Në një sallë të madhe u mblodhën shumë zogj të bukur, nxënësit e mrekullueshëm të gjuhës shqipe, siç janë zogjtë e shqiponjave në çerdhet e tyre të natyrshme, në hapësirat e bukura e të paanë, ku ajri dhe lartësia, ku toka, mali e fusha, ku natyra e përjetshme u jep krah e forcë. Zogjtë tanë, atë natë, kishin në sytë e tyre të bukur shkëlqimin e gjuhës shqipe, dashurinë e atdheut, që në shpirt ua kanë mbjellë prindërit e tyre, mësuesit e tyre të përkushtuar, shkollat shqipe. Ata frymonin, ata gëzonin së bashku me prindërit, mësuesit e të gjithë dashamirët në sallë, në një vend, larg atdheut, por me dëlirësinë e qenësisë shqiptare. Jo më kot është thënë se shqiptarët e njëmendtë e marrin me vete shpirtërisht edhe një copë Shqipërie, e marrin me vete dashurinë e përkushtimin për atdheun.
Atë natë harrova se jemi mërgimtarë, atë natë më dukej se trevat shqiptare merrnin rrjedhën e natyrshme të bashkimit, atë natë, sidomos, në sytë e fëmijëve e pashë shkëlqimin e Shqipërisë.
E kjo nuk është pak, kush nuk gëzon për shkëlqimin e nënës, kujt nuk i këndon shpirti për dashurinë e saj, nuk ka zemër njerëzore, ka vetëm një gur të ftohtë nga brenda gjoksit të tij, që shpirtin ia bën kallkan.
Bacë Adem Demaçit, i kishte thënë nëna:
- Udhë e mbarë! – Mos u mërzit për mua, është një nënë më e madhe se unë, është Nënë Shqipëria, kujdesu për të!
Asaj nate, thënia e bukur e Naimit të madh, bilbilit të gjuhës shqipe, i shëmbëllente shprehja: “E ku shkruhen në kartë, fjalët e gjuhës së zjarrtë.”
Ndërsa Dritëroi ynë, që dritëroi për Shqipërinë, ia kushtoi shumë vargje edhe Naimit të madh:
“Vargjet tua me thërrimet e dheut janë përzierë,
Dhe na duket sikur në qenien tonë janë shkrirë,
Rrugën marrin në male e në buzë i mbajmë ngaherë
O malet e Shqipërisë!”
E pikërisht Shqipëria, trevat e gjuhës shqipe, kultura shqiptare, janë fjalët që u lakuan me gjithë ëmbëlsinë e tingujve që i shqiptonin, që i përhapnin nxënësit e mrekullueshëm.
Në skenë, dukej një perde e zezë, nga larg dëgjohej zëri i profesor Vaxhidit, i nxënësve po ashtu, si në një zgjua bletësh po përgatiteshin për ta filluar festën me këngë e recitime, me valle e pjesëza të tjera artistike… Ndërsa, në sallën e madhe ishin ulur shumë prindër, fëmijë të vegjël, veprimtarë e njerëz vullnetmirë shqiptarë, nga pothuajse të gjitha trevat shqiptare, ku na bashkuan festat e Nëntorit.
Nëntori është me plot festa shqiptare. Më, 28 nëntor 1912 u shpall pavarësia e Shqipërisë së tërësishme e të gjitha trevave, ku flitet gjuha shqipe, brez pas brezi e mot pas moti, ndaj shpesh herë e quajmë edhe Festa e Flamurit të Skënderbeut, të Arbërisë. Kaluan disa ditë nga 28 nëntori i këtij viti, por ende është e ngrohtë atmosfera festive, madje gjallërisht festohet, sikur qe edhe festa e nxënësve në Neuenhof të Zvicrës.
Perdet u hapën, të radhitur bukur, pranë portretit të Naim Shqipërisë e flamurit shqiptar, dukeshin se shkëlqenin nxënësit. Festën e hapi në mënyrë të shkëlqyer zonja Anila Muça nënë e një nxënëseje. Ajo pasi përshëndeti dhe pasi i lexoi disa emra të nxënësve që do të recitonin, ia dha fjalën profesor dr. Vaxhid Sejdiut.
Profesor Vaxhidit, siç i duket puna e shkëlqyer arsimore, kulturore, atdhetare e shoqërore i shëmbëllen edhe fjala plot harmoni, sidomos kur flet për nxënësit e shkollën shqipe.
Ai ndër të tjera tha se unë sot ndjehem shumë krenar me ju, me fëmijët tuaj të mrekullueshëm dhe kështu bashkërisht do të vazhdojmë të ruajmë gjuhën dhe kulturën shqiptare. Padyshim na janë bashkëngjitur një numër i veprimtarëve të rinj e të vjetër dhe se kështu e ruajmë identitetin e kulturën kombëtare. Shfrytëzoj rastin, gjithashtu, t’i falënderoj, njëzëri, prindërit shqiptarë që kanë punuar e vepruar, të cilët, si dje edhe sot, na kanë përkrahur për të realizuar festime tilla, siç është, pra, edhe kjo e sotshme. Sot ju do t’i shihni nxënësit, të cilët jo vetëm në shkollë janë të mrekullueshëm, janë shembulli më i mirë se si duhet të përkushtohen të tjerët, se si duhet ta artikulojnë fjalën e fjalët në gjuhën shqipe, por do të shihni edhe se si shkëlqejnë sonte me recitimet e këngët etj., ndaj jam i bindur se kështu tërë jetën këta fëmijë do të frymojnë shqiptarisht.
Mësuese Qefsere Sejdiu, gjithashtu, jo vetëm për këtë ditë festive, por edhe në aktivitete e manifestime të tjera, i ka përgatitur e përgatit nxënësit vazhdimisht, në nivel shumë të lartë e të admirueshëm, artistikisht, në realizimet recitative e muzikore. Së bashku me profesor Vaxhidin jo vetëm janë shembulli më i mirë i organizimeve të tilla, por edhe në të gjithë procesin e zhvillimin arsimor. Lirisht mund të themi se e kanë gjetur atë melodinë më të mirë, për shkëlqimin e fjalës shqipe e të ndjenjës atdhetare në mendjen e zemrat e nxënësve të tyre. Puna e veprimtaria që e bëjnë e që e shfaqin është vetë treguesi më i mirë.
Sigurisht kanë gjetur edhe përkrahjen e kolegeve e kolegëve të nderuara, puna dhe angazhimet e të cilëve natyrisht janë për t’u admiruar e vlerësuar shumë në të gjithë zhvillimin e procesit mësimor në paralelet, ku realizohet mësimi në gjuhën shqipe, në vendbanimet e shumta zvicerane, por edhe në manifestime e aktivitete të tjera kulturore, sportive etj. Në këtë mes duhen përmendur mësueset: Anita Duriçi, Lumnije Klinaku Neziri, Minire Azemi, Nora Macula, Teuta Myrtaj, Nuraj Iljasi,, Mimoza Elshani, Valbona Alili, Mirsime Muja, Ardita abazi, Nedrete Ademi, Albulena Jusufi, Anila Borova, Besarta Halili, Dorjana Cela, Miranda Rahmani, shumë e shumë të tjerë.
Pas fjalës së profesor Vaxhidit, filloi paraqitja e nxënësve me këngë e recitime. Në fillim radhën e pati nxënësja: Era Kelemendi, së bashku me korin e vatrës sonë arsimore “SHKOLLA SHQIPE” në Zvicër, gjithë pasion e me shumë përkushtim e kënduan këngën e mrekullueshme: “E ku ka si ti o Shqipëria ime”, këngë kjo që është kënduar, së pari nga artistja e përkryer e muzikës sonë: Vaçe Zela, e cila i ka tundur skenat e sallat, hapësirat ku ajo ka kënduar brenda vendit e jashtë tij. Kjo këngë erdhi e dashur emocionuese dhe këndshme edhe nga Era, shoqëruar nga kori i shkollës shqipe, veç të tjerave edhe si shqiptim i tingujve edhe si një harmoni e rrjedhës së natyrshme me përmbajtjen shumë domethënëse e të admirueshme atdhetare që e përçon teksti i kësaj kënge, sigurisht edhe me meritën e korit. Teksti është shkruar nga poeti i shquar Gjok Beci, i cili përsosmërisht e me shumë ndjenjë atdhetarizmi i ka shkruar shumë tekste këngësh qoftë nga muzika e lehtë, folklorike, por edhe e përpunuar. Edhe tekstin e këngës: “ Xhamadani i trimërisë” e ka shkruar poeti mirditor Gjok Beci, këngë kjo që është kënduar nga në artistja e mrekullueshme Mrika Trumshi.
E ku ka më bukur, e ku mund të ketë fillesë me të mirë. Era e këndonte, këndonin edhe të tjerët.
“Po ku ka si ti o Shqipëria ime
o fisnikja përmbi gur.
Rrjedh në këngë e ligjërime
ballëlarta me flamur!”
Më pas recituan poezi të shumta nxënësit:
- Morena Behrami – Abetare, Abetare
- Aris Abazi “Pse o mëmë shqip s`më flet”
- Ejlin Suli, Ameli Binaku, Noar Hyseni dhe Malor Selimi “28 Nëntorit”
- Eni Dakaj, Drin Demaj, Jon Kryeziu “Gjuha shqipe”
- Melodi Maloku dhe Amra Memeti “Të flasim shqip”
- Rubina Krasniqi, Jehona Selimi, Erina Krasniqi dhe Amina Krasniqi “Lule për dëshmorët”
Kurse nxënëset Alea Halimi, Liara Zuka dhe Arnela Halimi e kënduan këngën: “28 Nëntori”
Më pas nxënësit e shkollës së vendbanimit Riedhof u paraqitën në skenë:
- Taulant Bejiçi recito vjershën: “Gjuha jonë”
- Flori Skënderi, recitoi vjershën: “Shqipërisë”
- Anduena Bejiçi recitoi vjershën: “Zëri i nënës”
Po kështu edhe nxënësit të tjerë recituan.
- Poezinë: “Flamuri im” e recituan: Enes Binaku, Kasim Krasniqi, Gent Hasanaj dhe Eron Krasniqi. Më pas recituan poezitë:
- Rina Kelmendi “Flamurit Kombëtar” dhe
- Gent Morina “UÇK-së”
Tana Limoni e këndoi këngën: “ Gjyshi dhe sharkia “
Në vazhdim recituan nxënësit:
- Era Kelmendi recitoi vjershën: ”Nënë, o nënë”
- Gresa Shala dhe Alea Ramadani, poezinë: “Qiell Lirie”
- Rina Shabani recitoi vjershën: “Hapi krahët Kosovë”
Kurse nxënësja Melisa Selimi këndoi këngën: “Ti Shqipëri me jep nder”
Dhe grupi i valleve të shkollës shqipe në Spreitenbach iterpretoi vallen: Valle me motive nga Tirana dhe “Vallja e Pavarësisë”
VII.
Vazhduan më pas nxënësit:
- Enes Kastrati, Lina Limoni, Alea Halimi dhe Tana Limoni recituan pozinë: “Dashuri për vendin”
- Merdian Canaj “Djaloshi shqiptar” –
- Arianita Kryeziu dhe Nora Nocaj: “Shqip më fol”
- Eliona Muçaj – “Himni i Flamurit”
- Aron Abazi “Për flamur shqiptari s`fal”
Kurse nxënëset Alea Halimi, Liara Zuka, Arnela Halimi kënduan, këngën: “Jena gzu, moj jena gzu”
VIII.
Në vazhdim u paraqitën edhe nxënësit e shkollës shqipe në Neunheof
Dhe vëlla e motër Gresa Shala dhe Gentonis Shala nga shkolla shqipe kënduan këngën “Shqipëri Etnike”-
Kurse bashkë me nxënësit ishte edhe Ansambli “Shota” e cila i argëtoi pjesëmarrësit me një potpuri vallesh nga repertori i saj.
IX.
Programit shkollor i bashkëngjitet edhe kori i shkollave shqipe nën drejtimin e mësueses Qefsere Sejdiu, të cilët do të këndojnë këngët:
- “Këngë për Adem Jasharin” dhe
- Xhamadani vija – vija
Vlen të theksoj se Tana Limoni, si nxënëse e shkëlqyer e këndoi edhe këngën : “Në grykë të Kaçanikut” Ajo u shqua për zërin e bukur e aftësitë e mirëfillta artistike, për forcën e harmoninë që lidhet me përmbajtjen e shëndoshë atdhetare që ka vetë teksti.
Fare në fund dua të theksoj, se organizime të tilla janë një dëshmi e qartë se puna dhe veprimtaria e tillë është treguesi më i mirë për suksesin dhe arritjet kaq të mira, madje të shkëlqyera në shkollat shqipe, siç ka vepruar e vepron profesor Vaxhid Sejdiu, kuptohet edhe me kolegë, duke e çuar, madje edhe te veshët e shurdhër, zërin e mirë të shkollës shqipe e jetësinë e gjuhës sonë edhe në mërgatë. Të gjithë mësimdhënësit e veprimtarët duhet të marrin mësime nga të gjitha këto veprimtari e organizime, sa arsimore aq edhe atdhetare që bëhen me shumë përkushtim, por edhe me sakrifica të mëdha, të udhëhequr nga profesionalizimi dhe vullneti i çeliktë. Kjo do të thotë se të gjithë ata që merren vetëm me fjalë e me ngatërresa, inate e ligësi janë të dështuar, sepse puna e veprimtaria e shkollës sonë shkëlqen si drita e dielli, ndaj urithët e skëterrës verbohen nga këto rreze.