Vazhdojeni luftën, mos u ndalni! Armiku duhet thyer dhe liria duhet fituar!. – Kjo ishte porosia e dëshmorit të kombit, Izet Shatri, në çastet e fundit të jetës, kur ai kishte marrë plagë vdekjepruese nga armët e pushtuesit serb. Këtë dëshirë të tij e çuan në vend bashkëluftëtarët çlirimtarë, Abedin Dërvishaj (dëshmor), Bujar Visoqi (dëshmor), Arben Januzaj (dëshmor), Feriz Blakaj (dëshmor), vëllezërit e Izetit, Fikreti e Rrahimi, Xhelal Hakaj, Shemsedin Januzaj, Zyrafete Lajçi, Hanëmshahe Muzliaj, Fitore Sadriaj, Blerim Rexhaj, Sali Rexhaj, Hajrush Elezaj (dëshmor), Ahmet Rexhaj, Arjeta Dreshaj, Xhafer Shatri, Naser Shatri, Alban Shatri e dhjetëra luftëtarë të tjerë të brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, por edhe mijëra pjesëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, anë e mbanë vendit. Ata nuk i lëshuan armët nga duart dhe nuk e ndërprenë zjarrin kundër armikut deri në mposhtjen dhe në dëbimin e tij nga toka e Kosovës.
Dëshmori Izet Shatri ka lindur më 31 dhjetor të vitit 1969 në fshatin Kushtrim (ish-Tomoc) të komunës së Burimit. Shkollimin fillor e kryen në Gurrakoc, kurse atë të mesëm në Burim. Studioi në Prishtinë. Kur shpërthen lufta kundër pushtuesit serb në Drenicë, Izeti ishte absolvent i Fakultetit ekonomik. Që nga ky moment, në qendër të interesimit të tij nuk do të jenë më studimet për ekonomi, por lufta e pakompromis kundër pushtuesit të egër serb, për çlirimin e Kosovës e të popullit shqiptar. I pajisur, jo vetëm me aftësi të theksuara fizike e me ndjenja të forta të traditës atdhetare, por edhe me një përvojë të pasur të rezistencës për liri kombëtare, te ai ishte rrënjosur bindja se çështjet ekzistenciale të një kombi, siç është liria, mund të zgjidhen vetëm përmes grykës së pushkës, e jo me llafe e predikime kristiane. Ai e dinte se edhe për popullin shqiptar të Kosovës kishte rënë ora e lirisë, prandaj ritmin e saj e ndoqi deri në rënie.
Izeti ishte i bindur se parakushti për ta fituar luftën çlirimtare ishte përkrahja masive e saj. Po ashtu, ai ishte i bindur edhe në faktin tjetër se shtrirja e luftës në tërë Kosovën ishte domosdoshmëri, madje dhe çështje dite. Për këtë arsye, që nga fillimi i luftës në zonën e Drenicës e në një pjesë të Rrafshit të Dukagjinit, angazhohet me tërë forcën për të krijuar rrethanat e favorshme për organizimin e bërthamave e të rendimeve të UÇK-së edhe në rrethinën e Burimit. Pasi vendos lidhjet me UÇK-në në zonën e Drenicës, rrugën për në këtë zonë e bën vijë të rregullt të komunikimit. Përmes kësaj rruge mban lidhje të nevojshme, merr dhe përcjell instruksione, dërgon ndihma, hulumton terrenin dhe mënyrën për formimin e njësiteve të reja të UÇK-së…
Si trim i paepur që ishte, Izeti tashmë edhe vepronte me guximin e luftëtarit të lirisë. Ai me bomba në xhep e me revole në brez, shpesh lëvizte pa u trembur madje edhe para hundëve të policëve e të ushtarëve serbë në qendër të qytetit të Burimit. Në aktivitetin e tij, kishte përkrah edhe vëllezërit, Rrahimin e Fikretin, djemtë e axhallarëve, Naserin, Skënderin e Jetonin, axhën, Xhaferin (i rënë dëshmor), kushërinj të tjerë, Ajetin, Safetin, Sokolin, Eshrefin, Aliun, Arbenin, bashkëfshatarë të shumtë, si Shaban Halitajn, Rifat Gjocin e të tjerë. Këta emra të luftëtarëve do të jenë edhe pjesëtarë të brigadës së 133 “Adrian Krasniqi” të UÇK-së, përkatësisht të rendimeve të kësaj brigade. Izeti ishte pjesëtar i njësitit për intervenime të shpejta të brigadës 133. Si bërthama e parë e kësaj brigade, e cila formohet në fillim të vitit 1999, ky njësit special i policisë ushtarake, formohet në vjeshtë të vitit 1998 dhe komandohet nga luftëtari tashmë me përvojë të gjatë të luftimeve, Naser Shatri.
Dëshmori Izet Shatri ishte luftëtar i devotshëm. Ai përherë ndodhej aty ku gjendet luftëtari i radhëve të para, aty ku djeg zjarri i betejës dhe aty ku mbrohet nderi i mëmëdheut. Përgjigjen ndaj thirrjes për të qenë aty ku sakrifikohet për atdhe, e përjeton si privilegj të paçmueshëm. Duke pasë këtë frymë gatishmërie, në fillim të muajit prill të vitit 1999, paraqitet vullnetarisht për të marrë pjesë në aksionin për tërheqjen e ushtarëve të plagosur nga fshati Shqiponjë (ish-Jabllanicë e Gjakovës). Bartja e të plagosurve deri në spitalin ushtarak në Kaliçan zgjat dy ditë rresht. Në këtë aksion, Izeti dëshmon trimëri dhe zhdërvjelltësi të pashoqe ushtarake. Prita që ishte organizuar nga forcat serbe në Lug të Baranit, u kalua pa pasoja duke iu falënderuar kundërsulmit të ashpër të tij me shokë. Ai shpartallon bandat në pritë, duke vrarë me murtajë disa prej pjesëtarëve të tyre. Atë ditë edhe mediat e Beogradit njoftojnë për vrasjen e disa ushtarëve serbë në këtë betejë. Në këtë rast plagoset edhe vetë Izeti.
Entuziazmi luftarak që e karakterizon dëshmorin Izet Shatri, bën që ai të shquhet betejë pas beteje. Duke qenë pjesëtar i njësitit special të policisë ushtarake, i cili zbaton taktikën luftarake të sulmit mbi forcat e pushtuesit jashtë pikave të tyre të pozicionimit, ai çdo herë tregohet i suksesshëm me sulmet e rrufeshme e të befasishme. Automatiku, murtaja dhe bombat e tij jehojnë sa në një vend në tjetrin, duke bërë të pasigurt në çdo moment jetën e trupave serbe. Sulmet në vend e në kohë të papritshme, bëhen taktikë e mbrojtjes më të mirë. Një aksion i tillë sulmi u ndërmor edhe në ditët e para të muajit prill të vitit 1999. Njësiti ushtarak i komanduar nga Naser Shatri planifikon sulmin nga vendi i quajtur Shkalla, mbi lagjen serbe të Burimit, Lugu i Shkive, ku kishte edhe forca policore. Sulmi u bë me topin e mjeshtrit Dërvish Osmani, i quajtur me nofkën Dërvish Shaqa-Topi dhe me mitraloz të rëndë. Izeti në këtë rast dëshmoi entuziazëm të madh duke bartur topin e “Dërvish Shaqës”, nga fshati Tedel (ish-Vrellë), nëpër Lubozhdë e Cerrcë, deri në Shkallë, duke ecur nëpër terren shumë të papërshtatshëm. Sulmi i kryer me sukses pati për efekt panikun e madh dhe shpërqendrimin e forcave serbe në shumë pikëpozicionime të tyre.
Duke u kthyer në bazë nga ky aksion, Izeti me shokë ndeshet me disa eprorë të ushtrisë serbe, me ç’rast shkrep mbi ta. Disa prej tyre mbeten të vrarë.
Dëshmori Izet Shatri ishte idealist i madh. Fitoret ushtarake i përjetonte me gëzim të papërshkrueshëm, duke i kremtuar edhe me këngë e me tinguj të ëmbël të klarinetit, mjeshtër i të cilit ishte. Klarineti dhe arma bëhen pjesë të pandashme të trupit e të qenies së tij, gjatë tërë kohës së luftës, deri në rënie, më 12 prill 1999. Tingujt e këtij instrumenti muzikor kishin jehuar edhe një ditë më parë, në disa çaste pushimi, në Tedel. Në krijimin e atmosferës së tillë të hareshme e optimiste, Izetit i ndihmonte edhe vëllai, Fikreti, i quajtur me nofkën e luftës “Ziguri”.
Më 12 prill të vitit 1999, forcat serbe ndërmarrin ofensivë të përgatitur me një taktikë të përpunuar mirë, kundër pozicioneve të UÇK-së ndërmjet fshatrave Lubozhdë e Tedel. Ato përdorën të gjitha llojet e armatimit, që nga topat e kalibrit të madh e deri te armët e lehta të këmbësorisë. Kësaj radhe, vëhen në veprim edhe njësite spciale ushtarake, të ashtuquajtura “Franjevci”, të aftësuara të operojnë në terrene malore. Këto njësite, nga pasbjeshka arrijnë të zbresin malit, pas shpinës së ushtarëve të UÇK-së të vendosur në pozicionet e rrëzëmalit ndërmjet Lubozhdës dhe Tedelit. Kjo befasi krijon situatë të pakapërcyeshme për këto forca të UÇK-së. Çlirimtarët kundërpërgjigjen me të gjitha armët në dispozicion, mirëpo, pozita e tyre ishte tepër e pafavorshme. Beteja zhvillohet e ashpër dhe në afërsi të madhe. Tani, armiku, përveç përparësisë në armatim, kishte edhe përparësinë tjetër: atë të pozitës së zënë. Beteja nuk pushon për disa orë rresht. Për t’iu përgjigjur situatës së krijuar, një pjesë e njësitit ku bën pjesë Izeti, e komanduar nga vëllai i tij, Fikreti, niset me të shpejtë drejt pozicioneve të sulmuara nga serbët. Në radhët e këtyre luftëtarëve bënin pjesë edhe Abedin Dërvishaj (dëshmor), Bujar Visoqi (dëshmor), Xhelal Hakaj, Sali Rexhaj, Hajrush Elezaj, Ahmet Rexhaj e Arjeta Dreshaj. Pjesa tjetër e këtij njësiti shkon për t’iu kundërvënë sulmeve të pushtuesit në fshatin Orraberdë.
Pas arritjes në fushëbetejë dhe pas shkëmbimit të zjarrit, Izetin e godet rëndë granata në këmbën e majtë. Në këtë moment bashkëluftëtarët më të afërt ishin Sali Rexhaj e Xhelal Hakaj, të cilët arrijnë ta tërheqin nga vija e zjarrit dhe së bashku me Eshref Halitajn, me shpejtësi e nisin për në Tedel (ish-Vrellë), për t’ia dhënë ndihmën e parë. Mirëpo, së shpejti, zemra e tij pushon së rrahuri. Shokët e luftës, po atë ditë arrijnë ta vorrosin në varrezat e fshatit Tedel. Po në këto luftime biejnë edhe Abedin Dërvishaj (“Dapi”), Bujar Visoqi, Ismet Bicaj, Skënder Maraj, Xhafer Mehmetaj, ndërsa plagosen disa luftëtarë, ndër ta edhe Fikreti.
Luftime të ashpra bëhen edhe në fronte të tjera të Brigadës 133 “Adrian Krasniqi”, si në Orroberdë, Albë e Vogël (ish-Jabllanicë) e të tjera. Gjatë luftimeve të zhvilluara në Albë të Vogël, më 13 prill, bie edhe axha i Izetit, Xhaferi. Ndërkohë, në Rugovë, gjatë aksionit për tërheqjen e ushtarëve të plagosur për në vend më të sigurt, djali i Xhaferit, Albani, plagoset. Në këtë aksion merr pjesë edhe vëllau tjetër i Izetit, Rrahimi.
Rënia e Izetit dhe e shokëve të tij, nuk i dëshpëroi bashkluftëtarët e tyre. Njësiti special për veprime të shpejta vazhdoi sulmet e befasishme kundër forcave serbe, sa këtu, sa atje, deri në ditën e kapitullimit. Më 13 qershor të vitit 1999, shokët e të rënëve u mblodhën në Tedel dhe të njëjtën ditë hyjnë me triumf në qytetin e Burimit. Një pjesë e ëndrrës së Izetit dhe e dëshmorëve të tjerë bëhet realitet.
Dy muaj më vonë, më 12 gusht të vitit 1999, trupi i dëshmorit Izet shatri u rivarros në varrezat e fshatit Kushtrim (ish-Tomoc). Bjeshkët e larta mbi Burim, sikur mbahen kryelarta për trimërinë e tij. Ato sikur i flasin me gjuhë të gurtë, hirit të dëshmorit Izet Shatri: Rri i qetë se ne mbrojmë kufirin e Kosovës tënde!
Siç ishte trim e optimist në luftë, Izeti ishte i dashur e i hareshëm edhe në jetë. Të tillë e kishin rritur prindërit, Rexhepi e Ryva, sikurse i rritën edhe katër fëmijët e tjerë, Rrahimin, Avdullahun, Ajshen e Fikretin. Vajza e tij, Alma, nuk e mban në mend babin e saj dëshmor, por duke u rritur do ta përfytyrojë madhështinë e tij të përjetshme. Izeti ishte i martuar me Drita Kçikun.
Si sportist i apasionuar pas atletikës, si klarinetist i dalluar, si pjesëtar i shoqërive kulturo-artistike “Jusuf Gërvalla” e “Gurrat e Bardha” të Tomocit e të Burimit, e më në fund si luftëtar lirie që flijoi jetën për çështjen e lirisë së Kosovës, dëshmori Izet Shatri, ka hyrë në kujtesën e përjetshme historike të popullit shqiptar. Vepra e tij është nderuar me mirënjohje të shumta nga Shoqata e familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes e Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, nga Universiteti i Prishtinës dhe nga Unioni i Pavarur i Studentëve të këtij universiteti. (N. M.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …