Mbresa çasti dhe të përhershme gjatë leximit të romanit “Ulërima e ujkut” të shkrimtarit Ag Apolloni. Botoi Shtëpia Botuese „OM“. Prishtinë, 2013. “Brikolazhi” që sjell Ag Apolloni përmes “trineqiadës” së tij, hedhur në letër përmes „ulërimës së ujkut“, për mendimin tim të lirë (dhe këtu nuk i vë pikë asçkaje), është një ndër librat më të mirë prozaiko – poetiko – dramatik. Në fakt, si e tillë, kjo vepër është e llojit të veçantë! Në “brikolazh”, Ag Apolloni “grish” fije të kujtesës së “shtrirë” në “ZOMB”, e përtej ZOMB-i, dhe, nga ajo fije kujtese shtron mozaiqe poetike, e i plotësonë ato edhe me Rock`n `Roll, duke i shtrirë në vazhdimësi me ndjesinë milimetrike të mjeshtrit perfekt, pëlhurës së imagjinatës mbi “pelimin” dhe “mehlemin” e infernos që zbras ulurima e ujkut, përrpiqet ta veshë me erë balsami, së pakut, përkohësisht, me erotikën me erë “vene” përjetësisht, duke e mbushur me trajta dhe skena “filmike“ reale dhe traumatike të pafund. Pikëllimë kulminante e njeriut që pëlqen të bëjë jetë ujku dhe të vdesë sikur ujk, klithmë e njeriut që nuk do të vdesë sikur qen, në vendin ku jetohet e bëhet gjithçka qenqe. Ky roman është një bubullimë në nënqiellin letrar shqiptar! Në fakt, bubullimë apollonçe! Nuk di ç`veshë e kanë dëgjuar gjer më sot?! Ç`sy e mendje e kanë lexuar gjer më sot?! Ky roman, besoj shumë, do të jetë (duhet të jetë) shpejt a vonë, bubullimë edhe në nënqiellin letrar evropian dhe botëror! Ky “brikolazh”, thyen brinjë trekëndëshash e katrorësh frymëzënës, qofshin këta brinjë kulturorë apo politikë, që si bërryla e kunja i kanë zënë irisin dhe fytin perspektivës kulturore dhe politike, dje dhe sot. Këshillë 1 Lexues të librave kudo që të jeni, vraponi ta bleni dhe ta lexoni këtë libër, këtë roman! Sepse, më shumë se libër, më shumë se roman, “Ulurima e ujkut” është ulërimë që shkallmon neverinë që ngjallin pseudolibrat. Këshillë 2 Andaj, pa asnjë dallim, së pari politikanë e pushtetarë, pastaj poetë e shkrimtarë, gazetarë, skenaristë, regjisorë, dramaturgë, këngëtarë, bujqër, muratorë, pastrues, mjekë, psikologë, policë, truproje, gjykatës, avokatë, akrobatë, hajna, kriminelë, filantropë, mizantropë, të burgosur, të arratisur, etj., etj. Nëna, etër, prindër, pleq e plaka, (të rinj e të reja mbi 18 vjeç), etj., etj. ngutuni të lexoni këtë libër: është një pasqyrë e madhe e vetvetes tuaj. Shikohuni se ku jeni! Shihni se në cilin zverk tuajin qëndron bota përrreth, apo, thënë ndryshe, shihni se në ç`zverk të ç`boteje jeni duke marrë frymë e duke ecur! Fundreflektim i shkurtër i një mbrese të madhe Një libër tërheqës. Fletëkujtesa të shumta me plot zjarrmi. Zjarrmi që përvëlon dhe që akullon. Erotikë zemërake shpërthyese, që ngrinë dhe shkrinë. Këngëvajtim! Këngëpelim! Këngëtrishtim! Këngëzgjim! Mbi gjakun e “rrjedhur” dhe të “fshehur” nga hanxhari kriminal e kokardëkohës, shpërthen kjo ulërimë dhe nxjerr mbi sipërfaqe kafshën gjakpirëse, që i ndejti diellit të lirisë dhe frymëmarrjes normale si xhelat mbi kokë. E nxjerr mbi tokë atë kohë dhe e pështynë mu në lule të ballit, duke i lënë shenjën e vërtetë – atë të përbuzjes. E urinon siç pshurr qeni, i ulërinë si ujk tek koka dhe e verbon me kthetrat e putrave të ujkut, për ta lënë stërvinë, si një shenjë treguese nga ku duhet mësuar “të sëmurët” dhe të “shëndoshët” e këtij shekulli dhe atij që lamë pas. P.S. Përmes këtij libri, autori Ag Apolloni, “… vjen si një engjëll rebel drejt ferrit, dhe i vë levën e Arkimedit po këtij ferri… » dhe lë hapur perden e teatrit uluritës, ku “ulurimat” vazhdojnë të shpërfaqen si një ECHO e pandalshme universit letrar tutje.
Isuf Sherifi: Letër publike Alba Helvas
TUNEL: Ishin bërë afër katër javë, qëkur Q.V. kishte premtuar letrën „pompoze“ që do t`ia shkruante krijuesit të tij – zonjës misterioze, Alba Helvas. ….Në letër, ai kishte premtuar t`i thoshte të gjitha. Kishte paralajmëruar se do të jetë një letër, që…“ do të shemb dritat e vjetra në kryeqytet. Letër, që piskamat e lakuriqëve do t`i ngulfat….“ Pasi kishte menduar se kishte ardhur ai moment, ai kishte marrë lapsin dhe fletoren me katrorë, dhe kishte filluar të shkruaj. Letrën e kishte titulluar zakonshëm, sikur shumë të tjerë, letër publike.
E nderuara, e madhëruara, e magjishmja, e lazdruara, e bezdisshmja, e turpëruara, e poshtra, e ulëta, e… A.H.
Kanë kaluar ditë dhe javë që kur i shkëputa kontaktet me ty, konkretisht, ika pa të pyetur nga „vorba yte me qull të zi“. Ti, për shtatë ditë rresht më solle buzë çmendurisë.
Letra publike erdhi si rrjedhojë e shkeljes së vazhdueshme të marrëveshjes verbale që kishim bërë. Kjo shkelje, bëhej gjithmonë nga ana jote. Përkundër mesazheve „sekrete“ që t`i përcillja – ti e din se si i merrje ato – ti bëheshe e shurdhër dhe vazhdoje të thurje rrëfimin tënd, ashtu siç doje ti, pa fije hamendjeje se ti, kështu, po shkatërroje imazhin tënd, dhe jetën time. Në fakt, t`i tregove të vërtetën për vetveten, unë gjeta veten time të vërtetë.
F a k t e t
E para
Unë insistoja që të mos largohem nga kryeqyteti. Doja nga aty të vazhdoj përpjekjet e mia kundër tymit, etjes, territ, betonit, etj.etj.. Ti, pjelle dhe imagjinove një katund afër kryeqytetit. Ti doje nga aty, të luftoje të keqen në kryeqytet. Absurde – apo jo?!
E keqja luftohet në vend, aty për aty! Aty ku „lind“ dhe „jeton“ e keqja, aty duhej luftuar.
Në politikë dhe jetë E keqja, ashtu sikur e mira.
As nuk lindin dhe as nuk jetojnë nga vetvetja dhe vetëm
Ato i krijojnë njerëzit Për të mbytur dhe mbajtur gjallë.
Po njerëzit (për Alba Helvas: Këta rreshta mbi të keqen dhe të mirën, janë ekskluzivisht të
miat, dhe jo vjedhje nëpër libra të të mençurve siç bëjnë disa të “mençur”
sot në kryeqytet).
E dyta
Ti, pasi që më dërgove në katund, ma hoqe mundësinë që të kam qasje në internet, t`i përcjell lajmet vazhdimisht. Më ktheve tek prindërit e mi. Falënderit për këtë të mirë! Por, unë tërë sezonin e verës e pata kaluar në katund, dhe nuk ndjeja ndonjë përmallim të veçantë në muajin nëntor. Unë të kërkova, që së
pakut, t`i të më ekzilosh diku në Evropë, pastaj, nga aty, unë të flas për të këqijat në kryeqytet. Kërkova nga ti, që së pakut ta bëje këtë, ngase, nga ndonjë shtet në Europë, do të merrja epitetin e të përndjekurit, me një fjalë, epitetin e disidentit. Dhe kjo nuk do të ishte pak, apo jo?! Do të kisha mundësinë që të flisja si disident, dhe fjala e disidentit, ti e din, vlenë më shumë se të tëra billboardet (lexo: faqemuret) e krejt shtëpive të katundit të prindërve të mi, që ti i krijove dhe m`i „dhurove“ si ngushëllim kompromisi.
Ti më lé në atë shkretëtirë murresh, nga ku unë do të komunikoja vetëm me bashkëkatundarët e mi. Turp!
Unë kërkova nga ti të mos më lësh në vetmi….që unë nuk e dua aspak. Ti më përshkruaje të tillë gjatë tërë kohës sa qëndrova në katund, thuaja se unë jam i sapordhur nga një klinikë psikiatrike, apo i sapo ardhur në një klinikë të tillë, dhe, sikur me zor, endesha aty pari. Ti më përshfaqe si një njeri të përhumbur!
M`i lidhe dy qen të Sharrit në shtëpi të prindërve të mi, kështu munde pastaj të m`i lidhje edhe mua për këmbësh e duar më lehtë. Së pakut t`i kishe pagëzuar me emra po aty, ata dy krijesa të pafajshme!
Tek vonë t`u kujtua ta sillje Benin nga Kanadaja e largët, dhe ta fusje si një personazh që mua do të ma vriste vetminë atyre ditëve të sikletshme. Kam patur edhe shokë dhe miq të tjerë, dhe ata kanë qenë më afër se Kanadaja. Ke mundur të shkosh në Tetovë apo Tiranë dhe do të gjeje sa të doje. Benit i kërkoj falje nga zemra, edhe pse e di se do të ndihet keq, kur të kuptoj dredhitë tua Alba H., por, e di se do të ndihet po aq Krenar, që më është gjetur pranë.
Sa për të “trukuar” një analogji mes qenve dhe ujqërve, t`i më pate lënë në dorë romanin e Agut – “Ulurima e ujkut”, dhe, për pak sa nuk pata plagjiatuar atyre netëve, duke nisur të shkruaj edhe unë një version të vogël të atij romani, duke e titulluar “Kafshimi i hijenave”. Ngase, ajo që lexoja ditën zgjuar, në ëndërr ecte si shirit filmi në mendjen time dhe, atë, në përmasa hijenash gjigante. Por, falë letrave të pakta që kisha në disponim, nuk vazhdova me mëkatin letrar. E vetmja gjë ndoshta që të kam falënderuar vetë më vete për diçka, ka qenë kjo, pra, dhënia e paktë e letrave.
E fundit
Unë, ti e nderuara, e madhëruara, e magjishmja, e lazdruara, e bezdisshmja, e turpëruara, e poshtra, e ulta, e… A.H., po e bëj publike edhe këtë fakt se, unë nuk u pajtova që në fillim me ju, që në ditarin tënd të jam një personazh që kam vetëm iniciale. Që në fillim, të thashë se kam emër dhe mbiemër, dhe se kompromisi im më i madh, pas insistimit tënd të isha anonim, ishte që ti të më quaje me emrin artistik – Quo Vadis. Dhe, ti, që në fillim bastardove edhe këtë emër, duke e thjeshtësuar në dy shkronja, që shumëkënd e ka bërë të mendojë, mos ky njeri që endej në ditarin tënd me dy qentë e sharrit, dhe bezdiste „faqemuret“ ishte miku apo shoku, fqinji apo shefi… i iksit e ypsilonit. E vetmja gjë që i ke ndenjur „besnike“ marrëveshjes ka qenë „shtrimi“ i këngës sime (lexo: sythkës sime) të shkruar në fletoren me katrorë, që e shkruaja në frymë
ditari, në ditarin tënd pompoz. Kësaj rradhe, po e botoj të tërën, me disa përshtaje të lehta „pro forma“, duke ia bashkangjtur në fund kësaj letre publike.
Krejt në fund, po mar mundin që të përshëndes pa respket, për dredhat që m`i hoqe shpinës sime, dhe dredhitë që m`i luajte para syve të mi!
Pr. 30.11.2013
Quo Vadis „Sythkë“ e parë – lament odash
« Secilit, lëkura… e vetë!
Askush, asgjë, askujt!
As unë, askujt, asgjë!
Secili… për këmbë të veten! »
„Sythkë“ e dytë – manifest kryeqyteti
Nuk hahet balta për hallvë.
1.
Qyteti me plot beton e pak gjelbërim, me plot tym e pak oksigjen
Merr frymë frikshëm (qyteti s`ka mushkëri, ia kanë tharrë)
Nga tymi, bloza, ngushticat, balta, mbindërtimet, etja për ujë…
Nevoja për dritë, për punë, për moskotësi…
Hapin hedh pa nda
Të dali nga tuneli i terrtë i shpresave të pafundme dhe premitmeve përsëritëse
2.
Nga ky çast I pafund hiçi metropolitan do të dali…
Dhe shemben dritat e vjetra ne kryeqytet
Piskamat e lakuriqëve ngulfaten në lakuriqësinë e tyre të verbër
Kënga për kungullin dhe kungullanët duhet të jetë e zbehtë
3.
Zoti do t`i turpërojë, ata që kujtojnë zotin, vetëm kur kanë zor
Kungulli… prektë fundin e lumit
E mbuloftë balta dhe myshku që kultivuan kungullanët
4.
U mbarstë me diell e dritë ky qytet
Nga kjo mbarsje, u buzëqeshtë e nesërmja përgjithmonë
Dhe si porosi e artë u barttë fytyrave të viteve në vazhdimësi
Duke ngjallur dritën mbi mykun e çative të shpirtit
5.
Shndërone kryeqytetin në një vend fluturash dhe jo lakuriqësh