Gjithë natën kishte rënë shi, edhe ditën herë pas herë binte. Shiu dhe lagështira e të ftohtit sikur na futen në palcë. Kjo kohë me shi me mjegull e lagështirë të kujton romanin ”Mërgata e qyqeve” të shkrimtarit të mirënjohur të letërsisë së sotme shqipe Nasho Jorgaqi. Mërgatë e qyqeve atëherë, mërgatë e qyqeve tani; shi, mjegull e lagështirë atëherë, njësoj edhe tani.
Në sytë, në shikimet, në mendjet, në gjestet, në zymtësinë, në ofshamat e psherëtimat, në bisedat e liridashësve shqiptarë, veprimtarëve të devotshëm shpërthen zemërimi dhe sikur zëri i tyre mblidhet në një zë e buçet pastaj: “Ne punuam, vepruam jetuam e jetojmë për Shqipërinë, për ribashkimin e saj, për mbarëvajtjen e saj e jo Atdheu të ndahet në gjashtë copë, jo kështu në mjerim e vuajtje të njëpasnjëshme të rrojë populli ynë, jo të jetë Atdheu ynë i nëpërkëmbur.”
Shkrimtari, studiuesi dhe veprimtari shquar shqiptar, Kadri Rexha më thotë:
– Vetëm bacë Adem Demaçi dhe Ahmet Qeriqi na mbledhin me burra dhe trima patriotë, prandaj e ndjej veten mirë në kuvende të tilla dhe zymtësia zhduket.
Ishte 11 nëntor 2012, atë ditë ishte caktuar të përurohej vepra: “Shkrumbnajë e dashurie” e Adem Demës e këtij simboli të rezistencës shqiptare, e birit të shtrenjtë dhe shumë të dashur të Nënë Shqipërisë, i cili veproi e vepron pareshtur për lirinë e njëmendtë, për ribashkimin e popullit shqiptar dhe të trojeve të tij.
Sa bukur tingëllojnë vargjet e këngës: “Faqebardhë Kosova Nanë” të kënduara nga Luan Zhegu:
“Po ai trim Adem Demaçi,
Qenka burrë me palcë Shqipnie”
Në vrullin shpirtëror të këtij burri gjallëron dashuria e flaktë për popullin e tij dhe njësohet në zjarrin patriotik të të gjithë atyre që ruajnë e në zemër në mendje të shenjtë Nënëmadhen Shqipëri.
– Unë jam njësoj si ju, i thjeshtë, vëllezër e motra, mos më bëni privilegje. Njerëzit e thjeshtë, populli i dashur ka merita të mëdha, nënat tona, baballarët tanë, që na mësuan, që na e ruajtën gjuhën kanë merita të mëdha. Në qoftë se vlej unë diçka, ka merita nëna Nazife. Më kishte djalë të vetëm, por edhe nëna e Ahmet Haxhiut atë e kish djalë të vetëm edhe të tjerët kështu, por ato na thanë: “Mirë punoni e veproni se keni një nënë më të madhe, nënë Shqipërinë, se ne këtu jemi, – sapo i tha këto fjalë Adem Dema, shpërthyen duartrokitej të forta, njerëzve iu ndriti fytyra dhe iu qeshi shpirti.
Kur u nisëm me veturë për në Wettingen binte shi. Shoku im Jashar Balaj po ngiste veturën. Me ne ishte edhe shoku ynë Skënder Hajdari. Që të dy janë veprimtarë të devotshëm, që i janë përkushtuar lirisë dhe çështjes shqiptare, bashkimit të atdheut. Gjatë rrugës e ndezëm situatën dhe atmosfera shpirtërore po ngrohej po bisedonim për ecurinë e zhvillimeve politike dhe kombëtare. Kur arritëm në Wettingen po binte shi. Megjithëkëtë sikur nuk e ndjenim shiun. U futëm në sallën ku do të bëhej takimi. Nuk kishte shumë njerëz fillimisht.
Derisa Skënderi po e rregullonte kamerën profesionale për ta filmuar manifestimin dhe unë nga pak po ndihmoja, hyri Bacë Adem Dema, fytyra i shndriste, sytë tij shprehnin gjallërinë e jetës dhe krenarisë njerëzore e kombëtare, flokët e bardha dhe rrudhat tregonin vuajtjen, por ecja dhe energjia atdhetare, dëlirësia njerëzore e tij i kishin munduar të gjitha vështirësitë, të gjitha vuajtjet, të gjitha pengesat dhe shëndeti i tij fizik e mendor e bëjnë të ecë drejt dhe ta përballojë këtë jetë në këtë kohë, kur shumë njerëz kanë shkarë, kanë lajthitur edhe politikisht edhe moralisht edhe atdhetarisht.
Ndërsa Bacë Adem Dema si një yll në errësirë, si një pishtarë ndriçimi me kurrizin drejt vepron e nuk ndalet kurrë, në rrugën e nderit atdhetar e njerëzor.
Ngazëllimi i shquar i shfaqur edhe në sytë njerëzve në sallë krijoi një gjendje të këndshme, ngrinte lart gjallërinë e një kënaqësie shpirtërore, mbase të harruar prej kohësh.
I shtrëngojmë duart fort me bacën Adem dhe fillojmë e ulemi në vendet tona në karriget pranë shokëve e njerëzve të njohur. Nuk vonoi shumë dhe na lajmëruan se mund ta merrnim romanin: “ Shkrumbnajë dhe dashuri “ Sapo e merrnim nga një libër, venim te autori Adem Dema, për të na e dhënë nga një autograf. U bë një rrëmujë e këndshme, dikush e merrte autografin, të tjerë përgatiteshin për ta bërë ndonjë fotografi, filluan shkrepjet e aparateve fotografikë. Baca Adem i gatshëm si përherë në raste të tilla iu plotësonte dëshirat njerëzve.
Nuk vonoi shumë e në sallë u përhap zëri i himnit kombëtar, dhe në shenjë respekti e krenarie atdhetare qëndruam në këmbë. Më pas u nderua jeta dhe vepra e heronjve dhe dëshmorëve, u bë një minutë heshtje.
Nga altoparlantët u përhap zëri:
– Tani, të dashur bashkatdhetarë, do të fillojmë, të flasim për veprën e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, për Bacë Ademin, që e kemi në mesin tonë. Ata që duan të kenë autografin e tij mund ta marrin pastaj.
Shpërthyen duartrokitje të ngrohta.
Në ballë ishte tribuna, një flamur i madh kombëtar dhe shkronjat madhështore UÇK ës, më tej një portet i madh i bacë Adem Demës. Atje ishin edhe tavolinat dhe karriget për diskutuesit e studiuesit. Ulen në karriget e tyre : magjistër Fatmir Arifi, bacë Ademi, magjistër Kadri Rexha dhe veprimtari Agush Buja.
Në tribun doli, veprimtari Ibush Neziri, i cili na e fali një gëzim shpirtëror nga shkëlqimi i një ngazëllimi të tij dhe shikimi vëllazëror, i cili ndër të tjera fillimisht tha:
“- Sot për neve është nder dhe kënaqësi, që në mesin tonë ta kemi simbolin e rezistencës sonë kombëtare, njeriun që gjithë jetën e tij u dogj si qiri për të na ndriçuar neve, të tjerëve, luftëtarin e madh për të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare…”
Më pas tha se sot Baca Adem ka ardhur, që bashkë me ne ta shënojmë Njëqindvjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe njëqindvjetorin e luftës dhe përpjekjes për çlirim dhe bashkim kombëtar.
Me një zë burrëror e karakteristik me një qëndrim të drejt dhe energji të thellë shpirtërore u paraqit studiuesi e veprimtari i shquar Kadri Rexha, i cili ndër të tjera tha se për të ishte e vështirë të fliste vetëm për romanin e botuar tani, të Adem Demës dhe të mos fliste veprën e tij të gjerë e të thellë, mbi gjysmë shekulli të gjatë dhe përjetësisht të vulosur në histori. Ndër të tjera tha:
“Adem Dema nuk rreshti asnjëherë të jetë zë i popullit të vet, ndërgjegje e zgjuar e bashkatdhetarëve të robëruar dhe kambanë alarmi e kohës sonë. Njëzet e tetë vjet vuajtje nëpër burgjet e errëta dhe të lagëta të pushtuesit në emër të progresit historik! Njëzet e tetë vjet qëndresë përballë torturave fizike dhe psikike të UDB-së në emër të drejtësisë! Njëzet e tetë vjet stoicizëm. përballë fyerjeve dhe përbuzjes së armikut në emër të lirisë së popullit të vet! Me plot kuptimin e fjalës: simbol i rezistencës dhe flijimit shqiptar”
Ai pastaj foli edhe për veprën letrare artistike të Adem Demës, rëndësinë e saj.
Ishte një natë e mrekullueshme, një takim i këndshëm një gjendje e mrekullueshme shpirtërore.
E si të mos mbusheshim me kënaqësi shpirtërore dhe energji, mbasi fjala qëndrimi, krenaria, forca e argumentit dhe arsyes së Bacë Adem Demës përhapnin lëngun e jetës kombëtare e njerëzore.
Porositë e tij janë të qarta dhe na thotë të bashkohemi në shoqata në organizata për t`i ardhur në ndihmë popullit shqiptar dhe bashkimit të Shqipërisë.
Ai na porositë të mos ndalemi, të mos vetëkënaqemi.
“ Ka nevojë për të dhënë minimumin nevojshëm dhe kur të bashkohen këto minimume do të bëhet një lum i madh, i cili do të çojë përpara dhe do të hapen rrugë që këto copa që janë ende të ndara të bashkohen.” Pra e kishte fjalën për bashkimin e Shqipërisë duke na thënë se janë krijuar rrethana shumë të përshtatshme për të punuar e vepruar për kombin dhe Atdheun.
Përshtypjet e këtij takimi i ruajmë të ngrohta në zemër.