Italia ka shtrënguar masat për të frenuar rritjen e infeksioneve me virusin korona duke përfshirë ndalimin e të gjitha festave të Vitit të Ri, ndërkohë që infeksionet ditore arrijnë nivele rekord. Ministri i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha se mbajtja e maskave do të jetë përsëri e detyrueshme jashtë dhe urdhëroi qytetarët që të përdorin maskat Ffp2 në transportin publik dhe në vende publike, si teatrot, kinematë dhe ngjarjet sportive, pasi ato ofrojnë mbrojtje më të madhe. Për më tepër, koncertet dhe ngjarjet në natyrë do të ndalohen deri më 31 janar, dhe diskotekat dhe klubet e vallëzimit do të duhet të mbyllin dyert deri në atë datë për të parandaluar grumbullimet masive gjatë sezonit të festave. Masat e reja u njoftuan në ditën kur Italia regjistroi 44 mijë e 595 raste të reja me coronavirus brenda një dite.