leoni

Isuf Muharrem Sadikaj (4.5.1977 - 28.7.1998)

Isuf Muharrem Sadikaj (4.5.1977 – 28.7.1998)

“Fitore! Ja ora ime, ta kesh kujtim nga unë që ta masësh kohën deri në fitoren e lirisë. Unë po shkoj ta sjell lirinë. Atëherë edhe emri yt do të jetë i plotë. Emrit Fitore do t’i japë kuptim pushka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Prej sot unë do të jem pjesëtar i kësaj ushtrie”. – Me këto fjalë i ishte drejtuar dëshmori Isuf Sadikaj, çupëzës së të vëllait, Ganiut, Fitores, një ditë korriku të vitit 1998, para se të nisej për në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në zonën e Drenicës. Ai e dinte se rruga e lirisë nuk ishte e lehtë dhe e shtruar me lule. Ai e dinte se kjo rrugë kërkonte gjak e sakrifica. E dinte se kjo rrugë kërkonte guxim e vetëmohim, të cilat atij nuk i mungonin. Por e dinte po ashtu se pas heroizmit të luftëtarëve të lirisë qëndrojnë lavdia dhe përjetësia. Me këto bindje, ai u bashkohet atyre që para se të mendojnë për fatin e tyre, mendojnë për fatin e Kosovës.

Dëshmori Isuf Sadikaj ka lindur më 4 maj të vitit 1977 në fshatin Shushicë e Epërme të komunës së Burimit (ish-Istog). Në fshatin e lindjes kryen shkollimin fillor. Përkundër dëshirës për të vazhduar shkollimin e mëtejmë, për shkak të kushteve ekonomike të familjes dhe rrethanave ekzistuese të pushtimit të egër serb në të cilat ndodhej Kosova në vitet ’90 të shekullit të kaluar, kjo dëshirë nuk iu plotësua. Si shumë bashkëmoshatarë të tij, edhe Isufi, pas ndërprerjes së shkollimit u mor me punë bujqësie e blegtorie për të ndihmuar familjen.
Lidhjet familjare që kishte në fshatin Pemishtë (ish-Padalishtë) e në fshatrat e tjera të Drenicës, mundësojnë që dëshmori Isuf Sadikaj të jetë në rrjedhë të aktiviteteve të armatosuar të njësiteve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që prej daljes së saj publikisht, në Llaushë, në nëntor të vitit 1997. Zgjerimi i organizimit ushtarak në fshatrat Pemishtë, Çitak, Leçinë, Runikë e të tjera, gjatë pranverës së vitit 1998 do ta tërheqë edhe vëmendjen dhe interesimin e Isufit, prandaj ai gjithnjë e më pak do të jetë i pranishëm në familje dhe në fshatin e tij të lindjes, e gjithnjë e më shumë atje ku vepronin njësitet çlirimtare.
Gjaku i pastër rinor po i vlonte në gjoks Isufit për t’u bërë edhe ai pjesëtar i njësiteve të UÇK-së, prandaj në janar të vitit 1998, bashkë me Alush Loshin, angazhohet në aktivitete ushtarake në zonën e fshatrave Pemishtë, Runikë e Leqinë. Në muajt në vijim do të marrë pjesë në aksione të shumta të armatosura kundër forcave serbe. Kanë ngelur të njohura sulmet e ndërmarra kundër stacionit famëkeq policor të Runikut, kundër postëbllokut policor në Kodrën e Rakoshit, më 14 maj të vitit 1998, pastaj bllokimi i rrugës automobilistike Pejë-Mitrovicë, e të tjera. Në këto aksione ai kishte përkrah shokë të vendosur lufte, të cilët më vonë do të jenë pjesëtarë të Brigadës 112 “Arben Haliti”, siç janë Mustafë Qorri (dëshmor), Zeqir Loshi, Muhamet Loshi, Nexhat Loshi, Nehat Loshi, Hajzer Loshi, Halil Loshi, Imer Shala e të tjerë.
Pas konsolidimit të organizimit ushtarak të njësiteve të UÇK-së, pas një përvoje disamujore në aksionet e zhvilluara të armatosura dhe pas shumë provash të guximit e të vendosmërisë që duhej t’i kishte një luftëtar lirie që do të radhitej në radhët e UÇK-së, në korrik të vitit 1998, Isufi edhe kalon periudhën e shërbimit si rekrut dhe bëhet pjesëtar i kësaj ushtrie, në pikën ushtarake të komanduar nga Alush Loshi.
Pushtuesi serb në atë kohë po vërente se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përfundimisht ishte bërë realitet, e cila po synonte ta zgjeronte frontin e luftimeve nga zona e Drenicës në drejtim të trevës së Rakoshit e më tej kah Burimi. Prandaj, ai po bënte përpjekje maksimale duke përdorur të gjitha armët dhe mjetet ushtarake ta pengonte këtë zgjerim fronti. Një sulm të ashpër, forcat serbe ndërmorën kundër pozicioneve të UÇK-së në Kodrën e Runikut, në vendin e quajtur Te Çitakët, në Pemishtë e në fshatra të tjera të Drenicës, edhe më 28 korrik. Në këto luftime u përdorën edhe helikopterët bombardues, ndërsa nga baza ushtarake e bjeshkës së Moknës u sulmua edhe me raketa. Ky agresivitet sulmi dëshmonte se forcat e pushtuesit ishin të shqetësuara seriozisht me qëndresën e UÇK-së, prandaj po përpiqeshin me të gjitha forcat ta asgjësonin atë. Mirëpo, trimat e kësaj ushtrie e kishin filluar luftën me betimin që ta fitojnë atë, me çdo çmim. Për ta sakrificat dhe rëniet në fushën e betejës ishin vetëm hapat e marshimit drejt fitores. Atë ditë, në Pemishten e Kamer Loshit i cili gati një shekull më parë i kishte dalur në mejdan ushtrisë së krajlit të Serbisë, në fushën e nderit ra edhe dëshmori Isuf Sadikaj. Pranë tij ishte plagosur edhe bashkëluftëtari Nehat Loshi nga Pemishta.
Në ditën e rënies, dëshmorin Isuf Sadikaj e varrosën bashkëluftëtarët, në fshatin Pemishtë. Trupi i tij u rivarros më 15 korrik të vitit 1999 në fshatin e lindjes Shushicë e Epërme. Për dëshmi të heroizmit e në shenjë nderimi, te vendi i rënies dhe në fshatin e lindjes i janë ngritur përmendore. Sot orën e tij të dorës që ia kishte lënë për kujtim të mbesës Fitores, kur ishte nisur për në UÇK, familjarët e tij, prindërit, Muharremi e Mihanja (bijë e Loshajve të Pemishtës së Kamer Loshit të betejave me ushtrinë e krajlit të Serbisë), vëllezërit, Ganiu e Aliu, motrat, Hatixheja, Miradia, Shefkia e Mahia dhe gjithë të dashurit e tjerë, e ruajnë si një relikt të rrallë malli për dëshmorin Isuf Sadikaj. (N. M)

Kontrolloni gjithashtu

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)

Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …