Izmi Zeka: Njeriu i UDB-së serbe në Gjilan, Sinan Rexhepi i njohur si Sinan Zhegra, veteran i UÇK-së (!)

Izmi Zeka: Vriteni lirinë e Kosovës akademik Kraja!

Çka bëtë Ju luftëtarë, për çfarë luftuat? Edhe pa Ju liria do të kishte ardhur?! Mos u ankoni! Ju nuk na keni njohur mirë… Përse? Meqë jemi rritur gjysh pas gjyshi të robëruar, ani se disa kanë luftuar pandërprerë… Por, ata që kishin luftuar ishin luftëtarë të pakët, andaj binduni Ju luftëtarët e fundit të shekullit njëzet!… Kursi i nostalgjisë së robit tingëllon kështu: çka u hyri në punë lufta? Pse e bëtë ketë luftë? Ne ishim mirë edhe atëherë, kishim fabrika, kishim rrugë… Kuptoni, ne ishim mirë… Gjithsesi, sot mos u ankoni, edhe kur dënoheni, edhe kur vriteni! Mos bëni zhurmë: burgu është për burra…

Ju ishit pak, ama pak… Nuk na duhet liria që sollët Ju, ama bash hiq?! Çka na duhen dëshmorët, heronjtë, nënat shami zeza, të plagosurit, veteranët? Zërat cinikë të këtij diskursi të nostalgjisë së robit vijojnë: ama çka na duhen këto kategori luftëtarësh?!… Ne ishim mirë me “vëllazërim-bashkimin!…”

Pikërisht tash kur thuret rrjeta e merimangës, që ka planifikuar t`iu shtrydh me aktakuza, të ziera në kuzhina serbe-ruse-raciste, ankoheni pse po ngritën këso aktakuzash… Pa, pa, pa çfarë ligështie: burgu është për burra, mirëpo, jo për ne sehir-bërësit!… Shkoni more! Kosova bënë edhe pa juve, bënë edhe pa Adem Jasharin!…Ikni e shkoni në djall, nuk e duam lirinë që na e sollët Ju!!! Shkoni në Hagë a ku të doni! Së paku le të kënaqemi ne, qoftë përkohësisht!…

E shihni, edhe Albini i “mençur” po thotë: shkoni! Aspak se ka mërzi edhe ai,sikurse Vetoni i Surratit… “pobratim…” E pse mos të them dhe unë, qytetari i rritur, i burrëruar dhe i plakur në robëri për jetë të jetëve?! A nuk e keni ditur Ju se liria mund t` iu hajë pa pjekur?! Ndoshta nuk e keni pritur? Pse luftuat, pse…? A mos më pyetët mua se çka duhej të bënim? Unë për besë isha mirë! Ju a se dinit që Hasan Prishtina, Bajram Curri, Azem Bejta, Shotë Galica e shumë të tjerë, ku ishin dhe çka bënë e ku mbetën? Ju deshët të luftonit për ta përzënë shtetin “legjitim” të Serbisë prej Kosovë-Metohisë!.. Ajo çka bëtë ju, nuk e lanë as Drini i Bardhë!

A nuk e lexuat asnjëherë Nolin dhe Faik Konicën ose Edith Durham-in?Ju a nuk dëgjuat për Xhon Serreçin, Adem Demaçin, Metush Krasniqin, Jusuf Gërvallën, Bardhosh Gervallën dhe Kadri Zekën? As për Rexhep Malën, Nuhi Berishën, Afrim Zhitinë dhe Fahri Fazliun, si duket nuk keni as njohuri, as ndjeshmëri, as dhimbje, as respekt!…

Çka i solli lufta Gjergj Kastriotit, edhe pse e mbrojti qytetërimin evropian, për 25 vjet ?

Ju luftëtarë që përmbysët fuqinë serbe, keni menduar se po ndryshoni shekujt e robërisë?… A mos ndoshta keni lexuar në libra të popujve të qytetëruar se vetëm lufta zgjidh dilemat.?… Ju nuk e lexuat drejtë as Gjergj Fishtën dhe, do të kishit mësuar shumë për ne, por edhe për unin tim vetjak, edhe për karakterin indiferent… Mos harroni: me një karakter të tillë është ngjizur një shtresim i tërë ikanakësh… Edhe himni kombëtar shqiptar është luftënxitës:“Prej luftës vetëm ai largohet, që është i lindur tradhtar…” Pse ikëm? Pse i dinim mundësitë tona të ziera në frikë dhe e parashihnim fundin e aventurës tuaj!… Ndërsa tash mos na lodhni! Ne mund t`iu këndojmë çfarëdo lloji këngësh po të doni, porse vetëm këngë…

Ju i keni harruar fiset Ilire, historinë tonë të lashtë. A nuk shkruhet që ne ishim këtu kur erdhën barbarët, serbët e na gjetën këtu? A nuk shkruhet se ne ishim këtu edhe para Krishtit? Ndërsa Ju, luftëtarët e fund-shekullit njëzet dhe të fillim-shekullit njëzet e një donit t`i përmbysnit mijëvjeçarët?! Nuk iu falet lehtë. Jo, jo. Kush ishte Ali Pashë Tepelena, Pashai i Janinës? Ku mbeti ai? Frashërllinjtë si Abdyli, Naimi e Samiu vallë e dini ku janë? Ku kanë tretur ata? Ju luftëtarë: mos menduat se po e fitoni lirinë dhe ne do t`iu ngrehim përmendore? Nuk na njohët, ne që u rritëm bashkë me shekuj e intrigave e të asimilimeve të jashtme e të brendshme!…

Kush ishit ju të ndryshoni historinë, hartën “ballkanike”?!… Ju nuk e keni ditur kush e vrau Bacë Bajramin e Çerçiz Topullin…? Përderisa tash e përsëritni togfjalëshin përbindësh: vraje tradhtinë!

Madje tash vraponi edhe më shumë, shkruani më shumë letra e çka jo dhe, dërgoni në gjykatën “speciale” vetëm për UÇK-në, pohoni: jemi ende robër “të padrejtësisë” “ të sllavë-centrizmit “ të euro-centrizmit”, lirinë ende se kemi kuptuar se kujt i shërbeu lufta jonë, gjaku ynë?!

Luftëtarët vriten për së gjalli dhe për së vdekuri dhe nuk bëhet asgjë!… Sërish pranvera do të vijë…

Kush ishin amerikanët që na ndihmuan për t`u çliruar? Ani ende përmendet Woodrow Wilson, presidenti i SHBA-ve, i cili shpëtoi Shqipërinë nga katrahura dhe copëtimi i saj i mëtejmë, Shqipërinë një krijesë të vogël?… Pse prekeni nga njëfarë Shkëlzeni e Hakiu e do sy-leshesh tjerë, kur flasin e shkruajnë zi e më zi për luftëtarët?! Mandej e sillni anatemën e theksuar të Hasan Prishtinës: ruajuni mallkimit të historisë! Besoni ose jo është për t`u qeshur! Kush t`i ruhet këtij mallkimi? Unë? Ne? Ndoshta ata? Mos bre?

Po Ilirët a ishin djep i qytetërimit?!… Ne dhamë pashallarë në Egjipt e sadrazemë kudo në Perandorinë Osmane…Ismail Qemajli ishte rastësi e historisë sonë… Ju luftëtarë e luftës së fundit i harruat të gjitha këto…15 mijë të rënët , 20 mijë motrat tona të dhunuara ishin pjesë dhe vetë kurbani i lirisë së Kosovës?!… Mirëpo, Ju të gjallëve do t`u hajë liria që sollët!… Do t`iu hamë ne!…

A mos e keni harruar, që një luftëtar pas lufte shkruante diku në rrugët e Prishtinës: haram u qoftë gjaku im që derdha për ju!

 

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …