Isuf Ismaili: Radio Kosova e Lirë, radio e nderit dhe lavdisë shqiptare

Isuf Ismaili: ZANORET (Vokalet)

Zanoret janë tinguj të plotë, por edhe të pavarur. Veçorinë e zanoreve është e rëndësishme ta kuptojmë që në hapat e parë të mësimit të gjuhës standarde shqipe. 

Gjatë nyjëtimit të zanoreve, duhet të kemi kujdes gjithmonë që ato nuk duhet të hasin pengesa në gojë e as në hundë. Meqë, zanoret janë të pavarura dhe të plota, bashkëtingëlloret mbështeten në zanore dhe së bashku formojnë një tërësi shqiptimi – rrokjen. Por, zanoret mund të qëndrojnë, pa u bashkuar me ndonjë    bashkëtingëllore dhe ato mund të formojnë rrokje, p. sh.  a-ra, e-rdhi, ë-ma, o-ra,  u-ra etj.

Gjuha letrare a standarde shqipe ka shtatë zanore. Ato janë: A, E, Ë, O, I, U dhe Y.

Shqiptimi i zanoreve sipas rregullave të drejtshqiptimit, ka rëndësi të madhe, madje është edhe nevojë e domosdoshme t’i përmbahemi rregullave, sepse kështu, duke zbatuar rregullat e flasim pa gabime gjuhën standarde shqipe. 

Herë – herë, shqipfolësit e trevave të ndryshme shqiptare, vihen re, se cilës trevë i takojnë, sapo ata i nyjëtojnë zanoret. Kjo ka rëndësi të madhe edhe për dialektologjinë edhe për dialektologët.  

Nyjëtimi i zanoreve

Kur e nyjëtojmë zanoren A  gojën e hapim më shumë se për çdo zanore tjetër, por gjuha tërhiqet pak prapa.

Për ta nyjëtuar zanoren E, goja hapet më pak, por pjesa e mesme e gjuhës shkon pak në drejtim të qiellzës së fortë.

Kur e nyjëtojmë zanoren Ë, goja hapet mesatarisht dhe pjesa e mesme e gjuhës ngrihet te qiellza e fortë, (aty nga mesi i qiellzës së fortë).

Kur e nyjëtojmë zanoren O maja e gjuhës shkon te qiellza e butë, a e poshtme, buzët zgjaten pak përpara duke formuar një shteg të rrumbullakët.

Ndërsa për nyjëtimin e zanores I pjesa e parme dhe e mesme e gjuhës shkon në drejtim të qiellzës së fortë a të sipërme.

Kur e nyjëtojmë zanoren U gjuha shkon pak mbrapa, ndërsa pjesa e parme shkon në drejtim të qiellzës së butë dhe buzët shkojnë shumë përpara.

Zanorja Y nyjëtohet duke çuar pjesën e përparme të gjuhës lart nga drejtimi i qiellzës së  fortë dhe buzët shkojnë shumë përpara.

 

 

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …