leoni

Iu dha lamtumira e fundit, juristit të shquar ferizajas, ish Kryetarit të Gjykatës Supreme, Rexhep Haxhimusa

Në ambientet e Teatrit “Adriana”, u mbajtën homazhet dhe mbledhja komemorative në kujtim e nderim të jetës së juristit të shquar ferizajas, ish Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rexhep Haxhimusa.

Ishin qindra qytetarë, drejtues të institucioneve të drejtësisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës, zyrtarë nga Komuna e Ferizajt, drejtues e përfaqësues të institucioneve të ndryshme shtetërore, familjarë, që morën pjesë në homazhet dhe mbledhjen komemorative në nderim të të ndjerit në Teatrin e Ferizajt.

Me fjalë të pranishmëve iu drejtuan Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi, ish Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Hasani.

Me telegram ngushëllimi, të pranishmëve iu drejtua edhe Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu, të cilin telegram e paraqiti para të pranishmëve në fjalën e tij, Shefi i Kabinetit të Kryetarit të Ferizajt, Albion Sherifi.

“Me dhembje e pikëllim, morëm lajmin për ndarjen nga jeta të juristit të dalluar në gjithë gjeografinë shqiptare, ish Kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ish Kryetarit të Gjykatës Komunale të Ferizajt, drejtuesit të institucioneve gjyqësore lokale e qendrore, autorit të punimeve shkencore në fushën juridike, ekspertit juridik që shërbeu në vendimmarrjen publike në ngritjen e forcimin e institucioneve të Kosovës, bashkëqytetarit tonë, Rexhep Haxhimusa, i cili paraqet një shembull të përkushtimit profesional, gjersa vepra e tij mbetet trashëgimi e çmuar ndër breza në fushën e drejtësisë. Ngushëllime të sinqerta familjes Haxhimusa, kolegëve, miqve e të njohurve të të ndjerit, thuhet mes tjerash në telegramin e ngushëllimit të Kryetarit Aliu.

Gjersa në emër të familjes Haxhimusa, të pranishmëve iu drejtua me fjalën e tij, i biri i të ndjerit, Yll Haxhimusa, i cili falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen në mbledhjen komemorative, fjalët e përzemërta e kujtimet që ndanë në nderim të jetës dhe veprës së kolosit të drejtësisë shqiptare, Rexhep Haxhimusa.

Bashkëqytetari ynë i shquar, Rexhep Haxhimusa, u varros të mërkurën në vendlindjen e tij, në fshatin Doganaj të Ferizajt, me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve, familjarëve dhe drejtuesve e përfaqësuesve të institucioneve shtetërore.

Kontrolloni gjithashtu

Kryetari Ramosaj mori pjesë në festën e fundvitit në shkollën fillore “Jusuf Gërvalla” në Prapaqan

Ndjenjë e veçantë që së bashku me drejtorin e Arsimit, z. Besnik Hulaj morëm pjesë …