Historiani, shkrimtari dhe profesori kroat në universitetin prestigjioz në Amerikë, Yale, Ivo Banac, ka thënë se nuk pret që presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, të nënshkruajë marrëveshjen ligjërisht obliguese me Kosovën. Në një intervistë për të përditshmen malazeze “Pobjeda”, Banac thotë se arsyeja e dyshimit të tij në këtë aspekt ndërlidhet me interesat e Rusisë në Ballkan dhe shton se BE-ja s’ka çfarë t’i ofrojë Serbisë. “Sepse kjo do të nënkuptonte një ndarje me të gjithë politikën e tij dhe një prishje të prioriteteve ruse në Ballkan. Nuk shoh se çfarë mund t’i ofrojë Perëndimi në këmbim, përveç përshpejtimit të anëtarësimit në BE, e cila sërish nuk mund të jetë e detyrueshme për të gjitha shtetet anëtare”, ka thënë Banac, transmeton Koha.net. “Mbi të gjitha, Vuçiqi nuk u ngut të dematojë mendimin e Nenad Popoviqit, njeriut të Putinit në qeverinë e Vuçiqit, i cili me qetësi deklaroi se Marrëveshja e Brukselit ishte e vdekur dhe se Serbia kishte përfunduar integrimin evropian. Ky ishte një mesazh rus”.
