leoni

Familjarët e dëshmorëve të Vërbicë e Zhegocit reagojnë pas qarkullimit të një video emisioni poshtërues për banorët e kësaj treve

Izmi Zeka: Beteja e Zhegocit prillit të vitit 1999 nga pikpamja historike

Gjatë dhjetorit të vitit 1877 dhe janari të vitit 1878, nga shtypja e egër serbe, shqiptarët u detyruan t’i lëshojnë 640 vendbanime, me mbi 160.000 banorë. Kjo popullsi shqiptare ishte e vendosur në rrethin e Nishit, të Prokuples, të Leskocit, të Vranjës, të Kurshumlisë të cilët u detyruan të vendosen në territorin e Kosovës. Masa drastike dhe shtazarake u përdorën ndaj tyre.

Për ta arritur kulmin, Traktati i Shën Stefanit, i 3 marsit të vitit 1878, vendosi që Kosovën ta cungoj, duke zgjeruar Serbinë në Sanxhakun e Prishtinës e deri në afërsi të Mitrovicës dhe vendeve kryesisht të banuara me popullsi shqiptare. Situatën tepër të rëndë e bëri ky Traktat, ndaj në mënyrë urgjente kërkohej që të gjitha forcat shqiptare të mobilizoheshin dhe të mbrojnë trojet e tyre etnike e stërgjyshore. Nevojë e kohës ishte që shqiptarët të bashkohen ku më 10 qershor 1878, në Prizren i fillon punimet Kuvendi i Përgjithshëm në krye me Ilaz Pashë Dibrën. Kuvendi i Përgjithshëm menjëherë vendosi të formohet Lidhja e Prizrenit dhe t’i dërgonte një letër Kongresit të Berlinit, i cili do të mbahej tri ditë më vonë, se shqiptarët nuk do të lëshojnë trojet e tyre arbërore nëse vendoset për ndarjen e tyre. Megjithatë Kongresi i Berlinit i 13 qershorit 1878 nuk i përfilli interesat dhe ultimatumin e shqiptarëve. Vendimet e Kongresit të Berlinit dëmtuan pjesë të shumta të territorit shqiptarë. Edhe pse Lidhja Shqiptare e Prizrenit për tri vite rresht u mundua të mos lejoj copëtimin e trojeve etnike, megjithatë ajo u shkatërrua. Lidhja e Prizrenit pati jehonë të madhe dhe fuqishëm ndikoi që çështja shqiptare të shikohet më seriozisht. Vazhdimësinë e Lidhjes së Prizrenit, duke parashtruar pothuajse kërkesa të njëjta i pati edhe Lidhja e Pejës, e mbajtur më 23 janar 1899. Qëllim kryesor edhe Lidhja e Pejës, kishte moslejimin e copëtimit të trojeve shqiptare dhe njëkohësisht vendosi për ndërprerjen e gjakmarrjes për një vit.

Një numër i madh patriotësh shqiptarë jashtë vendit, përmes botimeve dhe shkrimeve të tyre u bënin thirrje bashkëkombëseve të tyre që të bashkohen rreth Lidhjes së Pejës dhe programit të saj për Autonomi. Kjo Lidhje Portës së Lartë nuk i shkonte për shtati dhe sipas tyre i cenonte interesat e Perandorisë, dhe në vitin 1900 me anë të forcave të shumta e shtypi Lidhjen. Të gjitha këto ngjarje të shekullit XIX-të shembën iluzionin që shqiptarët (kosovarët) ti nënshtroheshin pushtuesve të çfarëdo ngjyre qofshin ata.

II

Fillimi i shekullit XX-të shënon lëkundjet e Perandorisë. Shqipëria në njërën anë shpallë pavarësinë, kurse në anën tjetër, vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës të 29 korrikut 1913 Kosovën e ndajnë gjeografikisht nga trungu i saj. Kosova mbetet e ndarë. Fillon histori e re.

Kosova tashmë i nënshtrohet regjimit të egër serb, masakrave të mëdha, që sipas Dimitrije Tucoviqit, serbët lirisht mund të hyjnë në radhën e popujve më të egër, popujve që nuk njohin të drejtë dhe realitet.

Edhe në këtë kohë Idriz Seferi, ishte një nga udhëheqësit kryesor të kryengritjes së Kosovës në vitin 1910 dhe u shqua si një ndër strategët më popullor në betejën e Kaçanikut si dhe në betejën e Karadakut e të Moravës, si dhe në kryengritjet shqiptare antiosmane të vitit 1912.

Më 26 prill 1915 në Londër u mbajt një Traktat i fshehtë, i cili parashikonte të kënaqte epshet e Serbisë dhe Malit të zi (Anglia, Rusia, Franca dhe Italia). Traktati i Londrës paraqiste një rrezik permanent për çrrënjosjen e ndërgjegjes kombëtare dhe ndarjen e tërësishme territoriale shqiptare. Gjatë luftës së parë Botërore, planet djallëzore të Traktatit nuk kishin marrë formën e prerë, dhe pas përfundimit të saj, fuqitë e mëdha thirrën Konferencën në Paris, e cila i filloi punimet më 18 janar 1919. Shtetet fituese pas luftës së parë Botërore i kërkonin konferencës që Traktati i Londrës të zbatohej në përpikëri. Edhe pse delegacionet e shqiptarëve i dërguan Konferencës memorandume për ruajtjen e tërësisë territoriale, praktikisht kërkesat e tyre nuk u përfillën dhe thua se Shqipëria me territoret e saja ishte vetëm një nocion gjeografik. Kosova prapë u pushtua nga serbët, përgatiteshin plane djallëzore, rrezikohej qenia shqiptare, të gjitha këto kishin si përfundim logjikën e shkombëtarizimit. Vitet vardisen njëri pas tjetrit secili më i rëndë se tjetri, skëterrë, vrasje, tortura e gjithçka tjetër që civilizimi evropian i mbyllte sytë para një katastrofe njerëzore dhe një populli krejtësisht të pafuqishëm. Tradhti fund e krye. Më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944 mbahet konferenca e Bujanit, në malësi të Gjakovës. Aty shprehet vullneti politik i popullit të Kosovës për vetëvendosje. Vendimet e Konferencës nuk u përfillën pas luftës së II-të Botërore.

Për t’i ilustruar në mënyrë faktike si dhe në çfarë mënyre mendonin krerët serb për t’i larguar shqiptarët nga trojet e tyre po i përmendim disa pika të elaboratit të Vasa Qubrilloviqit.

1. Për spastrimin e shqiptarëve duhet angazhuar Ushtrinë Nacional Çlirimtare të Jugosllavisë, e cila pa mëshirë duhet të pastroj territorin, sidomos duke shfrytëzuar tezën se shqiptarët kanë qenë kundër LNÇ-së në Jugosllavi dhe kanë bashkëpunuar me fashistë.

2. Dëbimi i shqiptarëve duhet të bëhet me taktikën më të madhe se sa dëbimi i gjermanëve dhe i hungarezëve, për të mos ardhur deri te konflikti me Shqipërinë

3. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë qendra strategjike të Ballkanit, andaj shqiptarët duhet dëbuar pa mëshirë nga këto troje.

Të tilla elaborate janë përgatitur disa herë dhe në një masë të caktuar ia kanë arritur qëllimit. Vetëm gjatë dy luftërave botërore janë shpërngulur nga presioni 250.000 shqiptarë nëpër vende të ndryshme të botës. Mbi 400.000 h tokë iu kanë marrë kosovarëve. Gjithashtu,mbi 15.000 familje serbe janë vendosur në Kosovë gjatë dy luftërave botërore. Nga këto të dhëna, që janë të bazuara mbi faktet, shihet qartë se Kosova, si pjesë e Shqipërisë gjatë dy shekujve është ballafaquar me privimin e të ekzistuarit si popullatë. Edhe pas luftës së II-të Botërore Kosova “mishërohet” me një realitet të hidhur, vrasje, tortura, burgosje etj

Molla Idriz Gjilani figurë emblematike e kohës dhe e zhvillimeve të mëtutjeshme gjatë LNÇ-së konceptoi arsyeshëm se tradhtia po bëhet dhe ai luftoi deri në fund kundër atyre që donin Kosovën ta lenin me Serbinë. Lufta e Gjilanit në krye me Molla Idrizin shënon kaptinë të re, prandaj edhe ndiqet këmba këmbës nga regjimi serb, ku zihet dhe vritet në burgjet e Gjilanit por pa pasur njohuri të sakta se ku. Kësaj lufte të Molla Idrizit dhe pakënaqësie ndaj tradhtisë që po bëhej në emër të Lufte Çlirimtare ishte i pakompromis edhe Shyt Mareci i cili bëri përpjekje për shtet të bashkuar shqiptarë.

Nuk duhet harruar edhe luftën në Kikë në vitin 1944 e cila la shumë taborre ushtarësh serb të vrarë. Forcat përparimtare që hetuan tradhtinë që po u bëhej nga partizanët ishin të pakompromis edhe ndaj tri Batalioneve që ishin nisur në dhjetorin e vitit 1944 për në Çarr, në Desivojcë dhe në Vriqec. Në këto luftime më së shumti pësuan Batalioni i II-të i brigadës XVII-të Maqedone.

Viti 1968 – protesta, kërkohet një realitet i ri. Kosova rimëkëmbet, djalëria kosovare kërkon të drejtën e natyrshme, një Kosovë të lirë. Prapë terror i paparë mbi rininë, burgosje, vrasje, shtypje etj. Evropa prapë i mbyllë sytë pran një tragjedie kolektive.

Viti 1981-Kosova i ngjan botës së çudirave, sinjalizon shkapërderdhjen e një fantazme dikur të quajtur Jugosllavi.

Dhe pikërisht frymës liridashëse dhe lëvizjeve në mbarë Kosovën pas Luftës së dytë botërore i prin figura e kësaj ane që sot nuk janë në mesin tonë si Metush Krasniqi, Kadri Zeka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu e shumë tët tjerë të cilët edhe trasuan rrugën dhe mënyrën se si luftohet për atdhe dhe hapën rrugën drejt krijimit të një strategjie për çlirim kombëtar. Kjo frymë rezultoi me krijimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e cila formësoi idenë për çlirim të Kosovës.

III

Nga pikëpamja historiografike, tani më shumë po argumentohet se gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e në këtë kontekst Betejës së Zhegocit, ideja e krijimit të shtetit ishte perspektiva e vetme dhe e domosdoshme për Kosovën dhe zhvillimet e saj. Në këtë relacion vlen të përmendet se vetë shtrirja e luftës në përmasa çfarë ishte dhe drejtimi i saj në një hierarki vepruese në Kosovë dhe në anën tjetër përfaqësuesit politik të saj në shumë shtete të Evropës e më gjerë, paralelisht paraqesin kapitalin më të madh të fundshekullit XX dhe njëkohësisht largimin e forcave ushtarake e policore serbe nga territor i Kosovës.

Krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duke pasur ide kruciale mendimin se brenda kufijve politik e administrativ të Kosovës duhet dhe mund të ndërtohet një pushtet i qëndrueshëm, gjeti edhe përkrahjen e forcave përparimtare në botë dhe aleat për të ndihmuar luftën e saj. Konceptualiteti i mendimit politik të pas viteve 45 i politikës zyrtare, ishte një vij uniforme që dirigjohej nga Serbia, kurse ngjallja e grupeve që nga Demaçi, e më vonë të tjerët, paraqesin një koncept të ri respektivisht një lëvizje të re që karakterizohet me një program sa nacional aq edhe të ndërgjegjshëm. Shikuar nga studimi i kohës, lufta e UÇK-së paraqet lëvizjen më moderne në Evropë.

Nga një program gjithëpërfshirës i përmasave të një shtrirjeje me shumë përpjekje vlerësimi koheziv dhe shumë i hapur, mori përmasat pas vitit 1981 në gjithë Kosovën.

Analiza e dimensionit nacionalist të konceptit politik të veprimit të grupeve të organizuara pas Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1997, ishte konjuktuar mbi interesin kombëtar që e dallon nga veprimet nacionaliste të shumë popujve, qoftë edhe historikisht. Sipas teorive të elaboruara mirë, sidomos serbe, nacionalizmi e kualifikime tjera në zhargonin politik të atëhershëm, ishin pretekst para opinionit ndërkombëtar për të shkatërruar gjithçka që ishte në interes të popullit të Kosovës.

Duke i bërë një syzhe parimeve themelore te zhvillimit politik të pas LDB-së, në relacion me përpjekjet qofshin të një dinamike të vogël, nacionalizmi apo identifikimi i një pjese me lëvizjet progresiste kombëtare, proceset drejt mendimit të qartë politik, marrin të mbarën.

Nga kjo filozofi që udhëhiqej nga një gjeneratë e re, ishte mbase krejt e qartë se edhe krijimi i segmenteve të mëvonshme dhe përpjekjet politike gjatë luftës, paraqesin pjekurinë që i dha Kosovës një rrugë krejt të re. Lufta si çlirimtare, e mishëruar me pjekurinë politike në Kosovë, filloi nga vetë idealistët dhe përfundoi nga një ide që u mishërua me veprime të përgjithshme për ti dhënë kahe procesit dhe krijimit të shtetit. Është në preferencat dhe vlerësimet e ndërkombëtarëve se lufta në Kosovë i dha fund shtypjes në Ballkan. Nga përfytyrimet e mëvonshme dhe nga shumë sentenca, nacionalizmi kosovar i shprehur në idealizëm, solli përfundimin shekullor në një robëri shekullore. Ky konceptualitet mbi idealizmin mbështetet mbi diskursin e flijimit apo më thjesht vetëflijimit për një qytetërim si popujt tjerë.

Përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për të krijuar shtet, datojnë që nga kohërat e lashta. Dhe kjo përpjekje e shqiptarëve gjithherë pati objektiv kryesor masivizimin e luftës çlirimtare, që në një mënyrë të krijohet mundësia për të krijuar bërthamat e një ushtrie çlirimtare mbi bazën e standardeve dhe rregullave universale botërore. Në këtë prizëm erdhi edhe formimi i ushtrisë më të re në Ballkan, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës rreth viteve 1993 – 1994, me një fjalë fillet e saj datojnë pikërisht në këto vite. Nuk përjashtohet mundësia që edhe më herët të kenë ekzistuar grupe të veçanta, por të një organizimi çfarë ishte ky, ishte për herë të parë.

Nga ky vështrim gradualisht erdhi duke u masivizuar përpjekja e luftës çlirimtare drejtë objektivave të kohës dhe duke gjet shtrirje në gjithë terrenin e Kosovës.

Viti 1998 shënon kulmin e fillimit të një reformimi në vetëdijen kombëtare, duke pas qasje më të drejt ndaj vlerësimit të kohës dhe veprimeve të mëtutjeshme.

Dalja në skenë e pjesëtarëve të UÇK-së në varrimin e mësuesit Halit Geci më 28 nëntor 1997, përfundimisht shembi vlerësimet se gjoja ekziston apo nuk ekziston një ushtri në truallin Kosovar. Pas kësaj kohe shtrirja e luftës merrte përmasa më të mëdha dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës po konsolidohej dhe po merrte formën e një Ushtrie të rregullt që mbronte vlerat kulminante të shtetësisë së Kosovës dhe shkatërrimin e popullatës nga ushtria dhe policia serbe.

Në situatën dramatike që u krijua për Kosovën në fillet e luftës çlirimtare, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i kushtoi vëmendje çështjeve të unifikimit që ekzistonin në mes programit patriotike dhe rrymimeve tjera ekzistuese në Kosovë që ishte interes vital i vetë ekzistencës dhe zhvillimeve të mëtutjeshme.

IV

Nga ky rezonim u formua edhe Zona Operative e Karadakut e UÇK-së me në krye Ahmet Isufin komandant të saj.

Shtrirja e Komandës së UÇK-së të ZOK-ut në Karadak dhe Gollak mundësoi një zhvillim normal dhe të shpejtë në strukturimin dhe masivizimin e saj. Brenda një kohe të shkurt arrihet që mekanizmat ushtarak të konsolidohen dhe të marrin formën e një ushtrie që do të sigurojë të ardhmen e qytetarëve të saj.

Dhe kështu, pas shumë përpjekjeve dhe një pune të vetmohueshme Zona Operative e Karadakut respektivisht shtabi i zonës arrin që të konsolidoj radhët e veta dhe të ketë përbërje të plot pikërisht më 8 nëntor 1998.

Zona Operative e Karadakut komandën respektivisht Shtabin e saj e kishte vendosur në këto vende:

Në fillim shtabi ishte në Marec, shtëpia e Hamz Makollit, ish baza e Rexhep Malës në Zllash- te Skifterajt.

Në lagjen e Hajdarajve ku edhe ndërtohet kazerma për regrutimin e ushtarëve

Në Zhegoc- te shtëpia e Mejdi Ahmetit

Në Mramor- shtëpia e Ejup Gashit -Malës

Në Gadish

Në Kishnapole.

Nga e tëra kjo organizimi i Zonës Operative të Karadakut ishte pjesë e lëvizjes për çlirim kombëtar, ku organizimi i saj ishte në çdo pjesë të Karadakut dhe Gollakut. Dhe në këtë vazhdë më 28 mars të vitit 1999 një pjesë e shtabit arriti në Zhegoc.

Përgatitjet për ardhjen në këtë pjesë ishin bërë qysh herët nga komanda e zonës ku edhe ekzistonin përgjegjësit për fshatrat e kësaj ane.

Duke parë se lufta po merë përmasat e një lufte të shtrirë në të gjitha pjesë e po ashtu edhe në Zonën Operative të Karadakut, Shtabi i ZOK-ut, gradualisht fillon të afrohet afër qytetit për t’i dal në ndihmë popullatës civile e cila gjendej në bllokadë të plotë.

Hyrja e një pjese të Shtabit dhe forcave të UÇK-së në malësinë e Zhegocit është bërë përmes Pajazit Ahmetit dhe Faik Ahmetit të cilët ishin përgjegjës për Zhegoc.

Pas 28 marsit të vitit 1999 forcat Çlirimtare kishin filluar të pozicionohen në këtë anë duke përfshirë një territor prej 20 km. Ushtria dhe policia serbe veç kishte filluar përgatitjet për të sulmuar popullatën civile në këto pjesë. Komanda e UÇK-së e udhëhequr nga Komandanti i saj dhe zëvendëskomandanti, kishin hartuar plani rreth operacioneve dhe luftës kundër forcave serbe. Kështu më 2 prill të vitit 1999, duke parë se lufta veç po përfshin edhe këto territore, disa njësite që ishin në zonën e Llapit u kthyen pikërisht në kohën kur ishte mese e nevojshme. Këto njësi kishin kaluar kohë të gjatë në Llap, ku ishin shquar në luftimet me forcat serbe.

Ushtria Çlirimtare e Kosovës në tërë Kosovë po mbronte themelet e shtetit të ardhshëm, po mbronte popullatën civile në të cilën ishte e pamëshirshme ushtria serbe, prandaj edhe Shtabi i Zonës Operative të Karadakut kishte qëllim parësor shpëtimin e popullatës dhe dëmtimin në masë të forcave serbe.

Prej datës 5 prill 1999 njësitet ishin vendos në të gjitha anët në Malësinë e Zhegocit për të bërë vëzhgimin dhe përcjelljen e forcave serbe. Dy ditë para se të filloi ofensiva në Zhegoc, përmes disa dëshmitarëve, njësitet e UÇK-së janë njoftuar se forcat serbe përgatiten për sulm ndaj forcave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës respektivisht Malësinë e Zhegocit. Informatat e tilla janë marrë nga vëzhguesit e disa njësive të vëzhgimit të UÇK-së. Gjatë dy ditëve respektivisht 13-14 prill serbët i kishin larguar fëmijët prej shtëpive të veta dhe nuk kishte lëvizje fare. Më datën 14 prill 1999 komanda e shtabit fillon përgatitjet për të mbrojtur popullatën në sulmin eventual që pritej të ndodhte.

Në agun e 15 prillit forcat serbe ia mësynë Zhegocit me një arsenal të paparë ndonjëherë Ishte një rrethim i hekurt pothuajse nga të gjitha anët. Ishte ora 5:30 minuta kur kolona të shumta ushtarësh dhe arsenal i shumtë ushtarak ia mësynë Zhegocit. Ushtria serbe vinte nga këto drejtime:

– Prej pjesës veriore respektivisht Mramorit dhe Kishnicës në drejtim të Zhegocit

– Nga pjesa lindore gjegjësisht nga Llabjani, Parallova, Bresalci, Poneshi

– Nga pjesa Jugore – Gadish, Kishnapole, Sllakoc.

– Nga pjesa veriperendimore, prej Sllovisë, Okllapit në drejtim të Zhegocit.

Vetëm fshati Smallushë dhe malësia e Plitkoviçit ende s’ishte bllokuar tërësisht.

Në këto momente edhe një herë bëhet konsolidimi dhe rikonfirmimi i hierarkisë ushtarake nga komandanti i zonës: Aty rreth orës 9:00 të mëngjesit te Hanet e Zhegocit kanë filluar përleshjet në mes të forcave serbe dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjatë kësaj përleshje, në momentin kur lufta veç kishte filluar, eprori Pajazit Ahmet – Paja dhe Afrim Myrtaj ishin nisur me xhip prej shtabit për te njësitet vëzhguese të UÇK-së. Edhe pse njësitet e UÇK-së iu kanë paralajmëruar në një formë megjithatë nuk ishin ndalur, ku forcat paramilitare serbe ishin pozicionuar mbi Hanet e Zhegocit. Me këtë rast breshëria e plumbave nga të gjitha anët në drejtim të xhipit kishin bërë të pamundur edhe pse luftëtarët e UÇK-së gjuanin me të gjitha mjetet që kishin, ku vritet Pajazit Ahmeti dhe plagoset rëndë Afrim Myrtaj duke marrë plagë të rënda në trup. Njësitet e UÇK-së fillojnë gjuajtjen dhe ngadalë afrohen për të shpëtuar jetën e Afrimit i cili ishte i plagosur rëndë. Arrijnë që ta marrin dhe t’i japin ndihmën e parë nga mjekët që ndihmonin luftën çlirimtare. Forcat serbe tentojnë të futen në Zhegoc mirëpo luftëtarët nuk i kishin lejuar deri në ora 16:00 derisa e kishin tërhequr popullatën në vende të sigurta. Edhe pse të rrethuar nga të gjitha anët, forcat çlirimtare kishin arritur të mos lejojnë ushtarët dhe paramilitarët serb të arrijnë të zbatojnë planin e tokës së djegur dhe të vrasin në masë dhe masakrojnë popullatën. Lufta ishte e pabarabartë, mirëpo djemtë e Ushtrisë Çlirimtare kishin arritur që të bëjnë një luftë mbi natyrore dhe të qajnë rrethimin. Dikur kah mbrëmja një pjesë e ushtarëve nga rrethimi i hekurt kishin arritur të dalin në drejtim të Marecit.

Lufta në Zhegoc edhe pse ishte e përmasave të mëdha dhe për pasojë kishte vrasjen e 8 ushtarëve të UÇK-së Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi, Sahit Baftiu, Shahin Baftiu, Kastriot Baftiu dhe Njazi Osmani dhe 18 civilë. E po ashtu edhe në Sllovi 49 civil Sinjalizoi se djemtë si Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti e shumë të tjerë din dhe munden të mbrojnë territoret e Kosovës dhe të lënë një numër të madh të vrarë të ushtarëve serb nëpër malet dhe fushat e Zhegocit.

Shikuar nga këndi i vlerësimit dhe nivelit ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës respektivisht Zonës Operative të Karadakut dhe asaj serbe, përdallimet ishin të mëdha si nga aspekti ushtarak ashtu edhe teknikës së armatimit.

Ushtria Çlirimtare ballafaqohej me strehimin e popullatës, ushqimin dhe mungesën e arsenalit ushtarak që pashmangshëm ishin pengesa që lufta s’mund të bëhej në nivele ashtu çfarë duhej. Por vlerësuar nga organizimi dhe mobilizimi i forcave të UÇK-së në momentin e fillimit të kësaj beteje edhe pse të rrethuar nga të gjitha anët padyshim se vijmë në një përfundim logjik se: Djemtë e Ushtrisë Çlirimtare të kësaj zone me vullnetin për të qenë të lire; Duke qenë të bindur në fitoren e sigurt; Duke qenë të njohur me ambientin ku jetonin dhe vepronin, arritën që betejën, me forca të pabarabarta, ta shëndrrojnë në një betejë ku fuqishëm mbrohen vlerat dhe dinjiteti kombëtar.

V

Beteja e Zhegocit paralajmëroi edhe këtë zonë dhe gjithë popullatën e kësaj treve se përmasat e kësaj lufte mund të kenë efekte jo të dëshirueshme nëse nuk arrijmë që të bëhemi një pranë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Zona Operative e Karadakut. Forcat çlirimtare luftuan dhëmbë për dhëmbë, duke shpëtuar popullatën civile dhe të plagosurit e tjerë. Ndikimi i saj fuqishëm sinkronizohet edhe me betejat më të lavdishme të historisë së popullit shqiptarë,me përpjekjet e udhëheqësit popullor dhe komandantit të luftës së Kaçanikut Idriz Seferit me luftën heroike në Kikë të Gollakut me trimërinë e Shyt Marecit e luftën e Molla Idriz Gjilanit,

15 prilli i vitit 1999, apo epopeja e lavdishme e betejës së Zhegocit ishte pjesë e luftës heroike që bënte Ushtria Çlirimtare e Kosovës Zona Operative e Karadakut.

Dhe krejt në fund do të potencoja: Pas luftës heroike të ushtarëve të UÇK-së, në betejën e Marecit, prej 18 prillit deri më 22 prill, ishte plagosur rëndë Muharrem Ibrahimi, epror i lartë ushtarak, duke dal prej shtabit për në spitalin e improvizuar te lagjja e Bullajve, me plagë të rënda vdekjeprurëse, thërret: ” Pika nuk guxon të bjerë…”. E kjo tregon për moralin e lart dhe vendosmërinë e luftëtarëve të UÇK-së, ku edhe në momentet kur po luftohej për jetë a vdekje, ata reflektonin natyrshëm mbrojtjen e pakompromis të çdo pëllëmbe të tokës shqiptare.

Nga pikëpamja historiografike, tani më shumë po argumentohet se gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e në këtë kontest betejës së Zhegocit ideja e krijimit të shtetit ishte perspektiva e vetme dhe e domosdoshme për Kosovën dhe zhvillimet e saj. Në këtë relacion vlen të përmendet se vetë shtrirja e luftës në përmasa çfarë ishte dhe drejtimi i saj në një hierarki vepruese në Kosovë dhe në anën tjetër përfaqësuesit politik të saj në shumë shtete të Evropës e më gjerë paralelisht paraqesin kapitalin më të madh të fundshekullit XX dhe njëkohësisht largimin e forcave ushtarake e policore nga territori i Kosovës.

Krerët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare duke pasur ide kruciale mendimin se brenda kufijve politik e administrativ të Kosovës duhet dhe mund të ndërtohet një pushtet i qëndrueshëm gjeti edhe përkrahjen e forcave përparimtare në botë dhe aleatë për të ndihmuar luftën e saj.

Vullneti politik e ushtarak i zonës operative të Karadakut në krye me komandantin e saj Ahmeti Isufi, bëri që lufta në këto pjesë të zhvillohet në sfera prej më të ndryshmeve.

Kjo betejë është edhe më e fuqishme si në aspektin historik ashtu edhe shkencor sepse këtu edhe mori fund regjimi i egër serb. Këtu u thye tirania. Ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës zgjodhën një rrugë dhe ajo ishte luftë deri në çlirimin e tokave arbërore. Padyshim se ne sot jemi të lirë dhe vetëm duhet të kthejmë kokën prapa dhe ti bëjmë një syresh historisë së kësaj anë e gjithë Kosovës atëherë mund të dimë se nga erdhëm, ku jemi dhe sa e vështirë qenka rruga për të ardhur deri këtu.

VI

Kjo shëtitje nëpër histori reflekton natyrshëm përpjekjet për liri dhe nuk duhet thënë shumë dhe shkruar tepër. Është rikujtuese nëse dikush ka harruar vitet, shekuj, gjakun e derdhur, amanetin e brezave. Nuk është hipokrizi të thuhet e vërteta. Shqiptarët janë të ndarë në shumë shtete jo me dëshirën e tyre. Alternativat janë në duar të tyre. Nuk duhet hezituar të mbrohet dhe thuhet ajo që ka ndodhur brez pas brezi.

 

Kontrolloni gjithashtu

Albert Z. ZHOLI; Tafil Buzi, patrioti që hoqi vallen e jetës në buzë të greminës

Pa  dëshmor historia  e  një  kombi venitet, pa  heronj  historia  e një kombi  është destinuar  …