Në një intervistë për TV-Diellin, kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka deklaruar se rrjedhat e pavolitshme politike e shoqërore në Kosovë, në radhë të parë janë pajojë e mungesës së konsensusit kombëtar të krerëve politikë dhe institucionalë, për çështje dhe probleme të caktuara me interes primar për vendin.
Ai i ka bërë një rezyme të bisedimeve me Serbinë, që nga ato në Vjenë, pastaj në Bruksel, madje edhe pas verdiktit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në kërkesën zyrtare të Serbisë për të definuar se a ishte shkelur e drejta ndërkombëtare me rastin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kishte konstatuar se me këtë rast nuk ishin shkelur ligjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj. krerët politikë të vendit kishin pranuar për fillim “bisedime teknike” me Serbinë dhe ato dolën të jenë politike, të cilat edhe degjeneruan duke vënë në pikëpyetje Kushtetutën dhe pavarësinë e vendit.
Jakup Krasniqi, asokohe kryekuvendar i Kosovës, ishte shprehur kundër marrëveshjes së 19 prillit të vitit 2013, të arritur me ndërmjetësimin e BE-së, në Bruksel, lidhur me lëshimet që i kishte bërë Serbisë, delegacioni i Kosovës në krye me Hashim Thaçin, asokohe kryeministër.
Duke folur për presionin që bë bën faktori ndërkombëtar lidhur me taksën 100% të mbi mallrat e Serbisë e të Bosnjës, Krasniqi është shprehur për TV-Diellin se vendimi për taksën ka qenë i drejtë, madje shumë i vonuar, sepse arroganca e politikës serbe, i ka kaluar të gjithë kufijtë dhe Kosova me asgjë nuk mund të detyrohet të veprojë lundër interesit të vet.
Ish kryekuvendari i Kosovës në dy mandate, Jakup Krasniqi ka deklaruar se vetëm veprimi unik dhe me një zë i Kosovës, në bisedime me Serbinë, sjellë rezultate duke u mbështetur në radhët të parë në Kushtetutën e vendit, e cila përcakton, territorin, tërësinë administrative dhe subjektivitetin shtetëror të Kosovës, të cilin nuk guxon ta anashkalojë askush.
(Bisedën e plotë të z. Jakup Krasniqi në studion e TV-Diellit mund ta shikoni duke filluar në orën 21 e 30 minuta).