Ksamili është një nga vendbanimet, interesante të Shqipërisë, meqë është një nga vendet e perlat e bukura të bregdetit shqiptar. Në Ksamil ka plazhe të shumta, por me hapësira jo të mëdha, gjire detare, të cilat gjatë pushimeve verore mbushen plotë e për plotë me turistë vendës, pra me shqiptarë edhe nga Kosova e trojet të tjera shqiptare nën Maqedoninë e sotme, me shqiptarë nga Tirana, por edhe nga veriu e jugu i vendit dhe të viseve të tjera shqiptare, por edhe me të huaj nga vendet e ndryshme të Evropës.
Në Ksamil, i kalova pushimet verën që shkoi. Pata fatin të rri në shtëpinë e profesor Halil Shabanit. Halil Shabani është një intelektual, shkrimtar e shkencëtar shumë i përpiktë, i cili ka shkruar si vepra historike, ashtu edhe vepra letrare me motive historike, libërtha përshkrimesh turistike, ka bërë gjurmime arkeologjike dhe ka një pasuri shpirtërore të jashtëzakonshme, një urtësi njerëzore e një dashamirësi e dashuri të madhe për popullin shqiptar dhe atdheun si tërësi etnike e të natyrshme. Profesor Halili është nga Çamëria, nga ajo pjesë Çamërisë që është në Republikën e Shqipërisë. Ashtu siç e shkëputën Kosovën serbët barbarë nga trungu i Shqipërisë edhe Çamërinë e shkëputën grekët barbarë nga Shqipëria. Kosova e Çamëria dhe viset ë tjera shqiptare që pushtuan egërsisht nga serbët, maqedonasit, malazezët e grekët janë dhembja e tmerrshme e plagës shqiptare, vuajtja e pa përshkruar, por edhe dashuria e horizonti i orientimit tonë për të përmbushur detyrimin ndaj atdheut dhe porosinë e dëshmorëve dhe heronjve shqiptarë, që ranë për ta jetësuar bashkimin e popullit shqiptar e trojeve të tij etnike në një Shqipëri të vetme e të përmbledhur, sipas së drejtës etnike, historike, faktike dhe vullnetit të të gjithë shqiptarëve të devotshëm. Këto e shumë të tjera, si për historinë, letërsinë, arkeologjinë, etnografinë dhe gjuhësinë qenë temat e bisedave me profesor Halilin. Sidomos temat me bazë historike e arkeologjike, qenë mësime shumë të vlefshme për mua.
Ditët e bukura e sidomos mëngjeset me një shkëlqim të diellit në Ksamil dhe në Sarandë me gjithë rrethinën, janë të veçanta, meqë e shpalosin një bukuri mahnitëse dhe një ndjesi të këndshme, do ta thosha figurshëm e dehin njeriun me pasurinë e larmishme, që ka ajo pjesë e atdheut.
Në mëngjes dilja në oborrin shtëpisë dhe aty e gjeja profesorin, duke punuar në bahçen e tij. Ulesha në karrige dhe ai më thoshte se do të vinte shpejt.
Fillonim me tema të rëndësishme për arvanitasit, Çamërinë, për Aristidh Kolën, këtë burrë të çmuar e atdhetar të devotshëm që ka shkruar vepra për pellazgët, për ilirët, për arbrit, për pasardhësit e atyre të parëve, pra për shqiptarët, për Kosovën se si ka mbrojtur të drejtën për çlirim nga Serbia, si është përballur me grekët e verbuar nga urrejtja e shovinizmi pa fre, nga një kundër-shqiptarizëm i tërbuar.
Me profesorin u miqësuam shpejt dhe një ditë më tha:
– Isuf, besoj se ke dëshirë të shkojmë së bashku një ditë në Konispol dhe në fshatrat për rreth, pra në Çamëri.
– Unë së pari ndjehem tepër i nderuar, profesor dhe jo vetëm kam dëshirë të shkoj në atë pjesë të atdheut, po e ndjej edhe detyrim, – i thashë atij.
Nisemi në drejtim të Butrintit, rrezet ngrohta të diellit, kaltërsia e detit, ajri i pastër, kodrinat që na shfaqeshin, të gjitha janë një kënaqësi e një udhëtimi të këndshëm.
Profesori më shpjegonte dhe unë i regjistroja në mendjen time. Kur iu afruam Butrintit, Halili tha:
– Gjurmët e para të jetës në Ksamil njihen në bazë të zbulimeve në një shpellë buzë liqenit të Butrintit. Aty janë gjetur materiale prej qeramike dhe objekte prej gurit, të cilat datojnë, që në periudhën e neolitit.
E drejtoja veturën dhe ecja ngadalë, duke e dëgjuar profesorin dhe duke soditur me kujdes natyrën e bukur. Pranë Butrintit, rruga lidhet me anën një lundre për të shkuar në fshatrat e Çamërisë dhe Konispol. Pasi kaluam në anën tjetër e lamë pas Butrintin, këtë qytet antik, në të cilin kam qenë shumë herë.
Butrinti është pra një qytet i lashtë antik, i cili cilësohet si pasuri e trashëgimisë kulturore e botërore, shpallur nga UNESCO.
Fillimet e jetës nga zbulimet e deritanishme në Butrint, nisin diku nga shekulli i tetë apo shtatë para epokës sonë, para Krishtit dhe vazhdojnë deri në periudhën e Mesjetës. Ndër objektet më të rëndësishme të tij, të zbuluara janë tri muret rrethuese, teatri i periudhës antike, banesa me peristil (varg kolonash), baptisteri (pagëzimtar), ujësjellësi që i sillte ujërat nga fshati Xarë, ka edhe disa kisha të periudhës mesjetare, por edhe kalanë dhe po ashtu ka kulla venciane.
Rruga kalon në mes të fshatit Vri, majtas duket fshati i ri Shëndëlli, në lidje në kurrizet e disa kodrave shtrihet fshati Xarë. Xara përbën vendbanimin më të lashtë të viseve shqiptare. Aty janë zbuluar objekte prej stralli, që nga periudha e paleolitit të hershëm, rreth 45 mijë vjet më parë. Rruga automobilistike kalon pranë fshatit Mursi drejt juglindjes dhe pastaj hyn në fshatrat e Konispolit, pra në Çamëri, në pjesën e Republikës së Shqipërisë. Gjeografikisht mbi urën e lumit Pavlla fillon kufiri verior i krahinës së Çamërisë. Para na shfaqet një kodër konike gjigande, mbi të cilën banorët vendës epirotë në fund të shekullit të pestë para Krishtit, kanë ndërtuar qytetin antik Çuka e Ajtojt. Muret rrethuese, pallati, banesa në shkëmb, porta tradicionale dhe rreth dyzetë banesa, përbëjnë treguesit kryesor të këtij qyteti antik. Këtu është zbuluar edhe Perëndia e Kybelës. Më pas shfaqet një luginë gjigante , lugina e Vardharit të Konispolit dhe në fund të saj shtrihet qyteti i Konispolit. Konispoli është qendër e shtatë fshatrave çame në pjesën e shtetit shqiptar. Lugina e Vardharit është e pasur me banesa antike të periudhës romake, vendbanime të antikitetit të vonë, si Bregu i Stërres, etj,.
Në vitin 1987 në shpatin e malit Saraqind, është zbuluar shpella e Kreshmoit, vendbanim, që zë fill 27mijë vite më parë. Aty janë gjetur materiale arkeologjike të periudhave të shumta historike si: Paleolitit, Mezolitit, Neolitit, të epokave Bakrit, Bronzit, e Hekurit e deri në Mesjetë.
Ka rëndësi të veçantë për të theksuar, se këtë qendër banuese, banorët nuk e kanë braktisur, për një periudhë mijëvjeçare.
Konispoli është një qytet i vendosur mbi shtatë kodra, me një popullsi autoktone shqiptare. Në mesjetë janë ndërtuar edhe katër kala si ajo e Burorit, e Qafës së Pazarit, e Bregut të Koçit, dhe ajo e Nartës. Kjo e fundit ndodhet në një gjendje mjaft të mirë, në kufirin mes tokave çame në Shqipëri dhe atyre të pushtuara nën Greqi.
Në mesjetë Konispoli arriti të ketë një zhvillim të madh, pasi u ndërtua pazari Mesjetar dhe shumë banesa voluminoze, të pasanikëve të qytetit. Sot në këtë qytet ka tetë banesa me status të veçantë të shpallura nga Ministria e Kulturës. Ndërsa pazari ruan ca relikte në krahun e djathtë, i cili është imitim i pazarit të Filatit dhe Delvinës. E veçanta e popullsisë dhe ndërtimeve është, se qyteti nuk është braktisur asnjëherë që nga paleoliti e deri në ditët e sotme.
Në dokumentet e shkruara Konispoli del qytet më vete që në shekullin e tetë pas Krishtit. Në dokumentet turke, regjistrimet që i kanë bërë deri më 1585, Konispoli rezulton me një qendër të madhe banuese, me një skele në detin Jon prej ku zhvillonte tregti me ishullin e Korfuzit.
Në pikëpamjen e trashëgimisë, kulturore dhe etnografike Konispoli, futet në përbërje të popullsisë homogjene shqiptare, me kulturë të lashtë nga gurra etnisë ilire e arbërore. Ndërsa nga treguesit gjuhësor, çamërishtja është pjesë e dialektit të toskërishtes. Konispoli gjithashtu ka dhënë figura të shquara të kulturës shqiptare, si Lekë Matrëngën, poetin bejtexhi, Muhamet Kyçki, Çami, por edhe e filozofin, dijetarin e shquar Hasan Tahsini, i njohur për dituritë e tij të gjithanshme dhe kontributin e madh në kulturën shqiptare e njerëzore përgjithësisht, që dha ndihmesë Lëvizjes për çlirimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane dhe ndihmesë për bashkësinë shqiptare si tërësi etnike. Kjo pjesë e Çamërisë ka dhënë edhe valltarin e njohur Osman Take, e luftëtarin e për pavarësinë e Shqipërisë Alush Taka. Nga pikëpamja fizike e gjeografike krahina e Konispolit përbën një sipërfaqe kodrinore, malore e fushore. Në fusha kultivohen me shumicë mandarinat dhe portokallet, ullirin dhe bajamen etj., gjithashtu e ka të zhvilluar edhe blegtorinë, më së shumti dhentë e dhitë, por edhe të tjerat. Prodhohet djathi cilësor, sepse edhe ushqimi i bagëtive është plotësisht i natyrshëm dhe i pasur edhe me bimë të shëndetshme. Aty bashkohen rrymat ajrore detare e malore. Ka bimë të shumta që i shfrytëzon mjekësia në fushën e Vardhait dhe në shpatet e malit Saraqind. Ka kullota të shumta dhe natyrisht të gjitha këto kanë dhënë një pasuri të madhe prodhimit të djathit, mishit e mjaltit.
Aty fare afër Konispolit ndodhet edhe dogana e Qafë Botës.
Profesor Halili më tregonte se si kishin ardhur vëllezërit çamë, aty afër të dërmuar shpirtërisht, të lodhur fizikisht, me fëmijë, gra e pleq. Mua më kujtohej se ç`kishin thënë nënat çame, pleqtë e asaj ane, se ç`vuajtje, se ç`tmerre, se sa gjak e lot kishin lënë në tokat e tyre, se sa dhembje e trishtim kishin. Më kujtohej se ç`kishte thënë profesor Hajredin Isufi dhe profesor Pëllumb Xhufi, për masakrat barbare të grekëve kudër shqiptarëve në Çamëri, se si i kishin vrarë e copëtuar burrat, se si kishin folur për dhunimet dhe masakrimet e grave e vajzave si në Filat e Paramithi e në vende të tjera çame. Profesor Hajredini thotë, se banditët e me në krye Napolon Zervën në Filat kishin bërë turpin më të madh dhe kishin njollën më të zezë, që e kanë lënë atje, duke i mbledhur burrat e duke ngujuar gratë e vajzat në një shkollë. Burrat i kishin vrarë e gratë e vajzat i kishin dhunuar dhe lakuriq i kishin hedhur sa te njëri bandit në njërin skaj dhe sa te të tjerët në skajin tjetër. Më kujtoheshin shkrimet e njerëzve , përshkrimet e torturave greke, të cilët kishin nxehur shumë vajin e ullirit dhe e kishin hedhur mbi gjokset e burrave shqiptarë, duke ua shuar jetën.
Krimet greke, janë si krimet barbare serbe mbi shqiptarët e Kosovës. Krime të një çmendurie, masakra barbare dhe dhembje të madhe. Një lëmsh i madh urrejtje më ishte mbledhur, kundër këtyre barbarëve, kundër këtyre armiqve. Në gropën e gjoksit dhembja dhe trishtimi më gërryente, fjalët më ishin mbledhur në grykë e nuk dilnin dot, ato thuheshin me zemër: – Çamëria kjo pjesë e trungut dhe shpirtit shqiptar, kjo krahinë e Shqipërisë, është e do të jetë dhembja e madhe e të gjithë shqiptarëve liridashës, atdhetarë e të ndershëm, që kanë dashurinë për çdo pjesë të Atdheut tonë të përbashkët, si bashkësi etnike gjuhësore, tradicionale, shpirtërore, territoriale, e gjakut dhe frymëzimit dhe vazhdimësisë ilire, arbërore e shqiptare. Çamëria, pjesën më të madhe të së cilës e ka pushtuar Greqia, është jo vetëm dhembja, por edhe detyrimi ynë i përbashkët të bëjmë për të, jo të pamundurën, por atë që kemi mundësi, të shkruajmë e të flasim ta theksojmë e ta paraqesim botërisht dhe çdo gjë tjetër që i vjen në ndihmë realizimit të së drejtës çame si tërësi etnike shqiptare, si krahinë që së bashku me Kosovën, dhe viset të tjera shqiptare, që i mbajnë të pushtuara maqedonasit, malazezët dhe serbët, janë pjesë të pamohuara të Shqipërisë.
Nga Qafë Bota e drejtoja veturën për në Konispol dhe e dëgjoja profesor Halilin duke folur, në zërin e tij herë kishte dhembje e herë krenari, herë kishte mall e herë gëzim. Ai kishte punuar shumë, ka dhënë shumë si intelektual, arkeolog e historian duke i rrëzuar shtrembërimet e gënjeshtrat, mohimet dhe falsitetin grek për Çamërinë e viset të tjera shqiptare.