leoni

Isuf Ismaili

Isuf Ismaili: Shfaqje e shkëlqyer në garat e nxënësve shqiptarë, në Zvicër

Arsimi dhe edukimi i nxënësve shqiptarë në frymën e jetësinë kulturore e shpirtërore shqiptare është jo vetëm i rëndësishëm për të gjitha familjet shqiptare në diasporë, por edhe për vetë zhvillimin e përparimin e  tërësisë së popullit shqiptar, pjesëtarë të të cilit janë edhe  mërgimtarët tanë.

Dallgët e jetës njerëzit i degdisin në vende të ndryshme të botës dhe i orientojnë në qytete e fshatra të ndryshme, ku gjejnë punë e kanë mundësi për të jetuar dhe padyshim shumëçka marrin nga ato vende, marrin dije e profesione të ndryshme, vese e sjellje të shumta si vendësit etj., por ajo që shqiptarët i bënë më të veçantë më të lidhur me rrënjët e atdheut, me kulturën e mirëfilltë e në hap me zhvillimin e  tërësisë  së popullit shqiptar, padyshim është mësimi dhe përvetësimi sa më i mirë e sa më i drejtë i të folurit dhe të shkruarit në gjuhën shqipe.

Gjuha shqipe, pa mëdyshje, është dhe mbetet çelësi më i madh dyerve të fatit tonë si shqiptarë, i lidhjeve sa më të mira e sa më të forta për të kultivuar e përcjellë dashurinë atdhetare te brezat e rinj, për ta mbajtur qenësinë e pastërtinë shqiptare, siç na kanë ruajtur e kultivuar të parët tanë, siç na ka edukuar shkolla, letërsia, historia e dija e shumanshme dhe e mirëfilltë shqiptare.

Jo rrallë shikojmë se njerëz të shumtë shqiptarë që shkëlqejnë në fusha e të ndryshme të profesioneve e dijeve të shumta dhe kjo arrihet me punë, me studime, me këmbëngulje e organizim të mirë e të përpiktë, por krahas punëve e shërbimeve të shumta, shqiptarët duhet të këmbëngulin që të përfshihen sa më shumë në shkollat ku mësohet gjuha, letërsia, historia, e kultura shqiptare. Kjo na nderon e na ruan origjinalitetin tonë.

Mërgimtarët e ndërgjegjshëm shqiptarë, pa mëdyshje janë organizuar e kanë vepruar e kanë dhënë ndihmesën e tyre në atdhe, disa kanë lënë edhe pikën e fundit të gjakut si luftëtarë e dëshmorë të atdheut, disa të tjerë pasurinë, disa janë organizuar e kanë bërë veprimtari të tjera si në kulturë, arsim etj.

Në vazhdën e organizimeve e veprimtarive të shkëlqyera atdhetare radhitet edhe Shkolla Shqipe në Zvicër, rrjedha  e cilës ka shkuar drejt  sukseseve  të shumta në qytete e fshatra të kantoneve zvicerane. Kështu janë hapur e po hapen shkolla të shumta në gjuhën shqipe. Nxënësit shqiptarë edhe pse fillimisht mezi flisnin disa fjalë shqip, dialektore, kuptohet,  të cilat i kanë mësuar nga prindërit e të afërmit, tanimë ata jo vetëm lexojnë e shkruajnë, por edhe recitojnë, këndojnë e flasin bukur.

Të gjitha këto të arritura janë një rezultat i shkëlqyer i punës, veprimtarisë dhe organizimit të përpiktë, por tepër të mundimshëm, në radhë të parë, të profesor Vaxhid Sejdiut, i cili edhe pse mban titullin doktor në lëmin e letërsisë, nuk pushon fare, por vepron pa hezitim që sa më shumë e sa më mirë të shkëlqejë Shkolla Shqipe në Zvicër. Nuk do mend se në krah të tij, në punët, veprimtaritë, në arsim e edukim janë edhe mësimdhënësit shqiptarë që punojnë me ndërgjegje e përkushtim.  Por, ajo që ata i bënë edhe më motivuar e me vullnet të madh është përkrahja që e ka dhënë e po e jep Ambasada e Republikës së Shqipërisë, dhe ajo e Republikës së Kosovës si dhe institucionet e tjera shqiptare.

Kështu Shkolla Shqipe në Zvicër me përkrahjen edhe të  Ambasadës së Republikës të Shqipërisë në Bernë, organizuan një garë me nxënësit shqiptarë. Për shkak të pandemisë, gara u zhvillua për herë të parë në platformën “Zoom” online. Në garë morën pjesë një numër i madh i nxënësve si lexues, recitues e këngëtarë. Në këtë garë morëm pjesë  njëqindenjëzetenëntë (129) nxënës, të cilët më të shumtit, lexuan disa pjesë të përgatitura me shumë përkushtim.

U vu re që pjesa më madhe e nxënësve lexonin duke zbatuar rregullat e drejtshqiptimit të gjuhës standarde shqipe.

Siç dihet, në disa pjesë shqiptare veriore e verilindore shqiptare është e theksuar hundorësia, prandaj, fjala vjen, edhe te zanorja A kur shqiptohet, por edhe disa bashkëtingëllore ngatërrohen e nuk theksohen mirë, siç janë bashkëtingëlloret: Ç, Xh, Q dhe Gj. Por, te këta nxënës, u vu re se edhe këto bashkëtingëllore e zanore u theksuan mirë. Kështu, ata lexuan duke iu përmbajtur edhe shenjave të pikësimit, intonacionit e aftësisë artistike, aq sa kishin mundësi. Kjo tregon për punën e përkushtimin e madh të mësimdhënësve shqiptarë.

Nxënësi, Lind Maxhuni, në klasën e katërt, nxënës i profesor Vaxhidit, lexoi në mënyrë të përkryer një pjesë të tregimit për Komandantin legjendar të UÇK – së Adem Jashari.

Ashtu siç ishte paraparë nxënësit kishin filluar të hyjnë në platformën online aty rreth orës 18:45 minuta  dhe pikërisht në ora 19:00 filloi edhe programi shkollor duke iu bërë thirrje fëmijëve që të koncentrohen për garën të cilën ishin regjistruar. Programin e udhëhoqi mësuesi Vaxhid Sejdiu

Garat zgjatën dy orë të plota. Të parët filluan garat në lexim

Pas garës së leximit, ishte gara e recitimit dhe ajo e këndimit, ku nxënësit dëshmuan edhe njëherë se janë artistë të vërtetë.

Dhe në fund anëtarët e komisionit, mësuesit e shkollave shqipe ( Isuf Ismaili, Mimoza Dako, Qefsere Sejdiu, Teuta Myrtaj, Ardjan Shaqiri, Nora Macula, Anita Duriçi, Liljana Doda – Gojani, Boralda Kuçi, Nazmije Kamberi, Arbresha Zimberi, Shkelzime Kurtaj dhe Jonida Bërdëllima) përgëzuan nxënësit për përkushtimin e tyre, edhe pse të gjithë qenë të mirë. Komisionet dhanë këtë vlerësim: në Garën e leximit fituesit janë: Ardita Kaliqi (Spreitenbach), Xhemali Elshani (Fällanden) dhe Alea Halimi (Neuenhof). Në Garën e recitimit: Gentonis Shala (Uster), Kjara Rashiti dhe Iad Ajgeraj (Bern), si dhe në garën  e këndimit: Gresa Shala (Uster), Erina Lumani dhe Leona Malo (Rüti) dhe Anina Kurtaj (Bern).

Kjo garë, këto suksese le të shërbejnë si motivim e nxitje që sa më shumë fëmijë të përfshihen në rrjedhën e natyrshme të mësimit të gjuhës e letërsisë, historisë e kulturës shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …