Isuf Ismaili: Kështu foli për Kryengritjen Shqiptare të vitit 1981, drejtori i Radios-Kosova e Lirë, Ahmet Qeriqi

Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, zëri i shqiptarësisë sonë, në 25 – vjetorin e saj

Sot është 25 – vjetori i një medie të shquar shqiptare, i një radioje heroike që u themelua në flakët e luftës për lirinë e bashkimin e Atdheut, në flakët e madhështinë heroike të bijve e bijave më të mirë të popullit shqiptar që u radhitën në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Sot është pra 25 – vjetori i Radios Kosova e Lirë, kësaj radioje që u bë zëri më i ëmbël, më shpresëdhënës i popullatës shqiptare në Kosovë dhe jo vetëm në Kosovë, por në të tëra viset shqiptare, sepse heronjtë e saj transmetonin fitoret, transmetonin madhështinë, zjarrin e ngadhënjimit mbi armikun e egër, të tërbuar, ata transmetonin çdo ditë e çdo minutë, duke dhënë lajme se bisha e tërbuar armike, po plagosej, goditej në zemër dhe se Kosova po çlirohej, po mbrohej me gjakun e bijve e bijave më të mira me jetën me shpirtin e tyre të pamposhtur të rreshtuar në radhët e UÇK – së, e cila ia ndriti ballin Shqipërisë së tërësishme, të gjitha trojeve të gjuhës shqipe.

Oficerët e tërbuar të Millosheviqit, të Serbisë pushtuese, goditën me predha nga avionë bombardues, shumë herë vendin në afërsi, ku transmetonte Radio Kosova e Lirë, por ajo ishte e mbrojtur nga populli, nga luftëtarët besnikë të UÇK-së, nga malet, nga shkëmbinjtë, nga drunjtë, nga lartësitë, nga bunkeri që me aq përkujdesje e me aq siguri ishte ndërtuar.

Radio Kosovën e Lirë po e udhëhiqnin, po e mirëmbanin, po drejtonin emra të shquar që edhe në të kaluarën qenë veprimtarë e bij të dashur të popullit që kishin vepruar në radhët e organizatave e grupeve atdhetare, ilegale, por  që disa nga ata  i kishin burgosur armiqtë jugosllavë, para luftës së UÇK- së, siç janë: Ahmet Qeriqi, Nezir Myrtaj, Martin Çuni, Nysret Pllana, ndërkohë Radios iu kanë bashkuar edhe  Valdet Hoti, Shaqir Zeneli, Fatmir Dugolli, Ismet  Sopi, Rizah Berisha  si dhe reporterët nga shtatë zonat operative të UÇK-së. Ndërsa Agjencinë Kosova press e udhëhiqnin: Isa Krasniqi, Berat Luzha, Besnik Berisha, Qemal Aliu, Metë Bytyçi, Fadil Bajraktari e të tjerë. Ata qenë bërë dielli që ua ngrohte zemrat njerëzve tanë, popullatës, shqiptarëve të strehuar në male e lugina, në vende të ndryshme etj.

Ditë pas ditësh, fitore pas fitoresh Kosova u çlirua dhe Radio Kosova e Lirë së bashku bijtë e bijat, luftëtarët e denjë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u vendosën në Prishtinë.

Radio Kosova Lirë në radhë të parë u bë zëdhënëse e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u bë zëri i heronjve e i dëshmorëve, zëri i Komandantit Legjendar, Heroit të Popullit Adem Jashari, zëri i të gjithë dëshmorëve e heronjve, të tri luftërave çlirimtare  të UÇK- së, UÇPMB – së dhe UÇK – së në trojet shqiptare nën Maqedoni.

Profesor, Ahmet Qeriqi qe drejtuesi kryesor si në kohën e luftës sonë çlirimtare, në kohën e UÇK-së, si edhe pas luftës në Kosovën e lirë. Ai me të tërë familjen mori pjesë në luftë, me bashkëshorten  Zymryte Shamolli-Qeriqi, me bijat: Arbanën, Labërien, Rrezartën, bijtë Epirin e Zamirin, (bija e madhe Antigona me familjen e saj ndodhej në Gjermani).  pastaj  me vëllanë Hasanin dhe familjen e tij, xhaxhanë Mehdiun me familjen e tij dhe shumë kushërinj të tjerë, të cilët kanë qenë  pjesë e luftës së UÇK-së.

Profesor Ahmet Qeriqi edhe pas luftës ishte dhe është drejtor i RKL -së, ai punon e vepron pa u ndalur, pa pushuar, përkushtimi i tij është aq i madh, sa nuk mund ta përshkruajmë pak fjalë dhe shpejt e shpejtë.

 Profesor Ahmet Qeriqi e veprat e tij, janë shembulli më i mirë i botës shqiptare, i humanizmit dhe vlerave të tërësishme njerëzore. Ai ka dhënë shumë në letërsi, në gjuhësi, në publicistikë, në histori, por duke qenë në flakët e luftës për lirinë e për bashkimin e Shqipërisë së tërësishme, duke vepruar edhe para, gjatë e pas luftës së UÇK – së heroike, ai diti dhe veproi, diti dhe shkroi romanet e veprat të shquara, na i dhuroi ato për t’i ndritur mendjet tona, për të mësuar shumë jo vetëm për luftën e fundit, por edhe për historinë e për ngjarjet e mëdha që kanë ndodhur në Mesjetë e deri më sot. Ai vazhdon të japë shumë edhe tani në një moshë, ku në rrethana normale do të duhej të ishte i qetë pa angazhime të mëdha.

Të rrallë janë njerëzit e tillë, në botë, si profesor Ahmet Qeriqi, i cili është institucion në vete, me gjithë atë veprimtari qoftë praktike, qoftë teorike, duke qenë veprimtar e luftëtar besnik, i gatshëm për të derdhur edhe pikën e fundit të gjakut për atdhe e humanizëm, siç qe edhe në luftën heroike të UÇK – së, por edhe për t’i shërbyer popullit të tij me dije e veprimtari të shkruar e cila mbetet, përjetësisht, përderisa të ketë gjuhë shqipe e shqiptarë të denjë, njerëz të mirë, që e duan dhe ndjejnë se e drejta, njerëzorja e bukura dhe vlerat humaniste janë ato që duhen përqafuar e përuruar.

Radio Kosova e Lirë pas luftës krijoi e bëri shumë qoftë në fushën informative, qoftë në drejtimet e atdhetarizmit shqiptar e humanizmit njerëzor.

Ajo është një shtëpi e vogël ku gëlon veprimtaria e të gjithë njerëzve të përkushtuar atdhedashës që nga Prishtina, Presheva, Tetova, Tirana, Shkodra, Struga, Vlora etj. Ajo është shtëpi e kulturës e dijes, është një shtëpi ku u ruajt mrekullisht dinjiteti, karakteri  i shqiptarit, u ruajt madhështia e tij.

Profesor Ahmeti punon e vepron duke e përmbush me sukses të plotë edhe amanetin e Bacë Adem Demaçit, i cili kishte propozuar të bëhej një televizion, institucion i qenësisë sonë.  U themelua edhe Tv. Dielli i cili së bashku me Radio Kosovën e Lirë janë e do të jenë zëra të fuqishëm të shqiptarësisë, të Atdheut. Ato mirëmbahen me përkushtim të shkëlqyer e dhe të Zamir Qeriqit dhe motës së tij Arbanës! Jehofshin e kurrë mos u shofshin zërat e programet e këtyre mendjeve shqiptare!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …