Atë ditë në mëngjes sapo dolëm nga trageti në Bari të Italisë, binte shi, shi që edhe më shumë na e shtonte zymtësinë, mërzitjen dhe dhembjen.
Gjithnjë në atë port ndjehem i gëzuar dhe i kënaqur sa herë nisem për në Shqipëri, por çdo herë kam ndjerë dhembje, mërzitje e shqetësime të mëdha, kur jam kthyer nga Durrësi për në Bari.
Durrësi më kujton dhembjen e madhe shpirtërore, shkrehjen time me vaj dhe shpërthimin e lotëve çurg, kur unë për herë të parë po ndahesha nga Atdheu im për të kërkuar strehim politik, në ndonjërin nga vendet e Evropës perëndimore. Sa herë e kujtoj atë gjendje më shkakton një ligështim, një dhembje të madhe dhe përmallim. Mbase kjo është një histori e gjatë, por diçka të ngjashme më shkon në mendje, sigurisht edhe për atë dhembjen e madhe arbëreshe, që e kishin lënë tokën e të parëve, për të kërkuar shpëtim në Itali. Kush e di sa dhembje të madhe, sa lot, sa mall, pasiguri e huti kanë përjetuar arbëreshët, ata arbëreshë pjesë e të parëve tanë, që kishin ikur në Itali pas vdekjes së Heroit, tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që kishin luftuar për njëzetepesë vite me radhë për të mbrojtur Arbërinë, nga Perandoria Osmane. Po a ka laps dhe letër që mund t`i përshkruajë ato përjetime?! Jo dhe jo e madhe. Megjithëkëtë, ne përpiqemi dhe shkruajmë e flasim dhe duhet të bëjmë kështu, se shpirti i arbrit rron e do të rrojë, se brezat e rinj duhet dhe do të kujtojnë se arbëreshët janë gjaku ynë i damarëve të përbashkët.
Bari më kujton vargjet e famshme të Zef Serembes: ”Arbëria matanë detit na kujton/ se ne të huaj jemi te ky dhe.”
Atë ditë më thërriste gjaku i arbrit, atë ditë më thërriste Jeronim de Rada dhe në vesh më tingëllonte ëmbël vargu i tij: “Gjaku arbrit rron.”
Ne e kujtojmë De Radën si flakadanin e udhërrëfyesin e Rilindjës sonë Kombëtare Kanë kaluar vite, por të gjalla i kam kujtimet e shkollës së mesme e sidomos një kujtim nuk më hiqet nga mendja, kur profesor Xhemail Pllana po e pyeste në fund të vitit një nga shokët tanë, i cili ishte shumë i dobët në mësime. Pasi atij i ranë disa pyetje nga gramatika, profesori i tha të kalonte në pyetje të tjera dhe atij i ra tema për jetën dhe biografinë e Jeronim de Radës. Por shoku ynë nuk e dinte as atë. Atëherë profesori ynë me atë shikimin e tij të mprehtë dhe ngrohtësinë e dashurisë atdhetare i tha: “ Po sikur të kishte mundësi De Rada të ngjallej e të na dëgjonte, do të na thoshte: Po unë tërë jetën time e kam shkrirë për arbëreshët, pra për shqiptarët, për Shqipërinë, po të paktën, përse biografinë time nuk ma mësoni?!” Këto fjalë të profesorit na bënë përshtypje të mëdha, ishin jo vetëm mësim i zakonshëm, por edhe prush i atdhetarizmit dhe krenari e gjakut të pastër e të pashuar arbëresh.
Pra atë ditë më buçitnin veshët, nga veprat e De Radës, Zef Serembës, nga vetë arbëreshët që kanë një gjallëri e përkushtim atdhetar.
Isha nisur për në Zvicër, por mendja më rrinte tek arbëreshët në Itali. Ndaloj makinën dhe gruas e fëmijëve të mi ju thashë:
Zemra ma do, sonte të shkojmë tek ndonjëri katund arbëresh, si thoni ju? -Sytë mi kishin marrë një shkëlqim gëzimi të veçantë. Ime shoqe më thotë:
Po ty edhe sytë po të qeshin.- Kështu edhe ime shoqe edhe fëmijët ranë në
një mendje. Shikoj një hartë të Italisë dhe fillova të merrja të dhënat e udhëtimit. Ia dhashë treguesit të rrugëve,aparatit satelitor katundin Frasnita. Tanimë u nisëm dhe morëm rrugën në drejtim të Napolit. Nga vende të sheshta filluan të dukeshin bregoret dhe malet, ne natyrisht kishim gëzim të madh, por edhe një farë shqetësimi herë- herë na vinte, ne po kalonim, për herë të parë atyre rrugëve, shi binte dhe thosha me vete se mos e ngatërronim rrugën. Nga rrugët më shumë bujqësore, pamë autostradën, u futën në autostradën e Kalabrisë. Tanimë ishim më të sigurt, se ishim në rrugën e duhur. Një reliev interesant na bënte përshtypje, kurora kodrash a malesh të ulëta dukeshin me shtëpi dhe me kështjella. Filluam të ngjiteshim kodrinave por edhe maleve, lartësia mbidetare e të cilave shkonte deri në njëmijë metra, andej nga kalonte rruga. Ndaluam në një vend dhe tanimë nuk ishim larg, katundit Frasnita. U nisëm në drejtim të Frasnitës, në drejtim të këtij fshati ose siç i thonë arbëreshët, por edhe shqiptarët në Kosovë katund, katund në të cilin gjuha, gjaku dhe shpirti arbëresh rrojnë me një gjallëri të fortë e të lidhur me një dashuri të madhe e të freskët, natyrisht edhe krenare.
