Të pikëlluar, qindra qytetarë, familje të Dëshmorëve, invalidë, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ish eprorë të lartë të UÇK-së, lidership politik, deputetë të Kuvendit të Kosovës, drejtues institucionesh shtetërore, të prirë nga Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu morën pjesë në mbledhjen komemorative organizuar nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së në Ferizaj, me mbështetjen e Komunës së Ferizajt, në nderim të jetës dhe veprës së Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneralit të FSK-së, Zëvendëskomandantit të Zonës Operative të Neredimes, Imri Ilazi që ndërroi jetë, mëngjesin e së shtunës.
Në fjalën e tij, Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu tha se emri i Gjeneral Imri Ilazit, është kryefjala e luftës për çlirim në Ferizaj e më gjerë.
“Mëngjesi sot zbardhi, përplot pikëllim, me lajmin për kalimin në amshim, të Gjeneralit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Gjeneralit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, veprimtarit politik, mikut tim të shtrenjtë – Imri Ilazi – Komandant Ferri. Pikërisht sot, në Ditën e Dëshmorëve të Kombit, si një shenjë e perëndisë e sublimes, për ta bashkuar me shokët e bashkëluftëtarët në përjetësi, kaloi në amshim Gjenerali Imri Ilazi. Lotët e zemrës rrodhën sot, për Gjeneralin që na la, për Dëshmorët që për mbi dy dekada, kanë lënë bosh zemrat tona, por edhe krenar, me lavdinë e tyre, me sublimen sakrificë që ushqeu rrënjët e Kosovës së lirë. Komandant Ferri, kaloi në përjetësi, me shijen që përjetoi në liri, së cilës i fali gjakun e tij, sakrificën e guximin. E përjetshme kaherë është vepra e tij, e pavdekshme është lavdia e pushkës, trimërisë, atdhedashurisë që e shquajti gjatë gjithë jetës së tij. Komandat Ferri, që në rini, iu bashkua kauzës për liri, duke lënë mërgimin, për të rrokur armën, në të parat radhë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për t’i dal zot atdheut, përgjigje në kushtrimin për liri.
Ishte emri i tij, prijëtar në Zonën Operative të Neredimes, duke qenë zëvendëskomandat i saj, bashkë me shokët, gjithnjë kokëlartë, dalzotës, maleve, luginave, shtigjeve në çdo betejë, sypatrembur para armikut, i besatuar në Zot e Atdhe, për lirinë e Kosovës. Komandant Ferri – ishte ferri i pushtuesit, ishte tmerri i fashizmit serb në këto anë. Marshi i tij, bashkë me shokët, afronte çdo ditë më pranë, çlirimin – lirinë. Zemra e tij e çeliktë, sikurse atdhedashuria që mishëronte gjithë qenien e tij, përbuzte vdekjen, nuk njihte frikën, fronteve të stuhisë kundër gjakatarëve serbo-sllav, për të dalë fitimtar, për të ngadhnjyer mbi këtë stuhi, për t’i sjellë sot e sa të jeta – Kosovës – rrezet e lirisë. Gjeneral Imri Ilazi, është emri që spikat në luftën tonë çlirimtare. Betejat e lavdisë, si sot në përvjetor të Epopesë së Jezercit, gjejnë trimërinë e tij, faqeve të historisë, gjejnë lavdinë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në kronikën e lirisë. Kur Kosova po ndjente në duart e saj shtrëngimin e prangave shekullore të robërisë, ishte ai, bashkë me shokë, Ushtria Çlirimtare e Kosovës – dalzotësit e kombit, fanarët që ndriçuan shtigjet e përgjakshme, për lirinë. Rrëfimi për luftën, për betejat për çlirim, në Ferizaj e më gjerë, ka kryefjalë emrin e tij. Ishte ai, që me një qetësi të jashtëzakonshm, me një mprehtësi të rrallë, edhe pas çlirimit, paraqiste zërin kuptimplotë, të përpjekjes sonë për liri. Jeta e tij, ishte betejë e çdoditshme për të mirën. Pas çlirimit, Komandant Ferri, u rreshtua në Trupat Mbrojtëse të Kosovës e më pas në Forcën e Sigurisë së Kosovës, trashëgimtaret e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë me kontributin e tij, gjurmë të pashlyeshme, të pazëvendësueshme për brezin e ri, të ushtarëve të Kosovës. Gjeneral Imri Ilazi, është shembulli më tipik, i luftëtarit të pepur për lirinë, fjalëpak e guximtar, lavdiplotë me veprën e tij. Zemërthyer e në vaj jemi sot. Morti për Gjeneralin është shpërndarë tek të gjithë ferizajasit e më gjerë. Fjalët janë të varfra për të përthekuar pikëllimin që kemi.
Humbëm sot, mikun e shtrenjtë e të dashur. Humbëm sot Gjeneralin e Ushtrisë Çlirimtare tëKosovës e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Humbëm sot, luftëtarin e paepur për lirinë,veprimtarin politik e bashkëqytetarin që gjithë jetën e tij e shquajti ndershmëria e intelektualiteti, respektplotë e parimor gjithnjë. Humbëm sot Imri Ilazin. Gjeneral, nga atje lartë ku shpirti yt prehet në përjetësi, nën rrezet e diellit të këtij 28 Shtatori, zemërthyer e me lot pikëllimi të themi: FALEMINDERIT për gjithçfarë bëre për Kosovën, për lirinë e saj, për themelet tona të shtetësisë. Fisnikëria jote, është frymëzimi ynë, për të ecur përpara. Lavdia e veprës tënde, është rruga e trasuar për të ardhmen. Ti – Yll i përjetësisë, krenarisë mbarëshqiptare, pusho atje në parajsën e gjithësisë, sepse e gjithë jeta jote u shkri, pa pushim për Kosovën e lirë. Lavdi sa të jetë jeta Gjeneral Imri Ilazi! Lavdi jetës e veprës tënde heroike Ngushëllime familjes Ilazi, bashkëluftëtarëve, familjeve të dëshmorëve, invalidëve e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u prehtë në paqen e parajsës së paskaj, shpirti i tij!” mbyllet fjala e Kryetarit Aliu.
Me fjalë rasti, në këtë mbledhje komemorative, në nderim të jetës e veprës së tij, sakrificës e luftës lavdiplote për lirinë, të pranishmëve iu drejtuan edhe ish shefi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Gjeneral Lejtnant Agim Çeku,
ish Komandanti i Zonës Operative të Neredimes, Gjeneral Shukri Buja, Metush Haziri nga Kryesia e OVL UÇK në nivelin qendror, Kryetari i OVL UÇK-së në Ferizaj, Rafiz Sejdiu, Gjeneral Ilir Qeriqi nga Komanda Qendrore e FSK-së bashkëveprimtari Qamil Xhemajli si dhe Liburn Ilazi i biri i Gjeneralit Imri Ilazi.
Gjeneral Imri Ilazi, me nderime nga Garda Memoriale e Forcës së Sigurisë së Kosovës, me pjesëmarrjen masovike të qytetarëve, u varros në Varrezat e Qytetit në Ferizaj.