Isuf Ismajli: Radio Kosova e Lirë, shkëlqim i pasurisë shqiptare e njerëzore

Radio Tirana, Radio Kukësi dhe Radio Shkodra, por edhe radiot të tjera shqiptare të Republikës së Shqipërisë, dikur jo vetëm janë dëgjuar me vëmendje dhe dashuri të madhe e të veçantë, por kanë qenë edhe burim atdhetarizmi dhe ushqimi më shëndetshëm shpirtëror për të gjithë shqiptarët kudo në Shqipërinë e tërësishme, prandaj kudo e kurdoherë kanë begatuar e fisnikëruar, kanë frymëzuar e kanë mbrojtur qenien shqiptare e njerëzore në përgjithësi, kanë hedhur ide e mendime nga më të shkëlqyerat atdhetare, kanë nxitur e mbrojtur me fuqinë e drejtësisë njerëzore zgjidhjen e drejtë të çështjes shqiptare, janë bërë udhërrëfyese  edhe të medieve të tjera me përmbajtje atdhetare , e në mënyrë të veçantë mund të themi se Radio Kosova e Lirë është jo vetëm vazhduesja më besnike e tyre, por edhe është radio që më shumë se kushdo tjetër, ka në programet e saj, në palcën e saj përmbajtjen e prushit atdhetar, jehonën e luftërave përpjekjeve, madhështinë e heroizmin e dëshmorëve  dhe heronjve shqiptarë të të gjitha kohërave, që kanë luftuar për një Shqipëri të vetme që të përmblidhte çdo cep të trojeve shqiptare dhe të popullit shqiptar përgjithësisht.

Radio Kosova e Lirë e kalitur në flakët e luftës për liri dhe bashkim kombëtar, duke qenë e goditur nga predhat e artilerisë e bombat e aviacionit serb, por asnjëherë e mposhtur, ajo u bë zëdhënësja më autentike më e fuqishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe simotrave të saj Ushtrisë Çlirimtare për Preshevë, Medvegjë e Bujanoc dhe Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare.

 

E udhëhequr dhe drejtuar nga gazetarë e analistë të njohur, që nga fillimi i transmetimeve dhe gjithnjë e më tutje ajo u bë dhe vazhdon të jetë pishtar i ndriçimit të rrugës për jetësimin e Shqipërisë së natyrshme e të bashkuar, prandaj këta drejtues kanë fituar respektin, admirimin dhe dashurinë e çdo shqiptari të ndërgjegjshëm atdhetarisht.

 

Emisionet dhe përmbajtjet komenteve materialeve të shumta janë të ndryshme me karakter kombëtar e shoqëror edukativ, janë komente e materiale frymëzuese e largpamëse, shkencore, njerëzore, por në kurorën e tyre qëndrojnë shënimet dhe veprat e dëshmorëve dhe heronjve , shënime dhe vepra këto që na flasin, na thërrasin, na udhëheqin drejt rrugës për lirinë e njëmendtë dhe bashkimin e atdheut e popullit shqiptar. Radio Kosova e Lirë qoftë me këngët qoftë me veprat , qoftë me komentet e vështrimet, me analizat dhe të ecurinë e saj na fton, na thërret e buçet për t`u mbledhur të gjithë atdhedashësit , njerëzit e ndërgjegjshëm shqiptarë që t`i nderojmë e të përkulemi te varret e dëshmorëve, që ta vazhdojmë rrugën e tyre dhe të jetësojmë idealet për të cilat ata e skuqën  dheun arbëror, dheun shqiptar, që Shqipëria të jetë një e dhe pandarë, në kufijtë e saj të natyrshëm. Atëherë dhe vetëm atëherë mund të themi: “Bacë u krye”

 

Këto  emisione, vështrime e materiale  të lexuara të transmetuara në valët e radios, por edhe të shfaqura në portalin e RKL në internet janë dëshmi, janë burim e kthjelltësi për ndërgjegjësimin atdhetar e njerëzor, janë kulturë e dije, janë vepra, janë shembujt më të mirë në rrugëtimin e pastërtisë shqiptare që duhet ta kenë të gjithë njerëzit tanë.

 

Emisionet e materialet janë të larmishme për fëmijë e të rinj e për të moshuar, thënë më qartë për të gjitha moshat. Ato janë materiale  të shkruara e të lexuara për dëshmorët e heronjtë , për personalitet e shquara, janë historike e shoqërore, politike, ekonomike, gjuhësore e letrare, janë për poetët e shkrimtarët , janë për Çamërinë e Labërinë,Kosovën, për jugun e veriun për arbëreshët në Itali e në Kroaci, për arvantët në Greqi, për shqiptarët kudo në botë, janë  lajme, janë vepra tek të cilat mund ta gjejnë veten e tyre të gjithë njerëzit tanë, janë pasuri e shkëlqyer në fondin e pastërtisë kombëtare e njerëzore.

 

Kaluan vitet e po bëhen plot gjashtëmbëdhjetë vite të punës dhe veprimtarisë së RKL-së. Në ecurinë dhe veprimtarinë e saj ka pasur  e ka pengesa të mëdha qoftë nga një pjesë e ndërkombëtarëve, qoftë nga shqipfolësit me prejardhje jugosllave, qoftë edhe nga disa politikanë e administratorë të dalë nga lufta e fundit, të cilët mendjen e kanë robëruar tek kamja personale e lavdia egoiste. Këto pengesa, kjo mospërkrahje janë shumë të qarta, meqë RKL- nuk u bë kurrë zorrë e ndyrë nëpër këmbët e ndërkombëtarëve, palaço multietnike e politikës vendëse, nuk ndenji sus kurrë para atyre ndërkombëtarëve që nuk e duan shqiptarizmin në Kosovë, jua tha qartë fjalën mohuese e përbuzëse atyre palaçove me prejardhje jugosllave, jua tha emrin e vërtetë, emër ky që i tmerron këto prejardhje jugosllave, disa prej të cilëve kanë gjetur vend në institucionet vendëse dhe ndërkombëtare në Kosovë.

 

Drejtuesit , punonjësit e Radios Kosova e Lirë e kanë mbajtur kurrizin drejtë, sepse janë mbështetur fort në strumbullarin e drejtësisë njerëzore, në qenësinë e pastërtisë shqiptare, prandaj admirimi jonë i të gjithë atdhedashësve shqiptarë,  lavdia, krenaria e dashuria për ta janë të ligjshme, të pastra. Prandaj unë besoj se të gjithë atdhedashësit shqiptarë do ta mbështesin RKL-ën në forma e mënyra të ndryshme drejt rrugës e saj fisnike  atdhetare e njerëzore.

 

Uroj që Radio Kosova e Lirë  të ketë mbështetjen e vijimësinë  edhe me një kanal televiziv me përmbajtje të tillë e të jehojnë së bashku në të gjithë hapësirën e Shqipërisë së natyrshme e etnike dhe kudo ku ka shqiptarë në botë.

 

Tani  ju uroj drejtuesve dhe gjithë punonjësve të Radios Kosova e Lirë, ta kalojnë gëzuar Vitin e Ri 2015, të kenë shëndet të plotë mbarësi në punë në familjet e tyre, suksese në punën e veprimtarinë fisnike e atdhetare në radio dhe gëzuar edhe ditëlindja e gjashtëmbëdhjetë e Radios Kosova e Lirë!

 

Gjithmonë jehoftë Radio Kosova e Lirë, gjithmonë punë të mbarë , suksese e arritje të synimeve tona kombëtare e njerëzore!

 

31 dhjetor 2014

Kontrolloni gjithashtu

Peter Stano: Bashkimi Evropian nuk i vë në dyshim autoritetet e Kosovës për hetimin e krimeve të luftës, por është në kontakt me ta

BE mirëpret gatishmërinë e Kosovës për normalizimin me Serbinë, por kërkon veprime konkrete dhe të menjëhershme”

Bashkimi Evropian mirëpret gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës për të zbatuar marrëveshjen e normalizimit me …