxënësit interpretuan me pasion e dëshirë të madhe, duke valëvitur flamujt shqiptarë, duke lënë porositë më të qarta edhe për ata prindër shqiptarë që hezitojnë e që nuk i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe, duke ua lënë mbi të gjitha të kuptuarit se ne jemi vetvetja, jemi shqiptarë e njerëz të mirë, se gjuha shqipe, idealet e shëndosha shqiptare e karteri i mirëfilltë njerëzor na udhëheqin në jetë dhe se të gjitha këto në mënyrë sistematike i  mësojmë në shkolla shqipe, këtu në mërgatë.

Këtu gjej rastin për të theksuar edhe anën tjetër të medaljes, sigurisht jo të mirë, për të gjithë ta shqiptarë që nuk i dërgojnë fëmijët tyre në shkollat shqipe dhe nuk kujdesen që ata ta mësojnë   gjuhën e të parëve. Fatkeqësisht janë shumë shqiptarë, pjesa më e madhe e tyre, që nuk i marrin me mend pasojat negative, të metat që do t’i kenë fëmijët e tyre në komunikimet e në gjithë botën shqiptare. Treqind fëmijët që morën pjesë në aktivitetet e veprimtaritë kulturore shqiptare, thërrasin bashkëmoshatarët e tyre : “Ejani në shkollat, ku mësohet gjuha e kultura shqiptare se edhe mendja edhe shpirti edhe gjithë qenia  juaj do të dritësohen me gjuhën e ëmbël shqipe e me dashurinë e madhe për trojet shqiptare!”

Pas këngës filluan aktivitet sportive, fëmijët loznin me pasion të madh, duke përjetuar ngazëllimin e tyre, duke u buzëqeshur  prindërve të tyre e njerëzve të tjerë!

Nxënësit në fund morën medaljet e organizuara për ta.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …