Isuf Ismaili: Rrëfime nga burgu të ish-burgosurve politikë

Isuf Ismaili: Rrëfime nga burgu të ish-burgosurve politikë

(Kumtesë e lexuar në Zurih të Zvicrës, me rastin e përurimit të veprës: ”Rrëfime nga burgu”)

Të shkruash a të flasësh për atë pjesë të bijve dhe bija më të mirë të popullit shqiptar, që kanë kaluar nëpër ferrin e torturave dhe burgjeve jugosllave, sidomos në atë ferr të burgjeve në Serbi, nuk është aspak e lehtë, por as nuk mund të jetë njeriu i qetë, sepse emocionet e dhembjet kalojnë në të gjithë qenien tonë dhe na bëjnë që atë peshë të rëndë dhembjesh shpirtërore ta fusim drejt e në zemër. Njëkohësisht dhembja dhe krenaria janë pjesë e pandarë e ecurisë në rrugën drejt lirisë dhe bashkimit të atdheut, për çka edhe u sakrifikuan dhe përjetuan tmerret e torturat çnjerëzore këta bijë e bija të denjë të atdheut.

Historia më re e Shqipërisë, në viset e pushtuara shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme dhe nën Greqinë është e shkruar me gjakun, sakrificat, mundin e atdhedashësve shqiptarë, por edhe me lotin e dhembjen e nënave, nuseve, motrave e fëmijëve, për njerëzit e tyre më të dashur, që kanë vuajtur e janë torturuar mizorisht nga armiq gjakatarë, por edhe nga tradhtarë të ndyrë, të cilët dinë të jenë më armiq se armiqtë. Ata dinë të jenë më serb se serbët, më grekë se grekët, si dikur disa më turq se turqit, më të egër se vetë barbarët.

Rënkimet e dhembjet e tokës mëmë, që në fëmijëri, që në mituri i kemi ndier, pikërisht si rënkime dhe dhembje të mëdha shpirtërore, që nuk na kanë lënë të qeta, t’i përjetojmë as ëndërrt e lodrat, as lojërat e as dëshirat fëmijërore. Është një gjendje e rëndë dhe një ngarkesë e madhe psikike, kur njeriu kalon fëmijërinë dhe nuk e ndien  rininë e  bukurinë e moshës, nuk e ndien normalitetin logjik të periudhave të zhvillimit sidomos në fëmijëri e rini. Këtu kam parasysh kohën tonë, por edhe të fëmijëve të të gjithë atyre shokëve e vëllezërve, që kanë qenë në burgjet jugosllave, fëmijët e të cilëve janë rritur me mallin e madh për prindin e tyre e të cilëve ju ka munguar përkëdhelja, prezenca sidomos e etërve tyre.

Megjithëkëtë, prindërit tanë, shumica me pak arsimim shkollor ose fare pa të, na edukuan, na frymëzuan, na ruajtën gjuhë e kulturë, na i mësuan këngët e historitë shqiptare, dhembjet e vuajtjet nën pushtimin e jugosllavëve, na dhanë krah e jetë dhe na rritën me mundime të stërmëdha, na thanë se çdo pëllëmbë të Atdheut duhet ta duam dhe ta mbrojmë e të sakrifikojmë për të. Nënat tona bashkë me qumështin e gjirit që na dhanë, na shprehën edhe dashurinë me ëmbëlsinë shpirtit e të gjuhës së shqipe, si gjuhë e zemrës dhe përkatësisë shqiptare. Por ne bashkë me qumështin e tyre e thithëm edhe blozën e robërisë jugosllave dhe u rritëm të pushtuar, duke përjetuar dhembje e tortura shpirtërore.

Këngët , rrëfimet, historitë e së kaluarës nuk mund të harrohen kurrë, sepse ato janë pjesë e formimit tonë edukativ, atdhetar e shoqëror. Ka shembuj e shembuj të shumtë në historitë e rrëfimet e dhembshme shpirtërore, por ka edhe ndodhi të llahtarshme, që na i kanë shkaktuar jugosllavët  e në veçanti serbët, ndodhi të cilat s’ka lapsi t’i përshkruajë e nuk ka as letër për t’i zënë.

Në një atmosferë të tillë u rritëm, prandaj pa as më të voglin dyshim deshëm të bënim diçka, të organizoheshim në grupime organizata e përbërje atdhetare  të vepronim për atdheun, për çlirimin e viseve të pushtuara dhe bashkimin me pjesën e Shqipërisë së lirë.

Këtu nuk mund të mos them me bindje të thellë e kënaqësi të shpirtit, se Radio Tirana, Radio Kukësi, Radio Shkodra, Televizioni Shqiptar, literatura, romanet, poezitë, historia dhe veprat të tjera e vlerat që na kanë ardhur nga ajo pjesë e atdheut të lirë, kanë qenë ushqimi më i shëndetshëm atdhetar e shpirtëror që e kemi pranuar dhe jemi frymëzuar për të ecur në udhën e bashkimit të tërësisë së  Shqipërisë së natyrshme me të gjitha degët e pjesët e saj.

Prandaj ky zjarr i fuqishëm atdhetar nuk kishte si të mos e orientonte rininë shqiptare, të organizohej ditë e natë për të vepruar kundër pushtimit jugosllav.

Por edhe pushtuesit ishin të organizuar për t’i gjurmuar, ndjekur e arrestuar, burrat, djemtë e vajzat shqiptare të organizuara, familjet e të afërmit e tyre.

Rrëfimet e të burgosurve shqiptarë si Jashar Aliaj, Ahmet Qeriqi, tregojnë sesa shumë atdhedashës të rinj e të vegjël të ishin organizuar për t’i çliruar viset e pushtuara shqiptare, por ata na tregojnë edhe për kërcënimet, e vuajtjet, nën torturat serbe dhe shpirtshiturve tradhtarë si  Sylë Rexhepi apo siç i kishin thënë kolegët e tij “Babë Rexhepi”

Rrëfimet e Ahmet Qeriqit tregojnë për ndërgjegjen atdhetare të një pjese të të rinjve dhe fëmijëve siç ishte ai vetë me shokët e tij, të cilët vepronin që në shkollë. Ai na tregon edhe për arrestimin që e kishte ndërmarrë policia dhe për torturat që ia kishin shkaktuar atij që atëherë, sidomos një hetues serb. Kur ai nuk kishte pranuar fare t’i tregonte shokët e tij hetuesi serb do që t’ia shtypte kokën dhe vazhdon Ahmeti të tregojë se si hetuesi e kishte përplasur e goditur e rrëzuar në dysheme dhe më pas se si me shqelm e qëllon në hundë e se si e kishte humbur vetëdijen.

Rrëfimet e tij tregojnë për mizorinë dhe barbarinë serbe, çetnike  madje edhe ndaj fëmijëve, por rrëfimet e tij paraqesin edhe qëndresën e guximin e atdhetarëve shqiptarë për të mos u dorëzuar e për t’u mos dhënë e për të mos e pasur asnjë shenjë pendimi e ligështimi të rinisë shqiptare para torturave të gjakatarëve serbë e jugosllavë e tradhtarëve shqiptarë.

Në librin “Rrëfime nga burgu” shumë vëllezër e motra e kanë shkruar dhe kanë dhënë shumë dëshmi, por këto janë vetëm një pjesëz e vogël e përpjekjeve, veprimeve atdhetare e vuajtjeve në burgjet jugosllave.

Këtu vlen të ceket Trëndelina Labënishti – Jaha , bija e atdhetarit të devotshëm e të paepur, njeriut që ka vepruar gjatë gjithë jetës së tij në rrugën e atdhetarizmit e humanizmit njerëzor Kadri Labënishti, i cili ka përjetuar ferrin në burgjet jugosllave, sidomos në Stara Gradish. Ajo tregon një pjesë të shkurtër të veprimtarisë dhe përjetimeve të saja, por domethënëse, së bashku me shoqet e saja Kadrije Gashin e Nazife Xhemajlin. Kjo tregon për të gjithë peshën e madhe të veprimtarisë dhe përpjekjeve atdhetare në rrugëtimin drejt lirisë dhe bashkimit të atdheut, ku një vend meritor kanë edhe motrat tona e bijat e popullit si Trëndelina.

Rafi Halili na jep të dhëna e dëshmi, se ai dhe shokët e tij, jo vetëm me laps, por edhe me armë ishin përgatitur për të vepruar atdhetarisht, siç edhe vepruan. Ai do të tregojë edhe për vuajtjet e mëdha në burgje.

Në këtë vështrim do cekur edhe Nysret Hajdari, veprimtaria dhe rrëfimet e tij në burg, i cili pa hezituar fare vepron pareshtur për lirinë e njëmendtë dhe tërësinë bashkimit të popullit e të Atdheut tonë. Ai veproi në Gjermani me Jusuf e Brdhosh Gërvallën e Kadri Zekën dhe shumë shokë të tjerë, por edhe në Kosovë së bashku edhe me të birin e tij Skënderin dhe shokë e Skënderit. Rrëfimet e tij në këtë libër janë fare të pakta në krahasim me librin e kujtimeve, rrëfimeve e veprimtarisë që akoma nuk e ka botuar, por që e ka  gati për botim. Ai së bashku me të birin e tij Skënderin i përjetuan vuajtjet e tmerrshme në burgjet jugosllave.

Nuk mund të mos e përmendim shokun e vëllanë tonë,  Ramadan Pllana dhe veprimtarinë dhe qëndresën e paepur të tij në burgjet jugosllave si dhe idealin e shenjtë për liri e çlirim të viseve shqiptare të robëruara dhe bashkimit të tërësisë së atdheut, ideal ky që atë e ka udhëhequr e udhëheq në jetën e tij.

Në këtë libër ka tregime dhe dëshmi e të dhëna të shumta nga Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Binak Ulaj, Skënder Ibishi e shumë e shumë të tjerë, por për arsye kohe nuk mund të trajtohen në tërësi dhënat e dëshmitë e tyre, sidomos në një vështrim të shkurtër, siç është kumtesa në raste të tilla përurimesh. Megjithëkëtë, nuk mund të mos e përmendim shokun tonë Agim Sylejmani, autor i këtij libri, i cili na mblodhi dhe ne po i shprehim mendimet e vështrimet tona për këtë libër dhe për punën e veprimtarinë e vëllezërve motrave tona në trojet shqiptare që ishin nën Jugosllavinë e atëhershme. Edhe Agimi i ka dhënë shumë dëshmi e të dhëna në librin e tij për burgjet jugosllave dhe tërësisht në rrugëtimin e veprimtarisë atdhetare,  e intelektuale tani edhe me vepra letrare, monografi e rrëfime dhe analiza dhe vepra të tjera. I urojmë Agimit të punojë pareshtur për të shfaqur edhe më tej veprimtarinë e tij të gjithanshme atdhetare.

23.3.2018

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …