Dje pata kënaqësinë e madhe në Sarandë, në takimin që e pata me shumë të nderuarin Xheladin Beqiri, shok e mik shumë i dashur, me të cilin biseduam gjatë, u çmallëm, por e pashë edhe Muzeun e Traditës në Sarandë.
Xheladini është profesor i historisë, poet e këngëtar i shquar, gazetar me një zë shumë karakteristik e shumë të përshtatshëm, i cili i di shumë bukur të realizojë reportazhe me pamje e tekste mbresëlënëse. Ai dikur ka punuar edhe mësimdhënës në disa shkolla, por edhe telekronist i TVSH- së. Ai është nipi i të Heroit të Popullit Xheladin Beqiri – Karadaku, i cili ra trimërisht e heroikisht duke luftuar për çlirimin e Shqipërisë nga fashizmi e nazizmi.
Ai thur vargje shumë natyrshëm, bën tekste për këngët polifonike, të cilat po aq natyrshëm i këndon, meqë edhe është rritur, duke i kënduar trimërisë, heronjve e dëshmorëve, Kosovës dhe mbarë Shqipërisë, është mëkuar me këto ideale në shtratin e këngës polifonike, atje ku grykat e malet ushtojnë nga zëri i artistit të madh, këngëtarit të shquar Golik Jaupi, dajë i Xheladinit, por edhe nga përvoja e këngëtares së madhe Përparime Zilfaj mësoi dhe kështu së bashku me grupin e Bënçës kënduan e i tundën skenat shqiptare.
Rrënjët e tij shtrihen nga Karadaku i Gjilanit e deri në Nivicë, Progonat e Bënçë e në Sarandë.
Xheladini më shpjegoi se atë shtëpi, ku Muzeu i Traditës është, kishte punuar edhe bilbili i gjuhës shqipe, poeti e rilindësi ynë i madh Naim Frashëri, si doganier, pasi ishte sëmurur nga mushkëritë dhe për ajrin e pastër të Sarandës e klimën e përshtatshme ishte dërguar të punonte atje.
Në Ballë të Muzeut të Traditës është portreti i Naim Frashërit dhe vargjet e tij:
“Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,
Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr”
Unë thashë:
− O Xhelo, vëllai, sa nevojë të madhe kanë këta brezat e rinj të mësojnë nga këto vargje, të ushqehen nga këto vargje, të kenë shumë dashuri për atdheun si tërësi shqiptare. Ne jemi ata që u rritëm me vargjet e Naimit, të rilindësve tanë.
− Po, − më tha ai, − të gjitha trevat shqiptare duhet të bashkohen sa më parë, ndryshe nuk mund të qëndrojmë siç duhet, si komb, si Shqipëri.
Më kujtohet një fjali që e kam lexuar në një roman:
“Trojet e gjuhës shqipe duhet të bashkohen”
Ashtu, siç më tha edhe Xheladini.
Ja edhe disa vargje të mrekullueshme nga Xheladin Beqiri:
Adem biri i shqiptarisë
Ngreu Adem të pret Prekazi,
Të mbjellësh farë dardani,
Farë nga burrat e stëralltë,
Buletini dhe Selami,
U çudit një botë e mbarë,
Këta qenkan sua trimi,
Këmbët kanë në rrënjë gjaku,
Dedö Gjo Lul dhe Boletini.
Kosova të ka në ballë,
Si një diell përtej reve,
Adem biri i shqiptarisë,
Një herë vdiqe një herë leve.
Fjala e fundit që nxore,
Nga kraharori i plumbosur,
Të rrojë nëna Shqipëri,
Dhe Jasharajt e pasosur.
Ti atdheut i dhe jetë.
Me fjalët e zemrës fole,
Kosova s’ bëhet me fjalë,
Por me flakën që ti mbolle.
Moj Kosovë lule baroti,
Zjarr i flakës çlirimtare,
Që nga dere boletine,
Gjer në pragun e Jasharëve.
Xheladin Beqiri
23.3.2023.