Isuf Ismajli: Në vendlindjen e Abdyl, Naim e Sami Frashërit

Në muajin tetor është koha e përshtashtshme për udhëtime, nuk është as shumë vapë, por edhe ftohtë s`është, prandaj vendosa të shkoja në fshatin Frashër, edhe pse më kishin thënë të tjerët, se rruga për në Frashër është shumë e keqe, madje për të shkuar me vetura të vogla është gati e pamundur.


Nuk isha shumë larg nga Frashëri. Isha në Tepelenë, afërsisht shtatëdhjetë kilometra larg nga Frashëri.


 


Atë ditë dielli shkëlqeu heret në mengjes në kurrizin e malit  Shëndelli. Ky mal duket madhështor, sidomos po të jetë njeriu përballë tij në  Tepelenë, aty  afër te kalaja e Ali Pashë Tepelenës, apo nga kodrat përmbi Tepelenë.


Tepelena është një qytet në mes malesh e kodrinash të bukura, afër saj bashkohen tre lumenj me ujë të pastër si kristal. Tepelena është edhe në mes të lumenjve dhe aty fryn erë e këndshme, me ajër të pastër vetëm oksigjen, sepse edhe ndotje pothuajse nuk ka.


Një ditë më parë, aty nga orët e mbasditës, ra shi si i tërbuar dhe me vete thashë: “ Sa fat të keq që kam! Ç`na duhet ky shi?!”


 


Kisha frikë se nuk do të arrija të shkoja në fshatin Frashër. Sa e sa herë kam dashur  të shkoja në Frashër! Të merrja ajrin e pastër të maleve të Dangëllisë, të pija pak ujë nga burimi i krojeve të Frashërit, të rrija në shtëpinë e vëllezërve Abdyl, Naim e Sami Frashëri, të shikoja ku janë mëkuar e rritur, ku kanë pirë ujë, ku janë frymëzuar dhe mbi të gjitha doja të përmbushja kërkesen time, që ia kisha vënë detyrë vetes për të jetësuar atë dëshirën e madhe, për t`i takuar shpirtërisht   këta bij të devotshëm të Shqipërisë, pikërisht atje në fshatin e tyre të lindjes. Mbase nuk po arrij të shprehem aq mirë, siç ma do zemra, mbase ka diçka që nuk shprehet, por vetem ndjehet, por atë ditë kisha vendosur të shkoja në fshatin Frashër dhe një shkreptimë e përshkoi shpirtin tim, një shkëlqim gëzimi më pushtoi të tërin.


Udhëtimi nga Tepelena për në Frashër është jo vetëm interesant, por edhe i këndshëm dhe njeriu nuk ka si të mos mrekullohet nga bukuritë natyrore që janë të shumta. Çfarë të përshruaj më parë malet, lumenjtë, burimet e ujit, luginat, shkëlqimin e diellit, freskinë e natës….


U nisëm me veturë, koha qe e bukur, dielli shkëlqente me rrezet e arta, na ngrohu kohën, na ngrohu dhe   shpirtin. Kur dielli   shpërndan rrezet e tij, përhap dritën dhe na fal gëzimin, sidomos kur njeriu i do të vërë në jetë qëllime të pastra shpirtërore, që rrjedhin nga  një dëshirë dhe dashuri e madhe.


Rruga nga monumenti i Ali Pashë Tepelenës, është e mirë, por akoma më mirë është rruga superstradës jo shumë larg Tepelenës. Kjo është një rrugë, më e shumta, e drejtë dhe mund të shkojë njeriu shumë shpejt në Gjirokastër. Por pa shkuar akoma te burimi i famshëm afër Tepelenës, i quajtur Uji i Ftohtë, ku  është një vend i mrekullueshëm, që e ka falur nëna natyrë, dredhon rruga në të majtë për në Përmet. Tek buron uji direkt nga mali me një rrëmbim mahnitës, duke e bërë një zhurmë të këndshme, si një muzikë qetësuese. Në vendin Uji i Ftohtë, ta ka ënda ta pish një kafe, ta hash një drekë,  të pish ujë shumë e të kënaqesh. Por, ta lëmë Ujin e Ftohtë dhe të përshkruajmë rrugëtimin për në Frashër. Dredhuam në të majtë për në Përmet. Përballë mali  Golik, pranë tij lumi Drino, më tej bashkimi i i Vjosës me Drinon, pranë mali Shëndelli dhe më tutje mali i Trebeshinë përbëjnë një harmoni natyrore të përkryer. Kaluam urën e Dragotit dhe vazhduam rrugën. Nëpër këtë rrugë, në mes malesh e pranë Vjosës,  mund të shkojë njeriu drejt në Përmet. Udhëtonim pranë malit Trebeshinë, nëpër kthesa sipas terenit.


Kjo rrugë njeriut i jep këaqësinë e të shijuarit natyror, pra gryka e Këlcyrës është e veçantë.


I mjerë është ai që nuk di ta shijojë bukurinë natyrore. Mund të jetë njeriu i pasur matrialisht, mund të jetë i një ragu të mesëm etj, por në qoftë se nuk ndjen kënaqësinë shpirtërore nga pamjet e bukura natyrore, është me të vërtetë shumë i varfër.


Ta duash natyrën, duhet të përkujdesësh për të. Por, një pjesë e madhe e  politkanëve dhe pergjegjësve të shtetit e të pushtetit, vërtet janë të pasur matrialisht, por të varfër shpirtërisht, meqë nuk përkujdesën fare për harmoninë natyrë – njeri, për turizmin malor, detar, kulturor e historik, për kulturën e përgjithëshme matriale e shpirtërore të popullit, për qytete, për ifrastrukturë, për t`ia dhënë qyteteve pamjen sa më të natyrshme, me gjelbërime, kopshte, shëtitore me burime ujërash, nuk përkujdesen fare për rrugët e fshatrave tona, për çuar rrugën e asfaltuar edhe në maje mali etj.


 


O sa e bukur është Shqipëria jonë!


Kaluam grykën e Këlcyrës, në anën e majtë shikojmë fusha të mëdha e të gjata që shkojnë deri në Përmet, ndërsa në anën e djathtë është mali Dhëmbel. Pa shkuar në Përmet dredhon rruga në të majtë për në Dangëlli, për në Frashër.


Rruga në fillim nuk është në gjendje të keqe, ndonëse e paasfaltuar. Tabela që tregojnë drejtimet pothuajse nuk ka fare, askund nuk pamë ndonjë të tabelë të shkruante nga është Frashëri.


Në një degëzim rrugësh ndaluam, dëgjuam se nga mbrapa   vinte një zhurmë e një makine të rëndë, kthejmë kokën pas dhe shikojmë se vinte një kamion. Sapo erdhi kamioni pranë nesh, e ndalojmë dhe fillojmë e flasim me shoferin.


– Duam të vemi në Frashër. Nga është rruga?                                                           


– Mbajeni rrugën  djathtas dhe pastaj gjithnjë të njëjtës rrugë do të arrini Frashër., – na tha ai.


Në të dy anët shikonim pamje të bukura të gjelbëruara me shkurre dhe barishte, vende – vende ka edhe lëndina dhe ara, ndonëse të rralla. Filloi rruga malore, një rrugë e keqe, me gropa dhe shumë e dëmtuar. Ngjiteshim malit përpjetë me veturë. Në të dy anët e rrugës pamjet e bukura na tërhiqnin vëmendjen.


Herë – herë vetura takonte në ndonjë gurë apo në trapa të rrugës. Megjithëkëtë, vetë bukuritë natyrore na e largonin çdo shqetësim.


Arritëm në një pyll të bukur, i quajtur Bredhi i Hotovës. Aty është një park nacional. Shikonim bredha të mëdhenj që kanë një bukuri të jashëzakonshme.


– Ndalo pak, –  i thashë shoferit. Mora apararatin matës dhe e lashë në një vend, për t`i marrë kordinatat nga sateliti. Lartësia mbidetare në fillim të pyllit shënoi 1140 metra. Pas një pushimi të shkurtër, vazhduam rrugën. Në anën e majtë e pamë një ndërtesë, por nuk ndaluam fare, donim të arrinim sa më parë te shtëpia e vëllezerve Frashëri.


Pylli i bukur na e dhuroi një freski, ajrin e këndshëm dhe shumë të pastër, na i mbushi mushkëritë me oksigjen. Vetë njeriu në vende të tilla ndjen një kënaqësi të jashtëzakonshme, sepse, muskujt, gjaku, zemra, mushkëritë marrin, si të thuash, atë ushqimin e nevojshëm, oksigjenin e pastër dhe vitalitetin e përgjithshëm   dhe i gjithë trupi njerëzor ndjen një harmoni të natyrshme, e cila i mungon  në vendet urbanistike, sidomos në qytete të mëdha, ku ajri është i ndotur tej mase.


 



 


Duke   udhëtuar pamë një burim uji, në një vend të përshtashëm,   ku e kishin bërë edhe një çezmë, por s` kishim kohë të ndalonim. Dolëm nga pylli dhe shkonim rrugës aspak të përshtashme sidomos për vetura të vogla. Aty jo shumë larg hodhëm vështrimin dhe pak më poshtë,  pamë ca shtëpi, përballë tyre ca maja malesh. Na ra në sy një qetësi e madhe, fare pak shtëpi, ndër to madhështore dukej shtëpia e vëllezerve Frashëri. Qindra   mendime kryqëzoheshin në kokën time. Ato merrnin udhë sa drejt së shkuarës fëmijërore, si nxënës, sa shkonin në kohën kur studjoja në fakultet, sa merrnin drejt së tashmes , sa drejt së ardhmës. Ca shpërndaheshin në Tiranë, ca në Prishtinë, të tjera në Stamboll, ca në Prizren, ca në Janinë. Koka më ziente nga mendimet.


Eh! Sa e sa herë i kemi recituar me zjarrin e dashrisë atdhetare vargjet e Naimit: “Shqipëri o mëma ime…”, “Ti Shqipëri më jep nderë, më jep emrin shqipëtar”. Sidomos atëherë kur pushtimi jugosllav kishte errësuar një pjesë të madhe të trevave të Shqipërisë, dritën e shikonim nëpërmjet veprës së Naimit, të Abdylit e Samiut dhe rilindasve të tjerë e patriotëve e dëshmorëve e heronjve kombëtarë. Edhe më vonë edhe tani dhe gjithnjë veprat e tyre janë burim frymëzimi dhe krenari e ligjshme atdhetare.


 


Edhe ndjesha i gëzuar që arritëm në Frashër, edhe më vinte shumë keq për gjendjen e mjeruar të atij fshati famëmadh.


Arritëm pranë shtëpisë muze, përballë saj ndaluam, zbritëm nga vetura, u futëm në oborr, shkuam pranë busteve të Abdylit, Naimit e Samiut, u përpoqëm t`i nderonim dhe ashtu  rrinim pranë tyre. Mendimet shpërndaheshin dhe merrnin rrugën tek detajet e ndryshme që kam kaluar . Më kujtoheshin përshkrimet aq të sakta të Samiut në veprën “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç`do të bëhet”.


Ai që do të dijë për Shqipërinë e natyrshme, të saktë, për të vërtetën e saj, duhet ta lexojë në rradhë të parë, vepren e Samiut, për Shqipërinë.


Nuk mund ta njohë mirë njeriu kurrë gjeografinë dhe historinë shqiptare pa e lexuar atë vepër.


Hapa objektivin aparatit fotografik, u përqëndrova t`i merrja sa më mirë dhe sa më bukur. Dukej një gjendje e mjeruar, si pranë busteve, por edhe në fshat. Dukej sikur fare nuk janë bërë investime, as në fshat, as në shtëpinë muze e as në rrugë që të çon në Frashër. Por, gjurmët e shkëlqimit të dikurshëm shihen qartë, kur edhe janë bërë vepra të çmuara kulturore, kur janë mbrojtur e mirëmbajtur ato, para viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar. Në veçanti shkëlqimi i dikurshëm shihej në shtëpinë muze, por kjo duket edhe në vende të tjera, prej të cilave ka buruar dashuria atdhetare dhe dëshira për ta ruajtur e përhapur krenarinë kombëtare. Kjo dashuri dhe dëshirë ka qenë e   madhe dhe është e natyrshme se është bërë shumë, prandaj gjithashtu është shumë e kuptueshme që krenaria e shqiptarit me vetitë më të mira njerëzore kanë bashkëjetuar, prandaj vlerat e krenarisë dhe historisë shqiptare e njerëzore janë ruajtur, janë kultivuar, mbrojtur dhe çmuar si pjesë e shpirtit atdhetar dhe kulturës kombëtare e të kulturës së përgjithëshme. Para viteve të nëntëdhjeta   Frashëri ka qenë një fshat me shumë banorë, që ka pasur shkolla, bile edhe një gjimnaz. Ndërsa në kohën e Rilindjës Kombëtare, aty nga mbarimi i shekekullit nëntëmbëdhjetë dhe nga fillimi i shekullit njëzet në Frashër ka pasur 550 shtëpi. Aty është hapur edhe shkolla e parë shqipe në rrethin e Përmetit. Por, ajo tani është një gërmadhë. Na vjen keq, ndjehmi të mërzitur, por kjo është e vërteta e hidhur. Ky është shteti i demokracisë së keqkuptuar në këto 20 vitet e fundit, në të cilin vendet e krenarisë kombëtare, bëhen gërmadha.


 


Edhe brenda në shtëpinë muze duket se në të kaluarën ka qenë një përkujdesje e madhe, për ta shfaqur atë pjesë të krenarisë e lavdisë shqiptare. Shtëpia duket e tëra e se është ruajtur në këmbë. Çdo gjë në atë shtëpi edhe pikturat, edhe shtatoret, fotografitë, dokumentat etj,   flasin se janë vepër e kohës së Enver Hoxhës. Piktura të bukura ambiente të këndshme që dikur kanë shkëlqyer.


Mendoja dhe shikoja, e ndjeja veten krenar që po rrija në shtëpinë e vëllezerve Frashëri. Dolëm nga shtëpia, poshtë, aty pranë oborrit ishte një çezmë me ujë të ftohtë, uji mali, piva me një kënaqësi të madhe. Piva ujë për herë të parë nga uji i Frashërit, ujë që e ka pirë edhe Naimi ynë i madh, pak më vonë e mata dhe lartësinë mbidetare, aty ku është shtëpia muze. Në qoftë se aparati i ka marrë kordinatat mirë, atëherë matja do të ketë qenë e saktë. Lartësia shënonte se ishte 1042 metra mbi nivelin e detit. E mbusha edhe një shishe të madhe me ujë dhe pastaj unë u zhyta në mendimet e mia,  kisha ndjenja të përziera, por   megjithëkëtë,   thashë:


– Frashëri, sidoqoftë, është vend i shenjtë, sepse këtu janë lindur  Abdyli, Naimi dhe Samiu, vepra e të cilëve është kurora e krenarisë, e madhështisë, e heroizmit, e atdhedashurisë dhe udhërrefimit për jetësimin e Shqipërisë së natyrshme.


 


Frashëri, shtëpia muze, uji i malit, malet rreth Frashërit, pylli, bredhi Hotovës dhe shumë karakterisitika të tjera, janë një kurorë harmonie e  bukurisë natyrore, por edhe emocinale shpirtërore për çdo shqiptarë që në zemren e tij e ruan të pastër dashurinë e Atdheut dhe veprën madhështore të Abdyl, Naim e Sami Frashërit.


                                                                                                                                                                                                          Frashëri, vend i shenjtë i Shqipërisë


 


 E si të mos jetë i shenjtë Frashëri, vendi ku u lind bilbili i gjuhës shqipe, bilbili i Shqipërisë sonë, së cilës pikërisht ky zë i ëmbël i këndoi me flakën e atdhedashurisë, me notat më harmonike e patriotike. Ky bilbil që zëri s`i shuhet kurrë, i këndoi me zërin e të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjithë Shqipërisë me rrenjë e degë, hapësirës së saj etnike cep më cep, pra Shqipërisë së natyrshme.


 


 “Me gas të math do t’i vinja Shqipërisë brënda në gji!


Për me marrë drejt Shkumbinë edh’ Elbasan’ e Tiranën,


E me ardh ke ti, o Shkodrë, të shof Drinin e Bujanën,


Kostur, Përlep, Fëllërinë, Dibrë, Ipek e Jakovën,


Mat’ e Ysqyp e Prështinë dhe Mirëdit’ e Tetovën;


Krojënë e Skënderbegut, q’i ka pas dhan ner Shqypnisë,”


 


I këndoi ëmbël, me fjalët e zemrës e me dëlirësinë e gjakut shqiptar, gjuhës së zjarrtë, gjuhës së cilës i dha jetë nga mendja e shpirti i tij i kulluar atdhetar.


 


Gjuha jonë sa e mirë!


Sa e ëmblë, sa e gjerë!


Sa e lehtë, sa e lirë!


Sa e bukur, sa e vlerë!


 


Rron Naimi ynë i madh në çdo trevë shqiptare, në çdo qytet e fshat ku shqiptarët jetojnë me shekuj, aty ku zemra shqiptare ushqehet me porosinë e tij të madhe, sepse dje, sot, nesër e gjithnjë, fuqishëm tingëllojnë e do të buçasin në qenien e shqiptarit të kulluar vargjet:


 


Ti Shqipëri, më ep nderë, më ep emrin shqipëtar,


Zëmrën ti ma gatove plot me dëshirë dhe me zjarr.


 


 Rron pra, Naim Frashëri te të gjithë ata e ato që zemren e kanë të gatuar plot me dëshirë për ta bërë Shqipërinë etnike të ribashkuar, që kanë zjarrin e dashurisë për të e që punojnë e veprojnë për ta zhvilluar e përparuar.


Naimi i vuri ilaçin e shpirtit plagëve të atdheut.


 


S’jemi grekër as bullgarë,


Asgjë tjetër nukë jemi,


Jemi vetëm shqipëtarë,


Ne kët’emër nder’e kemi.


 


 Dhe në Prizren buçiti fushqishëm zëri i i Nënë Shqipërisë, se bijtë e saj të devoshëm thanë: “- Këtu është mesi i Shqipërisë.”


Në ballë të Lidhjes së Prizrenit qe vëllai tij i madh: Abdyl Frashëri. Abdyli që i mblodhi burrat e nderit atdhetarë, trimat që zemra ju pulsoi nga gjaku i pastër shqiptar, që i dhanë nderit të Atdheut përjetësinë me besa besë në jug e në veri, lindje e përendim për të mbrojtur çdo pëllëmbë të vatrave stërgjyshore.


Në kuvendin e burrave të Shqipërisë, në Prizren jehoi zëri i Abdylit për Shqipërinë një e të pandarë. Dhe Naimi e Samiu e shpërndanë  zërin e të vëllait me këngë e mençuri, në faqet e lavdisë historike, e në kurorën e krenarisë atdhetare lanë emrat e veprat e tyre si kujtime, që i bëjnë të gjithë atdhetarët shqiptarë jo vetëm krenarë, por botës shqiptare i thonë, se duhet të bëhet Shqipëria  e ribashkuar cep më cep, të zhvillohet, të mbrohet e përparohet.  


“E po ku shkruhen në kartë fjalët e gjuhës së zjarrtë!


4 janar 2011

Kontrolloni gjithashtu

Ministrja, Hykmete Bajrami

Hykmete Bajrami: Qeveria e kanë shti buxhetin në thes të babadimrit dhe kanë dalë me ble vota

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës , Hykmete Bajrami ka komentuar vendimin e …