Isuf Ismaili: Një vepër që shkëlqen me motive atdhetarie

Isuf Ismaili: Një vepër që shkëlqen me motive atdhetarie

Vështrim në përurimin e  veprës: “Skënder Ibishi – liria nuk ka çmim”, të autorit Osman Osmani

Të dashur shokë, të nderuar miq e dashamirë, së pari, ju përshëndes dhe ju uroj gjithë të mirat!

Dua ta përgëzoj nga zemra, shokun e mikun tonë të çmuar Osman Osmani për veprën e tij, për librin e tij: “Skënder Ibishi – liria nuk ka çmim”.

Botimi i këtij libri ka rëndësi të madhe, sepse veprat e tilla janë të nevojshme dhe të domosdoshme për të dalë në pah një pjesë shumë e rëndësishme e veprimtarisë, sa historike aq edhe  emocionale e shoqërore, sidomos për brezat që janë e do të vijnë.

Ky libër është i rëndësishëm në shumë pikëpamje dhe në shumë drejtime. Në radhë të parë, ky libër i kushtohet, shokut tonë të dashur Skënder Ibishi, veprimtar i shquar, atdhedashës i flaktë, njëri i mrekullueshëm, mik i çmuar për të gjithë njerëzit që kanë dashamirësi e çiltërsi njerëzore, i kushtohet atij që zemra e mendja, gjithnjë, i punoi për çlirimin, lirinë e trojeve shqiptare dhe bashkimin e tërësisë së Shqipërisë,  i kushtohet Skënderit tonë të dashur, i cili edhe pse fizikisht nuk është me ne, është e do jetë, gjithmonë, në zemrat e mendjet tona, i skalitur me të gjitha ato veti të shkëlqyera njerëzore e shoqërore, me veprimtarinë e tij që nuk e pushoi kurrë, derisa dha edhe frymën e fundit.

Këtë vepër e shkroi, shoku e miku ynë i çmuar, Osman Osmani me një përkushtim, me një aftësi e përvojë shembullore atdhetarie. Kjo punë, kjo veprimtari e publikuar nuk është pak, por është një margaritar, që do të shkëlqejë, pavarësisht kohëve e ndryshimeve politike e shoqërore.

Vepra e Osmanit dhe vepra të tilla janë të nevojshme për të vënë në pah veprimtarinë, atdhetare, përkushtimin njerëzor të veprimtarisë çlirimtare që e kanë bërë djemtë e vajzat, burrat, gratë dhe të gjithë atdhedashësit shqiptarë, sepse në këtë mënyrë i flasim botës sonë, i flasim  brezave që janë, njerëzve që vijnë, botës së tërësishme: qoftë politike, shoqërore, diplomatike dhe administrative të trojeve shqiptare, qoftë vendeve të huaja, duke argumentuar, kështu,  të drejtat dhe domosdoshmërinë e zbatimit të tyre, duke argumentuar të vërtetën shqiptare për jetësimin e bashkimit të tërësisë së Shqipërisë dhe përparimit e zhvillimit të popullit shqiptar, përkrah popujve e vendeve të tjera evropiane e botërore.

Osman Osmani duke qenë shok i Skënder Ibishit që nga fëmijëria, e derisa Skënderi ishte në mesin tonë, ka ditur e ka mundur të grumbullojë materiale të shumta të jetës dhe veprës së tij, të punës e aktivitetit të tërësishëm shoqëror, që ai e ka bërë.

Kjo vepër është sa monografike aq edhe argumentuese për historinë, po aq përshkruese me një rrjedhshmëri shpjegimesh, por edhe me vlera letrare, madje edhe gjuhësore, sidomos nga ana drejtshkrimore, duke na dhënë tërësinë e përmbledhur të shumë anëve e fushave krijuese që e harmonizojnë dhe bëjnë të këndshme, lehtë të lexueshme e të kuptueshme, për të gjithë njerëzit e moshave të ndryshme.

Kjo vepër është cilësuar e vlerësuar shumë e rëndësishme dhe çmuar edhe nga shumë njerëz, por edhe nga pena të shkëlqyera profesionale me një përkushtim të madh atdhetarie, siç është pena e ndritur e profesor Ahmet Qeriqit – veprimtar e shkrimtar i madh shqiptar, pastaj e redaktores  Sevi Agolli, redaktorit e lektorit Bedri Tahiri, pa e harruar aspak edhe punën e veprimtarinë e shokut tonë të dashur, Skënder Hajdari, veprimtar e njeri shumë i dashur e i çmuar, për punën e veprimtarinë atdhetare që e ka bërë, për rrezatimin njerëzor që ai ka, i cili u përkujdes në mënyrë të përkryer për të dalë në dritë vepra e Osman Osmanit.

Në këtë vepër shquhet, së pari, jeta dhe vepra e Skënder Ibishit, por krahas saj del në dritë edhe njëra nga veprimtaritë, si pjesë e tërësisë atdhetare që është bërë për çlirimin e lirinë dhe bashkimin e trojeve shqiptare – veprimtaria e organizatës atdhetare e PKMLSHJ-së, por edhe shumë anëve e veprimtarive të tjera të rëndësishme qoftë për Skënderin, qoftë për anët tjera shoqërore.

Për këtë vepër, profesori ynë i nderuar Ahmet Qeriqi shkroi: “ Autori i librit, Osman Osmani duke qenë edhe vetë në mesin e protagonistëve kryesorë të PKMLSHJ – së, është, padyshim, njohësi më i mirë i kësaj organizate dhe jetës e veprës së Skënder Ibishit dhe këtë e ka dëshmuar me këtë libër, me punën dhe angazhimin e tij, për të pasqyruar realisht e besnikërisht, jetën e veprën e Skënder Ibishit, një ndër autorët kryesorë të organizatës, dhe në këtë drejtim them me përgjegjësi se ia ka arritur.”

Ky libër natyrshëm, nis me jetën fëmijërore të Skënder Ibishit, të shkollimit të tij në Prishtinë, ku e mbaroi tetëvjeçaren, pastaj gjimnazin ushtarak në Beograd dhe më pas Akademinë Ushtarake në Beograd.

Ai,  që kur qe fare i ri, organizohet me Osman e Osmanin e shokë të tjerë në PKMLSHJ – në, duke na dalë në pah veprimtaria e tij me veprimtarë të tjerë të shquar si Avdullah Prapshtica, udhëheqës i organizatës, Faton Topalli e shokë të tjerë. Kujtojmë, këtu se në udhëheqje kanë qenë, veç Avdullait, Osmani, Fatoni, Skënderi…

Më pas na del në pah vuajtja dhe qëndresa atdhetare e Skënderit në burgje jugosllave, veprimtaria e tij në mërgim e në atdhe, derisa qe në mesin tonë.

 Dua të theksoj edhe një fakt, meqë Skënder Ibishi ishte përgjegjës në kryesinë e organizatës për veprimtari ushtarake, kur ai tërheq vëmendjen e shokëve, se nuk bënte të veprohej pa u përgatitur mirë, kur është puna për ndërmarrjet e armatosura, faqe, 90.

Osmani ka ditur ta përshkruajë mirë përkushtimin, por edhe entuziazmin e të rinjve në organizata atdhetare, ilegale, duke i cilësuar ata atdhedashës të mrekullishëm, por jo sa duhet të përgatitur në atë kohë, në vitet tetëdhjeta, për të hyrë në konflikt të armatosur me pushtuesin jugosllav, madje disa pjesëtarë kanë qenë jo sa duhet vigjilentë, meqë nëpër disa grupe kishin depërtuar edhe njerëz nga radhët e armikut, faqe, 71 dhe faqe 100.

Më pas Osmani na e përshkruan edhe botën letrare të Skënderit etj., faqe 177.

Vepra ka rëndësi të madhe edhe në kuptimin për ndërgjegjësimin e të rinjve tanë, të cilët duhet të marrin shembull, si veprohet për atdheun, si duhet të përkushtohen, se si duhet ta përvetësojnë disiplinën, por edhe organizimin e tërësishëm për të mbajtur gjallë shqiptarësinë tonë, por edhe për arritur ditës së bashkimit të tërësisë së trevave shqiptare e popullit shqiptar dhe bërjes së Shqipërisë së natyrshme. Por, për të arritur suksese të mëdha, duhet të bëjmë veprimtari të shumta e të mëdha atdhetare e njerëzore, qoftë në mërgatë, ku na dalin detyra të veçanta, por natyrshëm edhe në trojet shqiptare, me të cilat jemi të lidhura përjetësisht dhe me të cilat duhen bashkërenduar e harmonizuar të gjitha këto veprimtari.

Një nga këto detyra e veçanta të  mërgatës, është puna  dhe veprimtaria arsimore në gjuhën shqipe. Nuk mund të jemi atdhetarë të mirë, as të përkushtuar, në qoftë se nuk e mbajmë gjallë shkollën shqipe në mërgatë, nëse nuk i përkrahim mësuesit e shkollës shqipe, e cila po funksionon në krye me prof., dr. Vaxhid Sejdiun.

Nuk mund të jemi edhe shqiptarë të mirë edhe të pandjeshëm, kur fëmijët shqiptarë nuk flasin gjuhë shqipe, kur nuk i dërgojmë fëmijët në shkollë në gjuhën shqipe. Shkolla shqipe është vatra ku mësohet gjuha shqipe, gjuha shqipe na përcakton si popull e si tërësi e Shqipërisë duke përmbledhur të gjitha trevat shqiptare.

Ajo pret mbështetjen tuaj, të miqve e dashamirëve, se në fund të fundit të gjitha veprimtaritë duhet t’i bëjmë për të mirën e popullit shqiptar e të trojeve shqiptare, ku secili shohim edhe qenësinë e përparimin tonë në përmbledhje të së përgjithshmes.

Jeta njerëzore ka një fillim, një kohë të zhvillimit, të shkollimit, të përparimit, të veprimtarisë, të pjekurisë, të pleqërisë, të arritjeve e sukseseve, por edhe një përfundim. Natyrisht, këtu do të doja të theksoja për Skënder Ibishin, se kur njeriu bën vepra të shkëlqyera njerëzore e atdhetare , siç bëri ai, e lumtur është jeta njerëzore. Por me këtë rast, do të doja ta kujtoja edhe profesorin, mësimdhënësin tim, por edhe shokun tim Xhevdet Syla, i cili u nda nga jeta, këtu e shtatë vjet, më parë. Xhevdeti, po ashtu, qe një atdhedashës i madh, një veprimtar i denjë, të cilin e burgosi policia jugosllave për veprimtarinë atdhetare që ai e ka bërë.

Lavdi të përjetshme këtyre burrave të mëdhenj, atdhetarë!

Prej këtyre burrave të Atdheut, duhet të marrin një shembull, shumë të mirë e të qartë, brezat që janë e ata që do të vijnë dhe kështu të mos shuhemi, por të veprojmë në të gjitha segmentet e me të gjitha mundësitë tona, për ta ruajtur shqiptarësinë tonë dhe për të arritur aty ku synojmë, si popull e si komb, për ta bërë një Shqipëri të bashkuar dhe për ta përparuar atë. Ky është qëllimi ynë. Por, në qoftë se ky nuk është qëllimi ynë, e kotë është edhe jeta jonë. Pse e them këtë? E them këtë, sepse bëhemi si ata njerëzit që dinë vetëm të hanë, të pinë e të rrinë. Afërsisht njeriu deri afër kokës është si kafsha, nga koka dallon se është njeri, prandaj unë do të doja të përqendrohemi në veprimtari, t’ ia mbajmë krahun njëri – tjetrit dhe të jemi të bashkuar. Të bashkuar mund të bëjmë vepra të mëdha dhe mund të arrijmë qëllimin tonë edhe si shqiptarë edhe si njerëz të mirë.

Ju faleminderit!

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …