Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Pena dritë e Ahmet Qeriqit, pasuri e çmuar atdhetare e kulturore I

      Ahmet Qeriqi është njëri  nga shkrimtarët e shquar të letërsisë së sotme shqipe, i cili me veprën e tij letrare ka dëshmuar se romanet dhe veprat të tjera, si dhe analizat e vështrimet janë jo vetëm letërsi, jo vetëm art, jo vetëm filozofi e psikologji, jo vetëm pasuri gjuhësore, jo vetëm gazetari e analiza të shkëlqyera,  por edhe forcë, rrezatim e shndritje në shoqërinë shqiptare.

        Letërsia e mirëfilltë, në këto kohë të trazimeve të mëdha politike e shoqërore është një pasuri e pallogaritshme në shërbim të ndërgjegjësimit dhe përsosjes së njeriut. Ajo i merr temat pikërisht nga tërë nektari i zhvillimeve të shoqërisë, nga mjediset e burimet e vet atyre ndërthurjeve të kontradiktave që ndodhin, si një realizëm nga i cili përjetimet janë nga më të ndryshmet. Në këtë kuptim edhe veprat e Ahmet Qeriqit kanë një burim të kthjelluar, ndërthurje dhe përshkueshmëri të një realiteti të shoqërisë shqiptare jo vetëm në Kosovë, por edhe në viset të tjera shqiptare. Ideja, temat, lënda dhe niveli i shkëlqyer i artit letrar, kanë mishëruar në tërësi veprën e Ahmet Qeriqit, i cili gjithnjë e më fuqishëm ka arritur suksese të mëdha letrare.

        Është shumë interesante se shkrimtarë të tillë, vepra letrare me vlera të pasura tematike, ideore dhe artistike me një fuqi të thellë mendimi, me një përshkrim realizmi dhe duke i mëshuar fort vëmendjes për çështjen shqiptare të pazgjidhur, rrallë mund  të gjenden, sidomos në këtë kohë kur prirjet për të shfaqur të shëmtuarën, dobësitë njerëzore, qëllimet perverse, interesat thjesht egoiste madje edhe injorancën dhe jo-vlerat, janë gjithnjë e në rritje. Pikërisht letërsia, e cila ka përmbajtje e vlera të çmuara njerëzore e kombëtare dhe ndjeshmëri e forcë artistike, siç janë veprat e shkrimtarit Ahmet Qeriqi, i shërbejnë shoqërisë në përgjithësi, për t`i kuruar anët negative duke e shëndoshur ndërgjegjen dhe duke pasuruar vlerat e çmuara edhe atdhetare edhe shoqërore njëkohësisht.

           Shkrimtarë të mëdhenj të letërsisë botërore siku janë: Viktor Hygo, Emil Zola, Balzaku, Tolstoi, Dikens, Stendali etj., duke trajtuar tema të mëdha të zhvillimeve shoqërore, duke përshkruar realitetin dhe duke vënë në qendër të vëmendjes humanizmin njerëzor, duke kritikuar të shëmtuarën, antinjerëzoren, duke marrë anët pozitive të heronjve të veprave të tyre e shndërrimeve përparimtare shoqërore, kanë ndikuar fuqishëm te shoqëria e kohës së tyre dhe kanë rrezatuar e shkëlqyer në kulturën botërore, si një ndërthurje jashtëzakonisht e rëndësishme, jo vetëm për t`i pasur si pikëmbështetje, si lëndë prej nga marrin informacionin, si shembuj, se si krijohen vepra të  mëdha, për të qenë vazhdimësi kulturës dhe emancipimit shoqëror. Pra pikërisht shkrimtarët, juristët, ekonomistët, sociologët, filozofët etj., kanë gjetur tek këta shkrimtarë atë pasuri vlerash, prej nga kanë shtjelluar lëndën e tyre qoftë shkencore apo shoqërore për ato periudha kohore për të cilat kanë shkruar shkrimtarët. Prandaj edhe veprat e tyre letrare kanë ndikuar drejtpërsëdrejti në realitetin, që shoqëria jonë sa më shumë të ketë humanizëm e kulturohet. Në këtë kuptim vepra letrare e Ahmet Qeriqit është një vijimësi e atyre vlerave të çmuara njerëzore, të kundruara në realitetin dhe në kohën tonë, ndaj duket qartë se ka mprehtësinë e mendimeve dhe forcën e përshkrimit e të shpërfaqjes artistike, si vlera këto të një nektari të këndshëm letrar, që është përhapur në radhë të parë nga penat e shquara të letërsisë botërore dhe letërsisë shqiptare, pjesë e së cilës denjësisht është edhe vepra edhe Ahmet Qeriqit. Ai e ka përqendruar vëmendjen tek idetë e shëndosha kombëtare e principet e karakterit të fortë njerëzor dhe ka grumbulluar një lëndë të pasur tematike si për të kaluarën tonë sa të dhembshme e tragjike, po aq heroike e madhështore, duke shfaqur vlerat e njëmendta të krijimtarie letrare e artistike.

Janë të paktë shkrimtarët shqiptarë pas luftës së Kosovës, të cilët kanë kapur e kanë mbarë-shtruar tema e lëndë  të pasur atdhetare e shoqërore me një shkëlqim letrar e artistik, siç ka bërë shkrimtari, profesori, gjuhëtari, analisti dhe drejtori i Radios Kosova e Lirë Ahmet Qeriqi.

           Tematika për të kaluarën tonë sa tragjike e  dhembshme, por edhe heroike e madhështore për shqiptarët e Kosovës dhe viseve të tjera që mbetën jashtë kufijve të Republikës së Shqipërisë, nuk është shumë e paraqitur në veprat artistike e letrare, prandaj Ahmet Qeriqit i takon edhe një privilegj  i veçantë si një shkrimtar e analist i shquar që e ka trajtuar denjësisht një tematikë të tillë. Ai e gdhend mirë fjalën, e përpunon fjalinë, si një rrjedhim i një logjike të shëndoshë, prandaj edhe në kuptimin sintaksor ka një rrjedhshmëri gjuhësore dhe lehtësi pranimi për të gjitha shtresat e shoqërisë, duke përvetësuar kuptimin e veprës së tij. Pas botimit me sukses të disa veprave letrare dhe studimeve e analizave të shumta letrare, gjuhësore, atdhetare, politike e shoqërore, biografive e të kronikave ai e  botoi edhe romanin, “ Çlirimtarët dhe mercenarët”.

           Ky roman është një nga veprat më të çmuara letrare të periudhës së pas luftës së UÇK-së, ajo ka një ndërthurje të veçantë, meqë ka të bëjë me realitetin e Kosovës, e cila kishte dalë nga një robëri e gjatë e barbare serbe, së cilës iu kishin sulur ndërkombëtarët, bijtë bastardë shqipfolës të bashkëpunëtorëve jugosllavë e serbë e që donin të merrnin pushtetin. Është kuptueshme dhe qartë se Kosova po dilte në dritën e një lirie, që nuk e kishte parë asnjëherë gjatë shumë shekujve, meqë ishte e pushtuar, nëpërkëmbur dhe e shfrytëzuar aq shumë, sa vështirësitë ishin e do të jenë pengesa të mëdha në zhvillimin e përparimin e saj, megjithëkëtë, duhet ta themi me krenari, se ishte së pari UÇK-ja, ajo forcë popullore  dhe çlirimtare që i këputi prangat e robërisë e që liria në Kosovë po agonte. Por, trimat e trimëreshat e saj, filluan të nëpërkëmben nga segmente të caktuara ndërkombëtare dhe ikanakët shqipfolës, madje edhe nga faqezinj që kishin harruar jo vetëm betimin në luftë, por e kishin hedhur, si të pavlerë uniformën e UÇK-së, duke u dhënë tërësisht pas pasurisë dhe të mirave materiale, pas posteve e gradave. Ne  e dimë shumë mirë, se sa  vuajtje dhe mjerime e tortura, sa pabesi e tradhti kemi përjetuar ne shqiptarët nën regjimet jugosllave, serbe, maqedonase e malazeze, madje dimë fare mirë se sa shumë faqezinj bashkëpunëtorë shqipfolësish kanë pasur ato regjime pushtuese, se sa mirë i ua  kanë shtruar shtratin e pushtimit këtyre armiqve tanë të përbetuar.    Ne e dimë se në shërbimet sekrete e legale serbe e jugosllave kanë qenë shumë shqipfolës të zhytur në tradhti kokë e këmbë, madje ne e dimë se sa shumë shqiptarë liridashës, janë torturuar deri në vdekje prej tyre, pra nga këta lloj shqipfolësish që u bënë më jugosllavë se jugosllavët, më të ndyrë se ndyrësirat, më të zinj se errësira, duke u bërë si çakej që shqyejnë edhe nënën e tyre. Disa prej këtyre dhe politikanëve e shërbëtorësh titistë e jugosllavë shqipfolësish bastardë, u akomoduan në politikë dhe bënë turr e vrap pas luftës së UÇK- së, ta marrin pushtetin dhe u bënë shërbëtorë të devotshëm të shërbimeve ndërkombëtare si UNMIK- u dhe EULEX-i, madje edhe të shërbimeve të tjera, por edhe vazhduan edhe të jenë të devotshëm për Serbinë, ish republikën jugosllave të Maqedonisë dhe Malit të Zi. Kështu vepruan edhe bijtë e bijat e tyre duke u kamufluar e duke shtirë si patriotë e atdhetarë dhe u akomoduan edhe në parti të ndryshme politike e institucione  të ndryshme të vendit dhe në ato misione zyra ndërkombëtare në Kosovë.

Qeriqi në veprat e tij letrare i ka pasqyruar dhe i ua ka çjerrë maskën këtyre bastardëve, duke i portretizuar paraqitur nëpërmes personazheve të tij letrare dhe duke e goditur realitetin. Mbase mjafton t`i përmendim këtu disa personazhe  të romanit ,,Çlirimtarët dhe mercenarët’’ si inspektor Gim Gagin, Vet Sorrin, gazetaren bijën e Birnit, Bosin e  Madh e disa të tjerë.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …