Puna, veprimtaria e përkushtimi i madh, i pakufizuar e i pandërprerë për të përhapur sa më shumë e më mirë dijet për përvetësimin e gjuhës shqipe e kulturës shqiptare në shkollat shqipe në Zvicër janë jo vetëm për t’u theksuar, por edhe për t’i pasur si shembull se si punohet e veprohet me profesionalizëm e ndjenjë atdhedashurie, se sa e rëndësishme dhe se sa e nevojshme është për ta mësuar gjuhën e nënës, si gjuhë e shpirtit dhe krenarisë shqiptare.
Shkollat shqipe në Zvicër janë çelur e po çelen në vazhdimësi, duke pasur parasysh mbi të gjitha punën e veprimtarinë këmbëngulëse dhe përkushtimin e gjithanshëm të profesor dr. Vaxhid Sejdiut, të mësueseve e veprimtarëve të denjë shqiptarë, edhe pse ndonjëherë në rrethana shumë të vështira, po ia dalin të përparojnë e të kenë suksese, jo vetëm për të çelur shkolla shqipe, por edhe duke ua mësuar nxënësve shqiptarë gjuhën, letërsinë, gjeografinë, historinë e kulturën shqiptare në nivele të larta e të zhvillimeve e përvojës edukative e arsimore.
Kjo punë, ky aktivitet e gatishmëri, kjo veprimtari sa arsimore aq edhe patriotike është duke ua ngrohur zemrat shqiptarëve të mërguar në Zvicër, sepse ata janë duke e parë, se fëmijët e tyre po përparojnë gjithnjë e më shumë, për sa i takon mësimit të gjuhës shqipe, kulturës e historisë shqiptare dhe zgjerimit të njohurive të përgjithshme, që ata po i përfitojnë në shkollat shqipe.
Kështu janë duke u hapur shkolla shqipe në qytete e vende të ndryshme të Zvicrës, në bazë të marrëveshjes që “Shkolla Shqipe” në Zvicër e bën me institucionet arsimore zvicerane.
Shkolla shqipe në Regensdorf e hapur këtë vit.
Duhet të saktësojmë, se vetëm brenda dy javëve të këtij viti shkollor janë hapur katër (4) shkolla, ku nxënësit tanë mësojnë në gjuhën shqipe, ndërsa vitin e kaluar shkollor u hapën tridhjetetre (33) shkolla.
Shkolla shqipe në Regensdorf e hapur këtë vit. Mësimdhënës, Vaxhid Sejdiu me nxënësit e tij.
Në shkollat e hapura, në këtë fillim të Vitit të Ri shkollor, në Regensdorf, në shkollën Rüttihof të qytetit të Cyrihut, në Oetwil am See, në Egg po punojnë mësimdhënës me përkushtim e aftësi profesionale.
Shkolla shqipe e hapur këtë vit në Rüttihof të qytetit të Cyrihut, ku punon mësuese, Nora Macula
Në Regensdorf punon mësimdhënës Vaxhid Sejdiu dhe mësimi mbahet ditëve të marta, po ditëve të marta punon edhe mësuese Nora Macula, në shkollën Rüttihof të qytetit të Cyrihut, ndërsa ditëve të enjte punon mësuese Albulenë Jusufi në Oetwil am See dhe në Egg të kantonit të Cyrihut.
Shkolla shqipe në Oetwill am See, e hapur këtë vit, ku punon mësuese, Albulenë Jusufi
Shkolla shqipe në Egg, e hapur këtë vit, ku punon mësuese, Albulenë Jusufi
Duke pasur parasysh se gjuha është një nga pasuritë më të vyera shpirtërore, që lidhet me zanafillën e përpjekjet njerëzore për t’u pasuruar me vetëdijen e emancipimin shoqëror e kulturor, por edhe duke pasur vazhdimësinë në shekuj, me rrënjët etnike e zhvillimet e përgjithshme shoqërore, një pjesë e mirë e shqiptarëve në Zvicër nga pjesët e ndryshme të vatrave të Atdheut tonë, janë duke i shfrytëzuar mundësitë për t’i dhënë sa më shumë gjallëri e atdhedashuri fëmijëve shqiptarë, që janë lindur në mërgim, në drejtim të ruajtjes së identitetit, gjuhës e kulturës shqiptare. E kush më mirë se shkollat shqipe mund të kultivojnë e gjallërojnë shpirtin e fëmijëve tanë, për të ruajtur gjuhën, për ta mësuar atë sa më mirë!