Përveç vezirëve me origjinë shqiptare që kanë bërë emër në mesin e autoriteteve më të larta të Perandorisë Osmane, në kohën e sundimit të Sulltan Sylejmanit, sundimtarit më të madh të kësaj Perandorie, krahas katër vezirëve shqiptarë të asaj kohe shquhet edhe poeti, shkrimtari dhe shoku besnik i djalit kokëprerë të Sulltanit, shehzade Mustafa.
Jahja beu ishte me origjinë nga Principata e madhe e Dukagjinasve. Në historinë turke njihet si: Dukagjin-Zade Jahja Bej, apo Tashlixhali Jahja. Është ndër personalitetet e pakta të kohës, i cili jo vetëm që nuk kishte mohuar origjinën e vetë, por me mburrje kishte shkruar për atë origjinë “spartane”, që ka jetuar dhe rron me shpatë, gjithnjë i kërcënuar, por gjithnjë e mbijetuar, nga shekulli në shekull.
Raca ime është racë shqiptare…
E gjithë familja ime me shpatë rronte.
Tamam si zemër luani,
Ata si shqiponjat ndërtojnë shtëpitë e tyre mes gurësh.
Ky është gjeni, origjina e atij që është shqiptar.
Ai është si margaritar, i fshehur mes gurësh… shkruan në një ode të tij, në gjuhën turke.
Jahja bej Dukagjini, pavarësisht se ishte poet i oborrit mbretëror ai ishte edhe një burrë trim dhe shumë i mirëpritur edhe nga vetë Sulltan Sylejmani, e sidomos nga Ibrahim Pashë Pargaliu. Në anën tjetër ishte shoku më i ngushtë dhe më i dashur i djalit të Sulltanit, shehzade Mustafasë. Edhe ky si shumë e shumë shqiptarë të tjerë ishte rrëmbyer që në fëmijëri, me ligjin e Devshirmesë, që lejonte turqit të merrnin fëmijë të krishterë, qoftë edhe në mënyrë të dhunshme, me qëllim për t’i arsimuar fetarisht dhe ushtarakisht dhe për t’ i bërë pjesë të Perandorisë. Jahja beu ishte vëlla i Vezirit të njohur Ahmet Bej Dukagjini.
Është ndër të vetmit shqiptarë të mirënjohur të cilit iu kursye koka dhe jo vetëm sepse ishte shok i ngushtë dhe shoqërues besnik i djalit të Sulltanit, por për faktin se ishte dijetar e mbi të gjitha poet, të cilët i çmonte shumë Sulltan Sylejmani.
Ishte në mesin e dijetarëve dhe personaliteteve më të mëdha të kohës, si: Iskender Çelebiu, Ibrahim Pashë Parga, Kadri Efendiu, Xhafer Çelebiu, pastaj shkrimtari më i madh i kohës, Lutfi pasha, po ashtu me origjinë shqiptar nga rrethi i Vlorës e shumë të tjerë. Ngritja e tij në karrierë fillon si jeniçer, në mesin e kalorësisë së kohës, pastaj kapiten i lartë, (bylykbash), sekretar i jeniçerëve dhe më vonë në siutën intelektuale të dijetarëve më në zë të kohës.
Jahja Beu ka marrë pjesë në Betejën e Çaldiranit në kohën sulltan Selimit I në 1514 dhe në fushatën që asokohe u ndërmor kundër Egjiptit në vitet 1516-1517, pastaj në një ekspeditë kundër Bagdadit në vitin 1535 në kohën Sulltan Sulejmanit. Ai kishte fituar respektin e autoriteteve më të rëndësishme të kohës, duke përfshirë edhe Sulltanin, i cili e çmonte për shkak të poezive të tij. Po jo të gjithë e donin dhe nderonin poetin më të madh të perandorisë së kohës. Atë e urrenin dy pashallarë të njohur, të cilët janë të njohur edhe për intrigat e kurthet që ia kishin përgatitur, Shehzade Mustafait. Ata ishin Mehmet bej Kajaliu e sidomos Veziri i Madh Rrustem pashai, me origjinë kroate, më vonë dhëndër i Sulltanit. Jahja beu kishte shkruar poezi ironike e sarkastike kundër dy pashallarëve, ndërsa Rrustem Pashanë e kishte konsideruar si armik të poetëve.
Në vitin 1553, pas intrigave të njëpasnjëshme që kishte kurdisur mbretëresha e zgjedhur e Sulltanit, zonja Hyrem me origjinë ruse-ukrainase, Sehzade Mustafa u ekzekutua nga Sulltan Sulejmani, babai i tij. Jahja beu asokohe ndodhej në Ergel të Konjës dhe kishte shkruar elegjinë e tij të njohur për princ-Mustafanë. Elegjia e tij u bë shkak edhe për largimin nga Stambolli, nga frika e intrigave të Rrustem Pashait, edhe pse Sulltan Sylejmani nuk kërkoi që Jahja beu të ndëshkohet për shkak të poezisë që ai ia kishte kushtuar djalit të tij. Me qëllim për t’i ikur persekutimit, Jahja beu me gjuhën lakonike të poezisë kishte shkruar: “Ne e dënuam atë së bashku me Padishahun, por e vajtuam së bashku me tërë njerëzinë”.
Pasi ishte kthyer në çifligun e tij në Taslixhe të Bosnjes, Jahja beu krahas punëve të ndryshme administrative, vazhdoi të merret me shkrime e poezi.
Ka shkruar divanin e njohur: “Mbreti e lypësi”, pastaj pesë romanca të njohura për dashurinë, të deklamuara me një alegori mistike, por jo nën ndikimin e traditës mistike iraniane. Ka shkruar edhe romancën e njohur me temë nga Kur-ani e Besëlidhja e Vjerër, “Jusufi e Zylehja”, “Trëndafili” mbi njëmijë petale”, ku ka përshkruar mrekullitë e Profetit Muhamed. Libri i Qytetit e shumë poezi, divane, ode me tema të ndryshme fetare, etj. Deceniet e fundit të jetës i ka kaluar kryesisht në vende të ndryshme të Rumelisë, por më tepër ka qëndruar në vendlindjen e tij në Taslixhe ku edhe ka vdekur në vitin 1575.
Burimet:
https://en.wikipedia.org/…/Yahya_bey_Dukagjini
www.dritaislame.al/shqiptaret-ne-turqi-po-zgjohen
www.forumishqiptar.com/…/page13
Një poezi shqipe në librin “Ti amo di due amori”
www.islamgjakova.net/artikulli.
archive.worldhistoria.com
www.tiranaobserver.al/halil-inalcik-i-pari-deshifrues-i-sanxhak-arvanid