Po zbrisnim ngadalë me veturën tonë, në hyrje të katundit lexojmë tabelën Frasnita.
Arritëm në Frasnita, – iu thashë gruas time dhe fëmijëve.
Të gjithë u gëzuam pamasë. Vazhduam rrugën me veturë, rrugë të ngushta dhe ndërtime të vjetra shtëpish, por të mbajtura mirë. Në një vend ndalojmë dhe lexojmë: “SHESHI GJERGJ KASTRIOTI SKANDERBEGU HERO KOMBËTAR SHQIPTAR 1405 – 1468”
Ndaluam dhe fotografuam atë mbishkrim, neve na qeshnin zemrat tona dhe ndjeheshim shumë të gëzuar. Në një gjendje të tillë arritëm pranë kishës së fshatit, apo qisha siç i thonë arbëreshët. Aty afër një kafene, në të cilën e pranë së cilës kishte shumë arbëreshë. Donim ta parkonim veturën tonë dhe ne e gjetëm një vend të përshtatshëm, aty pranë kishës e parkuam. Pranë kishës ishte një krua dhe aty piva pak ujë, kur shikoj të vinin dy veta të moshuar pranë nesh.
Më falni, ju lutem, a jeni ju arbëreshë? – i pyeta në gjuhën shqipe.
Po na jemi arbëreshë, – më tha njëri më i moshuari dhe në sytë tyre lexohej qartë një gëzim i papritur.
Jua zgjasim duart dhe i shtrëngojmë fort sikur të ishim njohur edhe më parë.
Ne vijmë nga Shqipëria dhe shprehëm dëshirën t`ju vizitojmë.
Ai burri më i moshuar e vuri dorën te zemra dhe na tha: – Neve na gëzon zemra, kur vijnë njerëz nga mëmëdheu.- Ai e tha këtë aq natyrshëm sa çdo tipar i fytyrës së tij mori një shkëlqim ngazëllimi e dashurie. Atëherë unë e përqafova ngrohtësisht, sikur të ishte im at.
Nuk mund të imagjinohej takim më i ngrohtë vëllazëror. Për mua ishte një gëzim i pa- përshkruar, që më bëri të më shumëfishohet dashuria dhe nderimi për ata njerëz.
Si jua thonë emrin, – i thashë?
Benito Marino, – ma ktheu.
Do t`ju qeras në atë kafenenë aty,- dhe ne pranuam me gjithë dëshirë.
Hymë brenda në kafene, unë e ime shoqe morëm kafe, ndërsa dy fëmijët morën akullore, Bemnito dhe Gjuzepe birrë.
Ne duke ju përmbajtur gjuhës letrare me përpikëri, dhe ai duke e folur arbërishten e vjetër, merreshim vesh mirë, edhe pse Benito kishte vështirësi ndonjëherë të na kuptonte, por ne me ngadalë i shpjegonim dhe pastaj ai na kuptonte.
Shoku tij, edhe ai arbëresh, e kishte harruar shumë arbërishten, prandaj fare pak e fliste, fliste më shumë italisht dhe ne me atë të folurën e çalë në italishte merreshim vesh. Ai quhet Gjuzepe Viçekane, i cili na shikonte me dashuri dhe i bëhej shumë qejfi që po rrinim bashkë.
Unë i pyesja për shkollat , për gjuhën, për kulturën dhe për jetën në përgjithësi se si e bënin.
Këtu në katund e kemi edhe bibliotekën, të cilën e mban at Antonio Bellushi, mbi katund e kemi muzeun etnografik, ju shkoni t`i vizitoni, at Atonio e flet mirë edhe gjuhën e sotme shqipe, – më tha Benito.
Binte shi, por neve nuk na bënte përshtypje fare, ishim ngrohur me biseda vëllazërore dhe dashurinë prej gjakut të përbashkët.
Këtu afër ka ndonjë hotel ku mund të kalojmë natën, – i thashë Atonios?
Ëhë, ka, ja aty është njëri që e ka një hotel të mirë edhe ai arbëresh është.
Të tjerë arbëreshë rrinin në strehën e kafenesë , i përshëndesim në gjuhën shqipe dhe ata zgjasnin duart e na i shtrëngonin, tregoheshin të gatshëm të na ndihmonin. Erdhi i zoti hotelit, hotelin e kishte mbi katund, në pjesën e sipërme të fshatit do të thoshim ne gjuhën e sotme shqipe. Rrugëve të ngushta duke udhëtuar me makinë na tregon ku gjendej biblioteka dhe shtëpia e Antonio Bellushit dhe afër hotelit të tij muzeu etnografikë. Pranë fshatit është një mal i lartë mbi njëmijë metra. Një bukuri dhe harmoni natyrore së bashku e pastërtinë e rregullsinë e katundit, na e krijonte një gjendje edhe më të mirë shpirtërore. Shkuan te hoteli, një zonjë e nderuar na priti dhe na çoi deri tek dhoma e hotelit , ku do të flinim.
Tanimë ne donin të dilnim nga qendra e katundit dhe shkuam përsëri afër kafenesë, në anën tjetër shikoj bustin e Skënderbeut, afrohem ngadalë dhe e shikoj me një kureshtje të madhe, emocione të mëdha e përshkonin trupin tim, ndjehesha edhe i gëzuar, por edhe i mërzitur. I gëzuar se shpirti i arbëreshëve ishte lidhur fortë me Kryetrimin Legjendar me Heroin tonë të përbashkët Kombëtar me qenësinë arbëreshe me gjuhën e kulturën e me dashurinë vëllazërore për shqiptarët, kudo që ndodhen, për Arbërinë e imagjinuar për Shqipërinë e tërësishme e të sotme, për… I mërzitur sepse e shikoja që ne si shqiptarë, si vëllezërit e tyre nuk po mund të bënim pothuajse asgjë, se shteti shqiptar dhe institucionet në Kosovë nuk arrijnë të bëjnë asgjë për këta njerëz. Ata do të duhej të kishin mbështetjen e plotë të institucioneve të Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, në kuptimin e kulturor dhe arsimor.
Ne u nisëm në drejtim të bibliotekës, një rrugë e ngushtë, por e rregullt, shtëpi të rregullta dhe një arkitekturë harmonike.
Binte nga pak shi, ashtu arritëm deri te biblioteka, shtëpia muze në Frasnita. Një ndërtesë e bukur e mbajtur mirë, nga jashtë dukej e ndërtuar me gur, një derë e madhe nga druri, e lustruar dhe përshtatur mirë në harmoni me muret, na krijoji një përshtypje të mirë, sepse njeriut lëre që nuk ia vrasin syrin laramania e ndërtimeve me gurë e dru, por përkundrazi i krijojnë një gjendje kënaqësie, një harmoni natyrore. Trokitëm në derë, nuk vonoi shumë dhe derën na e hapi një grua e moshuar e thinjur me një paraqitje shumë të rregullt, që aspak s`ishte vështirë për të lexuar nderimin, shkëlqimin njerëzor, pastërtinë shpirtërore dhe mikpritjen e përzemërt. Siç thotë edhe një fjalë arbërore: “Që nga facja duket njeriu i mirë.” prandaj edhe ajo grua që na e hapi derën, që nga paraqitja e saj, që nga fytyra dukej një njeri i mirë. E kush tjetër mund të ishte përveç motrës Rina, një plakë që rrezatonte e tëra dashuri arbëreshe e njerëzore.
Mirë se erdhët, – na uroi e zonja e shtëpisë! Hyni brenda!
Hymë brenda, një dhomë e madhe ku rrinin, e ndërtuar shumë bukur, në tavan trarët e drurit i japin një bukuri edhe më të këndshme, harmonike të gjithë ambientit të dhomës, së bashku edhe me tavolinën e madhe në mes të dhomës. Një bufe, ku kishte gota, filxhanë, verë e raki, filxhanët e kuq me shqiponja të pikturuara i kishin dhuratë nga Shqipëria. U ulëm përreth tavolinës dhe po e shikonim me kënaqësi herë – herë ambientin e këndshëm, por edhe zonjën e shtëpisë, atë motër arbëreshe, e cila u ul përballë nesh.
Ajo na e krijoi një ambient aq të rehatshëm dhe aq të ngrohtë, sa ne ndjeheshim aq të kënaqur e aq të gëzuar, ashtu siç takohet njeriu me nënën pas në kohe të gjatë. Aq e lirë aq e dashur sillej me ne, aq sa në sytë e saj, në tiparet e fytyrës dhe në fjalët që i fliste kishte padyshim dashuri njerëzore prej nëne a prej motre. Ajo na bëri të ishim plotësisht të lirë, sikur të ishim njohur edhe më parë,
Ne vijmë nga Shqipëria dhe ndjehemi shumë të kënaqur në këtë mes vëllazërish e motrash arbëreshe.
Ju mirë se erdhët ! Këtu vijnë shumë shqiptarë, madje edhe nga Amerika, pastaj edhe arbëreshë nga Greqia. Neve na gëzon zemra kur takohemi me shqiptarë. Të rrojë Shqipëria!
Nga bufeja nxori rakinë apo grapën siç i thonë italisht rakisë dhe na iu vuri përpara me gota të vogla.
Do t`ju bëj kafe me filxhanë shqiptarë, – na tha motra Rinë.
Të të ndihmoj unë,- i thotë ime shoqe
Jo, jo, do t`jua bëjë unë, – thotë motra Rinë. Pikërisht të njëjtat tradita si tek ne, vazhdimësia e njëjtë arbërore.
Sa të bukura këto vashat, – tha dhe filloi të këndoj me atë timbrin e melodinë e bukur arbëreshe.
“E bukura katundit më je ti
E bukura katundit më je ti”
Ajo na tha se at Antonio i kishte mbushur të tetëdhjetat dhe na e tregoi fotografinë e tij, na tha se ai kishte vajtur në një festë diku në Romë, prandaj nuk patëm fatin ta takonim. Duke biseduar me të dhe duke dëgjuar me vëmendje më bëri përshtypje të madhe e folura e saj, gjuha arbërore, gjuha e Kastriotit, gjuha jonë, rrënja jonë.
Si pa pritur ngrihet në këmbë motra Rinë dhe filloi e këndoi, ne bëmë sy e vesh e po dëgjonim të mahnitur.
Kur dy arbëreshë gjenden bashkë,
Kur dy arbëreshë japën dorën,
Skënderbegu vjen nga qielli,
Vjen e ri bashkë me ne,
Japëmi dorë oj vëllezër,
Se na jemi gjaku i shprishtë
Mos harroni gjuhën tonë,
Mos e bjermi rrethin tonë,
Brenda tek zëmrat e tona
Skënderbegun na kujtomi
Japëmi dorën oj vëllezër,
se na jemi gjaku i shprishtë.
Të rrojë Shqipëria, – tha pasi e mbaroi këngën.
Mos të bjermi, ka kuptimin mos ta shuajmë rrethinë tonë dhe gjaku i shprishtë ka kuptimin gjaku i shpërndarë arbëresh, arbëreshët e shpërndarë.
Sa kuptimplote shprehjet, sa të bukura, sa peshë mbajnë në vetveten e tyre, sa mall, sa fuqi shpirtërore e bartur në shekuj për të mos e harruar gjuhën, për t`u mos harruar si popull, si qenie arbërore, për t`u njëjtësuar kudo me arbëreshët në botë. Racë e fortë, e pastër arbërore, të kalojnë shekujt, gati gjashtë shekuj e të na bashkojë gjuha, të na bashkojë gjaku ynë, rrënja jonë e përbashkët arbërore, kujtimi i Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti, Skënderbeu. A nuk ja vlen të bësh edhe të pamundurën për këta njerëz, për këta vëllezër! Si mund të harrohen arbëreshët! Si mund të harrohen këta njerëz që me dashurinë e pastër të zemrave të tyre thonë: “Të rrojë Shqipëria”, ashtu siç recitonim dhe recitojmë vargjet e Naimit tonë të madh
“Ti Shqipëri më jep nder, / më jep emrin shqiptar.”
Si mund të harrohet Jeronim de Rada për të cilin shkruan një arbëresh:
“Shqipëria para se të bëhej një etnitet i politik i pavarur, qe një realitet poetik në veprën e De Radës.” Jo, jo kurrë nuk do të harrohen.
Motra Rinë na çoi në ambientet e shtëpisë muze, ku kishte bërë punime artizanale me tezgjah, na udhëhoqi në katin e dytë ku ishte një bibliotekë e pasur e zotit Antonio Bellushi me vepra të shumta të ndryshme, më pas na çoi në dhomën ku kishte skulptura e piktura , skulptura e Skënderbeut shquhej dhe një pikturë e Adem Jasharit , shquhej flamuri shqiptar dhe një flamur tjetër shqiptar me shkronjat e famshme UÇK. At Antonio Bellushi kishte ndërtuar në atë shtëpi shpirtërisht një kala të pamposhtur arbërore, që rrezatonte të gjitha trojet shqiptare, të tërë Shqipërinë etnike.
Të nesërmen ikëm herët nga Frasnita se duhej të bënim rrugë të gjatë, por me vete morëm emocione të forta,dhe nga pas na ndiqnin shprehjet dhe urimet, sidomos shprehjet: “Të rrojë Shqipëria!” dhe “Na gëzon zemra. kur vijnë njerëz nga mëmëdheu.”