Gjuha shqipe është gjuha e zemrës sonë, që e përshkon tejpërtej qenien tonë, kudo që jemi, së bashku me të jemi një copë nga Shqipëria jonë edhe këtej, kudo në mërgatë.
Në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Berne të Zvicrës më, 29 tetor 2023 ambasadori i sapoardhur zoti Mustafa Nano dhe zoti Valon Gashi, sekretar i parë në Ambasadën e RSH në Berne, na pritën ngrohtësisht ne mësimdhënësit shqiptarë në Zvicër dhe na përgëzuan për punën e për aktivitetet e shkëlqyera arsimore, kulturore e natyrshëm do të thuhet edhe atdhetare, të bëra me nxënësit tanë.
Në fillim fjalën e mori ambasadori Mustafa Nano, i cili na përgëzoi dhe na uroi punë të mbarë dhe suksese në punën me nxënës, me prindër e komunitetin shqiptar, këtu në Zvicër, na foli, më pas, për ndërgjegjësimin e këtij komuniteti që t’i dërgojnë fëmijët e tyre në shkollat shqipe. Ai në mënyrë të veçantë e përgëzoi prof. dr. Vaxhid Sejdiun për punën e veprimtarinë e tij shumanshme arsimore , kulturore e administrative që ai e ka bërë. Më pas fjalën e mori profesor Vaxhid Sejdiu, i cili e falënderoi dhe uroi ambasadorin Mustafa Nano, që të ketë suksese dhe mbarësi në punën e misionin që ai e ka si ambasador i Shqipërisë në Zvicër, por edhe me komunitetin shqiptar. Profesor Vaxhidi u ndal, në mënyrë të veçantë, te sukseset dhe përfshirjen e sa më shumë nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe, në Zvicër, çka në të vërtetë numri i pikave shkollore dhe nxënësve shqiptarë po shtohen gjithnjë e më shumë. Kështu tha ai, se hapja pikave të reja shkollore, në të cilat po çelen në vazhdimësi paralele për mësimin e gjuhës dhe kulturës shqiptare, është një realitet dhe njëkohësisht një kënaqësi e madhe për të gjithë ne, por njëkohësisht është e një nga drejtimet e fuqishme, një nga ato veprimtaritë kryesore për ruajtjen, përvetësimin e gjuhës dhe kulturës sonë, ndaj kështu mund të themi se vazhdimësia e shqiptarësisë quhet një e vërtetë që nuk shuhet, që nuk tretet në realitet e jetës së shqiptarëve në mërgatë.
Edhe nga të tjerë mësueses e mësuese u theksua nevoja e një përfshirjeje sa më të madhe të nxënësve shqiptarë në shkollat shqipe, në Zvicër.
Aty ndër të tjera u tha se nga pjesa e vetëdijshme dhe atdhedashëse e mërgimtarëve tanë, ndjehemi shumë të kënaqur, sepse ata jo vetëm i dërgojnë fëmijët e tyre në pikat shkollore, por edhe janë pjesë e suksesit dhe gjallërisë së gjuhës sonë.
Ambasadori, zoti Mustafa Nano u tregua shumë i afërt, i përzemërt me ne mësimdhënësit shqiptarë dhe se na siguroi, se do të jetë ngaherë i gatshëm, me të gjitha mundësitë e tij, ta ndihmojë mërgatën shqiptare, në drejtimet e kulturës, gjuhës e të ruajtjes së shqiptarësisë sonë, përurimit të vlerave kombëtare, mbështetjes së krijuesve e të gjithë atyre që do të bëjnë veprimtari në këto fusha, këtu në Zvicër.
Në raste të tilla natyrshëm, secili nga mësimdhënësit u prezantuan dhe shfaqen mendime të vyera në për mësimdhënien, për zgjedhjen e literaturës, për tekstet mësimore e metodat sa më të përshtatshme për realitetin e mësimdhënies në mërgatë, për vështirësitë e sukseset etj.
Në fund fare u ndanë edhe tekstet për nxënësit e rinj, që kanë filluar mësimin këtë vit. Tekstet janë përgatitur nga Qendra e Botimeve të Diasporës, në Tiranë. Librat janë të nivelit të parë dhe tani presim edhe librat për nivelin e dytë të nxënësve në mërgatë.
Pas rrahjes së shumë mendimeve dhe mirëkuptimeve u ndamë po me aq përzemërsi, siç edhe na priti në fillim zoti ambasador Mustafa Nano.
Shpresojmë dhe besojmë se edhe në të ardhmen do të veprojmë bashkërisht për të mirën e gjuhës, kulturës e veprimtarive të tjera shqiptare, jo vetëm duke ruajtur vlerat e gjertanishme, por për të çuar e siguruar vazhdimësinë e qenësisë sonë shqiptare me veprimtari konkrete.
Gjuha shqipe është gjuha e zemrës, që e përshkon tejpërtej qenien tonë, kudo që jemi, së bashku me të jemi një copë nga Shqipëria jonë edhe këtej, kudo në mërgatë.