Isuf Sherifi

Isuf Sherifi: Surroi, lufta dhe shoqatat e luftës

Veton Surroi  foli, dhe e tha atë që mendon, apo atë që i thonë ta thotë! Në fakt, ai përsëriti diçka, që ka thënë shpeshherë! Për inat të kujt?!,  apo nga frustrimi, kjo ka pak rëndësi! Rëndësi ka, që ai sërish nxiu mbi diçka, që në fakt nuk mund të nxihet nga ata që nuk e bënë! E ajo është lufta e guerilës më të suksesshme të luftërave për liri. Atë luftë nuk mund e nxinë as Surroi, asnjë njeri tjetër, askush tjetër, asnjë shtet tjetër, bash askush ama, pos atyre që e bënë atë dhe nuk e mbrojnë! Se, ose nuk dinë ose nuk duan. Unë nuk e kam “dertin” për dëmet që shkakton zhurma e Surroit, por dëmet që sjell heshtja e atyre, që duhet të flasin dhe me ligj ta mbrojnë.

LUFTA Ishte njëra nga ngjarjet më kulminante për liri dhe çlirim, që rezultoi me largimin e aparaturës shtetërore fashiste serbe. Që të ndodhte kjo u flijuan mbi 12.000 shqiptarë vetëm në dy vitet e fundit të sajë (‘98 -‘99), të një lufte aktive e të përgjakur, pa shënuar këtu qëndresën 100-vjeçare, ndjekje, shtypjen e përgjakjen, aq sa lirisht mund ta quajmë golgota shekullore shqiptare! Dëmet e tjera shpirtërore dhe materiale, që shkaktoi fashizmi serb, janë të pallogaritshme. Lufta për çlirimin e Kosovës, dhe jo vetëm të saj, ishte lufta e shqiptarëve të robëruar mbi 600 vjet me radhë. Lufta për çlirim ishte dhe mbetet e shenjtë! Atë që në nismë ka filluar ta nxijë Serbia, ka vazhduar Duma ruse, që të vazhdojnë ta plagosin dhe vrasin piskamat e batareve shizofrenike, që flasin përçartë, si dhe “bataret e nxehta të heshtjeve” të pakuptimta, të atyre që thirren se janë organe të dala nga lufta.

SHOQATAT E DALURA NGA LUFTA Janë mbushur gazetat dhe portalet me komente dhe komunikata, me fjalë pompoze, dhe pezm, të logjikshëm dhe të “palogjikshëm!” Komentet vlojnë! FB-të digjen dhe përndizen në beteja dhe revolucione virtuale!

Përse gjithë këto beteja virtuale?!

Përse gjithë këto “mësymje” nga distanca?!

Kundrejt kësaj lufte speciale, me qendër Beogradin dhe Moskën, nuk mund të triumfojnë betejat dhe ballafaqimet virtuale! Përse asnjë shoqatë e dalë nga lufta, me statut legal, nuk merr mundin, që të jetë bartëse e ideve, që shpifjet kundër luftës të jenë të ndaluara me ligj?! Që këto ide t’i bëjë ligj Kuvendi i shtetit të Kosovës, i cili në themelet e tij ka përpjekjet shekullore shqiptare dhe luftën e shenjtë të UÇK-së. Përse asnjëra nga ato shoqata të shumta nuk merr udhën e gjykatave ku mund të paditen shpifësit e sojit Surroi? Si mund të shpjegohet fakti, se deri më tani, nuk ka asnjë padi të vetme në këto gjykata. As institucionale e madje as private!

Përderisa Surroi ka nxirë aq shumë e aq shpesh, që pas përfundimit të luftës e këndej. Urrejtja që nxit ai, dhe jo vetëm ai, janë linçim që i bëhen luftës së tyre, luftës së krejt atyre, janë linçime që u bëhen të vrarëve, gjymtyrëve të humbura të të plagosurve, të bashkëluftëtarëve të rënë për liri, dhe, fundja, janë linçim që i bëhet gjenezës mbi të cilin u ngrit shteti i Kosovës. E, shteti i Kosovës u ngrit mbi mijëra e mijëra heronj, dëshmorë, viktima shqiptare, të vrarë, të masakruar dhe të zhdukur nga gjeneza e krimit ballkanik – Serbia!

Në shtete normale, me president normal, me kryeministër normal, me ministër drejtësie normal, me FSK normale, me gazetari normale, me shoqëri civile normale, shpifjet e tilla do të duhej të përfundonin në arrest, në arrest, së bashku me shpifësin, për ta thënë fjalën drejtësia. Surroi nuk ka thënë diçka të re vrastare! Ai ka përsëritur pezmin e tij, që i adresohet bartësve të luftës, e që buron nga një frustrim patologjik – politik i tij, dhe merr përmasat e një atomi që shpërthen mbi të ardhmen e Kosovës, mbi të ardhmen shqiptare të Kosovës!

Ajo që tha ai, s’është pothuajse asgjë, përkundrejt heshtjes vrastare dhe mosmbrojtjes me mjete ligjore të luftës së drejtë të popullit shqiptar për liri!

Kosova nuk është vetëm e surrojëve dhe as e atyre që e bënë luftën!

Kosova është e secilit që jeton në të dhe gëzon lirinë e saj!

Kosova është edhe e imja, që mbështeta dhe ndihmova luftën, e nuk jetoj në të!

Heshtja – kundrejt nxirësve të luftës vret!

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …