Isuf Ismajli: NJË VEPËR QË E SHTON BEGATINË KULTURORE E ATDHETARE

Isuf Ismajli: NJË VEPËR QË E SHTON BEGATINË KULTURORE E ATDHETARE

(Vepër e Mustafë Krasniqit, për heroin Xhavit Haziri: “ATDHETAR I SHTIGJEVE TË LIRISË – XHAVIT HAZIRI “ )

Dëshmorët dhe heronjtë janë të pavdekshëm, se e pavdekshme është vepra e tyre, të pavdekshme janë sakrificat, heroizmi, gjaku i tyre dhe gjithçka që ata bënë për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin e atdheut.  Ata u organizuan, luftuan, sakrifikuan, dikush la fëmijët e gruan, nënën e babanë, vëllain e motrën  e mbi të gjitha ata na lanë porositë e qarta, na lanë  luftën e përpjekjet, vazhdimësinë, na lanë veprat e tyre, na lanë heroizmat e tyre, jetësinë që ia dhanë Nënë Shqipërisë, që ajo të mos vdesë kurrë.

T’i përkujtojmë dëshmorët heronjtë, të shkruajmë e të bëjmë vepra për ta, të lartësojmë përmendore për ta dhe t’i vëmë në kurorën e shenjtë të lavdisë së atdhetarisë e njerëzisë, është detyrë e jona, por edhe kënaqësi e njëkohësisht, gjithashtu është edhe një tregues për brezat e rinj, të cilët  duhet jo vetëm të mësojnë për ta, por edhe të kuptojnë, se ata janë themele të forta e të pathyeshme të atdheut dhe se sipas shembullit të tyre, duhet të veprojnë e të mos shkelin gjakun, betimin e sakrificat e tyre sa heroike, aq edhe madhështore, por edhe të dhembshme, meqë ata derdhën gjakun e tyre të kulluar në dheun e shqipeve, e njomën atë për jetësinë e gjithmonshme  të truallit të shqiptar, për bashkimin e popullit dhe atdheut tonë.

Sado të bëjmë, të shkruajmë a të themi, të veprojmë e të përkushtohemi, t’ju bëjmë përmendore e libra edhe pse është shumë mirë, nuk mjaftojnë vetëm këto, ne duhet të kujtohemi dhe të veprojmë në udhën e madhe, në vazhdimësinë e  përpjekjeve e ndërlidhjeve të plota me njëri – tjetrin të organizuar e duke vepruar për të jetësuar me çdo kusht bashkimin e popullit tonë dhe të Nënëmadhes Shqipëri. Vetëm në qoftë se arrijmë t’i përmbushim ato ideale të mëdha të tyre dhe tonat përgjithësisht, atëherë dhe vetëm atëherë, mund të themi e bëmë realitet porosinë e dëshmorëve, ose siç thotë poeti ynë i madh Dritëro Agolli për jetësimin e ëndrrës së lirisë  “që shekujt s’ ta prunë.”

Heroi Xhavit Haziri është dhe do të mbetet shembulli më mirë i veprimtarisë i këmbëngulësisë, i sakrificave, i dashurisë atdhetare e njerëzore përgjithësisht, sepse ai u edukua me çiltërsinë e madhështinë e moralit të shëndoshë shqiptar, ai u formua dhe u kalit në punë e veprimtari në shërbim të atdheut e njerëzisë, në shërbim popullit shqiptar, për të cilin veproi e nuk pushoi as edhe një çast të vetëm, derisa e rrëmbyen shërbimet sekrete serbe. Ai së bashku me dëshmorët dhe heronjtë të tjerë shqiptarë e kanë shkruar historinë më të re të popullit tonë me gjakun e sakrificat me mundin e veprimtarinë e gjithanshme atdhetare, që shëmbëllen në çdo cep të atdheut, në çdo thërrime të tokës shqiptare, se ata vepruan e punuan, se ata dhanë gjithçka për tërësinë e atdheut, ndërsa ne në çdo hap që hedhim, në çdo frymëmarrje duhet të kujtohemi, të veprojmë për të jetësuar bashkimin e tërësisë së atdheut, bashkimin e tërësisë të Shqipërisë.

Çdo vepër, çdo aktivitet e çdo sakrificë në shërbim të këtij ideali, në shërbim të popullit e atdheut tonë është e do jetë shërbimi më i madh e më njerëzor, në atë rrugë të shenjtë, në të cilën ecën dëshmorët e heronjtë tanë si Xhavit Haziri, prandaj edhe vepra që shoku ynë Mustafë Krasniqi e ka shkruar pikërisht për këtë hero të atdheut është vazhdimësi e kësaj rruge dhe e atyre idealeve të shenjta që dëshmorët e heronjtë, jo vetëm i kishin përqafuar, por edhe dhanë frymën e fundit për to.

Mustafë Krasniqi, tanimë, është jo vetëm një poet i dashur, është jo vetëm një shok i mirë, jo vetëm një veprimtar që ka dhënë ndihmesën e tij në veprimtaritë atdhetare ilegale, por edhe në veprimtaritë të tjera arsimore e kulturore, tani po na dhuron edhe një libër që e ka shkruar për heroin Xhavit Haziri, një libër i shkruar me një përkujdesje të madhe e cila na jep të qartë e të gjithanshme jetën e këtij heroi. Kjo vepër e Mustafë Krasniqit është një vepër jetëshkrimore, ku dalin të gjalla veprimtaritë e heroit, ku dalin si drita, si rrezet e diellit, idealet e shenjta shqiptare, pasuria e plotësisë njerëzore që ka karakterizuar Xhavit Hazirin si një organizator e si një atdhetar, që ka ecur e vepruar vertikalisht, në këmbë e gjallërisht deri në frymën e fundit, pikërisht për jetësimin e çlirimit, lirisë e bashkimit të atdheut.

Mustafë Kraniqi i ka përmbledhur shumë të dhëna konkrete e jetësore të heroit Xhavit Haziri, por edhe përjetime të njëmendta të tij dhe shokëve të tjerë, që kanë ecur së bashku, kanë vepruar së bashku, kanë sakrifikuar e luftuar së bashku. Një nga shokët e veprimtarët e denjë që ka qenë i një mendje, i një rruge të mundimshme, por krenare e të shenjtë atdhetare së bashku me Xhavit Hazirin, është edhe Mustafë Krasniqi, prandaj Mustafa diti të shkruajë me përkushtim, por edhe me një dashuri, mallëngjim e me një ndërlidhje të gjithanshme të përkryer profesionale.

Ky libër, që po i dhurohet lexuesit, është një nga pjesët e pasurisë së shkëlqyer atdhetare që do të ndriçojë jetën e veprën e heroit Xhavit Haziri, por edhe të një pjese të mirë të veprimtarisë ilegale e legale të organizimeve atdhetare që janë bërë e karakterizuar në pjesët shqiptare që ngelen të ndara nga trungu i Shqipërisë e nën pushtimin serb, maqedonas e malazez.

Kuptohet mirëfilli, se pas luftës heroike e madhështore të UÇK-së, luftës të heronjve e komandantëve legjendarë Adem Jashari e Zahir Pajaziti, si dhe gjithë veprimtarisë të shenjtë atdhetare, ku në ballë të saj qëndron edhe heroi Xhavit Haziri, kemi një kurorëzim -Republikën e Kosovës, shtetin e dytë shqiptar, pas  të të gjitha këtyre veprimtarive e ndërmarrjeve atdhetare me pushke e me penë. Kështu, ne jemi më të fortë për të hedhur edhe hapin e sigurt e vendimtar për bashkimin e tërësisë së Shqipërisë së natyrshme.

Duke botuar libra të tillë e duke hedhur në qarkullim ide të tilla të shenjta  atdhetare, ne do të arrijmë, sa më parë, asaj dite kur Shqipëria do të jetë një dhe pandarë, kur do të fillojë të ketë edhe frymëmarrje të lehtë, mbarësi, zhvillim e jetësi normale.  Atëherë dhe vetëm atëherë dëshmorët e heronjtë shqiptarë, si Xhavit Haziri, do të pushojnë të qetë në gjirin e tokës mëmë.

Pa mëdyshje kjo vepër ka edhe të meta e zbrazëti, meqë në tërësi autori nuk ka arritur ta përmbledhë të gjithë materialin që ekziston, sepse edhe shumë shokë e veprimtarë të dikurshëm të Xhavit Hazirit nuk i njeh as autori. Megjithëkëtë në të ardhmen mund të plotësohet në tërësi vepra për heroin Xhavit Haziri, qoftë nga ky autor, qoftë nga shokët e veprimtarët e tjerë. Mund të ketë edhe të meta të tjera që mund të jenë përvjedhur gjatë punës së gjatë, por edhe të mundimshme.  Uroj që mendja, dora e pena të mos i pushojnë shokut tonë Mustafë Krasniqi për të na dhëne edhe vepra të tjera që do të plotësojnë edhe më shumë pasurinë e begatinë kulturore e atdhetare.

Kontrolloni gjithashtu

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Një rikujtim i bukur për historinë e 28 Nëntorit të 1912-tës!

Me rastin e festave të nëntorit, si dhe në  shenjë të përkujtimit të datë së …