Ish-kryekuvendari i Kosovës dhe kryetar i Nismës Socialdemokrate, z Jakup Krasniqi në një intervistë për TV-Dielli, duke folur për zhvillimet aktuale politike e diplomatike në vend, ka deklaruar se situata në përgjithësi karakterizohet me shumë të panjohura dhe po degjeneron më tej për shkak të mosmarrëveshjeve dhe veprimeve autarkike të kryetarit të Kosovës, Hashim Thaçi. Krasniqi, edhe kësaj radhe është shprehur kundër shkëmbimit të territoreve me Serbinë, meqë kjo në radhë të prek sovranitetin e vendit dhe bie ndesh me Kushtetutën. Po ashtu ai mendon se ndërrimi i komunave të Kosovës Lindore me veriun e vendit, bën fitues Serbinë, meqë ajo merr katër komuna, resurset e Trepçës dhe Ujmanin, që kanë më shumë se 12.00 km2, ndërsa Presheva e Bujanoci nuk kanë as 500 km2. Po ashtu, ky ndërrim në fakt do të ishte ndërrim i tokave shqiptare me ato shqiptare, pavarësisht përbërjes aktuale etnike të popullatës. Krasniqi thotë se ende nuk është i njohur fakti a do ta pranojë Serbia paraprakisht Shtetin e Kosovës me kufijtë ekzistues, në mënyrë që pastaj të bëhet korrigjimi, apo ajo, pa e njohur fillimisht Kosovën si Shtet të pavarur po bën përpjekje ta faktorizojë ndarjen.
Ish kryekuvendari Krasniqi ka saktësuar edhe me këtë rast se bisedimet ndërshtetërore janë bërë dhe bëhen nga qeveritë respektive të vendeve, ashtu sikur edhe kishin filluar para pesë vitesh, kur kryeministër ishte, Hashim Thaçi. Tani ai është kryetari i Kosovës, dhe sipas kushtetutës ai nuk ka kompetenca të tilla për të udhëhequr bisedime ndërshtetërore, të paktën jo pa e pasur besimin e shumicës në Kuvend.
Jakup Krasniqi, në intervistën e tij për TV-Dielli ka folur edhe për gabimin e madh që është bërë me lejimin e bisedimeve me Serbinë pas Verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010. Po ashtu si ka segmentuar edhe faktin se Marrëveshja e 19 prillit e vitit 2013, në Bruksel, mes, asokohe kryeministrit, Hashim Thaçi dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daciq, në asnjë pikë nuk e nxjerrë fituese Kosovën por po thuajse në të gjitha pikat ka fituar Serbia.
Madje ai ka kujtuar kohën kur Thaçi, pas kthimit nga Brukseli, kishte deklaruar se “kishte arritur një marrëveshje historike, meqë sipas tij Kosova ishte bërë shtet funksional dhe me kufij të sigurt në tërë territorin”.
Tani kryetari Hsshim Thaçi bie në kundërshtim me atë që thotë se i ka nënshkruar në Bruksel, ndërsa pretendon t’ ia bashkojë Kosovës, Preshevën, Bujanocin e Medvegjën por pa ia dhënë Serbisë veriun e Kosovës. Kjo duket anakronike, derisa vetë kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka deklaruar se po përpiqemi të marrin sa më shumë nga Kosova përmes bisedimeve. Krasniqi mendon se është shumë keq të luhet me ndjenjat e shqiptarëve të Kosovës Lindore, meqë ata janë në gjendje shumë të rëndë, gjithnjë të lënduar, dhe një mashtrim i tillë i godet edhe më keq, pavarësisht se ata kanë të drejtë legjitime dhe të natyrshme të bashkohen me Kosovën, por rrethanat aktuale politike vështirë se do të jenë në favor të bashkimit.
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, mendon se Kuvendi është organi më i lartë ligjvënës, i cili mbron Kushtetutën dhe ka të drejtë ta stopojë çdo marrëveshje që vë në pikëpyetje sovranitetin dhe territorin e vendit. Ai, po ashtu ka kërkuar nga krerët e partive politike të jenë unikë dhe të marrin qëndrime në dobi të vendit, duke lënë anash ndasitë e përçarjen, e cila është manifestuar në të kaluarën dhe po manifestohet shumë keq në politikë bërjen e vendit.