Kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti në pesë-vjetorin e vrasjes së kriminelit serb, Oliver Ivanoviq, përmes një videomesazhi, ka thënë se “Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”. Pesë vjet më parë, Oliver Ivanoviq u vra në rrugët e Mitrovicës. Të gjithë ata që kryejnë një krim në Kosovë duhet të dalin para drejtësisë dhe më vjen keq që autorët dhe ata që e kanë porositur këtë krim ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë. Nevojitet angazhim i të gjitha institucioneve përkatëse për të gjetur dhe dënuar përgjegjësit për vrasjen e tij.
Kurti nuk ka folur se për çka është shpallur fajtor dhe është dënuar 9 vjet burg Oliver Ivanoviqi nga gjykatat e Kosovës. Fakti se Ivanoviqi ka vrarë dhe ka dëbuar me dhunë mijëra shqiptarët nga Mitrovica e Veriut, pas luftës nuk i bën përshtypje, Albinit as argatëve të tij besnikë, të cilët bëhen sikur nuk ka ndodhur asgjë. Madje kjo nuk iu bën fare përshtypje as deputetëve nga radhët e UÇK-së dhe nga disa të ish-burgosur politikë, tani të burgosur brenda Vetëvendosjes, që rrahin gjoks se janë prijatarët e çdo lëvizjeje në Kosovë, por që luftën e kanë kryer në Shqipëri, Zvicër, Francë e Gjermani, kuptohet nëpër hotele, dhe janë kthyer në Kosovë pasi ka mbaruar lufta, duke iu veshur institucioneve e duke i thithur favoret që sjellë pushteti.…
Ata kanë siguruar familjet dhe vetët e tyre, kanë banesa e shtëpi në Kosovë, kanë banesa dhe motele në Bregdetin e Shqipërisë, banesa apo shtëpia në vendet e Evropës, ku kanë marrë azil, dhe tani duke qenë se kanë nge, përditë kujtojnë të kaluarën e tyre “lavdiplote” duke u fërkuar me heronjtë dhe përditë rrahin gjoks se e kanë themeluar UÇK-në, UÇPMB-UÇK-në në Maqedoni. Për ta nuk është me rëndësi se kush ka luftuar e kush ka rënë, kush ka humbur gjymtyrët dhe kush ka dhënë kontribut historik për çlirimin e vendit, por përditë fryjnë bulçitë e trumpetojnë se ata paskan qenë prijatarë, ideatorë dhe maza e kombit, se po të mos ia kishin ngjitur emrin UÇK-së, as luftë nuk do të kishte pasur. Jo pak prej tyre, sidomos nga radhët e mërgatës, janë rreshtuar me Albin Kurtin, ashtu sikur në vitet 90, me Ibrahim Rugovën. Dhe qëndruan atje krejt derisa LDK-ja e Rugova i përzunë nga radhët. Ata, nuk shfaqin as mospajtimin më të vogël nga frika se mos Kurti po ua bën si Rugova dikur. (RKL)