Me dhimbje të thellë, me një plagë të madhe në zemër, me lotët që nuk po më pushojnë, po i shkruaj këto fjalë për njeriun e shtrenjtë, për shokun tim të shpirtit, për atë që kisha mësues, profesor, për atë që kisha si vëllain e madh, për atë që e kisha si prindin tim, për shkrimtarin, drejtorin e Radios Kosova e Lirë, për atë që u përkushtua me të gjitha mundësitë e të gjithë qenien e tij për: lirinë, pavarësinë, për Shqipërinë e plotë e tërësishme, për bashkimin e popullit shqiptar, për atë, të cilin disa herë armiqtë jugosllavë e kanë burgosur për veprimtarinë e tij atdhetare, për atë që dha kontributin e madh si gjatë luftës në UÇK – në heroike, si edhe pas luftës deri më sot, për atë që shkroi aq shumë romane, libra, monografi, artikuj gjuhësor e letrar, historik e shoqëror, për atë që do të më qajë zemra sa të jem gjallë, për profesor Ahmet Qeriqin. Sot atij i pushoi zemra së rrahuri, sot ai na paska lënë.
Dhimbjen time po shton edhe më shumë pamundësia për t’ iu gjetur pranë në ditën e sotme Arbanës, Epirit, Zamirit dhe familjarëve të profesor Ahmetit!
Emri vdekje peshon rënd me tonelata, por ai jeton e do të jetojë bashkë me veprat e tij, bashkë me ne e brezat që do të vijnë, ai do të jetojë me gjuhën shqipe, në çdo pëllëmbë të Atdheut, të cilit iu përkushtua deri në frymën e fundit.
Sot isha përgatitur t’i shkruaja e ta uroja për 7 Marsin – Ditën e Mësuesit. Ne ish nxënësit e tij e shokët e tij, dashamirët, atdhedashësit e nderojmë përjetësisht jetën e veprën e tij.
Lavdi të përjetshme jetës e veprës së tij! I përjetshëm qoftë kujtimi për profesor Ahmet Qeriqin!